Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
1x10 / Letërsi

1X10: RRATHË

Titulli: RRATHË
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: CAMAJ – PIPA
Shkodër, 2001
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Oksana Duqi

 


1.

Rrathë uji

Kur ata u afruen, Baci hoqi syzat pa të cilat i shihte të gjitha sendet të deformueme, tesha zhytuna nën ujë. Edhe ngjyrat i shihte të shndërrueme: iu ngja se njeni ndër ta ishte veshë bardh dhe tjerët në tesha të mbyllëta. Rrudhi sytë në ta dhe iu duk si me pa një trup të vetëm xhixhilloje katallane. E mori me mend se ai i veshuni bardh ishte pjesa e ndritshme, e fosfortë e xhixhillojës. Folkloristi, si njeri bestytës që ishte, tha me vete se ajo ndeshje nuk mund t’i sillte atë ditë kurrfarë fati dhe padashë i shpëtoi e tha: “Pordh, xhixhillojë!” Ata të tre, mes rropamës së gjinkallave, nuk e kapën kuptimin dhe tue kujtue se i zoti i shtëpisë i përshëndeti me një mirsevini, ia kthyen një zani:

“Mirëse të gjetëm!”

2.

Nësa dashunohej në Zojën, ndiente njëkohësisht edhe pasigurinë e atij që niset për rrugë ndër dhena të panjoftuna. Kujtohej shpejt se shtigjet që rrahte për të mbërritë tek ajo tretnin befas në dendësinë e gjelbrimit të paskaj dhe ndalej; mandej andërronte si ndër dyzash dhe mjerakandas si me dashë t’ia qëllojë se në të cilin vis të gjelbruem fshehej ajo. Kështu krejt përpjekja e Novelistit për t’i çelë fat vetes, soste në lojna trillimesh. Novelisti edhe atë mbramje, meqenëse synonte të çohej nesëret heret, e la para mjesnatës sheshin e qytetit e u nis për në shtëpinë e Gjyshes së Zojës.

3.

Era frynte prej të djathtës në të majtën: u vu të ecë kundër erës. Edhe pse e dashunonte të tanë njerëzimin humbja në të e ngacmonte dhe ia zente frymën; nuk ishte si humbja mes lisave të pyllit ku ai pushonte dhe merrte frymë lirisht. E provoi si tue e prekë me dorë se ashtu i tretun mes rrugëve dhe sendeve të panjehuna i gjante vetja një presje e vendosun gabimisht mes germave. Për të largue atë krahasim të pikllueshëm që mbyt në njeri çdo dëshirë për jetë, shpejtoi hapin.  Papritmas u gjet përballë një pylli: aty mbaronte qyteti e niste pylli i vjetër i shndërruem në park ndër vjetët e fundit. Në pamjen e lisave, si në pasqyrë njohu veten, ndëgjoi kthjelltas emnin e vet në krismën e gjethit në degët më të nalta. Kur qiti parzmin përpara për të marrë frymë lirisht, ndjeu dhimbë përmbrenda. Atëherë si për t’i dhanë vetes ndërshkim, vuni të dy grushtat në peshkun e shpinës dhe ngrehu me sa fuqi pati shpatullat përmbas: të gjitha eshtnat i kupën e me krye nalt hyni në mbrendinë e parkut.

4.

Rrathë zjarmi

“Domethanë, ti propozon me ba një revolucion të vogël në këtë grimcë dheu?”

“S’marr vesh çka don me thanë ti me fjalën revolucion. – Vërejti Agoni. – Të thashë atë që edhe ti e di fare mirë se çka duhet me ba”

“E di se çka asht revolucioni. – Tha kinse tue u mburrë katundari dhelpën. – Për shembull, unë baj atë që thue ti me këtë rrabe toke dhe mandej mbasi ta kemi vu për fije, vjen bashkësia apo ku ta di unë dhe e merr për vete. Kësaj i thonë revolucion. – Agronomi s’i ndëgjonte me andje kritikat e fshatarëve, prandej rrinte maje mushkut në heshtje, gati për t’i thanë vetëm lamtumirë. Pronari i tokës u kujtue se e kishte teprue dhe vijoi: Me ne katundarët s’e qet kush në maje. Shteti e ka të vështirë me ne si unë me një vëlla që asht i pagojë dhe shurdhë. Bile, kisha pët tëu lutë që kur të mbërrish te ara në kthesën e lumit e ta shihësh, ta thirrësh tue i ba shej me dorë dhe t’i thuesh tue të pa gjithnjë se unë e pres këtu.”

5.

Kur iu duk se të gjithë ishin ngi e se kishte krye shërbimin, Sosja u nda mënjëanë, vuni në prehën një kupë druni me teprica buke dromca djathi e ndonjë felë mishi, gjithçka përzieshëm, dhe nisi të hajë habitshëm atë që i vinte ndër gishta pa ia hjekë synin tollovisë njerëzore.

6.

“Edhe ti po dashke me qenë një asish – vijoi Baci – që me çdo kusht don të ketë dikend për të luftue, një lodër fëmijësh me emën anmik? Nganjëherë kam përshypje se me pasë një anmik na qenka për shumë kend ndër ne e domosdoshme dhe kjo psikozë përhapet prej breznie në brezni si sëmundje familiare. Ti madje si njeri i squet e përligj bukur: e kam për detyrë të luftoj kundër të së keqes! Dhe ai që e lyp e gjen! Kërkoje anmikun anonim, haraminë, të daltunin hatullash, të paqendrim, dhe herët a vonë e gjete! Ke për të zbulue si ai punon për së mbrapshtit, ashtu si ti në nënvetëdije e dëshiron, shkruen për së mbrapshtit, ndërton me qëllim që mandej të prishë dhe të shkatërrojë, bahet kriminel, ik në ilegalitet, fshehet, shfaqet, të bie në dorë si mbas andjes sate, gjykohet prej sistemit në fuqi, prej tejet si gazetar, prej meje si lexues e ndëgjues dhe ma në skaj si mbas misri ndër ara, zhduket tue marrë me vete disa koka.

7.

Drénashi shtrëngonte në grusht hajmalinë dhe nuk besonte, si shumkush atje në sheshin e Ripës së Mesme, se ato makina sado me vonesë do të kapen në qafën që shpie në katund. por nëse do të mbërrijnë një ditë atje nalt, tha, s’ka dreq që i ul ma poshtë. Gjithnjë ma nalt do të kapen. Mirë, tha, që s’mbajta fjalimin tim në sheshin e Ripës para të tanë dheut sepse të gjithë do të kishin kujtue se unë jam kundër tim vëlla që me doemos don të shtjerë makinat në Ripë. Si në kohnat e vjetra, tha Drénashi, im vëlla po e çon sot gishtin prej ballkonit të naltë përpara të gjithë asaj morie e gërthet kërcnueshëm: “S’ka zot që e ndal mekanizmin e vendit! Rrota e historisë nuk kthen mbrapa edhe sikur të çohen të gjithë fetarët e shtrigat e dheut me ganecat e tyne bisht përmbas!”

8.

Rrathë gjaku

“Vraje, vraje, gjarpnin! – Bërtitnin ata. – Në krye bjeri! Prite, prite! Dhe diçka kriste si me qenë tue rrahë dikush dhenë me rremba lisi. Novelisti vrapoi në drejtim të klithjeve në ndihmë të atyne fshatarëve që donin me mbytë gjarpnin. Por, qè, atje mbrendë në kashnjet mbeti i shtanguem përpara pamjes së papritun: nja dhjetë a pesëmbëdhjetë fëmijë, djem e vashëza, prej gjashtë deri në tetë vjet, të gjithë lakuriq, ndiqnin një shok të tyne që kishte shti kokën në rrashtën e bardhë të një lope me brina të zez. Klithjet e gërthitjet e fëmijëve ishin shndërrue në zane burrash e grash të cilët vërsuleshin tërbueshëm me shkopij e skjeça për ta shqymë përnjimend këso jete: – Më të! Më të! Jo, anash, po mu në kokë!”

9.

“Asht e para herë që ndëgjoj për një fe të tillë, prandej kam të drejtë të dyshoj të mos jetë këta që po më tregon trillim. Sidoqoftë të lutem më fol për mësimet e parimet themelore që përhapte Murgu. Leji mrekullitë!”

10.

Ai za e shtangoi Agoin sepse i përngjante fare zanit të tij dhe i shkoi mendja se mund të ishte i biri: i biri i dhunës! Tha Novelisti i tmerruem.

“Historia jonë asht e gjatë! Ndërhuni Blega tue përmendë edhe emnin e të birit

“Kush të ka thanë t’i vësh djalit një emën të tillë?”

“I jati! A të kujtohet ai bariu? Delmar e queje ti. Fill mbas shpërnguljes sonë në qytet, ai vdiq në një fatkeqësi rrugore. Çka kemi hekë!

Sosja tregoi nësa ecnin të tre krah për krah se kishte gjetë punë para tetëmbëdhjetë vjetësh në Teatrin e Kukullave. Në fillim ajo pastronte sallën e me kohë kish mësue të qepë teshat e kukullave dhe tash shiste bileta.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin