Para pak ditësh pata botuar, në Peizazhe të fjalës, esenë Shenja të magjisë kolektive, ku përshkruaja rolin e strukturave të reja sociale në përftimin e kolektivitetit në Shqipërinë e viteve 1960, duke përfshirë edhe mass mediat e kohës. Ashtu edhe shfrytëzova për ilustrim pasazhe nga romani Dasma (Lëkura e daulles) nga Ismail Kadareja, botuar në 1967, në kulmin e revolucionit kulturor shqiptar (“lëvizjes për revolucionarizimin e jetës së vendit”). Por teksa punoja me tekstin e romanit, gjeta material që ma orientoi fillin e mendimeve tjetërkund, dhe pikërisht në rolin e dasmës, si ritual riprodhimi, në raport me progresin, të shpalosur në kundërvënie me të vjetrën dhe të renë, me fenë dhe ideologjinë, me zakonet dhe ngritjen krye ndaj zakoneve. Përsiatjet që pasuan po i përcjell më poshtë, gjithë duke integruar disa pasazhe – të nevojshme – nga eseja paraprijëse.
Në vitet 1960, kur në Shqipëri mori hov lëvizja për revolucionarizimin e jetës së vendit nën frymëzimin edhe të revolucionit kulturor në Kinë, erdhi e u konsolidua ideja se progresin social dhe edukimin e “njeriut të ri” do ta ndërmjetësonin struktura sociale liminale, përtej qytetit dhe fshatit; të tilla si vendet ku jetonin – përkohësisht – ndërtuesit e veprave të mëdha “të pesëvjeçarëve” dhe kampet e të rinjve vullnetarë në hekurudhë dhe në çeljen e tokave të reja.
Banorët e këtyre vendeve – kryesisht punëtorë dhe teknikë ndërtimi në kantieret, por jo vetëm – ishin shkëputur e larguar nga familjet e tyre dhe komunitetet tradicionale, si ato të fshatit, dhe në marrëdhënie me njëri-tjetrin, nën udhëheqjen dhe frymëzimin e PPSH-së, pritej të krijonin struktura të reja sociale, “kolektive”, të cilave do t’u bashkëlidhej pastaj vetëdija e re e njeriut socialist. E veçanta e këtyre realiteteve ishte se njeriu socialist do të brumosej – edhe ideologjikisht – larg trysnisë frenuese së komuniteteve tradicionale.
Kështu edhe u shfaq, në realitetin e Shqipërisë dhe pastaj edhe në letërsi e në art, “baraka”, si njësi sociale me potencial për të sjellë të ardhmen; barakë e cila mund të ishte fjetore punëtorësh, kapanon a mensë aksionistësh; e tillë që t’i bashkëndante disa karakteristika edhe hapësinore edhe të bashkëjetesës me repartin ushtarak, kuvendin e murgjve, konviktin, spitalin dhe – në analizë të fundit – kampin e përqendrimit dhe burgun.
Ata që i banonin hapësira të tilla mësoheshin me një mënyrë jetese ku mungonte përmasa private dhe privatësia, në mënyrë të tillë që individi ta perceptonte veten si pjesë dhe gjymtyrë të kolektivit. Në ato raste kur banorët e këtyre hapësirave kishin ardhur nga fshati – siç ishte rasti i shumë punëtorëve të rekrutuar rishtas dhe i të rinjve vullnetarë – kolektivi do t’ua zinte vendin strukturave patriarkale të origjinës, familjes dhe fisit. Në çdo rast, banorët e barakave ishin shkëputur nga familjet e tyre, sidomos nga prindët dhe autoriteti fisnor tradicional dhe i ekspozoheshin indoktrinimit totalitar.
Ideologët e totalitarizmit i shihnin këto hapësira si truallin ku do të hidhnin rrënjë praktikat e reja të jetesës socialiste, të bazuara në vetëdijen kolektive dhe në kontrollin e individit nga masa; si instrumente për të përftuar dhe mirëmbajtur uniformitetin në sjellje, në mendim dhe në bindje; dhe për të konsoliduar bazën sociale të totalitarizmit, që ishte turma. Për këtë arsye, vëmendje e posaçme do t’u jepej edhe praktikave dhe teknikave që do të ndihmonin drejtpërdrejt për ruajtjen e vetëdijes kolektive edhe në grupe të përkohshme, siç do të ishin format e reja të festimit publik dhe adoptimi i mass mediave si radioja dhe qendra e zërit, që inkurajonin konsumin kolektiv të propagandës dhe i riprodhonin kolektivat përmes eksperiencave dhe ritualeve mediatike të përbashkëta.
Hapësirat e reja të jetesës, që i kundërviheshin edhe qytetit edhe fshatit, dhe që organizoheshin sipas modelit të institucioneve totale, do të shërbenin edhe për të eksperimentuar me forma të reja të riteve tradicionale, si dasma; por edhe për të guxuar me reforma më të thella, si ato kundër institucioneve, praktikave dhe i vetëdijes fetare nga jeta e njerëzve. Në vitin 1967 PPSH frymëzoi dhe nxiti lëvizjen për mbylljen totale të institucioneve fetare në Shqipëri – teksa “baraka”, ose hapësira e jetesës së re socialiste (kolektive) po ofrohej si vendi ideal për ta shtrirë në ekstrem ateizmin, meqë, së paku teorikisht, eliminonte që në embrion marrëdhëniet sociale që ende ushqenin botëkuptimin fetar (duke filluar nga familja).
Këto zhvillime sociale që i bashkëlidheshin industrializimit do ta gjenin rrugën edhe në letërsi dhe në art, me nxitjen dhe mbështetjen e PPSH-së, siç ndodhi me romanin Lëkura e daulles, i njohur më parë me titullin Dasma, një vepër e hershme e periudhës “revolucionare” të Ismail Kadaresë, i dalë nga e njëjta dorë që u këndonte në poezi digave, oxhakëve, saldatorëve dhe jetesës proletare.
Me strukturë eksperimentale, romani rrëfen natën e një dasme “punëtore”, ku një montator dhe një malësore martohen në një kantier ndërtimi, që është fillesa e një uzine dhe pastaj edhe e një “qyteti të ri”:
Dasma bëhej në njërën nga barakat. Kjo ishte baraka më e gjatë. Gjysma e saj shërbente si mensë, një pjesë si kënd i kuq dhe në pjesën që mbetej ishin vendosur kuzhina dhe disa zyra të administratës së kantierit. Atë natë të gjitha këto ishin mbushur plot me njerëz. (f. 377)
Baraka e gjatë prej pupuliti, me llambat e forta të vendosura në të gjitha këndet, gjëmonte dhe llamburiste. (f. 378)[1]
Lëkura e daulles përvijon për lexuesin një realitet të ri, që po përvijohej jo në mjediset mirëfilli urbane, as në fshat, por në formacione kalimtare, me popullsi të përkohshme dhe rite të jetesës kolektive – si barakat prej pupuliti ku flinin punëtorët e kantiereve dhe vullnetarët që ndërtonin hekurudhat dhe hapnin “toka të reja”. Në këtë realitet liminal, ku nuk vepronin dot mirë agjencitë e së vjetrës – si feja, familja dhe burokracia – lexohej edhe më qartë e ardhmja socialiste e vendit.
Romani synon më tej – t’i japë edhe dasmës, që i përket në thelb traditës jo-revolucionare, atributet e një dukurie sociale transformative, ku individët hyjnë në marrëdhënie jetëshkurtra me njëri-tjetrin, takohen e shtakohen, preken e shpreken, njëlloj si molekulat në lëvizje brouniane; dhe ashtu edhe e riprodhojnë masën kolektive.
Vendet në roman ndërkëmbehen si në një skenë rrotulluese teatri: nga baraka prej pupuliti e dasmës, te vagonët e trenave të udhëtarëve që venë e vijnë, te stacioni hekurudhor në fushë, afër kantierit të ndërtimit. Ka edhe dy vende të zhvendosura në kohë: qyteti i ri, i cili ende nuk është ngritur, por që ekziston në imagjinatën e disa personazheve; dhe një “teqe e rrethuar me qiparisa të lartë, që çohej e vetmuar mu ndanë udhës me baltë, ku linin gjurmë qerret e fshatarëve.” Aq afër është kjo teqe me stacionin e trenit, sa “shumë fshatarë, sidomos pleq, e quajtën stacionin ‘Stacioni i teqesë’ por ky emër nuk zuri rrënjë.”
Dasma në libër festohet në një periudhë kur institucioneve fetare, në Shqipëri, po u binte kambana – me gjasë, nismat për mbylljen e tyre pothuajse përkuan me botimin e romanit. Edhe teqeja aty pat njohur ditë më të mira, sidomos kur shërbente si vend pelegrinazhi për banorët e zonës; por industrializimi ka bërë që roli i saj, në jetët e njerëzve, të ripërmasohet. Thotë një nga dasmorët, duke kujtuar ditën kur u ngrit baraka e parë e kantierit:
Ju kujtohet kur ngritëm barakën e parë dhe na zuri shiu pa mbaruar pullazin? Pastaj shiu pushoi dhe ne vazhduam punën. Dervishët e teqesë kishin dalë të gjithë te ledhi dhe po na vështronin […]. Dervishët vështronin krejt të hutuar, kurse sekretari i partisë i rrethit tha se këtu do të ngrihej një qytet i ri dhe ky qytet do ta gllabëronte teqenë. (f. 402)
Dhe më tej, një bisedë mes dy vajzash që shërbyer si sekserë për dervishët e teqesë dhe nevojat e tyre të ndryshme:
Që kur filloi të ndërtohej ky kantier dhe kjo hekurudhë, dervishët u hutuan fare.
Të kujtohet atë ditë që u ngulën shenjat e kantierit? Dervishët thoshin se këto toka janë vakëf dhe ,çdo gjë që do të ngrihet mbi to, allahu do ta rrafshojë prapë […]
Tani më vjen ndër mend. Binin përmbys si të çmendurit, pastaj ngriheshin prapë, pastaj prapë binin, duke futur thonjtë në tokë.
Dhe mallkonin çdo gjë: udhët, ndërtesat, trenat, gjithë qytetin që do të ngrihej. (f. 464-465)
Dasma në roman ndodh pikërisht në kohën kur kish nisur të fermentohej lëvizja për mbylljen e institucioneve fetare në Shqipëri; nuk jemi ende në momentin kur të rinjtë i mësyjnë kishat dhe xhamitë dhe i marrin në zotërim, për t’i shkatërruar apo për t’ua ndërruar “destinacionin”, por ndihet se këto i kanë ditët të numëruara, meqë nuk bashkëjetojnë dot me të renë që po afrohet. Koha e teqesë dhe e dervishëve ka kaluar, aq sa vetëm fshatarët pleq, në tren, e mbajnë mend teqenë dhe e përdorin si “landmark” në bisedat. Vetë kleri e kupton se “ndërtesat, trenat, gjithë qyteti që do të ngrihej” do ta dëbojë nga ekzistenca.
Dhe është rinia, madje pikërisht ajo rini kantieresh që popullon barakën e dasmës dhe dasmën vetë, që po e aktualizon “kotësinë e fesë”, në një shoqëri të sunduar nga kolektiviteti dhe entuziazmi proletar dhe që pas pak do të rrëmbejë sqeparët dhe kazmat, kundër obskurantizmit dhe mbeturinave së të kaluarës – paçka se romani sikur lë të kuptohet se institucionet fetare dhe kleri në Shqipërinë socialiste do të vijnë duke u shuar, si shteti në komunizmin e shestuar nga Marksi.
Ja një bisedë që dëgjon rastësisht shkrimtari D.D. te një nga tryezat në dasmë:
Keni qenë në Kavajë gjatë ditëve të ramazanit? […] Nuk keni ide ç’qyfyre. Unë isha herën e fundit. Kisha shkuar për të tërhequr gozhdë. S’keni ide ç’bëhej. Ishte krijuar shtabi për luftën kundër agjërimit. Agjitatorët, korrierët, aktivistët venin e vinin poshtë e përpjetë ditë e natë, trokitnin derë më derë, raportonin, telefononin. Alo, sukses, plaka Makbule, më në fund, hëngri. Piu dhe dy gota ujë. E pashë me sytë e mi. Alo, fitore, Sul Bullunga u shqep së ngrëni një gjel të tërë me pilaf. Alo, Rem Tufja s’bindet. Rri përpara gjellës si i luajtur dhe seç murmurit. Ç’të bëj? Detyroje të hajë, përpiqu, ndërroja gjellën. Gjer në orën 17.00 të ketë ngrënë! Si urdhëron, shoku shef.
Castigat ridendo mores.
Në teqenë e romanit, kundërfigurë e barakës në kantier, jetojnë dervishë rufai. Dy vajzat, që e kanë vizituar teqenë dikur (teqenë e famshme ku, “po të flije një natë, të mbarohej një dëshirë”, f. 462), mbajnë mend se kur e shkelën për herë të parë,
Atje kish gjallëri të madhe. Ishte një festë fetare. Kishin ardhur shumë njerëz për të kaluar natën në teqe. Midis tyre kishte pleq me reumatizëm, gra që s’bënin fëmijë, të gjymtuar, njerëz me nerva, fanatikë me fytyra të zbehta, idiotë që nxirrnin jargë nga goja, tipa të dyshimtë […] Ndaj të ngrysur nisi të binte lodra dhe dervishët rufai filluan të kërcenin si të tërbuar, duke lëshuar britma të çuditshme. (f. 462).
Me gjasë, është fjala për hapësirën a sallën qendrore të teqesë, e cila përdoret për lutje dhe është e hapur ndaj vizitorëve. Në roman, festa përfundon me përdhunimin e vajzave mysafire nga dervishët. Përkundrazi, tensioni seksual në dasmën proletare të kantierit nuk shtyhet më tutje se një puthje e dëlirë mes shkrimtarit protagonist dhe një dasmoreje të rastit – e cila ka qenë edhe ajo dikur në teqe (por nuk u është dorëzuar dervishëve).
Të krahasohet kjo skenë e festës në teqe me këtë tjetrën, e cila i përket dasmës:
Orkestrantët ishin mbytur në djersë. Montatori që i binte daulles e kishte lënë vendin e tij dhe ishte futur mu në mes të vallëzuesve, duke goditur si i tërbuar me të dy shkopinjtë lëkurën e tendosur. Flokët e qullur nga djersa i vareshin si xhufka mbi ballë. Njerëzit përreth kërcenin, shtyheshin e thërritnin ‘hopa!’ dhe ai i vështronte me sy të ndezur e të mjegulluar, sikur i ndillte, kurse ata që u binin gërnetave i kishin mbyllur sytë përgjysmë dhe i lëviznin gërnetat në çdo drejtim, sikur donin të mbushnin çdo kënd të botës me tingujt e tyre gërryes. (f. 486)
Ashtu siç është përshkruar, festa e dasmës dhe në veçanti vallja e dasmorëve befas merr formën e një rituali që, kundër çdo logjike, e bashkon teqenë me barakën e punëtorëve – falë sinkronizimit mistik të daulles dhe transit të induktuar prej vallëzimit.
Zhurma e daulles e përhap praninë e dasmës anembanë fushës përreth, duke depërtuar deri edhe në vagonët e trenit të udhëtarëve, ku dy vajzat endacake, të cilat kanë kujtime të shumta nga teqeja, kthehen atje me mendje dhe në bisedë, sa herë që u qëllon të dëgjojnë daullen.
Ndërkohë, disa udhëtarë, në tren, zhvillojnë këtë bisedë mes tyre:
Ç’të jetë kjo daulle? – tha fshatari më plak.
Daulle dasme, e thashë unë.
Veç në u martoftë qoftëlargu ose dervishët e teqesë, – tha fshatari. – Këtu s’ka tjetër njeri.
Dervishët rufai të teqesë janë të pranishëm, në tren, edhe përmes historive që rrëfejnë udhëtarët përmes qendrës së zërit që transmeton në vagonat:
Dikush nga qendra e zërit po tregonte diçka për sektin e rufainjve. (f. 426)
Ndryshe nga rrjedha drejtvizore e kohës historike dhe e progresit – nga teqeja në kantier, nga kantieri në qytet të ri – daullja, dhe festa që e shoqëron, propozojnë një lloj tjetër kohe, atë cikliken, që kthehet e rikthehet në vete.
Vetë titulli (i ri) i romanit, Lëkura e daulles, sikur sugjeron se progresi bën përpara mbi një sfond statik, ku nuk ndryshon asgjë, dhe ku arsyes ia lë vendin misticizmi. Edhe pse teqeja me gjithë dervishët po gatiten të dalin nga skena, për t’ua lënë vendin strukturave të tjera të jetesës kolektive, misticizmi e gjen mënyrën për të mbijetuar, duke u mishëruar në një ritëm daulleje.
Mbase prandaj edhe zhurma e daulles, në faqet e fundit të romanit, sjell një notë ankthi në muzikën përndryshe aq të hareshme të dasmës. Ajo është kolona zanore e pavetëdijes kolektive së kantierit, me rrënjë në irracionalitet.
Kadareja u ka kushtuar vëmendje dervishëve edhe në vepra të tij të tjera, sidomos në ato me temë “osmane”, ku i pikturon si misionarët e Islamit dhe të Lindjes në trojet e Arbrit, të cilët u paraprinë ushtrive të sulltanëve. Kjo sikur i vë në mision edhe ndërtuesit, që tani festojnë në dasmë, mu përbri teqesë – vetëm se misioni i këtyre është qytetërues (po ndërtojnë edhe një qytet të ri); dhe dasma, si prelud i riprodhimit, premton një të ardhme tjetërlloj nga ajo që Shqipëria po lë pas.
Ja një pasazh nga romani Kështjella (Rrethimi), që bashkëtingëllon me fragmentet nga Dasma më lart:
Zhurmat dhe gjëmimet e lodërtive të shurdhonin. Fytyrat e dervishëve, nën dritën e hënës, dukeshin herë të bardha, herë të kaltra. Rreth e rrotull ushtarët, të magjepsur nga kërcimi, përplasnin duart nën ritmin e lodrës dhe, me britmat e tyre “uh”, “uh”, shoqëronin ahtet e dervishëve. Shumë prej kërcimtarëve binin përdhé, por veç një pjesë ngriheshin. Hiqeshin bythazi, ofshanin. Të tjerët rrinin të plandosur dhe s’dalloheshin dot prej atyre që u kishte rënë vërtet sëmundja e tokës. Diku, herë nga njëra anë, herë nga tjetra, dëgjoheshin kukama të mprehta. Ushtarë, të mbytur në djersë ose në lot, shkriheshin befas në gazavaj. Të tjerë rendnin pa ditur pse dhe ku. (Vepra 3, Onufri 2008, f. 100).
Kjo rrymë e nëndheshme, që ushqen edhe shqetësimin në dasmë, duke u hapur rrugën – brenda së mirës dhe së resë – forcave të errëta të së keqes, sjell një element ambiguiteti në roman, i cili shtyhet përtej rrezikut nga gjakësit dhe shkesët, duke ravijëzuar një kërcënim që i ka rrënjët tek irracionaliteti i turmës. Teksti i mëshon kësaj ndonjëherë haptazi, nëpërmjet përftesës së pranëvënies narrative; dhe e pikturon turmën irracionale – njerëzit që vallëzojnë nën ritmin e daulles – si anën e errët të kolektivitetit që evokojnë kantieret, industrializimet dhe barakat prej pupuliti. Në realitet, po atë dalldi hipnotike që shfaqet te dervishët (rrotullues) dhe ceremonitë e tyre, do ta shohim të shfaqet në turmat që, njëkohësisht me botimin e romanit, do t’u vërsuleshin institucioneve fetare për t’i profanuar, përdhosur dhe shkatërruar. Jo se ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes një romani dhe një dalldie kolektive të pilotuar nga ideologët e PPSH-së, përtej faktit që si njëri, ashtu edhe tjetra, i përkisnin të njëjtit “progres” dhe i shërbenin së njëjtës kauzë. Nga kjo pikëpamje, ndoshta nuk do ta tepronim po të sugjeronim se romani Dasma guxon ta pyesë lexuesin nëse mund të ndërtohet socializmi dhe të sigurohet progresi, me ritmin e daulles.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Citatet këtu dhe më poshtë janë nxjerrë nga vëllimi Ismail Kadare, Vepra vëllimi IV, Onufri 2008.