Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

FJALË TË NGATËRRUESHME (V)

nga Adrian Beshaj

 

1. Klimatik dhe klimaterik

Edhe këta dy mbiemra ngatërrohen jo rrallë me njëri-tjetrin nga ndonjë gazetar i ri televizionesh. Ndodh të dëgjosh të përdoret njëri në vend të tjetrit dhe anasjelltas. Të dy këta mbiemra rrjedhin nga emri klimë që shenjon tërësinë kushteve atmosferike që karakterizojnë një rajon. Në mënyrë figurative tregon tërësinë e kushteve dhe situatave politike, kulturore, psikologjike dhe të tjera të ngjashme që karakterizojnë një mjedis apo një periudhë ta caktuar historike. Ky emër rrjedh nga greqishtja klima, që do të thotë “pjerrësi, anim”, dhe pastaj “pjerrësi e Tokës nga ekuatori drejt poleve, domethënë “zonë gjeografike, gjerësi”.

Mbiemri që lidhet me klimën është klimatik. Mund të themi, për shembull, ndryshime klimatike, kushte klimatike apo hartë klimatike.

Ndërsa klimaterik tregon një vend me klimë të mirë. Mund të themi, për shembull, vend klimaterik apo qendër klimaterike, pra një mjedis me klimë të shëndetshme për të pushuar apo për të rifituar fuqitë pas ndonjë sëmundjeje.

Kështu që duhet thënë “ndryshime klimatike” dhe jo “ ndryshime klimaterike”, dhe “vend apo qendër klimaterike” dhe jo “vend apo qendër klimatike”.

 

2. Profesionist dhe profesional

Mendoj se është nevoja të theksohet edhe një herë se cili është kuptimi dhe se cilat janë kontekstet ku duhen përdorur këto fjalë, pasi shpeshherë ngatërrohen me njëra-tjetrën nga folës të ndryshëm, kryesisht të lidhur me sportin, edhe nën ndikimin e gjuhëve të huaja.

Emri profesionist (anglisht, professional) tregon atë që ushtron një profesion të caktuar, si për shembull: një shoqatë profesionistësh. Përdoret për të treguar dikë që praktikon një specialitet sportiv si profesion, si për shembull futbollist profesionist, që ka antonim futbollistin amator. Në këtë rast nuk mund të thuhet “futbollist profesional”. Profesionist përdoret gjithashtu për të shenjuar në mënyrë të figurshme një person që është i aftë, i zoti në diçka: vjedhja e bankës është kryer nga profesionistë.

Ndërsa mbiemri profesional tregon që ka lidhje, ka të bëjë me profesionin. Këtu mund të sjellim disa shembuj: të drejta dhe detyra profesionale, përvojë profesionale (dhe jo profesioniste), korrektësi profesionale etj. Në këtë kuadër mund të flitet për xhelozi apo rivalitet profesional, sëmundje profesionale, deformim profesional, shkollë apo institut profesional.

Kur flasim për karrierën e një sportisti duhet të përdorim mbiemrin “profesional” në togfjalëshin “karrierë profesionale” dhe jo profesioniste. Do të mund të thoshin “në karrierën e tij/e saj si profesionist/e”.

Të dyja këto fjalë rrjedhin nga emri “profesion” që nga ana e tij vjen nga latinishtja “professione” dhe që do të thotë deklaratë, shfaqje, zanat (i deklaruar publikisht).

Një shembull që i përfshin të dyja këto fjalë mund të ishte ky:

“Ka vepruar si profesionist gjatë gjithë karrierës së tij profesionale”.

 

(c) 2021 Adrian Beshaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin