Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

DY PALË, NJË ARMIK

Duke shpjeguar pse vendosi të sulmojë me ushtri fqinjin e vet, presidenti rus Putin tha se ushtria e tij synonte, mes të tjerash, “denazifikimin” e Ukrainës.

Përgjigjja nuk vonoi: llogaria zyrtare e Ukrainës në Twitter botoi një karikaturë, ku Hitleri përgëzonte fëmijën Putin. Këtë herë ishte radha e rusëve, që të akuzoheshin si nazistë.

Të dy palët zgjodhën t’i referohen një konflikti të vjetër, Luftës II Botërore, duke huazuar prej andej imazhin e nazistëve si armikun kundër të cilit luftohet.

Jo rastësisht, ishte Hitleri që urdhëroi sulmin nazist kundër Bashkimit Sovjetik, në qershor të vitit 1941 – në një kohë kur edhe Ukraina edhe Rusia ishin republika simotra nën Stalinin dhe njëlloj viktima të atij agresioni.

Sot e djathta ekstreme ka hedhur rrënjë të forta edhe në Rusi edhe në Ukrainë, pavarësisht pasionit anti-nazist që lulëzon në propagandën politike.

Dhe avantazhi i argumentit anti-nazist është se të gjithë janë dakord me të, pavarësisht se referimi në histori nuk ndihmon për ta kuptuar konfliktin.

Nuk është për t’u habitur, që palët në një konflikt të përdorin, si pjesë të propagandës politike, xhaketën e vjetër diskursive të një konflikti të mëparshëm. Por rrallë ka ndodhur që kundërshtarët –  më saktë, edhe agresori rus edhe viktima ukrainase – t’i referohen të njëjtit armik.

Dhe jo vetëm të thonë se po përsëritin një konflikt tashmë të skematizuar, si ai që vuri përballë aleatët kundër aksit, gjatë Luftës II Botërore, por edhe të ndajnë mes tyre referencën morale, ndaj së njëjtës së keqeje: nazizmit.

Argumente të tilla sillen, edhe pse me bindjen se ato nuk i beson kush. Janë pjesë e “dekorit” të një lufte, ku Putini kërkon të neutralizojë një kërcënim ekzistencial – real a imagjinar qoftë – që beson se i vjen Rusisë nga Ukraina dhe vullneti i kësaj të fundit për t’u anëtarësuar në NATO.

Meqë sulmi rus me gjasë nuk do të ndodhte, sikur Ukraina të ishte anëtarësuar tashmë në NATO, ai përligj – a posteriori – politikën e saj të anëtarësimit.

Nazistët nuk hyjnë shumë në këtë mes, përveçse për të na kujtuar se edhe djalli mund të citojë shkrimet e shenjta, për synimet e veta (Antonio te The Merchant of Venice: “Mark you this, Bassanio, The devil can cite Scripture for his purpose”.)

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin