Të ketë qenë Nata e Vitit të Ri më e madhja festë popullore laike në Shqipërinë e viteve të totalitarizmit?
Mbase sot kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjet njeriu më lehtë se dikur.
Para 1990-ës, shteti patriark u vinte theksin festave historike, përvjetorëve dhe kremtimeve të eventeve politike. Festat fetare ishin nxjerrë jashtë ligji, dhe njerëzit ngushëlloheshin me festat tradicionale familjare, si dasmat dhe datëlindjet.
Viti i Ri, si festë, kish mbijetuar, por i zhveshur nga tiparet mirëfilli fetare. Paçka se disa elemente të krishtera i kish ruajtur, të përziera me gjëra pagane.
Në qytet shihje ende pemë të zbukuruara, drita me ngjyra yje dhe xhingla të tjera; një Pemë të Vitit të Ri e ngrinin njerëzit edhe në shtëpi; Plaku i Vitit të Ri, me thesin e tij me dhurata, zëvendësonte Babbo Natale-n.
Dyqanet hidhnin pambuk në vitrinat e tyre të zbrazëta, për të simbolizuar dëborën.
Nata e Vitit të Ri ishte në thelb një festë pagane e dimrit (festë pagane e një nate dimri), e kamufluar si festë “kalendarike”.
Në karikatura, ilustrime dhe posterë, do të shfaqeshin ndonjëherë edhe Viti i Vjetër dhe edhe Viti i Ri, njëri si plak tjetri si fëmijë, duke shkëmbyer “stafetën” e viteve.
Por origjina e festimeve nuk thotë asgjë për mënyrën si u përshtatën dhe u përdorën elementet e marra hua.[1] Dhe pikërisht, që qytetarët e shfrytëzuan këtë hapësirë midis fesë, politikës, ideologjisë dhe kremtimit historik, për të vendosur atje një festë laike.
Regjimi kish kohë që i kish ndaluar festat fetare të Fundvitit (Kërshëndellat), siç kish ndaluar festat fetare në përgjithësi, me shpresë se energjia e këtyre do të kanalizohej në festat dhe ritualet e religjionit civil – kremtimet e datave historike, si 1 maji, 28-29 nëntori; dhe festimi i historisë kombëtare.
Historia kombëtare, nga ana e vet, ishte rishkruar në mënyrë të tillë, që ta paraqiste të sotmen si synimin objektiv dhe të domosdoshëm të gjithçkaje që i kish paraprirë.
Qytetarët merrnin vërtet pjesë në aktivitetet e religjionit civil dhe shijonin ditët e pushimit, por pa investuar shumë shpirtërisht.
Askush nuk do të dehej natën e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë…
Përkundrazi, Nata e Vitit të Ri, që nuk kish domethënie politike, do të përshtatej si festa laike par excellence, ngaqë vetvetiu apolitike.
Njerëzit mblidheshin bashkë, familje miq e të afërm, uronin “gëzuar!”, hanin (gjelin dhe bakllavanë) e pinin dhe shijonin konvivialitetin përtej ritualeve politike, ideologjike dhe fisnore.
Atë natë dollinë e parë mund edhe të mos e ngrije për Partinë dhe shokun Enver; dhe dollinë e fundit mund të mos e ngrije për flamurin.
Njerëzve sikur u lejohej të ishin vetvetja, duke e hequr përkohësisht maskën e konformimit politik a të daljes në pazar; paçka se kjo heqje e maskës njëherazi do ta afronte Natën e Vitit të Ri me Karnavalet (që edhe këto nuk festoheshin më).
Locus-i i kësaj feste ishte tavolina dhe fryma e saj ishte të qenit së bashku.
Njerëzit pyesnin: “ku do ta bëni Vitin e Ri?”, duke nënkuptuar se edhe ku-ja ishte pjesë e festivitetit.
Sikurse pyesnin: “do të mblidhemi për Vitin e Ri?”, pse kjo folje – mblidhemi – e përcillte më së miri esencën e çfarë do të ndodhte.
Edhe pse të gjitha festat, familjare dhe sociale, e riprodhojnë komunitetin, Nata e Vitit të Ri ishte më e gjerë se të tjerat, sepse sinkronizohej anembanë vendit – në mos botës mbarë.
Ishte e vetmja festë që i mblidhte qytetarët së bashku, në të njëjtën ditë dhe orë, për të festuar thjesht të qenit së bashku.
Ndryshe nga shumë festa të tjera, nuk ishte e kthyer me fytyrë nga e kaluara (50-vjetori i Pavarësisë, 40-vjetori i Çlirimit, 30-vjetori i martesës) dhe as kremtonte ndonjë sukses a fitore.
Ishte festë e qytetarisë, por ndryshe nga festat fetare, që riprodhonin – mes të tjerash – edhe diversitetin dhe dasitë mes shqiptarëve, kjo e Vitit të Ri nuk bënte dallim, por i ulte të gjithë rreth tavolinës.
Vinte si përpjekje – sado e dëshpëruar – për të gjetur pak kuptim dhe mirësi në shkretëtirën e jetës publike nën totalitarizëm.
Fare lehtë mund të kish degraduar në kremtim të konsumerizmit – me shpenzime të kota për ushqime, udhëtime dhe dhurata; por varfëria e tregut ia kurseu atë fat.
E shumta, do të shfrytëzohej për të fuqizuar lidhjet dhe aleancat private, miqësitë dhe bashkëfajësitë.
Kish trashëguar intimitetin nga festat familjare; dhe formalitetin nga kalendari, që ia jepte arsyen për t’u mbajtur.
Edhe totalitarizmit i pëlqente kalendari, por si vend kremtimesh dhe përvjetorësh; ose pretekst për t’ua vënë qytetarëve në qafë zgjedhën e një historie të imagjinuar.
Ciklet merrnin kuptim sa kohë që përjetësonin një event primordial – një themelim, një firmë, një ngritje flamuri.
Nata e Vitit të Ri i referohej edhe ajo një cikli, por pa iu bashkëlidhur detyrimisht një fillimi. Ata që mblidheshin në tavolina, për ta festuar, nuk sillnin zakonisht në mendje ardhjen e Krishtit, njëlloj sikurse nuk përfytyronin orbitën e Tokës rreth Diellit.
Duke e reduktuar shkakun e festës në diçka mirëfilli numerologjike, në një numërim së prapthi, në një zerim a reset kalendarik, festarët i ktheheshin njëri-tjetrit, për ta përjetuar dhe shijuar.
E çliruar nga të gjitha rrënjët dhe arsyet, por e pasur në pretekste, Nata e Vitit të Ri do të shndërrohej në festë të konvivialitetit.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Nga shumë anë, festa e Vitit të Ri në Shqipërinë totalitare ndiqte modelin sovjetik, që ishte konsoliduar në vitet 1930, në rrethana social-kulturore të ngjashme me tonat. Edhe në Bashkimin Sovjetik, një festë e dizajnuar fillimisht për fëmijët erdhi dhe u adoptua nga të gjithë, pjesërisht e nxitur nga shteti dhe pjesërisht e mirëpritur nga qytetarët. Për historinë e Vitit të Ri sovjetik, lexoni këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu. Huazimi i festave, njëlloj si huazimi i fjalëve, është ai vetë pjesë e traditës sonë kulturore – siç e provon sot huazimi jo vetëm i formave të laicizuara të Natale-s italiane, por edhe eksperimentimi me festa të tilla dikur të panjohura, si Halloween dhe Befana.