Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

HOROSKOPI I SKËNDERBEUT

Çfarë kanë të përbashkët Charles de Montesquieu, Oliver Hardy, Arno Schmidt, Vassilis Tsitsanis, Gilles Deleuze, Iva Zanicchi, Gilles Villeneuve dhe Kevin Costner? Përgjigjja logjike do të ishte: asgjë me interes. E megjithatë, këtë listë e kam nxjerrë nga një faqe uebi, me emrat e atyre që kanë datëlindjen sot, më 18 janar.

Data është një konvencion i kalendarit. Deri edhe për astrologjinë “serioze”, nuk mjafton që dy njerëz të kenë lindur në të njëjtën datë, për të ndarë mes tyre karakteristika relevante – duhet edhe ora e lindjes, edhe viti. Por mediat i japin rëndësi të madhe kalendarit, sepse e përdorin për të organizuar informacionin (nuk po them dijen), në kuptimin që për Gilles Deleuze-in sot do të flasin edhe ca media që nuk do ta kishin përmendur kurrë, ndonjë ditë tjetër të vitit.

Edhe pse arbitrar, kriteri i datës ndihmon për ta bërë informacionin ciklik – vit pas viti, kujtohen të njëjtët njerëz; edhe pse arsyet pse kanë dalë mbi ujërat kalendarike vetëm ata dhe jo të tjerë mbeten të mistershme.

Përkujtimi i njerëzve të shquar sipas datës së lindjes mund t’i ketë rrënjët në irracionalitet, në astrologji (në horoskop) dhe në kalendarin fetar, por sot është konvencional. Njëfarësoj, na detyron të flasim për ca tema edhe kur nuk e ndiejmë nevojën. Le ta kujtojmë Gilles Deleuze-in, meqë sot ka datëlindjen, etj. (vëreni implikimin katastrofik që sjell në ligjërim ajo lidhëz shkakore – argumentin se datëlindja e dikujt mund të jetë arsye për të folur për të).

E keqja e kësaj praktike është se askush nuk trazohet të kontrollojë kriteret që përdoren, për të zgjedhur se kujt do t’i kremtohet datëlindja. Si rregull, kujtohet dikush që supozohet se është i njohur për publikun, ose është – të paktën – cool. Ashtu edhe do të flasim me dëshirë për Deleuze-in dhe Kevin Costner-in, por jo për politikanin veri-irlandez John Hume, i cili dikur u nderua me një Nobel për Paqe. Dhe pse kështu? Sepse për të parët kemi folur edhe vjet…

Një debat që sikur u nis disa herë këto ditë, por që nuk e pashë të vazhdonte seriozisht gjëkundi, iu kushtua datës 17 janar, që të gjithë e njohim si datën e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut; por që këtë vit qëlloi të përkonte me datën kur vizitoi Shqipërinë presidenti i Turqisë, Erdogani. Disa thanë se nuk mund ta pranonin dot këtë përkim datash, për shkak të “papajtueshmërisë” historike të dy burrave në fjalë përballë historisë sonë kombëtare.

E kam të vështirë të besoj se ata që mund ta kenë ngritur këtë objeksion, e kanë seriozisht. Përkundrazi, mund t’i kuptoj të gjithë ata që nuk e mbështetin miqësinë e ngushtë mes Shqipërisë dhe Turqisë dhe politikën që ndjek Turqia në Shqipëri – sa kohë që nuk është sjellë emri i Gjergj Kastriotit si argument. Kastrioti ish ngritur të luftonte kundër Perandorisë Osmane para 5 shekujsh, në një kohë kur as Shqipëria as Turqia nuk ekzistonin. Vetëm një lloj të menduari magjik, i bazuar në numrat dhe në ciklet, mund ta gjejë problematike datën 17 janar, për vizitën e Erdoganit.

Tek e fundit, në 17 janar kanë vdekur edhe Teodosius-i I, Car Fjodori I i Rusisë, kompozitori italian Tomaso Albinoni, eugjenisti dhe antropologu britanik Francis Galton, shkrimtari rumun Mateiu Caragiale, astronomi amerikan William Pickering, mbreti i Norvegjisë Olav V, nobelisti spanjoll Camilo José Cela, kryeministri kinez Zhao Ziyang, shahisti Bobby Fischer dhe futbollisti italian Pietro Anastasi. Këta që objektojnë për vizitën e Erdoganit, më gjejnë dot gjë të përbashkët mes emrave më lart dhe Gjergjit tonë (ose edhe Erdoganit, xhanëm)?

Ngaqë e di se ekspertët e diplomacisë së datave nuk e kanë seriozisht punën e Skënderbeut, nuk po ngul këmbë e të them se kjo praktikë e organizimit të veprimtarive në bazë të kalendarit nuk është shumë larg konsultimit të horoskopëve dhe të astrologëve nga liderët politikë dikur (ca e bëjnë edhe sot); ose përdorimit të fallxhorëve dhe të teknikave të tjera aleatore.

Por, e përsëris, gjërat nuk janë kaq qesharake sa duken. Prapa naivitetit të numrave dhe të kalendarit vetë, qëndron një diktat kulturor tinëzar dhe këmbëngulës, që e shfrytëzon rrotullimin e tokës rreth Diellit si kornizë për të imponuar kabalën e vet. Dhe këtë e realizon duke i zgjedhur emrat dhe kremtimet dhe pastaj duke ia faturuar përsëritjen cikleve numerike.

Prandaj këta horoskopistë, numerologë dhe kalendaristë të orës së mbrame nuk bindin.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin