Para pak muajsh, pamë serialin televiziv rus To the Lake, ku rrëfehen peripecitë e dy familjeve moskovite, që kërkojnë t’i mbijetojnë një epidemie vdekjeprurëse, duke udhëtuar përmes dimrit rus, drejt një kasolleje të shpresës buzë një liqeni, diku në Veri. Ishim ende të kapur në ethet e pandemisë së COVID-it dhe ngjarjet e serialit i përjetuam me një farë katharsis-i, meqë gripi i treguar atje nuk kish krahasim, për nga virulenca dhe ndjeshmëria, me këtë tonin; dhe kolapsi i rendit publik, i përshkruar në ekran, na jepte një lloj ngushëllimi, kur e krahasonim me këtë tonin që mbante akoma.
Që seriali ishte rus, kjo ndikonte jo pak në marrëdhënien që krijuam me të. Vetë rusishtja e folur, e pëshpëritur, e ulëritur, e rënkuar, i jepte fjalës në ekran një karakteristikë si prej balte veshtullore, të nginjur me gjethe të kalbura, ku fshihen tek-tuk tehe therëse qelqi; dhe mjaftonte edhe krahasimi më sipërfaqësor, me ndonjë serial të ngjashëm amerikan, për të kuptuar se bota e këtij të tanishmit ishte më elementare, por edhe më e shtangët në zgjidhjet e veta.
Fatmirësisht, sëmundja që i shërbente serialit si sfond nuk i shndërronte njerëzit në zombie dhe as i ngrinte të vdekurit nga dheu – filmat me zombies tashmë vetëm mund të parodizojnë; e megjithatë, e patëm vështirë të mos mendonim, në epilog, se në zombies ishin katandisur të mbijetuarit vetë, të shkëputur nga qytetërimi dhe të detyruar t’i riprodhojnë ritet e së përditshmes në mënyrë tashmë groteske.
Me përhapjen e epidemisë, shteti ish tërhequr nga skena, duke u mjaftuar me ca thirrje për t’i zbrazur qytetet dhe për të ruajtur qetësinë; dhe në ato pak skena ku tanët bien në kontakt me autoritetet, rezultojnë më të rrezikshme edhe se kontakti me virusin: disa herë në episodet, edhe trupat specialë edhe ushtria vrasin pa arsye, grabitin, përdhunojnë dhe – atje ku e ruajnë njëfarë disipline dhe roli organizues – veç rreken t’i mbyllin të mbijetuarit në vatha përqendrimi.
Por edhe rendi qytetërues që bartin personazhet brenda vetes dhe në marrëdhëniet mes tyre nuk është se i reziston më mirë kolapsit përjashta: të ikurit nga “qyteti” duan të mbijetojnë, por nuk e kanë shumë të qartë pse, sikurse nuk dinë se çfarë duan të shpëtojnë nga vetja, përtej lëkurës. Edhe pse nuk ka shumë kuptim ta analizosh serialin televiziv të Netflix-it si të ishte disertacion sociologjik, duket nëpër të një prerje seksionale e shoqërisë ruse të sotme, të sakatuar sa nga tradita sovjetike, aq edhe nga plagët e tanishme, si alkoolizmi, prostitucioni dhe mizogjinia; dhe më të gjymtuarit janë dy të rinjtë, prej të cilëve një djalë i ri me Asperger dhe një vajzë e re e alkoolizuar. Edhe pater familias e njëkohësisht organizatori i ikjes jep e merr me faqoren e vodkës, ndërsa dy burrat nuk arrijnë dot t’i japin udhë as konfliktit gërryes me gratë e tyre.
Bota e përshkruar në serial nuk i ngjan shumë Wild West-it që u jep kontekst produksioneve të ngjashme të këtejme; në filmografinë amerikane njeriu i paqeverisur është në mjedisin e vet natyral, për rusët që ende i kanë në trup dhe në shpirt shenjat e diktaturës, kolektivizmit dhe disiplinimit, mungesa e autoritetit përjetohet automatikisht si traumë. Lëvizjet e grupit të protagonistëve në hapësirën e zbrazët të Veriut janë edhe luhatje lavjerrësi mes rrënojave të rendit publik dhe zonave ku autoriteti i mbetur përfaqëson rrezik po aq vdekjeprurës sa edhe virusi vetë.
E patëm ndjekur serialin atëherë kur ishim tashmë të traumatizuar nga pandemia e COVID-it; por, për arsye të ngjashme, i njëjti po na sugjeron tani çelësin si ta përjetojmë konfliktin në Ukrainë, popullsinë përballë rrezikut të verbër dhe rrugët me kamionë që ikin, që ikin, por edhe që vijnë, gjithnjë të mbushur me trupa ende të ngrohtë. Në vijat e frontit, ushtria vjen e shndërrohet në institucionin par excellence, por ky është një institucion i themeluar mbi armën dhe vrasjen, përballë të cilit ikja është i vetmi reagim racional. Aq më tepër, kur një serial televiziv a vepër arti narrative çfarëdo t’i afron personazhet dhe ta bën të panjohurën të njohur, ti si spektator a lexues fillon ta refuzosh kontekstin vetë dhe të mendosh se njerëzit, veç e veç, në lidhjet e tyre të përditshme, kurrë nuk e meritojnë të ngecin në rëra thithëse konfliktesh të tilla, të shestuara nga mendje po aq diabolike – por edhe po aq të padepërtueshme dhe aliene – sa inteligjenca kolektive e një virusi.
Dhe ashtu, gjithë duke kujtuar serialin To the Lake, fillojmë ta mendojmë konfliktin e tanishëm në Ukrainë si efekt të një lloj pandemie gjithashtu, që ka të vdekurit dhe të gjallët e vet, dhe që kontrollohet – si çdo pandemi post-moderne – nga zombies; ose nga krijesa të zhvdekura, shifra të pazbërthyeshme. Ashtu edhe e kemi më të lehtë ta përfytyrojmë logjikën e luftës si një sekuencë riprodhimi të një virusi vrastar, i cili e përcjell vdekjen nga një trup në tjetrin. Tek e fundit, lufta në ato treva gjithnjë është luftuar ndryshe, me një fatalitet që të tjerët gjetiu jo vetëm nuk e kanë përjetuar, por edhe nuk e kuptojnë dot; siç nuk mund ta kuptojë dot njeriu, se çfarë ndodh me trupin e tij, pasi i ka kaluar përsipër zinxhiri i tankut.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
To the Lake (rusisht Эпидемия) është një serial thriller rus, që mund të ndiqet në platformën Netflix.