nga Arben Dedja
Mbreti Genti
Mbreti Genti
u bë trendy
kur Aleksandër Meksi
e dekretoi për dy mijë lekshin.
Sulltan Mehmeti i Tretë
Sulltan Mehmeti i Tretë,
i vrau vëllezërit e vet.
“Ishin shumë” tha, “bre!
Ç’t’i mbaja havale.”
Blaise Pascal
Blaise Pascal,
qëkur shpëtoi nga rënia me kalë,
këdo haste
për Zotin vinte baste.
Marko Boçari
Marko Boçari
i thosh në vesh çdo ushtari:
“Mësojeni mirë fjalorin tim,
të dini si t’i shani Bushatllinjtë.”
Giacomo Leopardi
Giacomo Leopardi
s’kish sy leopardi,
por e pa nga ajo kodrinë
pafundësinë.
Theodor Billroth
Theodor Billroth
i tha Brahms-it: “Johannes, jo kot
stonova dje në violinë:
s’e hiqja dot mendsh bisturinë.”
Jean-Martin Charcot
Jean-Martin Charcot:
një nxënësi yt që pinte puro
e rrinte i ulur në fund,
më duket e quanin Sigmund…
Baroni Franz Nopcsa
Baroni Franz Nopcsa
tha: “Megjithëse u tërhoqa
nga gara për Mbret të Shqiptarëve
s’ra poshtë dhjetës numri i kandidatëve.”
Miss Edith Durham
Miss Edith Durham
s’pinte duhan.
“Ta mësojmë ne” i thanë burrneshat,
“kur të mblidhemi në Nënshat.”
Mustafa Qemal Ataturk
Mustafa Qemal Ataturk
kur veshi kallpak edhe qyrk,
në Europë e lëvduan
dhe… e kopjuan.
Isa Boletini
Isa Boletini
rrugës së kthimit
nga Londra nuk e gjet’
revolen e tretë.
Qemal Stafa
Qemal Stafa
ç’të ngriu qafa:
me Udhëheqës të vjetër e të rinj
çdo maj në fotografi.
Mahatma Gandhi
Mahatma Gandhi
e urrente nagantin,
hante mëmëligë,
vinte shëndetlig.[1]
Mihal Mihaloviç Bahtin
Mihal Mihaloviç Bahtin,
dorëshkrimin për Dostojevskin që e pati
me vete në Kazakistan
e drodhi duhan.
Valéry Giscard d’Estaing
Valéry Giscard d’Estaing,
king si aktor filmash western,
i pëlqente shtetet afrikanë
me shumë savanë.
Iljaz Çeço
Iljaz Çeço
tha: “Do t’ia bëj si çeço
golin Partizanit,
po i ika Rragamit.”
Paolo Rossi
Kur te Paolo Rossi
vinte krosi:
si magnet
topi e gjente vetë.
Bettino Craxi
Bettino Craxi
tek hipte në taksi
ia kthyen mbrapsht menjëherë
bakshishet lënë kamarierëve.
Gjon Pali i Dytë
Gjon Pali i Dytë
i picërroi mirë sytë.
Kështu ia pa Ali Agçait plumbin
dhe Gorbaçovit gushëpëllumbin.
Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë
Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë
nga Froni i Shën Pjetrit zbriti vetë.
“Më ranë kërbishtet”
tha, në latinishte.[2]
Kryepeshkopi Janullatos
Kryepeshkopit Janullatos
ja ndaluan tavën me kos.
“Të ha” tha, “të paktën pak xaxiqis,
se në plis nuk rri iriqis.”
Aranit Çela
Aranit Çela
tha: “Ç’të jenë çengela
që kasapëve bosh u mbeten,
merruani, se na duhen për Degën.”
Hajredin Çeliku
Hajredin Çeliku
tha: “Eh, o lum miku,
me këtë llagapin
veç në Byro mund ta mbaja vrapin.”
Adriatik Llalla
Adriatik Llalla:
s’i pëlqen më dhalla,
as taksidari;
veç “Ferrari”.
Musa Ahmeti
Musa Ahmeti
tha: “Kjo kockë e gjeti
Teodor Shkodranin,
që s’po do të lëvizë nga Vatikani.”
[1] Alternate take:
Mahatma Gandhi
Mahatma Gandhi
e urrente nagantin,
s’hante llukanik,
vinte shëndetlig.
[2] Alternate take:
Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë
Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë
nga Froni i Shën Pjetrit zbriti vetë.
“M’u këputën kryqet”
tha, dhe bëri kryq.
(c) 2021 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.