Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Gjeografi

KY ISHULL

Ka një përrallzë Borges-i, Los dos reyes y los dos laberintos, që e ilustron bukur morfologjinë e burgut. Po e sjell këtu poshtë, me përkthimin tim:

DY MBRETËRIT DHE DY LABIRINTET

Thonë njerëzit që u zë vend fjala (por Allahu di më shumë) se na ishte një herë një mbret në ishujt e Babilonisë që thirri arkitektët dhe magjistarët e vet dhe i vuri t’i ndërtojnë një labirint kaq të ngatërruar dhe dredharak sa më të urtët të mos e merrnin dot në sy të hynin dhe ata që të hynin, të humbeshin. Një vepër e tillë rezultoi skandaloze, sepse pështjellimi dhe mrekullimi janë gjëra të Zotit, jo të njerëzve. Pastaj, kaloi ca kohë dhe erdhi në oborrin e tij një mbret i arabëve dhe mbreti i Babilonisë (për të përqeshur me thjeshtësinë e mysafirit të vet) e joshi në labirint ku ky u sorollat, i poshtëruar dhe i hutuar, derisa ra mbrëmja dhe i kërkoi ndihmë Zotit dhe e gjeti derën e daljes. Nuk nxori ankim nga buza, por veç i tha të zotit të shtëpisë se në Arabi edhe ai e kish një labirint të vetin dhe, me vullnet të Allahut, do t’ia tregonte një ditë mbretit të Babilonisë. Pastaj u kthye në Arabi, thirri kapitenët dhe prefektët e tij dhe e mësyu mbretërinë e Babilonisë dhe me ndihmën e fatit ia rrafshoi kështjellat, ia gjunjëzoi popullin dhe e kapi mbretin e Babilonisë rob. E lidhi pastaj të burgosurin mbi një gamile këmbëshpejtë dhe e çoi në shkretëtirë. Udhëtuan tri ditë, pastaj i tha: “O mbret i kohës, lëndë dhe emblemë e epokës! Në Babiloni ti deshe që unë të humbesha në një labirint bronzi, me shumë shkallë, dyer dhe mure; por tani I Pushtetshmi e pa me vend të më lejonte që të ta tregoja unë ty labirintin tim, që nuk ka as shkallë për të ngjitur, as porta për të shqyer, as korridore të gjata për të përshkuar, as mure për të penguar kalimin.” Pastaj ia hoqi vargonjtë dhe e braktisi mbretin e Babilonisë në mes të shkretëtirës, ku ky vdiq nga uria dhe etja. Lavdi Atij që nuk vdes kurrë.

Vite më parë, unë pata përfytyruar një lloj burgu në trajtën e një stacioni metroje (hub) ku udhëzimet të jenë qëllimisht të gënjeshtërta, në kuptimin që tabelat dhe krejt informacioni të synojnë që ta ngatërrojnë udhëtarin; dhe një tabelë që të thotë se duhet të ecësh majtas pastaj të ngjitësh shkallët, për të arritur te platforma e trenit B uptown, në fakt të çojë te platforma e trenit 6 downtown; madje jo vetëm kaq, por edhe trenat vetë të identifikohen qëllimisht gabim, sepse treni që ka shenjën B, në fakt përshkon itinerarin e trenit N, e kështu me radhë, dhe nuk do të ishte hera e parë që të na gënjenin kështu. Gjithsesi, duke përdorur metodën e provës dhe të gabimit, udhëtari që ka kohë të pafund në dispozicion dhe është i bindur se shenjat nuk ndryshojnë teksa ai kërkon të orientohet në stacion, mund ta gjejë algoritmin e duhur për të shkuar atje ku dëshiron.

Gjithsesi, prej burgut pritet që të thotë të vërtetën; sepse një burg që gënjen, ose që rreket ta mashtrojë bujtësin me shpresë se do ta mbajë atje, do të funksionojë derisa bujtësi ta zbulojë gënjeshtrën; p.sh. që dryni i madh i derës me hekura nuk ka nevojë për çelës që të hapet, etj. Përkundrazi, një burg që nuk gënjen vështirë se do të mposhtet dot nga intelekti i atij që kërkon të dalë – sepse atje dryni është dryn dhe muri mur. Labirinti i mbretit të Babilonisë mund të zgjidhet, së paku në mënyrë gjeometrike; ndërsa shkretëtira është gjeometrikisht e njëtrajtshme dhe i burgosuri kufizohet jo nga muret dhe kurthet rrethore, por nga vetë trupi i vet (nevoja që ka për ujë dhe ushqim), edhe kur arrin ta përdorë qiellin për t’u orientuar. Natyrisht, mund ta ndërtosh edhe labirintin të tillë, që t’i ngjajë shkretëtirës për nga shtrirja – por atëherë ç’vlerë do të kishte vetë koncepti i labirintit?

Te Atlasi i ishujve të humbur, nga Judith Schalansky (Atlante delle isole remote, Bompiani 2013; përkthyer nga origjinali Atlas der abgelegenen Inseln, mareverlag 2009) lexova për ishullin Tromelin, në Sporadet ekuatoriale, ku u lundërthye, dikur në vitin 1760, anija Utile e shoqërisë së Indive lindore me njëqind e gjashtëdhjetë skllevër malgashë në kargo, të cilët kapiteni Jean de La Fargue i pat blerë në Madagaskar për t’i shitur pastaj në Mauritius. Utile i ish shmangur kursit të rregullt për shkak të një stuhie dhe befas ndeshi në shkëmbinj të nënujshëm afër një ishulli të vogël, atëherë të njohur me emrin “ishulli i Rërës”: një rrip plazhi krejt i zhveshur, në formë të një shojze deti (ita. sogliola), dy kilometra i gjatë dhe tetëqind metra i gjerë. Marinarët që dolën në breg, 122 vetë, të cytur nga nënkapiteni Barthelemy Castellan du Vernet (meqë kapiteni i Utile, Jean de Lafargue kish luajtur ndërkohë mendsh) u vunë menjëherë të ndërtonin një barkë me mbeturinat e anijes dhe, dy muaj pas lundërthyerjes, u larguan të gjithë nga ishulli, duke braktisur atje gjashtëdhjetë skllevër malgashë (të tjerët ishin mbytur), të gjithë me origjinë nga pllajat qendrore të Madagaskarit dhe të pamësuar me mjedisin buzë ujit. Barka me marinarët arriti brenda 4 ditësh në Mauritius, por guvernatori i ishullit refuzoi kategorikisht të dërgonte një anije për të shpëtuar skllevërit malgashë, pse Franca gjendej në luftë me Anglinë dhe anijet në atë anë të rruzullit i kishte të numëruara. Castellan-i shkoi pastaj në Francë, por nuk hoqi dorë nga përpjekjet për t’u kthyer një ditë në ishull dhe për t’i shpëtuar skllevërit e mbetur atje; edhe pse me kohë kjo punë u harrua dhe ndërkohë edhe shoqëria e Indive lindore falimentoi.

Shkruan Schalansky për të braktisurit në ishull:

“Janë të lirë, por liria e tyre nuk shtrihet më shumë se një kilometër katror; janë robër siç nuk kishin qenë kurrë, skllevër të vullnetit të tyre për të mbijetuar. Ndezin një zjarr, gërmojnë një pus, vishen me pupla zogjsh, ushqehen me shpesë deti, breshkujca dhe gaforre. Shumë prej tyre janë kaq të dëshpëruar, sa lëshojnë një trap rudimentar në ujë dhe e lënë veten në mëshirë të rrymës detare. Të tjerë kujdesen për ta mbajtur zjarrin ndezur. Dhe arrijnë ta mbajnë ashtu, për pesëmbëdhjetë vjet. Kur arrin një ditë në ishull korveta La Dauphin, nga gjashtëdhjetë skllevërit gjen vetëm shtatë gra dhe një foshnjë, ende në gji. Më 29 nëntor 1776 të mbijetuarit hipin në korvetë dhe udhëtojnë për në Mauricius. Më në fund zjarri do të lejohet të shuhet; dhe ishullit, përveç kërcunjve të shkrumbuar, i mbetet emri Tromelin, i kapitenit të korvetës.”

Gjashtëdhjetë skllevër tashmë pa zot, në një pëllëmbë toke, m’u identifikuan sakaq me la condition humaine – çfarë të vlen liria, kur të zëvendëson vargonjtë e djeshëm? Ishulli i Rërës edhe i ngjan, edhe nuk i ngjan shkretëtirës së Arabisë, në parabolën e Borges-it – por ndoshta shkretëtirës së argjentinasit i ngjan më shumë oqeani që e rrethon ishullin (heremum in oceano); dhe jo vetëm ngaqë rëra e shkretëtirës nuk është veçse memorie e rreshkur e fund-detit. Por më shkon mendja edhe te fati ynë si njerëz, që ndihemi ndonjëherë të braktisur në këtë rrip toke të rrethuar nga universi; edhe ne ish-skllevër tashmë të lirë, por në pritje të shpëtimit. Rrethanat materiale të lirisë sonë, planeti që na mban të gjallë, janë edhe muret e burgut që na mban të mbyllur.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Një histori më të detajuar të asaj çfarë ndodhi në Tromelin do ta gjeni te ky artikull i The Economist (Lèse humanité). Në spanjisht, lexoni Tromelin, la isla de los malgaches resilientes. Edhe ky artikull i Independent: Shipwrecked and abandoned: the story of the slave Crusoes. Max Guérout ka shkruar një libër të tërë për historinë e ishullit, Tromelin, mémoire d’une île, i cili mund të lexohet falas online.

Kopertina: foto ajrore e ishullit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin