Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

HISTORIA NË EMËR TË SË SOTMES

Mitet për të shkuarën dhe të tashmen dhe historia në emër të së sotmes

nga Artan R. Hoxha, Ph.D.

 

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Kjo ishte thirrja që jehonte në sheshin qendror të Tiranës, që dikur mbante emrin Enver Hoxha dhe ku, monumenti i diktatorit të vdekur vetëm pesë vite më parë qëndronte me fytyrë të kthyer nga Lindja. E ndërsa monumenti gjigand i Hoxhës shikonte drejt Lindjes, shqiptarët në shesh kërkonin Perëndimin. Për ta Europa nuk ishte Bullgaria, Rumania, Polonia, apo Hungaria. Për ta Europa ishte pjesa perëndimore e saj, ishte Europa e Bashkimit Europian, Europa e modelit të demokracisë liberale dhe e kapitalizmit të reformuar me fytyrë njerëzore, e shtetit të mirëqenies sociale që kishte gjetur një formulë të pranueshme mes punës dhe kapitalit dhe që në vitet e boom-it të pas Luftës së Dytë Botërore, kishte arritur të siguronte bollëkun material për të gjitha shtresat shoqërore. Por pavarësisht kësaj rrëzimi i busteve nuk i ka çliruar ende shqiptarët nga pesha e të kaluarës dhe nuk i ka bërë ata ende europianë.

Me fatalitet të theksuar historik, shpesh në literaturën akademike, artistike dhe në atë publicistike, periudha komuniste identifikohet me kohën e triumfit të së keqes, të gabuarës, të së shtrembrës. E shkuara osmane dhe ajo komuniste vlerësohen si rrënjët e mjerimit të sotëm. Pesimizmi mbi atë që është Shqipëria pasqyrohet në formulën që dëgjohet anekënd: “ky vend nuk bëhet!”. Çfarë kuptohet me “të bëhet”? “Të bëhet çfarë?” E pikërisht këtu fshihet edhe mesazhi kryesor i pesimizmit për të tashmen dhe të ardhmen, që shkaktohet nga mospërputhja mes realitetit aktual dhe aspiratës kryesore të shumicës së shqiptarëve: që Shqipëria të bëhet si Europa perëndimore, Europa e zhvilluar, e kulturuar, e mundësive të mëdha, e humanizmit, e rregullave, e shtetit funksional, e lirisë; Europa e meritokracisë, e shkollave të mira; Europa e parasë, e makinave, e pensioneve të majme, e shtetit të madh paternalist që paguan dhe e demokracisë liberale. Europa me të gjithë mitet e veta shpërfaqet përpara shqiptarëve si një destinacion historik – edhe pse tani ëndrra jo rrallë herë është Amerika ose vendet skandinave me gjithë mitologjinë që shoqëron ndërtimin e utopive tokësore. Kjo aspiratë, ky kërkim i pandalshëm i toposit të ëndrrave është shprehje e fuqisë së paradigmës hegjemone dhe miteve të saj, që zdrugojnë gjeografinë e kontinentit, kufijtë dhe emërtimin e tij.

“Të bëhemi” nënkupton shndërrimin e Shqipërisë në një provincë gjermane apo skandinave, vende idilike ku thua nuk ka histori e ku të gjithë janë të lumtur; janë imazhe naive, shumë larg të vërtetës, utopi të vizionit të shekullit të XX që vijojnë të pushtojnë mendjet e shqiptarëve, pesimizmi i të cilëve për vendin e tyre dhe iluzionet për Perëndimin bien ndesh me qëndrimet shumë të ashpra dhe tejet kritike që shumë perëndimorë të sotëm kanë për shoqëritë e tyre. Ndërsa në Perëndim, me përjashtime të rralla të ndonjë milenaristi fanatik fetar, kandilit të utopisë ka kohë që i ka mbaruar vaji dhe pakkush beson më në të, shqiptarët, në një numër të madh, mendojnë të shpëtojnë nga vendi i tyre, që e përshkruajnë dhe e mendojnë atë si një distopi tokësore, duke u vendosur diku, në një tjetër vend, ku gjithçka është gati e prandaj nuk kanë pse të punojnë për ta ndërtuar parajsën: ajo është aty, e bërë gati nga të tjerë.

Në këtë mënyrë përsëritet fabula e parajsës së humbur, fatalitetit historik që me kafshimin e mollës së mëkatit çoi në largimin tonë nga Edeni – dhe bashkë me të edhe gjithë rrokopujën që ka dënuar me mallkim Shqipërinë. Thua se jemi një popull i nëmur. Për këdo që largohet e rikthehet në atdhe, pyetja standarde me të cilën ballafaqohet është “pse je kthyer?”; dhe problemi është se duhet të japësh sqarime përse ke vendosur të kthehesh në vendlindje. Shpesh kjo pyetje shoqërohet me pohime të thëna me siguri absolute, si të tipit “vetëm në Shqipëri ndodh kështu” apo “vetëm në Shqipëri gjërat bëhen kështu”. Apo qëllon që kur dikush vjen për pushime apo për të takuar të afërmit, të përplas në fytyrë ndonjë shprehje “Unë nuk jetoj dot këtu. Nuk e di si ja bëni ju”. Këto janë shembuj të qartë të kompleksit të inferioritetit që shpërfaqen në një shoqëri ku ka humbur krejtësisht besimi te mundësia e “normalizimit” të saj; janë sinjale se një numër i madh shqiptarësh iu është shuar shpresa se vendi i tyre do të zhvillohet. Për ta, oaza e shumëdëshiruar ku mund të njomin buzët me ujin e ëmbël të mundësive ndodhet tjetërkund.

Brendësimi i kompleksitetit të inferioritetit shfaqet pikërisht në mënyrën se si interpretohet sot përvoja historike e përqafimit të alternativës sovjetike, që identifikohet me Lindjen. Rreshtimi në krahun e bllokut sovjetik, thuhet rëndom, e çoi Shqipërinë në Azi e Afrikë, e shkëputi nga Europa, nga djepi i qytetërimit, nga familja ku supozohet se bëjnë pjesë shqiptarët. Liberalizmi, nga ana tjetër, barazohet me qytetërimin europian, i cili qëndron në antitezë me marksizëm-leninizmin, që shërben si një sinonim për Lindjen. Sipas kësaj qasjeje, vendosja e komunizmit në Shqipëri shënonte rikthimin e vendit në Azi, njëlloj si edhe Perandoria Osmane kur shkëputi Shqipërinë nga Europa. E njëjta fatkeqësi historike përsëritet edhe në shekullin XX. Si ndodhi kjo? Pse dalin gjithmonë pengesa që nuk na lejojnë t’i bashkohemi Europës por na shkëputin prej saj? Një herë nga turqit dhe një herë nga Enveri. Ky i fundit e përshkruante veten si një Skënderbe të dytë. Por pas rënies së monumentit të tij, atëherë kur historia nuk shkruhej më në interes të diktatorit, kreu i PPSh-së doli antiheroi, antiteza e Skënderbeut; në vend të bëhej njësh me Europën, Enver Hoxha iu kundërvu asaj.

Ky qëndrim, nuk mbështetet vetëm mbi kundërvëniet hapësinore, por edhe ato kohore. Periudha komuniste është për një pjesë të gjerë të opinionbërësve dhe historishkruesve, një rikthim në kohën e Perandorisë Osmane, një Mesjetë tjetër. Komunizmi kthehet në Tjetrin temporal imagjinar, që duhet braktisur, që duhet ta zhbëjmë. Deotomanizimi i viteve ’20-’30 zëvendësohet me dekomunistizimin. E kështu, si miti i Sizifit, historia shndërrohet në një proces qepjesh e shqepjesh, fatkeqësish historike dhe rigjenerimi të domosdoshëm, të ndërtimit të së keqes dhe asgjësimit të saj. Kompleksi i inferioritetit, përzihet me fatalizmin për trenin e Europës që e humbim vazhdimisht, duke krijuar kështu një pesimizëm të thellë për fatin tonë, që na mban larg Europës, larg Perëndimit.

Por diskutimi nuk kufizohet te Enveri dhe komunizmi, por shkon edhe më tej. Ajo që shqetëson shumë prej opinionbërësve shqiptarë është ajo që ata shohin si anormale tek bashkëkombësit e tyre. Norma është Europa dhe kjo është Tjetri, që shërben si njësia matëse për të matur veten. Duke qenë se shqiptarët vijojnë të jenë larg parametrave të normës, kjo ka kalcifikuar dhe bërë të gjithëpranuar bindjen se brenda nesh ka diçka thellësisht të grremtë, jo normale që na mban larg Europës. Pra, kur thuhet pse nuk bëhemi si të tjerët, pranohet Europa si Tjetri, si Tjetri krejtësisht i ndryshëm nga ne, si Tjetri që ne aspirojmë të bëhemi e që prej këtej kjo nënkupton se paraprakisht, ne duhet të braktisim veten, të ndryshojmë, të transformohemi. Shqipëria do të bëhet vetëm atëherë kur të braktiset thelbi i vetes – thelb ky që sipas këtij arsyetimi nuk është aspak europian – dhe të marrim formën e Tjetrit. Përkrahësit e kësaj ideje nuk janë në gjendje të zgjidhin këtë lloj kontradikte midis identitetit të hamendësuar europian të shqiptarëve dhe thelbit të tyre joeuropian. Gjithsesi, pika e referencës është ideja e “thelbit”. Si Vetes ashtu edhe Tjetrit, u jepet një esencë. Krijohen idealtipa që unifikojnë sa shqiptarët aq edhe Europën. Se sa qesharake janë këto esencializime që rrëgjojnë realitetin në diçka, që e bëjnë Shqipërinë dhe mbi të gjitha Europën një “gjë”, që ka një thelb, një formë e një përmbajtje, sikur të jetë një send, kjo nuk ka nevojë për shumë komente.

I ashtuquajturi tranzicion, nga vetë emri nënkupton kalimin nga njëra gjendje në tjetrën, nga njëra hallkë zhvillimore në tjetrën, vendos hierarki qytetërimore dhe modelesh. Ky nocion e konsideron historinë si kalim nëpër stacione të palëvizshme: pra si komunizmi ashtu edhe liberalizmi janë stade historike fikse dhe kalimi nga komunizmi në liberalizëm parakupton kalimin nga njëra shkallë inferiore në një tjetër superiore, nga njëra formë e përfunduar në një tjetër, po aq të përfunduar. Ky quhet tranzicion, a thua historia vetë nuk është një proces i gjatë ndryshimesh. Kështu, duke hequr telosin e kujtdo mesianizmi dhe teleologjie, vetë historia nuk është gjë tjetër veçse një proces i pambaruar ndryshimi, një tranzicion i madh, një transformim i thellë, vetë aventura njerëzore e mbushur me drama dhe tragjedi, me triumfe e humbje, me viktima të shumta e fitimtarë; si dhe me rendjen pas qëllimit final ku të mos ketë më humbës por fitojnë të gjithë.

Koncepti i tranzicionit përcakton edhe një hierarki hapësinore e kohore, që shprehet në idenë e kalimit nga një fazë historike më primitive, të identifikuar me veten, në një fazë më të lartë, të identifikuar me Europën. Shqipëria dhe Europa përfaqësojnë jo vetëm dy botë të ndryshme, por edhe dy kohë historike të ndryshme që jetojnë përkrah njëra tjetrës: e thënë ndryshe, të diturit shqiptarë flasin për heterokroni. Që një vend si Shqipëria të kapërcejë këtë mospërputhje të kohës së imagjinuar, për t’u ngjitur në shkallaren e zhvillimit, pra, për t’u bërë Europë, ajo duhet të plotësojë disa kushte. Fundja, të bëhesh Europë do të thotë që të futesh në shoqëri të qytetëruara e të zhvilluara, do të thotë të lëvizesh nga Lindja në Perëndim, nga një model më primitiv drejt një tjetri më të përparuar. Sado që këngëtari Ilir Shaqiri këndonte në vitet ‘90 “Jam Europë!”, në të vërtetë, Europë bëhesh kur ata që kanë monopolizuar identitetin e Europës të të njohin si të tillë – dhe kjo është shfaqje e pushtetit në veprim.

Si për të vërtetuar teorinë frojdiane e kthimit të së shtypurës, kreu i regjimit komunist u ngrit pikërisht kundër këtij pushteti. Sa më shumë elitat e vendeve europiane – përfshi edhe ato të bllokut sovjetik – e gjykonin negativisht Shqipërinë e tij, aq më shumë reagonte Enver Hoxha. Në leksionet e pafundme që ai jepte gjatë fjalimeve të tij, udhëheqësi komunist shqiptar nuk reshtte së ekspozuari të metat e shoqërive europiane, duke u rrekur kështu të vërtetonte se Shqipëria ishte më e zhvilluar dhe më eprore ndaj Europës. Mendoj se ligjërimi i udhëheqësit komunist shqiptar nuk duhet parë thjesht si retorikë propagandistike. Teksteve të E. Hoxhës u duhet bërë një lexim i kujdesshëm psikologjik dhe aty duhen parë mekanizmat përmes të cilave ai reagonte ndaj paragjykimeve ndaj Shqipërisë dhe atij vetë; sidomos kur në Perëndim kishte një prirje për ta parë Shqipërinë si një Afrikë të Europës, një vend mbrapa në kohë, që kishte ngelur në Mesjetë, që qëndronte në mospërputhje të plotë kohore me mjedisin rrethues, një distopi e shkëputur nga toposi dhe gjysma e dytë e shekullit XX; ndërsa Enver Hoxhën e konsideronin një satrap oriental apo një sultan rogue. Sa më shumë e përbuznin Shqipërinë dhe e shihnin atë si një unikum ekzotik, aq më me ashpërsi reagonin krerët e regjimit komunist shqiptar, duke krijuar kështu një dialektikë veprim-kundërveprim. Sa më shumë konsiderohej si një regjim primitiv, tribal, jo modern, sulltanor, lindor, aq më delirant bëhej qëndrimi i majës së piramidës komuniste shqiptare duke kërkuar, në mënyrë shpesh qesharake, që të njihej nga “Tjetri”, nga “Perëndimi” si një regjim i denjë që meritonte vlerësim. Ishte pak a shumë ajo që thoshte Hegeli, se përpjekja e njeriut në jetë është lufta për pranim (recognition). Udhëheqësi komunist i PPSh-së kërkonte, veç të tjerash, që t’i njiheshin arritjet e tij, transformimet që ai po kryente.

Në këtë mënyrë, përpara nesh shfaqet një regjim thellësisht anti-imperialist, anti-hegjemon, që si themel të doktrinës së tij kishte teologjinë marksiste-leniniste, që e udhëhiqte atë drejt utopisë tokësore, drejt destinacionit të historisë, premtim ky që legjitimonte edhe pushtetin e tij. Me rrëzimin e regjimit komunist, teologjinë marksiste-leniniste e zëvendësoi ajo liberale. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe parullat të ngjashme që dëgjohen rëndom në Shqipëri – që si na kujton edhe Eqrem bej Vlora qarkullonin ndër elitat shqiptare qysh në kohën kur u shpall pavarësia – dëshmojnë edhe një herë jo thjesht triumfin e liberalizmit, por edhe triumfin e Europës si një stekë krahasimi, një instrument matës të suksesit dhe të gjithë hierarkisë gjeografike dhe kulturore që ajo ka krijuar dhe për të cilat ka folur Eduard Saidi dhe Maria Todorova.

Sot, shihet qartë se mënyra e shkrimit dhe e konceptualizimit të historisë në përputhje me parametrat e më të fuqishmit ka triumfuar në Shqipërinë e sotme; sipas kësaj qasjeje, Shqipëria është një unikum, që nuk shpjegohet me dinamikat e përgjithshme të kohës dhe hapësirës gjeografike ku ajo ndodhet, por me idiosinkracinë e saj. Ajo nuk mund të matet me Europën, por vetëm me veten. Në këtë mënyrë, hegjemonia perëndimore, së cilës Enver Hoxha iu kundërvu, është brendësuar nga një pjesë e mirë e shqiptarëve dhe e prodhuesve të dijes në Shqipëri. Vetëfshikullimi i vazhdueshëm për shkak të të qenit ndryshe nga të tjerët – d.m.th. europianët – shoqërohet me përqafimin e liberalizmit si telos dhe destinacion i historisë, tranzicioni drejt të cilit, nëse dështon, fajtor është sa fati aq edhe ne vetë; ajo që na mban larg këtij destinacioni është sa historia aq edhe vetë natyra jonë “e shtrembër”.

Ky ligjërim, ka themel të gjerë dhe artikulohet sa bareve ku kafja kushto 500 lek të vjetra aq edhe në radhët e akademikëve, letrarëve e gazetarëve, pra atyre grupeve që formësojnë opinionin publik dhe i japin atij shprehje e drejtim – dhe që kafen e pinë në vende ku ajo kushton shumë më tepër se sa në një kafene lagjeje. Kaq e thellë është ndjenja e fatalizmit tek të diturit, aq sa ngjan me vajtimin e Miltonit te poema e tij e famshme “Parajsa e humbur”; e jo rrallë ndodh që, po njëlloj si Miltoni te “Parajsa e rifituar” t’i këndohet plot shpresë mundësisë së rikthimit në Europë. Shqipëria demokratike, e zhvilluar, liberale, me institucionet e demokracisë liberale funksionale cilësohet si telos. Rrënja e deformimit lëviz nga Bizanti te osmanët, për të kapur më pas komunizmin, thuajse si kulmin e aktit vetëvrasës të largimit nga destinacioni ynë i vetëm. Ka nga ata që shprehen se këtë rrugëtim e kishim marrë gjatë Zogut, por jo të gjithë. Ka nga ata që Zogun e quajnë një satrap oriental që na largoi nga Europa; sipas këtij grupimi, Enver Hoxha dhe regjimi i tij krijuan efekte pozitive në drejtim të modernizimit. E vetmja gjë e keqe ishte izolimi nga Europa dhe krimet. Në këtë mënyrë kërkohet të bëhet një ndarje e efekteve pozitive dhe negative, një portret ky më kompleks se sa pikturimi njëngjyrësh që i bëjnë tablosë komuniste të djathtët. Gjithsesi, boshti i vlerësimit mbetet i njëjti.

E kështu, Shqipëria ngelet një vend që kalon nga njëri satrap te tjetri, nga njëra satrapi te tjetra, nga Lindja në Lindje ndërsa Perëndimi, destinacioni natyral i shqiptarëve vijon të jetë një ëndërr efemere. Të jesh në kontinentin europian dhe të mos cilësohesh perëndimor përbën një problem serioz që shkakton një krizë të thellë identiteti pasi të vret shpresën e të lë jashtë grupit hegjemon, të mbyll në fytyrë derën e anëtarësimit në klubin e kombeve të pasura. E kështu interpretimi që i bëhet sot historisë së Shqipërisë komuniste futet brenda suazave të një metanarrative që përshkohet nga pesimizmi i thellë dhe kritika po aq e ashpër që i bëhet zgjedhjeve të regjimit të PPSh-së, orientimeve të tij ideologjike dhe aleancave që ai ndërtoi. Këtu historianët shqiptarë kalojnë nga teologjia komuniste që dualizmi marksist-leninist e cilësonte të keqe gjithçka jokomuniste, në teologjinë liberale, që gjithçka tjetër veç saj pikturohet me ngjyrime të errëta. Shqipëria komuniste del një paradoks, që kritikohet pikërisht për jonormalitetin e saj. Harrohet se vetë norma, kritikohet dhe vlerësohet përmes asaj që qëndron jashtë saj, jonormales. Por klerikët e teologjisë dhe teleologjisë liberale kanë për qëllim të shndërrohen në gjykatës; në vend të kuptojnë historinë, ata janë të zënë me gjykimin e absurdit, rrjedhjes, çmendurisë. E mira dhe drejtimi i duhur identifikohen me Perëndimin. Vendet perëndimore bëjnë gjënë e duhur dhe atë racionale. Nga ana tjetër, është regjimi komunist shqiptar që bëri gabime, ai që kafshoi mollën e mëkatit. Siç ndodhte në tragjeditë greke, vrasësi – ai i ëndrrës europiane të shqiptarëve – përndiqej më pas nga irinitë e çmendurisë dhe hakmarrjes. “Ku është gabuar?” Kësaj pyetje që kërkon me doemos shkakun për t’i dhënë kuptim pasojës tragjike, një pjesë e mirë e atyre që në Shqipëri rindërtojnë dhe qëmtojnë të shkuarën, i përgjigjen pa u menduar dy herë: faji është i Enver Hoxhës dhe paranojës së tij. Ishte ai që na mbajti të mbyllur me botën, ishte ai që eci në drejtim të kundërt me rrymën dhe nuk bëri atë që duhej të bënte, ishte udhëheqja e PPSh-së ajo që gaboi, ishte irracionaliteti dhe çmenduria e saj që na futi në abis. Kjo është edhe përgjigja që japin shumë studiues perëndimorë.

Kësaj i thonë ta shohësh veten përmes syve të Tjetrit që imitohet. Këtë pozicion, jo pak historianë shqiptarë e kanë përvetësuar, përthithur dhe brendësuar. Të shndërruar në klerikë të liberalizmit, ata projektojnë vlerat e sapogjetura pas rënies së komunizmit dhe i projektojnë ato mbi të shkuarën dhe vetë shoqërinë shqiptare. Misionarët e rinj nuk bëjnë gjë tjetër veçse riprodhojnë atë që donin të bënin udhëheqësit komunistë shqiptarë, të cilët e matnin veten përmes imazhit që ndërtonin në një kohë kur rivalizonin modele kundërshtare që synonin dhe mëtonin se përfaqësonin të ardhmen. Vetëm, se ndryshe nga regjimi komunist shqiptar që anatemonte këdo që nuk e shikonte Shqipërinë me sytë e tyre, sot një pjesë e konsiderueshme e kalemxhinjve shqiptarë që ndërtojnë skemat përmes të cilave interpretohet e shkuara, i qasen të kaluarës komuniste me ndjenjën e fajit, të mëkatit, me stigmën e të ndryshmit, të leprozit, të parias, pranojnë kokulur, me psherëtima vajtuese se perëndimorët kanë të drejtë, duke e thelluar edhe më shumë, e duke e pranuar në mënyrë të plotë dhe krejtësisht të dorëzuar se ajo që mendon Perëndimi është e drejtë. Harrojnë se Perëndimi nuk është një “gjë” me një zë të vetëm.

Pas rënies së komunizmit, Fukujama deklaroi se ishte fundi i historisë dhe rruga e vetme që mbetej përpara ishte liberalizmi. Këtë postulat, historianët shqiptarë e pranuan si të mirëqenë edhe atëherë kur nuk e kishin lexuar Fukujamën, sepse ky ishte ligjërimi hegjemon dhe gjithë mitologjia që një diskurs i tillë gjeneron. E shkuara, në vend që të analizohet shndërrohet në një hapësirë ku ata që e shkruajnë, duke u kthyer në gjykatës, përforcojnë hegjemoninë, e legjitimojnë atë, legjitimojnë të tashmen përmes të shkuarës, e kështu e shkuara nuk bën gjë tjetër veçse kthehet në një truall ku ushtrohet imperializmi i të tashmes, i ideologjisë dominuese të ditës.

E kaluara e afërt bëhet antiteza, gjë që e kthen të ardhmen europiane në tezë. Në vend që e kaluara të debatohet dhe kuptohet në termat e saj, të analizohet për të kuptuar edhe të sotmen dhe ndryshimet që kanë ndodhur, ajo kthehet në një bankë të akuzuarish, duke përsëritur kështu postulatin e Shilerit se historia e botës është gjykatësja e fundit e saj. Kështu bota nuk kuptohet por gjykohet dhe kjo është shumë e vështirë të shmanget nëse historia nuk shikohet si një përvojë për të kuptuar. Nuk duhet shumë sforcim për monoteistët e të sotmes ta shohin të shkuarën si botën e paganëve, si kohën e idolatrisë politeiste të gabuar dhe të dënueshme, e cila duhet zhdukur. Nëse bota gjykohet, dashur pa dashur, ai që e gjykon e bënë atë për pedagogji morale, që përmes të shkuarës tregon se cila është rruga e drejtë dhe e gabuar.

Në këtë mënyrë, jo vetëm që historia nuk emancipohet nga politika – gjë që nuk di se si mund të ndodhi ndonjëherë – por në fakt ajo nuk i shërben reflektimit publik dhe politik, pasi përdoret si mjet propagande që ka për qëllim vetëm përtypjen e boshtit aksiologjik të së tashmes ose thjesht refuzimin e tij. Historia nuk është një fushë veprimi ku ne sot paditim, përjetojmë ndjenjën e turpit, fajit, po njëlloj si ata shqiptarë që kanë turp të ftojnë miq të huaj në vendin e tyre – ose gra, burra a krushq – se kanë frikë se Shqipëria do të duket jonormale dhe do të identifikohen si primitivë. Historia është një fushë e dijes njerëzore ku nuk shohim të shpaloset imperializmi ideologjik, por ku, ashtu si në të gjitha fushat e dijes, ngrihen pikëpyetje dhe kthehen përgjigje për të kuptuar realitetin; një hapësirë ku nuk kalohet në esencializime, por në ndërlidhjen e mjaft faktorëve globalë, rajonalë e lokalë, ku raporti ndërmjet individit dhe shoqërisë, individit dhe grupit, apo grupit e shoqërisë kalon nëpër dinamika komplekse që japin rezultate të ndryshme dhe jo gjithmonë të njëjta. Mendoj se ka ardhur koha për një gjuhë tjetër, një gjuhë që këput lidhëzat e këmishës së forcës së atij zhargoni që dikton vetëm një mënyrë të të parit të botës, të asaj gjuhe që anatemon dhe kërkon me çdo kusht fajtorë; një gjuhë që hap mundësi të reja për të kuptuar të shkuarën, pa faje, pa e parë veten përmes syve të së tjerëve.

Po njëlloj si funksionarët komunistë kanë parë botën, d.m.th. atë që rëndom quhet Perëndim, po njëlloj edhe diplomatët, intelektualët dhe vizitorët që vijnë nga kjo hapësirë, e kanë parë Shqipërinë përmes thjerrëzave të tyre. Në vend që këto lente të merren për të mirëqena, ato duhet të jenë objekt i një analize kritike; kjo vlen edhe për këndvështrimet e shqiptarëve dhe ndërgjegjen e dyfishtë të shumë prej tyre. Pra, nuk duhet të kemi ndjenjën e fajit, të gabimit. Historianët duhet të kuptojnë dhe jo të projektojnë bindjet e tyre në tekst. Edhe pse kjo mund të mbesë një ideal, gjithsesi, vetëdija për pozicionin ideologjik të gjithsecilit, ndihmon në zhvillimin e një dije që edhe pse mund të jetë partizane, ajo gjithsesi nuk vepron në një rreth të mbyllur, por hapet ndaj qasjeve të ndryshme, ngre pikëpyetje mbi gjithçka dhe analizon dukuritë e njerëzit në mënyrë kritike. Nëse arrijmë këtë, do të thotë se kemi kapërcyer edhe kompleksitetin e inferioritetit që përshkon pjesën më të madhe të punimeve të historianëve shqiptarë dhe të gjithë ligjërimin dominues që nën maska të reja mban gjallë diktaturën e kahershme të mendimit dhe robërimin e mendjes.

(c) 2022 Artan R. Hoxha. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin