Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

NGA DËSHIRA DIGJEM

Sapfoja, koha dhe poezia e saj[1]

Jeta e Sapfosë

Përse Sapfó, theksuar më o dhe me një “p” në mes, dhe jo Sáfo, me theks më a, siç e dëgjojmë zakonisht? E thjeshtë: për arsye tradicionale, të panevojshme për t’u gjurmuar në këtë kontekst, emri është popullarizuar si “Safo”, me gjasë huazuar prej italishtes, dhe ka mbetur kështu. Madje, në këtë formë është përdorur edhe si emër i përveçëm, ndonëse jo fort shpesh. Është e udhës që, në shqipen tashmë të kultivuar, disa pasaktësi naive të së shkuarës të korrigjohen. Ndaj dhe, këtu sjellim të përkthyera poezitë e Sapfósë.

Si edhe me autorë të tjerë të antikitetit helen, edhe në rastin e Sapfosë shtrohet pyetja nëse autorja është person historik, apo vepra i atribuohet një personi anonim a një grupi autorësh, si në rastin e Homerit, fjala vjen. Po ashtu, është më se e zakontë, sidomos në rastin e Sapfosë, të vihet në dyshim gjinia e autores. Përgjigja e shkurtër dhe e drejtpërdrejtë për këto pyetje është: ekzistenca e Sapfosë si person historik është krejtësisht e vërtetuar dhe, nga ana tjetër, nuk ka më dyshim se kemi të bëjmë me një poete të gjinisë femërore. Megjithatë, është e domosdoshme, për hyrjen e këtij përkthimi në shqip, të sjellim argumentet përkatëse.

Që në fillim duhet thënë se informacionet për jetën dhe personin e Sapfosë janë të pakta, të fragmentuara dhe shpesh kundërthënëse. Ato i marrim prej burimeve të tjera, kryesisht mesjetare, dhe pak prej bashkëkohësve.[2] Një biografi e shkurtër për Sapfonë na vjen nga teksti në greqisht i papirusit nr. 1800 të Oksiringhut, që daton në fund të shek. II ose fillim të shek. III pas K. Sipas këtij burimi “Sapfoja kishte lindur në Lesbos, në qytetin e Mitilenës, i ati ishte Skamandri, apo, sipas të tjerëve, Skamandronimi; kishte tre vëllezër, Erigiun, Larikun dhe Haraksin, që ishte më i madhi, ai i cili udhëtoi për në Egjipt bashkë me një farë Dorihe, duke shpenzuar shumë të holla me të. Larikun, më të voglin, e donte më fort. Kishte vajzë Kleisën, e cila kishte marrë emrin e së ëmës [së Sapfosë]. E patën akuzuar se nuk kishte sjellje të mirë dhe se kishte marrëdhënie me gra. Në pamje kishte qenë e pështirë dhe e shëmtuar, ishte ezmere dhe shtatshkurtër. Kameleoni i Pontit […] u gabua […] pasi thotë se ajo përdorte dialektin eol. Shkroi nëntë libra me poezi lirike dhe një libër me elegji.” (testimonia 1).[3]

Të njëjtat të dhëna përsërit, pjesërisht, edhe enciklopedia e shek. X, Suda. Këtu jepet dhe një informacion fort i dobishëm për kohën në të cilën jetoi Sapfoja: vitet e lojërave të 42-ta Olimpike, kohë në të cilën u shqua poezia e Sapfosë dhe, me gjasë, u përhap mes gjithë publikut të kohës. Suda na jep dy zëra për Sapfon. I pari na njofton: “Sapfo. E bija e Simonit, ose e Eumenit, ose e Erigiut, ose e Ekritit, ose e Semit, ose e Kamonit, ose e Etarkut, ose e Skamandronimit. E ëma quhej Kleis. Ishte poete lirike nga Eresoja e Lesbosit. U shqua në Olimpiadën e 42-të[4], në kohën e Alkeut, Stesihorit dhe Pitakut. Kishte tre vëllezër, Larikun, Haraksin, Eurigun. U martua me Kerkilën, burrë fort i pasur, i cili bënte tregti me Androsin, dhe me të pati një vajzë, Kleisën. Veç saj kishte dhe tre mikesha. Atthisën, Telesipën dhe Megarën. Bëri emër për marrëdhëniet e pamoralshme që pati. Kishte nxënëse Anagorën e Miletit, Gongilën e Kolofonit dhe Eunikën e Salaminës. Shkroi 9 libra me poezi lirike. Ishte shpikësja e plektrit[5]. Shkroi edhe epigrame, elegji, jambe dhe monodi.” (test. 2).[6] Kurse zëri i dytë thotë: “Sapfo. Lindur në Mitilenë të Lesbosit, instrumentiste e lirës. Prej dashurisë që kishte për Faonin e Mitilenës, u hodh nga shkëmbi i Leukatit dhe u mbyt. Disa thonë se shkruante edhe poezi lirike.” (test. 3).[7] Të njëjtat informacione, pak a shumë, përsërisin edhe burime të tjera, përgjithësisht duke u përqendruar tek jeta e saj e shthurur dhe pasionante. Burimet jo gjithmonë kanë verifikuar informacionin që bartin, ose përçojnë dhe keqkuptime që vijnë nga leximi jo i drejtë i vargjeve të Sapfosë. Për shembull, test. 3 që raporton se Sapfoja u hodh nga shkëmbi për Faonin e Mitilenës bazohet mbi një tekst të Ovidit, i cili thotë se ka përkthyer në latinisht një letër të Sapfosë, me përmbajtjen e sipërpërmendur. Arsyeja praktike na dikton se, sikur Sapfoja të ishte hedhur vërtetë nga shkëmbi, s’do të kishte mundur ta shkruante letrën. Dimë se Faoni ishte perëndi dhe i dashuri i Afërditës, dhe se Sapfoja ka shkruar për këtë dashuri. Me gjasë, vargjet që Sapfoja do t’i ketë kushtuar kësaj dashurie, janë keqkuptuar si histori vetjake e saj.

Ekzistencën e personit historik, njohur nën emrin Sapfo, dhe lidhjen e saj me poezinë lirike, na e vërtetojnë dhe dy argumente fort të besueshëm. Poluksi në Fjalorin e tij na thotë se “Mitilinasit gdhendën Sapfon në një monedhë” (test. 11).[8] Disa prej këtyre monedhave janë gjetur. Sipas katalogut të monedhave helene të Trojës, Eolisë dhe Lesbosit që ruhen në Muzeun Britanik, monedha paraqet, në njërën anë, imazhin e kokës së Sapfosë, shoqëruar me mbishkrimin ΨΑΠΦΩ (Sapfo), dhe në anën tjetër paraqitet një lirë, instrumenti të cilit i binte Sapfoja.[9]

Një tjetër element i diskutuar për jetën e Sapfosë janë marrëdhëniet homoseksuale me gra të tjera, apo marrëdhëniet e pederastisë me nxënëset e veta. Jo thjesht prej kuriozitetit që ngjall homoseksualiteti i nënkuptuar i Sapfosë, por edhe për hir të saktësisë dhe komunikimit më të lehtë me poezinë e saj, është e nevojshme ta prekim dhe këtë çështje. Siç është gjerësisht e njohur, marrëdhëniet homoseksuale ishin normë e zakontë në qytetërimin para-helenistik dhe helenistik jo vetëm si kënaqësi, por edhe si rit inicimi[10]. Në këtë aspekt, edhe marrëdhëniet mes mësuesit / mësueses dhe nxënësit / nxënëses ishin pjesë e mënyrës si funksiononte bota për atë qytetërim. Në kohët e sotshme lexuesi e ka fort të natyrshme të përçmojë mësuesen (aq më tepër të shëmtuar, po të besojmë jetëshkrimin e Sapfosë sipas papirusit të Oksiringhut) që krijon edhe marrëdhënie seksuale me nxënëset, dhe ta dënojë atë. Mirëpo, po të mos ishim formësuar dhe edukuar prej moralit evropiano-perëndimor, ku rol të madh luan etika e krishtere, ndoshta nuk do të na bënte përshtypje kjo dukuri. Madje, edhe për lexuesin mesjetar prirjet seksuale të Sapfosë nuk përbënin arsye për ta shmangur poezinë e saj apo përmendjen e emrit dhe të veprës, çka faktohet nga enciklopedia Suda, hartuar nga humanistët bizantinë në zemër të Mesjetës, në shek. X.

Kuptimi i parë i mbiemrit “lesbike” do të thotë “banore e Lesbosit”. Komedia Athinase e shek. IV para K. e trajton Sapfonë si heteroseksuale të patundur, duke pasur një numër jo të vogël partnerësh. Në po atë periudhë, komediani i njohur i klasicizmit, Aristofani (446-385 para K.) e përdor foljen e greqishte lesbiazein (λεσβειάζειν), që përkthyer në shqip do të ishte “të bësh siç bëjnë gratë e Lesbosit”, duke nënkuptuar seksin oral që i shërben gruaja burrit. Ky kuptim mbeti në qarkullim deri në fund të antikitetit. I pari që lidhi homoseksualitetin femëror me ishullin e Lesbosit ishte shkrimtari romak Lukiani (rreth 120-180 pas K.), i cili shkruan: “Thonë se në Lesbos ka gra me fytyrë burri, të cilat nuk dëshirojnë të bien në shtrat me burra, por vetëm me gra, njësoj si të ishin burra”. Është për të mos u lexuar shkarazi teksa Lukiani thotë “thonë se”, pra, as ka parë, as ka dëshmuar gjë personalisht. Gjatë periudhës romake fillojnë të shfaqen edhe tekste të tjera që flasin për “marrëdhënie të turpshme” të Sapfos, gjithsesi, pa mohuar heteroseksualitetin e saj. Ndoshta këtu merr shkas dhe Seneka, i cili ngre pyetjen se mos vallë Sapfoja mund të ketë qenë prostitutë (test. 22)[11].

Po i njëjti kuptim i lesbiazein mbetet në qarkullim edhe gjatë periudhës bizantine. Duhet vënë në dukje, ndërkohë, se lesbizmi nuk përmendet si dukuri që shtrihet jashtë brigjeve të ishullit të Lesbosit, por si realitet që vlen vetëm për femrat e atij ishulli, duke u lidhur, kështu, edhe me Sapfonë. Koncepti i dashurisë lesbike u shfaq i përdorur në kuptim të përgjithshëm vetëm gjatë shek. XIX, kur u përfshi në fjalorët e disa gjuhëve të Evropës, si në frëngjisht (më 1842), në holandisht (më 1847, ku përdoret fjala ‘sapfisch’, ‘dashuri sapfike’), dhe në anglisht (më 1890). Kjo do të thotë se jo në çdo kohë kanë qenë të lidhura në një koncept homoseksualiteti mes femrave dhe poetesha Sapfo nga Lesbosi.

Duke u kthyer tek poezitë e Sapfosë, do të shohim se në to nuk hasen as deklarata të drejtpërdrejta dashurie ndaj femrave, as përmbajnë përshkrime a nënkuptime të natyrës seksuale a pornografike. Janë tekste poetike, ndërtuar sipas një stili të caktuar, të cilat jo domosdo riprodhojnë përvoja vetjake të poetes. Përmendja e Afërditës, perëndesha e dashurisë heteroseksuale, dhe Erosit, perëndi i dashurisë homoseksuale, edhe sikur të përfaqësojnë prirjet e jetës së saj vetjake, thjesht nënkuptojnë se Sapfoja ishte femër me dëshira të theksuara seksuale. Nuk duhet të harrojmë se, ato që thuhen për kohën gjatë së cilës jetoi Sapfoja nga informacione të mëvonshme të periudhës helenistike, romake apo bizantine, nuk paraqesin besnikërisht realitetin historik dhe kulturor të një kohe të mëparshme, ndaj duhen përballur me rezerva, për të shmangur anakronizmat dhe ekzagjerimet. Duke synuar të na kthejë vëmendjen nga poezia, Dolores Klaitch shkruan: “Sapfoja ishte poete që dashuronte gratë. Nuk ishte lesbike që shkruante poezi.”[12]

Poezia e Sapfosë

Para se të ishte poeteshë, Sapfoja ishte muzikante. Tekstet e saj poetike ishin të pashkëputura nga muzika që kompozonte, duke ndjekur modet muzikore të kohës. Sipas Aristoksenit, Sapfoja ishte shpikësja e modit miksolidian, që u përdor, më pas, nga poetët tragjikë, pasi e mësuan prej saj. Nga muzika e Sapfosë sot nuk ka mbërritur asgjë.

Pavarësisht variacioneve lidhur me jetën e saj, në një pikë bien dakord thuajse të gjitha burimet: Sapfoja e Lesbosit ishte autore e 9 librave me poezi lirike dhe gjini të tjera poetike. Po ashtu si me informacionet biografike, edhe vepra poetike e Sapfos ka mbërritur në ditët tona e pjesshme. Nga 9 librat me poezi, të cilët, me gjasë, përmbanin mbi 10.000 vargje, sot kemi rreth 650. Pjesëzat e poezive që ndërtohen prej këtyre vargjeve studiuesit i kanë quajtur fragmente, shi për shkak të formës së tyre të paplotë. Mes gjithë fragmenteve, vetëm njëri prej tyre ka mbërritur në formë thuajse të plotë, fragmenti nr. 1, i njohur dhe si “Himni i Afërditës”. Fragmentet, në pjesën e tyre më të madhe, janë ruajtur në papiruse, shkruar që prej shek. III para K., dhe janë gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike në Egjipt, shumica syresh në qendrën e provincës së dikurshme të Oksiringhut, kurse pjesa tjetër në dorëshkrime në pergamenë. Fragmentet i hasim mes antologjive të teksteve të ndryshme poetike a në prozë, ose mes veprave të ndryshme të shkrimtarëve që shkruanin në greqisht, gramatikanë e retoricienë. Ky fragmentarizim i poezive të Sapfosë, nga njëra anë flet për lënien në harresë, gjatë një periudhe të caktuar, të poezisë së saj, çka solli ndërprerjen e traditës së leximit dhe të kopjimit të teksteve, por, po ashtu, ruajtja e disa fragmenteve dhe, për më tepër, përdorimi i tyre si shembull i mënyrës si shkruhet poezia e përkryer, flet për një nivel të pakrahasueshëm letrar e estetik.

Poezia në Greqinë e lashtë, në atë para-klasike dhe klasike, ka funksione estetike, por, mbi të gjitha, edukative. Përmes poezisë përçohet tradita, rregullat e jetës në komunitet, njohuritë mbi moralin, drejtësinë, zotat, virtytet. Brenda këtij realiteti duhet parë dhe poezia lirike e Sapfos së Lesbosit. Përmes poezisë Sapfoja kryen një funksion publik. Lirikat e saj nuk janë thjesht frymëzime të artikuluara bukur, por detyrë funksionale e poeteshës, çka do të thotë se publiku arrinte ta kuptonte dhe ta çmonte atë poezi. Në këtë kuptim, nuk duhet të harrojmë dhe efektin e kontrollit apo të censurës kolektive që ushtronte shoqëria mbi artin në përgjithësi dhe mbi poezitë e Sapfos në veçanti: ato nuk përbënin kurrfarë skandali, përkundrazi, edukonin. Skandali filloi të formulohej zyrtarisht aty diku mes shek. IV – VI (pas K.), në kohën kur në Perandorinë Bizantine filloi ndalimi, e më pas përndjekja e filozofisë dhe e gjithë arteve të tjera që lidheshin me kulturën politeiste të Greqisë së lashtë, periudhë në të cilën përndiqen apo ekzekutohen edhe disa gra filozofe a poete, si Athinaida nga Athina, më pas perandoreshë e bizantit krah Teodosit II e pagëzuar me emrin Eudoki, apo Hipatia e Aleksandrisë. Njeriu klasik kërkonte nga poezia vlerat edukative dhe të dobishmen, përshkrimin e vërtetë të së shkuarës dhe zbulimin e të vërtetave më të thella që lidhen me njeriun, botën rreth tij dhe me të shenjtën. Botëkuptimi i njeriut klasik përbëhet prej së bukurës si ide dhe synimit për të ngërthyer harmoninë dhe bukurinë e jetës. Idealja e këtij realiteti është shkrirja e së bukurës me të dobishmen, e sendërtuar në fjalën e greqishtes καλοκαγαθία (kalokagathia, e mirë dhe e dobishme), që është koncept të menduari, dhe mënyrë të jetuari. Edhe poezitë e Sapfosë, shpesh, janë adhurim i së bukurës, njëherazi të dobishme në plan lëndor, por më shumë në nivelin e vlerave, siç thotë dhe Fragmenti nr. 50:

I bukuri do të mbetet gjithmonë i bukur në pamje;
por i miri ka për të qenë gjithashtu i bukur.

Veç elementeve edukative, poezia e Sapfosë mbulon edhe një përmasë tjetër: adhurimin e zotave.[13] Fragmentet nr. 1, 2, 5, 44 dhe 140 janë më të njohurit dhe më të qartët në këtë përmasë. Në Fragmentin nr. 1, të quajtur nga studiuesit “Himni i Afërditës”, Sapfoja thërret Afërditën që, ashtu si dikur, të largohet pak nga pallati i të atit, Zeusit, dhe t’i bëhet ndihmë. Poetesha s’i kërkon përmbushjen e ndonjë dashurie tokësore, por dashurinë me të bukurën e pavdekshme, virtytin që vjen prej së shenjtës, dhe jo vetëm një herë, por çdoherë dëshiron ta ketë pranë, që të mbërrijë, kështu, bukurinë sipërore, atë që nuk tretet. Dashuria që mundon Sapfonë është e bukura, virtyti, e dobishmja që i janë larguar, por përmes ndërmjetimit hyjnor të Afërditës mund t’i kthehen. Kurse në Fragmentin nr. 2 pamja është e qartë: ndodhemi në një çast teleturgjik, në një tempull ku temjani digjet në altar, ku tryeza është shtruar për nder të Afërditës, teksa poezia mbyllet me një thirrje të poeteshës drejtuar hyjnisë. Atmosfera e lutjes vijon edhe në Fragmentin nr. 5, ku qartazi poetesha i lutet Afërditës së Qipros dhe Neraidës që i vëllai, Haraksi, të kthehet shëndoshë e mirë në Lesbos. Dimë se Haraksi ishte larguar në Egjipt me Dorihën, dhe kjo marrëdhënie ishte bërë shkak për shkatërrimin ekonomik të tij dhe turpin publik mbi personin e Sapfosë (shih Fragmentin nr. 15). Matanë natyrës personale që ka poezia, është lutje drejtuar hyjnive që të mbrojnë udhëtarin dhe ta ndihmojnë që të kthehet i gjallë në shtëpi. Fragmenti nr. 44 përbën një prej relikteve më të vjetra që i referohen martesës së Hektorit me Andromakën. Bashkimi i këtyre dy personave në martesë kryhet nën mbrojtjen e Afërditës, e cila shërben si garanci për të bukurën në çdo element. Pavarësisht se fati i Hektorit dhe Andromakës nuk është i lumtur (shih: Iliada, kënga 22), bashkimi i tyre është i përkryer, pasi ndodh nën kujdesin e perëndisë së përkryer, Afërditës, prandaj dhe të sapomartuarit ngjanin si hyjni. Kurse Fragmenti nr. 140 është rindërtimi i një skene apo dialogu ceremonial që i kushtohet kultit të Adonisit. Në këtë dialog të thjeshtë vendosen disa vajza, të cilat pyesin se ç’duhet të bëjnë, tani që vdiq Adonisi, dhe një grua, që personifikon Afërditën, i fton të vajtojnë vdekjen e tij. Sipas mitologjisë, Adonisi qëndron një pjesë të vitit në Had me Persefonën, dhe një pjesë me Afëditën, në tokë, në të dyja rastet si i dashuri i tyre. Zbritja e Adonisit në nëntokë dhe ngjitja në mbitokë përputhen me një akt dashurie, çka sjell një gjendje të re shpirtërore dhe trupore, duke nënkuptuar një cikël të ri të jetës. Nën ciklin e lëvizjeve të Adonisit zhvillohet edhe jeta e njeriut: çdo ndryshim i gjendjes së prehjes përbën vdekje, por dhe rilindje, është hidhërim, por dhe gëzim. Në të dy rastet, Afërdita është hyjnesha që qëndron pranë dhe ndikon pozitivisht kalimin nga një gjendje, në tjetrën, si mbrojtëse e dashurisë dhe ndihmëse.

Siç duket dhe nga kjo analizë e shkurtër më sipër, Sapfoja është fort e përkushtuar ndaj perëndeshës Afërditë, të cilën e vendos, siç do të shihet edhe prej poezive, me emër a të nënkuptuar, në pothuaj çdo poezi të njohur deri sot. Veç temave të tjera, nderimi dhe adhurimi i Afërditës dhe marrëdhëniet e njeriut me të janë mesazhe që përsëriten dhe gjendje që nxiten përmes poezisë së Sapfosë.

Arsye të ndryshme, të cilat i cekëm më sipër, bënë që prej poezive të Sapfosë të ruheshin, kryesisht, ato që lidhen me temën e dashurisë dhe të adhurimit. Ka mes tyre, ndonëse jo në të njëjtën masë, edhe syresh që flasin për një tjetër kategori poezie, atë të poezisë politike. Veçse individ publik në Lesbos, Sapfoja ishte dhe pjesë e një prej familjeve aristokrate që qeveriste ishullin. Siç na informon poeti tjetër bashkëkohës, Alkeu, kur klani i Sapfosë humbet pushtetin, ajo dhe të tjerë anëtarë të familjes internohen në ishullin e Sicilisë. Goditur nga kjo ngjarje, Sapfoja, sikundër edhe poetë të tjerë grekë, bashkëkohës apo të periudhave të tjera, shkruan vargje politike. Në këtë kontekst mund të lexohet fragmenti 55, kurse tek fragmenti 57 teksti mund të mos lidhet aq me poezinë, sa me ndarjen klasore mes dy të dashuruarve (lexo fragmentet më poshtë).[14]

Qëllimi i kësaj hyrjeje të shkurtër në poezinë e Sapfosë dhe në kohën e saj nuk është të komentojë çdo tematikë që prek poezia e “Muzës së Dhjetë”, por të sjellë disa elementë informativë që ndriçojnë aspekte të cilët përmenden fare pak ose aspak në poezinë e Sapfosë. Ndaj po e lëmë lexuesin ta shijojë dhe komentojë vetë përmasën erotike të poezisë sapfike, teksa secili dashuron dhe e kupton dashurinë sipas mënyrës së vet.

Për poetët e periudhës helenistike Sapfoja ishte e barabartë me muzat, ndaj dhe u quajt “Muza e dhjetë”. Për bashkëvendësit e saj në ishullin e Lesbosit ishte kaq e rëndësishme, saqë me fytyrën, emrin dhe instrumentin e artit të saj, lirën, emetuan edhe një monedhë, praktikë që në atë periudhë zbatohej për sundimtarët e fuqishëm, ose njerëzit e shquar. Teksa jetoi dhe krijoi gjatë një periudhe krejtësisht të dominuar nga meshkujt, ruajtja e poezive të saj qoftë dhe në formë të pjesshme, tregon se kemi të bëjmë me një poete krejtësisht të pashoqe, të vlerësuar dhe nderuar nga bashkëkohësit dhe pasardhësit. Ndonëse është thjesht një grua e vetme, pa shoqëruese të tjera që mund të krahasohen me të, ardhja e poezisë së Sapfosë deri në ditët tona përbën një rast fatlum që na bën me dije për të paktën një rast përjashtimor, ku fuqia e personalitetit krijues të gruas kapërcen ndeshtrashat e shekujve, të historisë dhe të paragjykimeve, për të shpalosur një shumësi mesazhesh, thurur me mjetet artistike të poezisë lirike. Mes gjithë korit burrëror të autorëve të periudhës para-klasike dhe klasike, demoni i Sapfosë (ku “demon” do të thotë “hyjni”) është zëri unik i gruas që vijon të përbëjë pikë referimi edhe për artet e sotme, duke u pasuruar vazhdimisht me tekste që rilexohen apo zbulohen mes gjetjeve të reja.

Fragmentet e rishme

Nga dorëshkrimet e mbijetuara kuptojmë se Sapfoja është e padrejtësuar më shumë se Eskili, “humbësi i madh”, a të tjerë humbës të lashtësisë. Fatmirësisht, fragmente të poezive të saj vijojnë të zbulohen. Disa prej tyre janë pikasur pas rileximeve të papiruseve të njohura, të ndodhura në koleksionet, bibliotekat a arkivat e Evropës, e ca të tjera pas gjetjes dhe leximit të papiruseve të njohur, por ende të pa lexuar. Një rast i tillë është gjetja në vitin 2004[15] e një varianti më të plotë të Fragmentit nr. 58, dhe mes 10 fragmenteve, zbulimi i tri fragmenteve të panjohura të Sapfosë më 2013[16], të cilat i kemi përfshirë në këtë botim. Teksa pjesa më e madhe e fragmenteve vijnë nga papiruse që përmbajnë antologji letrare apo tekste të kritikës letrare, gjetjet e viteve 2004 dhe 2013 vijnë nga kartonazhet[17] e mumieve të Egjiptit.

Pas njoftimit për gjetjen e 10 fragmenteve nga Obbink dhe pas botimit të tyre, papirologjistët dhe në përgjithësi filologët e historianët e periudhës klasike u pështjelluan nga lajme të pakëndshme. Papirusi i Green Collection / Museum of the Bible, me nr. Inventari 105, ku ndodheshin disa prej fragmenteve të sapozbuluar, ishte pjesë e një grupi prej 5.000 papirusesh, të cilat Green Collection ia ktheu shtetit të Egjiptit gjatë verës së vitit 2015, pasi u provua se i ishin shitur institucionit në mënyrë të paligjshme nga një tregtar turk më 2012. Më 2017 u vu në dyshim prejardhja e ligjshme e papirusit me të cilin kishte punuar Obbink për të transkriptuar tekstin e poezive të Sapfosë. I ndodhur përpara kësaj situate, në mars të vitit 2021 Obbink tërhoqi nga qarkullimi artikullin e cituar këtu më sipër, deri sa të argumentojë ligjshmërinë e pronësisë së papiruseve, në çastin kur punoi me to. Teksa shkruajmë këto radhë, papiruset në fjalë nuk mund të konsultohen nga studiuesit. Gjithsesi, punimi i Obbink mbetet i konsultueshëm për botën akademike.[18] Me sa duket, edhe në epokën e internetit Sapfosë nuk i ndahen andrallat e humbjes dhe të rigjetjes së fragmenteve.

Mbi përkthimin e Sapfosë

Fragmentet e Sapfos janë mbledhur e botuar nga filologë e historianë të ndryshëm. Si rrjedhojë, edhe numërtimet e fragmenteve nuk përputhen gjithmonë mes botimeve të ndryshme. Për këtë përkthim kemi përdorur si bazë kryesore tekstin kritik përgatitur dhe botuar nga David A. Campbell, Greek Lyric I Sappho and Alcaeus, botuar nga Harward University Press më 1982. Për tekstet e mëvonshme kemi përdorur botimin e Michael Gronewald dhe Robert W. Daniel (shih citimin) dhe botimin e Dirk Obbink, “The Newest Sappho: Text, Apparatus Criticus, and Translation” (shih citimin).

Teksti në origjinal paraqet shumë mungesa strofash, vargjesh a fjalësh. Nuk janë të pakta rastet, kur këto mungesa e bëjnë të pamundur përkthimin e qartë dhe të vlefshëm për lexuesin. Prandaj, ato fragmente që përmbajnë thjesht një togfjalësh a një fjalë, nuk i kemi përfshirë në këtë botim.

Ky fragmentarizim mund të paralizojë aftësinë e përkthyesit, teksa e vendos përballë një teksti të papërkthyeshëm. Por mund të shërbejë, në të njëjtën kohë, dhe si një pafundësi mundësish që i jepen përkthyesit për të sugjeruar tekstin që mungon. Shtimi i tekstit a i fjalëve prej përkthyesit në ditët e sotme përbën blasfemi të pafalshme, aq më tepër për lexuesin e gjuhës shqipe, i cili edukohet letrarisht kryesisht prej përkthimeve, dhe ka krijuar, për mirë a për keq, ca rregulla e rituale të leximit. Mirëpo, le të mendojmë se nuk është e pagjasë që Sapfoja të mos i ketë shkruar kurrë poezitë e saj, por vetëm i ka kënduar, dhe vite a shekuj më pas janë regjistruar në formë të shkruar prej bartësve të tyre. Forma e shkruar është kopjuar ndër kohëra, duke iu nënshtruar, njëkohësisht, ndërhyrjeve të kopistëve të ndryshëm, dukuri fort e zakontë për periudhën klasike helenistike e romake, për mesjetën por edhe për humanizmin dhe Rilindjen Evropiane. Kësisoj, përkthyesi, individi që ka shpenzuar muaj të gjatë duke punuar tekstin në gjuhën e përkthimit, kthehet në bartës të frymës së poezisë sapfike po aq sa edhe kopisti mesjetar, duke guxuar të japë propozimet e veta. Sigurisht, në rastet kur në dobi të tekstit kemi shtuar ndonjë fjalë a togfjalësh, e kemi vendosur atë brenda kllapave katrore “ [ ] ”. Kurse për të shënjuar mungesën e tekstit në origjinal, të cilin nuk kemi guxuar ta rindërtojmë, kemi përdorur tri pika “ . . . ”. Megjithatë, edhe vendosja e konvencionit të tri pikave nuk është gjithmonë e lehtë, për shkak të ndryshimeve sintaksore që kanë gjuhët mes të cilave përkthehet. Ndaj, kush dëshiron të informohet më shumë, duhet t’u drejtohet botimeve kritike.

Frazat në germa të pjerrëta, që ndodhen para ose pas fragmenteve të përkthyera në shqip, janë pjesë të tekstit pranë të cilit ndodhet fragmenti i poezisë dhe, meqenëse ndihmojnë për të kuptuar arsyen pse janë shkëputur këto fragmente dhe si kanë ardhur deri në ditët tona, i ruajtëm edhe në përkthim.

Thamë më sipër se poezitë e Sapfos janë tekste të kompozuara në melodi. Kjo bën që dhe teksti të ndjekë ritmin dhe gjatësinë e melodisë së cilës i bashkëngjitet. Si rrjedhojë, vargjet duhen përfytyruar si strofa me ritëm dhe rimë, ndërtuar sipas traditës poetike helenistike. Afërmendsh që një poezi e tillë nuk sillet dot e përkthyer në shqip, pasi do të ishte sipërmarrje krejt e padobishme, madje rrahje gjoksi e përkthyesit, që vendos, fjala vjen, poezinë e Sapfosë në varg pesëmbëdhjetërrokësh krejt pa arsye. Ndaj kemi parapëlqyer të ruajmë sa më shumë ritmin e brendshëm të poezisë, besnikërinë ndaj tekstit dhe imazhit që jep origjinali. Sigurisht, nga estetika sapfike shumëçka humbet. Por po të mendojmë se është e pamundur të riprodhojmë sot poezitë e Sapfos të kënduara me lirë, për arsyen e thjeshtë se nuk kemi informacion për muzikën e tyre, apo se gjuhën e saj arrijnë ta çmojnë vetëm ca pak filologë të specializuar në papirologji dhe studime sapfike, humbja nuk është as e madhe, as e pashmangshme. Në fund të fundit, përkthimi është mjeshtëria ku në çdo fjalë e frazë na duhet të përllogarisim çfarë mund të shpëtojmë, e çfarë mbetet, pashmangshmërisht, e humbur.

 

1.

[Himni i Afërditës]

Fronstolisur, Afërditë e pavdekshme,
bijë e Zeusit, kurthengritëse, të falem;
me vaje të hidhura, mos, o Zonjë,
shpirtin mos ma mundo;

por eja,
siç dëgjove dikur lutjen time së largu
dhe m’u përgjigje,
le pallatin e atit dhe erdhe
duke ngarë koçinë e artë;
trumcakë të hijshëm të vinin qark
lart në qiell, rrëmbyer rrihnin flatrat
në ajër;

dhe ti, e lumur,
me buzëqeshje në fytyrën e pavdekshme,
pyete se ç’më kish gjetur kësaj here,
pse të thërrisja,

dhe ç’uron kaq fort të ndodhë
ky shpirti im i harbuar: “Mos vallë sërish
dëshiron që Pithoja[19] të të sjellë dashurinë?
Cila të mundon, Sapfo?

Se në mori të largohet, shpejt ka për t’u kthyer,
dhe nëse dhuratat s’t’i pranon, dhurata ka për të të sjellë;
dhe në s’të dashuron, ka për të të dashuruar,
edhe pa e dashur ti.”

Eja, pra, dhe tani,
shpëtomë nga mundimet dhe shqetësimet,
bëj të ndodhë atë që më fort dëshiron shpirti im,
ndihmë, eja m’u bëj.

 

2.

eja në tempullin e qashtër të Kretës,
në zabelin gazmor të mollëve,
këtu, ku në altarë çohet tymi
i temjanit;

këtu, tek uji i ftohtë gurgullon
nëpër degë molle, vendi prej trëndafilave
krejt hijeshuar, gjumë të thellë ndjellin gjethet
tek lëkunden;

në livadhin ku kullosin mëzat
çelin lule pranverore
dhe flladi lehtas fryn

. . .

atje, Afërditë me kurorë lulesh,
me kupa të arta eja, jepna nektarin
që festës sonë i shkon për shtat.

 

5.

Ti Cipridë, dhe ti Neraidë,
bëni të kthehet shëndoshë im vëlla,
e gjithçka e mirë i dëshiron zemra,
t’i përmbushet;

gabimet e mëparshme t’i braktisë,
gëzim të bëhet për miqtë,
hidhërim për armiqtë,
por armik me askënd të mos bëhet kurrë më;

së motrës ndere t’i sjellë me sjelljen e tij,
dhe hidhërimet e dikurshme,
që plot brenga i shkaktuan,
të harrohen.

 

16.

Ushtria me kalorës, thotë dikush,
këmbësorët dhe flota luftarake, thotë tjetri,
janë bukuria eprore mbi tokën e zezë.
Kurse unë them: gjithë ç’dashuron njeriu.

E kam të thjeshtë arsyetimin,
të gjithë mund ta kuptojnë:
ajo, bukuroshja pa shoqe në botë,
Helena, braktisi burrin e virtytshëm,
dhe anijes i hipi drejt bukurisë eprore,
gjithë shtetin e Trojës rrënoi.
Për djalin a për prindërit aspak nuk mendoi.
Afërdita mendjen ia mori.

Kështu dhe mua,
më zu malli për Anaktorinë[20].

Sa dua t’ia shoh ecjen e lartë,
shkëlqimin rrëzëllitës të fytyrës.
Nuk dua të shoh koçi lidase,
as këmbësorë që ndeshen.

 

30.

Netëve . . .
e këndofshin vashat
gjithë natën
dashurinë mes teje dhe nuses sate,
me lulevjollca në prehër.

Çohu, pra, dhe ftoji
rioshët, miqtë e tu,
që të flemë më pak se bilbili
me zërin e kulluar.

 

55.

Sapfoja i thotë një gruaje të paarsimuar:

Kur të vdesësh, atje do të rrish shtrirë,
pas s’do të mbetet asnjë kujtim prej teje,
malli për ty askënd s’do të marrë,
se trëndafilat e Pierisë1 kurrë s’i dite ç’janë;
e padukshme do të jesh edhe në mbretërinë e Hadesit,
larg prej nesh,
tutje-tëhu do të endesh mes hijeve pa formë.

 

57.

Cila vajzë fshati, veshur me lecka,
që fustanin s’di si ta ulë përmbi kërcinj,
ta mori mendjen?

 

130.

Përsëri po më shkund
[Dashuria] që dobëson gjymtyrët,
kjo krijesë mjaltë-e-helm,
që s’e kundërshtoj dot.

 

168.b

Hëna perëndoi,
bashkë me shejzat;
mesi i natës mbërriti, ora po shkon,
kurse unë e vetme mbeta.

 

[Afërdita e detit]
(Variant i frag. nr. 5, sipas papiruseve të reja)

Neraida të nderuara,
ndihmëni që pa dëme të kthehet im vëlla,
dhe gjithë sa shpirti i dëshiron,
le t’i plotësohen;

gabimet e mëparshme le t’i ndreqë,
gëzim të bëhet për miqtë,
hidhërim për armiqtë,
por armik me askënd të mos bëhet kurrë më;

së motrës ndere t’i sjellë me sjelljen e tij,
dhe hidhërimet e dikurshme,
që plot brenga i shkaktuan,
të harrohen. . .

. . . tek dëgjohej [përkundja ritmike]. . . e farës së melit
. . . mes qortimeve të qytetarëve
si kurrë më parë, megjithatë ia doli
pa shumë vonesë.

Dhe. . .
dije; por ti, Cipridë e nderuar,
pas kaq fatkeqësish . . .

 


Referenca:
[1] Teksti është parathënia e vëllimit: Sapfó, Nga dëshira digjem, Albas, 2021, përkthyer prej origjinalit nga Sokol Çunga. Botohet në Peizazhe të Fjalës me disa shtesa të autorit.
[2] Jetën e Sapfos e njohim prej 61 teksteve të ruajtura në forma të ndryshme, që nga studiuesit janë quajtur testimonia, dëshmi, të mbledhura për Sapfonë. Botimi i plotë i tyre, pajisur me një aparat kritik dhe shpjegime është kryer nga, David A. Campbell në: Greek Lyric I Sappho and Alcaeus, fq. 2-51.
[3] Campbell, David A. Greek Lyric I Sappho and Alcaeus, fq. 2, 4.
[4] 612/608 para Krishtit.
[5] Mjeti i hollë që përdoret për të luajtur në kitarë, mandolinë, a instrumente të tjera kordofone, pendë.
[6] Campbell, David A. ibid, fq. 4, 6.
[7] Campbell, David A. ibid, fq. 6.
[8] Campbell, David A. ibid, fq. 12.
[9] Wroth, Warwick, Catalogue of the Greek coins of Troas, Aeolis, and Lesbos, fq. 200, nr. 169 dhe Tab. XXXIX 10.
[10] Bremer, Jan. “Greek pederasty and modern homosexuality” në: From Sappho to De Sade, Moments in the history of homosexuality, fq. 1-14.
[11] Campbell, David A. ibid, fq. 22.
[12] Klaitch, Dolores. Woman + Woman, Attitudes Toward Lesbianism, Morrow, 1975, fq. 160.
[13] Ky paragraf mbështetet në studimin punuar nga Anna Griva me titull: Këndvështrime dhe adhurime të hyjneshës Afërditë gjatë periudhës arkaike, me udhërrëfyese Sapfonë. Studimi është ende i pa botuar, ndaj falënderoj thellësisht Annën që më mirëbesoi punën e saj, pa të cilën s’do të kisha mundur të realizoja këtë përkthim dhe këtë parathënie që i sjell lexuesit në shqip. Shih: Γρίβα, Άννα. Αφροδίτες, Όψεις και λατρείες της θεάς Αφροδίτης κατά τα αρχαϊκά χρόνια με οδηγό τη Σαπφώ.
[14] Parker, Holt. “Sappho’s Public World” në: Women Poets in Ancient Greece and Rome, red. Ellen Greene, University of Oklahoma Press, 2005, fq. 12-13.
[15] Gronewald, Michael, dhe Robert W. Daniel. “Ein Neuer Sappho-Papyrus.” Zeitschrift Für Papyrologie Und Epigraphik 147 (2004): 1–8. http://www.jstor.org/stable/20191784.
[16] Obbink, Dirk, “The Newest Sappho: Text, Apparatus Criticus, and Translation” in Bierl, Anton & Lardinois, André (red), The Newest Sappho: P. Sapph. Obbink and P. GC inv. 105, Frs. 1-4, Studies in Archaic and Classical Greek Song, vol. 2 (Series: Mnemosyne, Supplements), Volume: 392, Brill, 2016, fq. 13-33.
[17] Nga frëngjishtja cartonnage: sipërfaqe e trashë copash papirusi, ngjitur me ricin apo allçi, që përdorej si ambalazh për mumiet, apo për të krijuar maskat e mumieve.
[18] Bierl, Anton & Lardinois, André (red), The Newest Sappho: P. Sapph. Obbink and P. GC inv. 105, Frs. 1-4, Shënim i tërheqjes së artikullit.
[19] Hyjnia që kishte aftësi bindëse përmes gojëtarisë, duke pasur aftësinë e joshjes seksuale dhe përmes ligjërimit. Ishte shoqëruese besnike e Afërditës.
[20] Anaktoria: ndoshta mike e Sapfosë.

Bibliografi:
Bierl, Anton & Lardinois, André (red), The Newest Sappho: P. Sapph. Obbink and P. GC inv. 105, Frs. 1-4, Studies in Archaic and Classical Greek Song, vol. 2 (Series: Mnemosyne, Supplements), Volume: 392, Brill, 2016.
Bremer, Jan. “Greek pederasty and modern homosecuality” në: From Sappho to De Sade, Moments in the history of homosexuality, përgatitur nga Jam Bremer. Rutledge, 1989, fq. 1-14.
Burris, Simon, Jeffrey Fish, dhe Dirk Obbink. “New Fragments of Book 1 of Sappho.” Zeitschrift Für Papyrologie Und Epigraphik 189 (2014): 1–28. http://www.jstor.org/stable/23850356.
Campbell, David A. Greek Lyric I Sappho and Alcaeus, Harward University Press, 1982.
Gronewald, Michael, and Robert W. Daniel. “Ein Neuer Sappho-Papyrus.” Zeitschrift Für Papyrologie Und Epigraphik 147 (2004): 1–8. http://www.jstor.org/stable/20191784.
Klaitch, Dolores. Woman + Woman, Attitudes Toward Lesbianism, Morrow, 1975
Lardinois, André. “Lesbian Sappho and Sappho of Lesbos”, në: From Sappho to De Sade, Moments in the history of homosexuality, përgatitur nga Jam Bremer. Rutledge, 1989, fq. 15-35.
Obbink, Dirk. “The Newest Sappho: Text, Apparatus Criticus, and Translation” in Bierl, Anton & Lardinois, André (red), The Newest Sappho: P. Sapph. Obbink and P. GC inv. 105, Frs. 1-4, Studies in Archaic and Classical Greek Song, vol. 2 (Series: Mnemosyne, Supplements), Volume: 392, Brill, 2016, fq. 13-33.
Parker, Holt. “Sappho’s Public World” në: Women Poets in Ancient Greece and Rome, red. Ellen Greene, University of Oklahoma Press, 2005
Wroth, Warwick. Catalogue of the Greek coins of Troas, Aeolis, and Lesbos, London, 1894.
Γρίβα, Άννα. Αφροδίτες, Όψεις και λατρείες της θεάς Αφροδίτης κατά τα αρχαϊκά χρόνια με οδηγό τη Σαπφώ (Ritet e Afërditës, këndvështrime dhe adhurimi i hyjneshës Afërditë në periudhën arkaike me udhëheqës Sapfon), Σέμελη (në proces botimi).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin