çrregullimi i Facebook-ut sipas Sartre-it
nga Irma C.
Të hënën rreth orës 17:30, siç e di tashmë edhe kush nuk është përdorues/e i/e Facebook-ut, Instagram-it, apo WhatsApp-it, kanalet e mediave sociale dhe të shkëmbim-mesazheve të Mark Zuckerberg, nuk ishin të arritshme nga përdoruesi/et. Kush ndezi-fiku celularin, kush internetin, derisa u kuptua, se ishin prekur vetëm këto të treja. Pati dhe nga ata që në ankth e sipër instaluan app-e të tjera dhe hapën profil në Twitter, sepse gjashtë orë pa thënë të vërtetën tënde janë shumë! Por më të shumtit ishin ata, të cilët i gëzoheshin këtij mospërdorimi me detyrim të rrjeteve sociale….”ranë pak rehat”. Ndërsa ky lloj mungese vullneti mund edhe të zemërojë dikë, ne thërrasim në kauzë Jean Paul Sartre.
Sipas konceptit të lirisë radikale të Sartre, “cogito, ergo sum” të Descartes i korrespondon “unë jam hiç, prandaj jam i lirë”[1]. Kur shohim brenda nesh dhe marrim bashkë një tërësi cilësish të personalitetit, prirjeve, mangësive, sëmundjeve të vuajtura, etj., dhe vërejmë se të gjitha këto përbëjnë identitetin tonë, në fakt harrojmë se në fund të fundit, asgjë prej tyre më përcakton. Një liri e tillë, totale, na bën të kemi frikë – Sartre e shtyn lirinë në kulm: unë nuk jam asgjë, përveç asaj që unë vendos të jem. Përmasat e kësaj lirie kapërcejnë në atë që Heidegger e quan “Angst”, frikë: frikë jo prej diçkaje konkrete, por para diçkaje të parehatshme brenda vetes, që shoqëron ekzistencën tonë. Kur shikojmë në humnerën e Nietzsche-s, sipas Sartre, kemi një parehati brenda nesh, se mos për arsye të pashpjegueshme hidhemi. Do të ishim të sigurtë, po të na lidhte dikush me litar.
Kështu, me këtë parehati që mbartim brenda nesh, shkojmë për gjithë jetës dorë më dorë. Do të ishte shumë më e thjeshtë të na lidhte kush me litar, përgjatë jetës, por nuk do të ishim të lirë! Kështu shumë prej nesh zgjedhin litarë imagjinarë, apo konkretisht i vënë vetes rregulla.
Sartre na ndihmon të kuptojmë me shembullin e ziles së mëngjesit: kur kjo bie, ne zgjohemi sikur të mos kishim zgjidhje tjetër. Në këtë mënyrë, nuk na duhet që çdo mëngjes të marrim vendimin: të ngrihem, apo jo.
Po në të njëjtën mënyrë, është më e thjeshtë për shembull, që dikush t’i instalojë vetes një program në kompjuter, i cili i ndalon të shikojë video me beba macesh e qensh në internet, sesa personi të mos i shikojë vullnetarisht.
Këto “pengesa” që i vëmë vetes, na lejojnë të mendojmë se nuk jemi të lirë.
Kështu dhe platformat e Zukerberg-ut! Prej çrregullimit, disa thithën një pseudo-liri.
(c) 2021 Irma C. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1]J.P.Sartre L’être et le néant (Qenia dhe hiçi)