Limeriku është një formë poetike e light verse që lindi në Anglinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ka vetëm një strofë (me katër ose pesë vargje) dhe i duhet, brenda kësaj hapësire, të shprehë gëzim, humor dhe një mungesë të plotë logjike e zhvillimi mendimi, që ia thonë nonsense. Skema është kjo: pesë vargje anapestike (∪ ∪ —), i pari, i dyti dhe i pesti me nga tri këmbë dhe që rimojnë mes tyre; i treti dhe i katërti me nga dy këmbë dhe që rimojnë mes tyre. Këto të fundit mund të shkruhen edhe si një varg i vetëm, me kusht që të ketë rimë të brendshme.
Ndërsa origjina e lindjes së kësaj poezie është e mbuluar me mjegull, kulmin e famës limeriku e arriti me Edward Lear-in. Ne shqiptarët Lear-in e njohim si piktor të peizazheve të mëmëdheut (tonë) dhe si përshkrues të botës shqiptare në ditarët e tij prej udhëtari metikuloz. Kurse bota anglosaksone, në përgjithësi pjesa tjetër e botës, e njeh për limerikët që shkroi, duke filluar nga libri i parë, “A Book of Nonsense”, botuar më 1846 me shpenzimet e veta (si çdo poet i denjë për këtë emër). Limerikët e tij Lear-i i shoqëronte me një vizatim, edhe ai absurd, me njerëz në ca pozicione të çuditshme, ndonëse krejt në harmoni me ç’rrëfenin vargjet. Ja, të shqipëruar, disa limerikë të tjerë prej librit (vizatimet janë të autorit).
Na qe një Plakaruq prej Vjene
që rronte me Tinkturë Sene;
por, kur kapej gafil,
pinte Çaj Kamomil
ky Plakaruq shëmtaq prej Vjene.
Na qe një Burrë Plak me skrupuj
q’e bënin të gëlltiste Lepuj;
hëngri tetëmbëdhjetë
dhe u bë krejt i blertë,
gjer i shpërfilli pastaj skrupujt.
Na qe një Gërxho nga Kadizi
që tërë Zonjat i sajdisi;
kish përdore të bijën
kur na ra nga anija
dhe u mbyt Gërxhua nga Kadizi.
Na qe një Zonjushkë me hundë
q’i zgjatej e zgjatej pafund;
sa një Plakë ngarkoi
që me sjellje heroi
ta mbante atë lule-hundë
Na qe një Gërxho prej Nepali
që pat një theqafje nga kali;
dyshas ndonëse u nda
me një zamkë-hata
e qepën Gërxhon prej Nepali.
Na qe një Gërxho nga Abruco
që s’shihte as të tijën këpucë;
kur i thanë: “Ja dhe gishti”,
u përgjigj: “Thua ishte?”
ky Gërxho dyshimtar ng’Abruco.
Na qe një Gërxho nga Peruja
që këqyrte çorbën q’bënte gruaja;
që një ditë gaboi
dhe në furrë e gatoi
kët’ Gërxho të pafat Peruje.
Na ish një Zonjushkë nga Luka,
jaranët q’e lanë mes katër rrugash;
pa u ngjit në një pemë
edhe tha: “Thashetheme!”:
ç’siklet për banorët e Lukas.
Na qe një Gërxho prej Vezuvi
q’studjonte veprat e Vitruvit;
por kur llava i dogj
piu sa u bë karroq
ky Gërxho shëndetlig Vezuvi.
Na qe një Gërxho mbi shkëmbinj
q’e kyçi të shoqen në kuti;
kur i thosh: “Lermë të shkoj”,
iu përgjigj: “Nuk dyshoj
që jetën do e ngrysç në kuti.”
Na qenkësh një Gërxho nga Patra,
që seç të përgjigjej shatra-patra;
kur i thanë: “Si ke njeh?”
u përgjigj: “Ti kush je?”
ky Gërxho zënë pisk nga Patra.
Na qe një Gërxho prej Hamizi
q’u krodh kujdesshëm për Tamizi;
kur e gjetën, ç’e do,
mbytur qe domosdo
ky Gërxho lumëmadh Hamizi.