Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Totalitarizëm

KOMPLOTI I ARIT

Një teori komploti që i ka rrënjët në periudhën totalitare, por me implikime serioze për më pas, është ajo për fatin e “arit shqiptar”[1], e cila mund të përmblidhet pak a shumë kështu: ngaqë në Shqipëri para dhe gjatë Luftës II Botërore qarkullonte zyrtarisht shumë ar, edhe në trajtën e monedhës (flitet për një minimum prej 320 tonësh), shtresa e pasur kish grumbulluar një pasuri të madhe në trajtë thesari, e cila pastaj ra në duart e regjimit të Hoxhës, me metoda gjysmë të ligjshme ose të paligjshme ose edhe thjesht kriminale. Regjimi i Hoxhës e përdori pastaj këtë ar për synimet e veta të fshehta dhe për të siguruar pushtetin, pa e parë të arsyeshme t’i jepte kujt llogari, dhe aq më pak qytetarëve të vet; por gjithnjë duke u kujdesur që të mos lërë gjurmë dokumentare në transaksionet. Në fund të viteve 1980, kur u kuptua se regjimi i kish ditët të numëruara, filloi edhe transferimi i arit drejt llogarive bankare sekrete jashtë Shqipërisë, të cilat kontrolloheshin nga pinjollët e elitave në pushtet ose njerëzit e tyre të besuar (Sigurimi i Shtetit, etj.). Ky ar u përdor më pas për të ruajtur dhe konsoliduar kontrollin e elitave të djeshme ndaj politikës dhe ekonomisë në Shqipëri, madje edhe duke u pastruar nëpërmjet biznesesh dhe sipërmarrjesh në dukje absurde.

Kjo teori, që mbetet e paprovuar edhe pse jo doemos dhe për këtë arsye e gënjeshtërt, i plotëson kushtet për t’u përcaktuar si teori komploti: kemi një grup njerëzish që merren vesh për të bërë keq – për të përdorur thesarin publik për synimet e tyre private; kemi sekretin e plotë që e mbulon këtë operacion në vite, dhe mungesën e gjurmës dokumentare dhe të dhënave të tjera; kemi një viktimë, që janë qytetarët e republikës, ose “populli”, të cilit ia vjedhin pasurinë kombëtare.[2] Po ashtu, ajo i kundërvihet versionit zyrtar të ngjarjeve, sipas të cilit thesari në ar ka dalë nga Shqipëria, në sasi të kontrolluara, për të përmbushur nevojat akute të ekonomisë shqiptare ose të vetë regjimit dhe për të mbuluar humbjet nga veprimtari të dyshimta, si kambizmi, por jo detyrimisht të paligjshme.

Një paraqitje të historisë së “vjedhjes së floririt shqiptar”, e cila mbetet në nivelin e teorisë së komplotit, është ajo e Kastriot Dervishit, të cilën mund ta lexoni këtu (Historia e plotë/ Si dhe kush e vodhi floririn shqiptar)[3]. Flet për arin e mbledhur nga regjimi i Hoxhës pas Luftës, tatimet e jashtëzakonshme për fitimet e luftës, konfiskimet e pasurive private, hipotezat për depozitimin e një pjese të thesarit në Bashkimin Sovjetik, arin e prodhuar në Rubik, arin e humbur prej kambizmit (!), arin e nxjerrë nga Shqipëria në fund të viteve 1980 me avion dhe çështjen Xhon Mekgou. Historia lexohet si thriller dhe tingëllon e besueshme; por mbetet në nivelin e spekulimeve, sa kohë që hipotezat e atjeshme nuk janë provuar. Duket sikur organet kompetente në Shqipëri – nga Prokuroria te Gjykatat dhe Parlamenti – nuk e kanë ndjekur këtë çështje deri në fund ose nuk kanë dashur ta ndjekin, çfarë nuk mund të mos vazhdojë të ushqejë me argumente konspiracistët, edhe pse këto nuk janë argumente të tilla që të mbështetin akuzat vetë.

Le të mbajmë parasysh se disa elemente të kësaj historie, që nga ari vetë, thesari dhe vjedhja e tij i kapërcejnë kufijtë e një rrëfimi mirëfilli kriminal, për t’iu apeluar drejtpërdrejt legjendës: në rrafshin narrativ, nuk mund të flasësh për thesar, pa ardhur pastaj muhabeti te vjedhja; dhe aq më tepër në rrethanat e Shqipërisë së fillimviteve 1990, kur në media flitej rëndom për thesare të zbuluara dhe të zhdukura, të zhgroposura dhe të rikuperuara, si metafora të pasurimit të rrufeshëm, ose shpagë për vuajtjet shumëvjeçare të vegjëlisë. Pjesë e kësaj narrative për thesarin është edhe harta që do të çojë atje; qoftë në formën e një planimetrie të bankës, ku do të depërtojnë hajdutët; qoftë në formën e topografisë së një pllaje të shkretë, të shënjuar me shigjeta, mbishkrime dhe distanca të matura me hapa. Rindërtimi i vjedhjes së thesarit nga regjimi Hoxha, me gjithë fragmentarizmin dhe zgavrat në hapësirën e rrëfimit, përvijohet edhe ai si hartë e llojit të vet, për të ndihmuar lexuesit të arrijnë jo aq te floriri i vjedhur vetë, se te zbardhja e vjedhjes, sipas rregullave narrative që ndjek çdo teori komploti e formuar mirë.

Çfarë e ndërlikon edhe më tej statusin e kësaj teorie komploti ka të bëjë drejtpërdrejt me politikën e regjimit totalitar, përkatësisht me atë të periudhës post-totalitare, ndaj informimit të publikut dhe nevojës për të ruajtur sekretin. Edhe pse sekreti ka qenë dhe mbetet pjesë integrale e veprimtarisë së çdo qeverie, qoftë ajo totalitare, qoftë autoritare, qoftë demokratike, statusin e sekretit shtetëror në totalitarizëm mund ta përkufizojmë kështu: “gjithçka është dhe mbetet sekret, me përjashtim të rasteve kur regjimi gjykon se informimi është në interes të shtetit dhe/ose të pushtetit”. Deri edhe gjyqet politike kundër ish ministrave mbështeteshin në masë të madhe në “hearsay” dhe në akuza të tipit “i the, më tha”, sepse në dokumente nuk kishte asgjë mirëfilli inkriminuese. Edhe pse shteti shqiptar e kish një traditë burokratike që nga kohët osmane, të përforcuar edhe nën regjimin e Zogut dhe më pas, me adoptimin masiv të metodave sovjetike të dokumentacionit, sërish oraliteti mbetej mënyrë thelbësore e ushtrimit të pushtetit dhe e zinxhirit të komandës. Ashtu mund të flasim edhe për një sinergji mes traditës orale të funksionimit social të një shoqërie që pak kohë më parë ishte ende analfabete dhe zakonit për ta drejtuar shtetin me metoda në thelb mafioze. Kjo duket sikur u jep të drejtë atyre që e akuzojnë kupolën totalitare, me Hoxhën në krye, se ka vepruar në mënyrë sistematike si grup kriminal, duke bashkëpunuar në sekret për të mbajtur pushtetin dhe rrjepur “popullin”, qoftë edhe me synimin për t’i përdorur paratë e vjedhura për të ruajtur pushtetin.

Vështirësia këtu ka të bëjë me atë që jo çdo akt informal, nën regjimin totalitar, ka qenë njëkohësisht edhe kriminal ose i paligjshëm; informaliteti ishte integruar në teksturën e përditshme të regjimit. Kjo edhe pse pushteti, prej atyre që e zotëronin, shihej si licencë për të vepruar në shpërfillje të ligjit – siç ndodh tek e fundit edhe sot. Nga ana tjetër, regjime rigorozisht të ngrira, si ai totalitar i Hoxhës, nuk mund të funksionojnë pa injeksione të herëpashershme të arbitraritetit, të cilat iniciojnë kthesa politike ndonjëherë masive. I tillë do të ketë qenë edhe orientimi i Enver Hoxhës, për t’u afruar me Gjermaninë Perëndimore (Strauss-in) pas ndërprerjes së kredive nga Kina; por është e kotë të kërkosh dokumentacion dhe llogaridhënie, për një orientim të tillë ose përçapjet që u bënë për ta realizuar afrimin.

Kjo do të thotë edhe se regjimi totalitar i përftonte vetvetiu teoritë e komplotit, të cilat shpesh as kishin nevojë t’i kundërviheshin ndonjë versioni “zyrtar” të ngjarjeve, meqë ky version ose mbahej sekret ose nuk ekzistonte fare. Vetëm se teoritë e komplotit, në Shqipëri para 1990-ës, mbeteshin detyrimisht në nivelin e thashethemeve, rumors, dhe gjithsesi as mund të mendohej që të depërtonin në komunikimin publik. Ironikisht, edhe raportet agjenturore të atyre viteve, disa prej të cilave sot janë bërë publike, nuk janë veçse teori komploti – agjentët raportues nuk kishin të dhëna të mjaftueshme, ku t’i mbështetin interpretimet e tyre, prandaj u dorëzoheshin spekulimeve.

Studiuesit e teorive të komplotit i japin rëndësi edhe besimit të qytetarëve te pushteti, te politika dhe tek informacioni publik, si tregues i bashkëlidhur me shkallën e përhapjes së teorive të komplotit në një shoqëri – sa më pak besim, arsyetojnë ata, aq më shumë dyshim dhe teori komploti. Mirëpo parametri i besimit nuk funksionon mirë në një regjim totalitar, sepse ai regjim u kërkon qytetarëve të vet që t’u besojnë gjërave që bën (performativit), jo informacionit që jep dhe qytetarët vetë nuk presin të mësojnë shumë nga mediat dhe burimet e tjera të së dhënave dhe as e konsiderojnë të drejtën për informacion si të drejtë legjitime (aq më pak kushtetuese).

Nuk duhet pritur, pra, nga regjimi i Hoxhës që të informonte qytetarët dhe institucionet e kontrollit për veprimet e veta, në një fushë aq delikate sa ajo e thesarit dhe e transaksioneve me valutë. Përkundrazi, çdo kërkesë për informacion, qoftë edhe me rrugë burokratike, do të interpretohej si shenjë mosbesimi tek udhëheqja dhe, në analizë të fundit, si tradhti. Aq më tepër që, në raste të tilla, përmendej gjithnjë sekreti, si e vetmja mbrojtje që informacioni të mos binte në duart e “armikut” – dhe arbitrariteti i atyre pak njerëzve që lejoheshin të dinin përligjej deri në fund me besimin absolut ndaj tyre. Paradoksalisht, besimi absolut i shtetit, ndaj një pakice agjentësh që manipulonin arin me urdhër të kupolës, do të kundërpeshohej nga teoritë e komplotit, të kultivuara nga të gjithë ata që nuk kishin asnjë shans të merrnin gjë vesh zyrtarisht, se si operonte Banka e Shtetit në arenën ndërkombëtare.

 

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Kjo histori nuk duhet ngatërruar me historitë e tjera të vjedhjes së arit në Skrapar dhe në Kërrabë, pas vitit 1990.

[2] Një teori komploti edhe më e plotë do të ishte ajo që e paraqet krejt veprimtarinë e grupit të Hoxhës, në udhëheqje të Luftës Na-Çl dhe për të marrë në dorë pushtetin, si një përgatitje për kolpon magjistrale të vjedhjes së qindra tonëve ar nga qytetarët shqiptarë, fill pas “Çlirimit”. Skenari i një filmi heist, por ku vjedhjen e kryen kupola e shtetit.

[3] Gjenden edhe një numër dokumentarësh të bashkëlidhur, në YouTube.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin