Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

PASOLINI MË DYSH

Këto ditë, që u kremtua në Itali, por edhe gjetiu një përvjetor i Pasolinit, më qëlloi të lexoj një artikull për autorin si udhëtar dhe për vendet ku i ka ambientuar disa prej filmave të tij më të njohur. Mendova se ish një mënyrë e gjetur për t’iu referuar jetës së Pasolinit, pa folur për seksualitetin e tij – një argument ky i fundit, që ka dekada që sillet e risillet në vëmendje. Mbase ngaqë më bëri të mendoj se një personazh të tillë të jetës publike, një intelektual si ai, vetëm Italia mund ta kish nxjerrë – Italia e katolicizmit plebé dhe e avangardës artistike; Italia e traditës rurale dhe e sfidës ndaj konvencionit borgjez. Kam preferuar të ndalem te vepra jo te jeta e atij autori, edhe pse shpesh e kam pasur të pamundur, ngaqë mass mediat – dhe jo vetëm – jetën e tij, sidomos jetën private, ma kanë imponuar si të ishte vepër dhe madje kanë shpresuar se historitë e eksplorimeve seksuale të Pasolinit do ta zëvendësonin veprën e tij dhe impaktin e saj. Dhe këtu po flas për Pasolinin jo si “autorin funksion” të gramatikës narrative të veprave të tij, a si një sistem kufizimesh të interpretimit të tekstit (Foucault), por si dikë, për të cilin ka qenë e pamundur, në mos e padëshirueshme, t’ia ndash jetën nga vepra; dhe jo vetëm ngaqë ajo vepër nuk do të kuptohet dot mirë, pa u shoqëruar nga “parathënia” e biografisë së autorit, nga kornizimi biografik. Deri edhe vdekja e dhunshme e Pasolinit, me misterin që vazhdon ta rrethojë, është integruar tashmë në veprën e tij. Çfarë e shndërron atë autor në mit të spektaklit kulturor të Italisë së Pasluftës. Dhe në këtë kontekst, kujdesi për ta “ndarë” veprën nga autori dhe për ta mbrojtur tekstin nga interferencat biografike mund ta pengojë pritjen dhe kontekstualizimin e asaj vepre. Ja pra, dy rreziqe që kërcënohen njëherësh: ai që vepra – poetike, letrare, publicistike, filmike – e Pasolinit të shihet si apendiks i jetës dhe i seksualitetit të tij; dhe ai tjetri, që vepra  – poetike, letrare, publicistike, filmike – e Pasolinit, t’i jepet publikut e “dezinfektuar”, ose e nxjerrë nga konteksti që, në analizë të fundit, e përftoi. Ngaqë e mbaj mend edhe tronditjen me të cilën u përcoll vrasja e Pasolinit, sikurse mbaj mend edhe polemikat që vazhdojnë sot e kësaj dite, lidhur me licencat seksuale që – sipas disave – i janë njohur me tepri nga kultura e majtë, më duhet ta pranoj se e kam të pamundur t’i qasem kësaj vepre, pa pasur parasysh se “kush” e ka përftuar dhe e rrëfen. Por a duhet ta konsideroj këtë si një avantazh, meqë më shndërron në lexues/shikues të informuar; apo si pengesë, që nuk do të më lejojë ta shijoj veprën si të tillë? Nuk kam ndonjë përgjigje për këtë dilemë. Mbase nuk ia vlen as të informohem se ç’lloj “leximi” do të kish preferuar Pasolini vetë – tek e fundit, nuk është ndonjë autor i preferuar për mua. Romanin e tij Teorema nuk e përfundova dot, filmin e tij Salò nuk e përballova dot; po mjaftohem të them se shijet e mia janë të tjera. Por në të dy herët, me aq sa mund të them me siguri, nuk ishte biografia e Pasolinit që ma kushtëzoi refuzimin, por thjesht ajo që edhe romani, edhe filmi nuk më tërhoqën dot estetikisht. Do të më thonë që reagimi im flet më shumë për mua dhe mangësitë ose idiosinkrazitë e mia, se për cilësinë e veprave – po e pranoj edhe këtë. Ndoshta ngaqë nuk jam katolik, as i krishterë dhe as i rritur në atmosferën e opresionit moral që disa ia atribuojnë katolicizmit në Italinë e shekullit XX, e kam të vështirë t’i kuptoj tematika dhe vepra të tilla, aq të rrënjosura në kulturën italiane të atyre viteve. I vetmi mësim që mund të nxjerr nga eksperienca ime, është se të paktën e kam kuptuar që jo të gjitha leximet e ligjshme të një vepre janë njëlloj të vyera dhe pasuruese për lexuesit. Por kjo nuk do të thotë as që njeriu duhet të identifikohet me Pasolinin dhe mundimet e tij, njerëzore dhe estetike dhe filozofike, për t’ia shijuar veprën. Thjesht i duhet këtij njeriu të pranojë, se shpesh këmbana nuk bie për të; si dhe, gjithsesi, që Pasolini mund fare mirë të kthehet si sfidë intelektuale, edhe atje ku nuk pati sukses, si sfidë estetike. Dhe pikërisht: ky glorifikim që i bëhet sot, ky domestikim, ky neutralizim i çdo aspekti subversiv të veprës (në mos edhe të jetës) së Pasolinit, kjo mani për t’u rreshtuar të gjithë me vrap krah tij, ky pasion kolektiv për t’u konformuar, mos rrezikon t’i bëjë asaj vepre atë çfarë moralizuesit, me përçmimin e tyre total, nuk arritën dot t’ia bëjnë?

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin