Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

GJURMËT E GJENIUT

Te një ese botuar tani së fundi në The Baffler (Portals of Discovery, Awaking from the Nightmare of Genius), Jessa Crispin ndalet në Uliksin e Joyce-it dhe fatin e autorit si gjení, në epokën e rrjeteve sociale dhe të “intelektualizmit performativ”.

Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, Uliksi e pa statusin e vet të shndërrohej nga roman avant-garde dhe i censuruar, në vepër të kanonit letrar perëndimor dhe më së fundi, në shënjestër të kritikës kundër privilegjit të shkrimtarëve meshkuj të bardhë heteroseksualë dhe shpronësimit të tyre kulturor.

Tani që romani gjendet lehtë kudo dhe studiohet gjerësisht në shkolla, thotë Crispin, gjëja cool që mund të bëhet, është të shpallësh se nuk e ke lexuar. Të paktën në Amerikë, Uliksi u kujton lexuesve detyrat e shtëpisë, leximet jashtë klase, diçka që duhet duruar, sepse të bën mirë. Një lloj zarzavati për mendjen, në mos vegël gjimnastikore e atleticizmit kulturor.

Por debatet për libra të tillë dhe për kanonin letrar e kulturor në përgjithësi janë edhe beteja se cilët krijues do të meritojnë vëmendje dhe do të kenë akses në burime dhe mbështetje institucionale, vëren Crispin. Pa këto burime dhe mbështetje, veprat e reja nuk do të arrijnë të dalin mbi ujë.

Jemi ende robër të mitit romantik, shkruan ajo, për gjeniun artist si virtuoso ekscentrik, me kuletën bosh, të pakuptuar në kohën e vet, e që megjithatë i jep dërrmën tradisës që i ka paraprirë dhe shënjon fillimin e ri të gjithçkaje vjen më pas. Ky vetmitar refuzon t’u nënshtrohet normave, të ecë në një hap me traditën dhe t’u bindet kanoneve.

Por ky mit nuk funksionon më. Sepse tashmë duhet të mbyllë njeriu sytë, për të mos kuptuar se vlerësimet për një vepër a një autor kushtëzohen nga sistemet kulturore dhe ideologjitë sociale sunduese, duke qenë ato vetë dëshmi se kush e zotëron pushtetin kulturor, në një periudhë të caktuar.

Nëse kjo është e vërtetë, a na lejohet, megjithatë, ta gjykojmë traditën si një metodë kontrolli, e cila mund edhe të hidhet poshtë?

Brenda kulturës shqiptare, miti romantik i krijuesit është dyfish i rremë – sepse ne nuk kemi pasur krijues të tillë (një profil realist i shkrimtarit shqip të traditës do të ishte ai i një mësuesi a i një prifti); dhe sepse, edhe po të kishim pasur, këta nuk do të ekzistonin më.

Crispin shkruan se një pjesë e madhe e mitit të Joyce-it i ka rrënjët te censura që iu bë në krye Uliksit; çfarë lë të kuptohet se “pengimi” institucional është një nga sfidat në rrugën e gjeniut drejt njohjes.

Kjo e pengimit dhe e censurës është temë që shfaqet shpesh në hagjiografitë tona kulturore – sepse gjeniu jo vetëm është, por edhe duhet të jetë i rrezikuar. Një shtrëngesë narrative që e imponon gramatika e mitit, jo realiteti.

Aq më mirë në qoftë se historitë kulturore të regjimeve totalitare përmbajnë vërtet një mori shembujsh të persekutimit politik të artistëve. Në Shqipëri, shkrimtari që sot mbahet si më i madhi autor i letërsisë shqipe, I. Kadareja, është asociuar shpesh me episode censurimi, kërcënimi, ndalimi – jo rrallë, edhe a posteriori.

Ka tridhjetë vjet që mediat ofrojnë materiale dosjesh, dëshmish, kujtimesh për këto ndalesa të I.K. gjatë periudhës së regjimit të Hoxhës, si pjesë e Via Crucis të “gjeniut” shëlbues të letrave moderne shqip.

Këtyre t’u shtojmë edhe tekstet “e ndaluara”, materialet e refuzuara, të kritikuara, të groposura; nga Përbindëshi te Pashallarët e kuq.

Nuk është synimi im të analizoj këtu, në mënyrë kritike, teknikat specifike si u ndërtua dhe si mirëmbahet miti i Kadaresë sot, ndarazi nga suksesi dhe vlerat e veprës së tij; por vetëm të vë në dukje – me Crispin – se nuk është gjeniu që imponon vullnetin e vet ndaj botës, por është bota që krijon kushte të tilla, që mundësojnë shfaqjen e gjeniut dhe të artit të tij.

Ashtu si Crispin që nuk e ka shqetësimin vetëm për Uliksin, edhe unë këtu po dua të kuptoj arsyet pse sistemi i sotëm kulturor nuk arrin të përftojë më vepra dhe autorë të kalibrit dhe të statusit të Kadaresë.

Le të mos harrojmë si u përftua Uliksi, shkruan ajo autore dhe të mbajmë parasysh sa larg jemi sot, nga ato rrethana fatlume. Dhe vazhdon:

Njëlloj siç ecin së prapthi bisedat tona për kanonin, teksa ne shpresojmë se mund të ri-ndërtojmë një shoqëri më të mirë duke ndërruar emrat e artistëve të cilëve u japim titullin gjení, edhe përpjekjet tona për prodhim kulturor ecin së prapthi. Ne i kembi mbyllur prodhimin kulturor, kulturën kritike dhe publikun target në universitete dhe institucione të tjera me ajër të ndenjur, jo vetëm duke fshirë dhe injoruar punën që bëhet jashtë tyre… por edhe duke u munduar aktivisht për ta shkatërruar atë punë. [Por] institucione si universitetet dhe establishmenti botues janë zona të vdekura, të paafta për inovacion; ato veç mund të kooptojnë punën e të tjerëve dhe ta prodhojnë atë në masë.

Kjo vlen për SHBA dhe vende të tjera perëndimore, por më pak për Shqipërinë dhe Kosovën, ku roli i universiteteve në kulturë është i papërfillshëm; në vetvete, por në krahasim me protagonizmin e asaj që do të quaja “burokraci të artit dhe të librit”: një tërësi institucionesh publike, me Ministrinë e Kulturës në krye, që financojnë dhe mbështetin aktivitete të “zbukurimit të vitrinave”.

Këto aktivitete nuk janë vetvetiu të qortueshme – sa kohë që e ruajnë vetëdijen për kufizimet e tyre. Dhe fakti është që kultura shqiptare nuk po përfton dot një hierarki vlerash, pavarësisht përpjekjeve për ta ndërtuar një surrogato të kësaj hierarkie, nëpërmjet karnavalit performativ të “eventeve” kulturore, të cilat synojnë, në sipërfaqe, të krijojnë dhe të mirëmbajnë një publik për letërsinë dhe artin që krijohet rishtas.

Folklorisht, kjo do të perceptohej si dështimi për të nxjerrë “një Kadare të dytë”, ku prapa formës qesharake të këtij shqetësimi, fshihet e vërteta e hidhur se ne tashmë ia kemi lidhur duart njëri-tjetrit, duke e dënuar skenën kulturore me anonimitet.

A ka sot tek ne autorë, krijues, artistë që do të meritonin më shumë vëmendje, dhe ashtu do ta pasuronin me kuptim jetën e të gjithëve? Pyetja e sjell paradoksin me vete, por kështu me intuitë, them se të tillë autorë, krijues dhe artistë ka. Sërish Crispin:

Prapa çdo gjeniu, gjen një grup mbështetësish dhe admiruesish dhe aktivistësh të çartur, të cilët bëjnë të mundur që artisti të ushqehet, të lexohet, të frymëzohet dhe të qarkullohet. Nëse kemi apo jo shkrimtarë dhe artistë të denjë për t’u quajtur gjení, kjo nuk është e qartë; por nuk do t’i gjejmë dot, pa ri-themeluar komunitetet që na lejojnë t’i shohim.

Autorja flet për rithemelim – por koncepti i rithemelimit për kulturën shqiptare nuk ka ndonjë kuptim; sepse kjo ose nuk ka pasur fare themele, ose ka qenë kulturë e sponsorizuar nga politika dhe ideologjia, në shërbim të një regjimi totalitar; me një fjalë, i ka pasur themelet në didaktikë dhe propagandë. Shkëlqimi i I. Kadaresë në Shqipëri – edhe pse gjithnjë me dritë-hije – ishte i subvencionuar nga shteti, duke filluar nga statusi i “shkrimtarit” profesionist, që gëzonte autori. Edhe përkthimi frëngjisht i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nuk mund të ndodhte pa miratimin aktiv nga regjimi i Hoxhës, i cili ishte palë e një operacioni jo vetëm kulturor. Njëlloj u kultivuan, të paktën në Shqipëri, edhe autorët e tjerë të mëdhenj, të periudhës së realizmit socialist, në letërsi dhe gjetiu. Për ata që dyshojnë, kam këtë pyetje: sa ishin gjasat, që të përkthehej aso kohe në frëngjisht Qyteti i fundit i Petro Markos?

Pas 1990-ës, të zgjedhurve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve iu shtuan, edhe pse me gjysmë zemre, autorë dikur të përndjekur nga regjimi i Hoxhës – të cilët edhe ata i kishin gati kredencialet e “censurës”, pa çka se një pjesë po dilnin në skenë me vepra artistikisht të dobëta. Kjo përpjekje, sërish e motivuar politikisht, nuk i arriti rezultatet që synonte, për ndërrim të paradigmës: dhe arti i të përndjekurve dhe i disidentëve, i ndërthurur me artin e shqiptarëve të “diasporës”, nuk arriti dot ta zhvendosë realizmin socialist, nga tribuna e privilegjit artistik (mjaft të mendosh suksesin që gëzojnë akoma filmat propagandistikë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, me sekretarë partie në role shenjtorësh e të urtësh).

Aksidentalisht, kultura sot në Shqipëri i ka shpëtuar sekuestrimit nga universitetet – kjo, sepse universitetet janë bërë irrelevante dhe nuk ua vë veshin njeri; dhe as guxojnë të konkurrojnë me televizionin, i cili – me pak përjashtime të mirënjohura – u mbetet gjërave në sipërfaqe, duke promovuar kitsch-in dhe konformimin. Teknika të tjera të promovimit, nga subvencionet e drejtpërdrejta te përkthimet e te çmimet letrare, nuk e kanë dhënë as ato impulsin që shpresohej. Me të shpejtë, kultura po humbet edhe përmasën kohore afatshkurtër – pakkujt i shkon mendja të kujtojë, bie fjala, vepra të fillimviteve 2000, madje edhe nga autorë që vazhdojnë të përshëndeten dhe favorizohen nga establishmenti. Mungojnë figurat që do t’i jepnin tonin dekadës e më tej, sepse mungon mjedisi ku ato figura do të rriteshin artistikisht, për t’u transformuar nga dukuri të momentit, në pika referimi kohore.

E kotë të shtoj edhe që ky “çkohëzim” i kulturës e ka përçudnuar edhe pritjen e vlerave të traditës, duke ia besuar këto Facebook-ut dhe dokumentarëve të amatorëve në televizion e në YouTube, të cilët zhvlerësojnë edhe atë pak punë të bukur që bëhet. Edhe e shkuara gjysmë mitike, ajo e artistëve heronj romantikë, tashmë po ruhet në formalinë dhe ekspozohet në raftet e muzeut kombëtarist.

Gjendja, siç e shoh unë, nuk lë shumë vend për optimizëm. Shteti, me instrumentet e veta, nuk ka shans që ta restaurojë klimën e shëndoshë kulturore, por e shumta të krijojë një klientelë artistike, e cila ta fillojë dhe ta mbarojë karrierën në performativitet, duke shëtitur nga eventi në event dhe nga një studio televizive në tjetrën. Nëse ka kolektiva letrarë dhe artistikë të pavarur, në gjendje të përftojnë art të mbajtshëm (sustainable), këtë nuk e kam ndeshur gjëkundi. Një shpresë tjetër: shumëfishimi i kontakteve kapilare me Kosovën – përtej flamurëve dhe platitudave patriotike. Shteti mund të ndërhynte duke subvencionuar çmimet e librave shqip në shitje, por jo më tutje. Për kritikën, kam folur gjatë tjetërkund. Të gjitha këto janë pak, shumë pak. Por le të fillojmë duke u vetëdijesuar se kultura që kemi sot nuk mund të riorganizohet dhe as të rithemelohet, sipas precepteve të kulturës paraprijëse, që përftoi histori shkëlqimi dhe suksesi si ajo e I. Kadaresë; sikurse nuk mund të mbijetojë, duke u kacavarur pas monumentit të këtij të fundit.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin