Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Filologji

RITUALI I DONIQ BUZUKUT

nga Bardhyl Demiraj (LMU/Mynih) 

“Ujët shkon dhe zalli rri.”

Pyetjen e vet të drejtëpërdrejtë, formuluar qysh në titull si shkrim i radhës në PTF: „Cili jeni ju zoti Buzuku?“ (25 korrik 2021), Ardian Vehbiu e përmbyll me një pyetje të ngjashme në vetën e tretë, por po aq nxitëse në diskurs, veçse e shtruar shumë dekada më parë prej Krist Malokit: „A asht autor Gjon Buzuku?“. Bëhet fjalë për një periudhë relativisht të gjatë e që dëshmon qartë se, ndërsa studimi i tekstit – parë më fort si objekt i shkencave të filologjisë dhe të gjuhësive diakronike – ka arritur ndërkohë pika kulmore, korniza paratekstuale që ka të bëjë me autorin dhe veprën si të tillë sikurse edhe me vendin e botimit të saj, vijojnë të mbeten enigma në historinë e kulturës shqiptare. Prashtu nuk është gjasë e rastit që studiues/e seriozë/e të natyrës së Lucia Nadin-it qëmtojnë perspektiva të tjera studimi, siç është p.sh. rrjedha e shtypshkrimit të veprave të natyrës liturgjike përkatësisht të mbarështimit të kultit në zonën e Venedikut e më gjerë në Italinë e Veriut.

Pa dashur të komentoj shkasin që e shtyu Vehbiun të rrokë edhe këtë temë në paletën e erudicionit të tij të pacak e -majë – pasi, ja ashtu (!), thjesht do të më duhej të ndryshoja stil në shkrim, duke përcjellë vëmendjen thjesht dhe vetëm në injorancën shallvaregjerë të një numri aspak të vogël politikajsh e shehitësh të lirë, në mos edhe masmediat që shoqërojnë tranzicionin kulturor në shoqërinë shqipfolëse të kohës sonë – lejohem të theksoj që në krye të këtij shkrimi modest, se pyetje të kësaj natyre na shfaqen shpesh e më shpesh, sa herë që vatërzojmë në lupën e analizës paratekstuale vepra e dorëshkrime shqip që për mungesë të dhënash dokumentare është vështirë t’i klasifikojmë shterueshëm, sa i përket autorësisë përkatësisht kohës dhe vendit kur janë hedhur në letër.

Një rast të tillë prek cekas edhe Vehbiu në shkrimin e tij kur përmend vitin 1743 (e jo 1740) si vit „i zbulimit“ të „Mesharit“ prej Gjon Pagëzor Nikollë Kazazit, duke saktësuar po ashtu se vetë titulli i librit është në fakt fiktiv, por që vijon të përdoret për hir të traditës kulturore-filologjike në albanologji. Këtë saktësim kohor është në fakt shkruesi i këtyre radhëve që e ka bërë dikur të njohur e sigurisht duke e parë këtë gjetje jo thjesht si rastësi, por më fort si rezultat i punës intensive të Kazazit d.v. po atë vit në Romë kur u muar konkretisht me hartimin dhe botimin e një katekizmi shqip si libër mësimor për currakët katolikë shqiptarë në Arqipeshkëvinë e Shkupit. Pra përballemi edhe në këtë rast me një pleksje të llojit (lat.) conditio-sine-qua-non, e cila përshkon si fill lidhës traditën e shkrimit shqip në hapësirën kompakte shqipfolëse dhe në diasporën historike shqiptare.

At Nikollë Keta

Asgjëmangut ecim në këtë shkrim në të njëjtën hulli me hulumtime kësodore duke vendosur në titull të shkrimit tonë vetëm llagapin “Buzuku”, që e bashkon si i tillë me titujt e dy shkrimeve të përmendura më lart. Joshës për këtë shkrim shërbyen gjithsesi do kumte të natyrës empirike që na ka lënë trashëgim eruditi arbëresh At Nikollë Keta (= P. Niccolò Chetta) si nxënës e më vonë deri rektor i Seminarit Italo-Arbëresh të Palermos (1734-), i cili ravijëzon si i tillë konturet e njërës prej figurave qendrore në historisë letrare dhe kulturore italo-arbëreshe në shek. XVIII. Për qartësi ndaj lexuesit, theksojmë se këto kumte mundëm t’i qëmtojmë gjatë këndimit të thesarit të vyer “Tesoro di Notizie su de’ Macedoni” [= N. Keta: Thesar shënimesh mbi maqedonët, 1777], që gjeti së fundi dritën fatlume të botimit, falë punës ngulmuese të Xhuzepa Fukarino-s.[1]

Kumti në fjalë fshihet në librin e tretë të “Thesarit”: “Nella Magnagrecia le colonie degl’albani”. Në kreun e katërt të këtij libri, titulluar: “Catalogo delle siciliote famiglie albane”, pos hyrjes së thukët (§§ 250-252), autori ynë sython një fjalës onomastik të familjeve arbëreshe që gjëllinin atëbotë në ngulimet e tyre në Sicili. Regjistrimi i këtyre emrave në rendin e zakonshëm alfabetik përvijon gjithsesi vetëm njërin ndër synimet e autorit. Në bashkëvajtje me këtë qëllim Keta rreket t’i përcjellë lexuesit edhe variante simotra onomastike me shmangie të vogla grafike, që i kish grumbulluar ndërkohë me empiri(ciz)min e tij fatlum gjatë lëçitjes së burimeve të ndryshme shkrimore, të hershme dhe të vona. Për shumë syresh Keta nuk ngurron të syzojë afri farefisnore të drejtpërdrejta, të cilat jo rrallë e ndihmojnë të ndërmarrë zbërthimin e strukturës fjalëformuese burimore të njësive onomastike, madje në ndonjë rast ai mëton edhe etimonin e njësive leksikore bazë.

Një qerthull të tillë përsiatjesh e përjetojmë më së miri në rubrikën e emrit familjar Bischitini[2], ku në përputhje me qëllimin e shkrimit tonë fitojnë interes të veçantë kryesisht dy momente, të cilat po i përcjellim të përkthyera shqip me ndërmarrë më pas edhe shqyrtimet përkatëse:

A: “Bischitini, të cilin Giovio dhe Dominichini e quajnë thjesht Boschetmio  dhe Bischetto, d.m.th. Bys-Chetto, i përbërë prej Bosa ose Bossen apo Bosna  […] që do të ishte busa, apo buza d.m.th. “[shq.] buza”, nga ku edhe kompozita tjetër Busecco, Bosichia, Buzuku, ose [= mund të jetë] të jetë “buzë ujku”, thënë ndryshe Bisulca. […]”

B: “Në këtë seminar ruhet një dorëshkrim ritual në gjuhën tonë, i transkriptuar prej origjinalit të [Kongregacionit të Shenjtë të – B.D.] Propagandës prej imzot Zassi-t, dhe i hartuar nga <Donich Buzuku> […]”

Një lexim sado i shpejtë i copëzave të mësipërme mundëson fillimisht të deduktojmë se ato i bashkëlidh me njëra-tjetrën emri i familjes Buzuku, i mirënjohur në analet e kulturës shqiptare dhe të shkencës sonë albanologjike si mbiemri i atij meshtari shqiptar që na la trashëgim librin e parë shqip që njohim deri sot e që i ka dhënë formë e kuptim shkrimit tonë. Parë nga kjo perspektivë copëzat e përzgjedhura të tekstit fitojnë rëndësi të veçantë, andaj le të ndalemi më hollësisht në secilën syresh.

<Buzuku> = *{buzë} + {ujku}

Në copëzën e parë mësojmë se si Keta i përkushtohet përqasjes formale të këtij emri me simotrat e menduara Busecco (= |buzeko|), Bosichia (= |bozikia|) e sidomos Bisulca (= |bizulka|). Gjithashtu ai nuk mungon të shestojë këtu as motivin etimologjik, duke syzuar për të gjitha bashkë ndërtimin burimor kompozicional: *{buzë} + {ujku}.

Pa dashur të ndalemi gjatë e të shtjellojmë më tej se sa e qëlluar do të mund të jetë përqasja e strukturës kompozicionale së mësipërme lidhur me gjymtyrën e parë {buzë}[3], për rastin tonë mund të pohojmë me të drejtë se vetë zbërthimi i saj dhe interpretimi etimologjik i emrit familjar Buzuku e bashkon Ketën me shumicën e filologëve dhe të albanologëve të kohës sonë që mëtojnë gjithashtu formimin zanafillës kompozicional *{buzë}+{ujku}[4]. Gjithsesi Keta meriton tash të radhitet pa kurrfarë hezitimi në vendin e parë, sa i përket përsiatjes dhe historikut së kësaj teze.

Autori <Donich Buzuku> dhe “Rituali” i tij

Në analet e historisë së albanologjisë emri i familjes Buzuku citohet gjithherë si mbiemri i Gjonit, i të birit të Bdekës[5], si i pari autor i njohur në historinë e librit shqip. A bëhet fjalë në “Thesarin” e Ketës pikërisht për Gjon Buzukun? Një pyetje kjo më se e motivuar – e që u shkon përshtat pyetjeve të bëra dikur nga Maloki e tash edhe nga Vehbiu (!) –, bash kur përcjellim copëzën e dytë të tekstit, në të cilën Keta ynë përmend emrin e një shkrimtari të quajtur <Donich> [= Doniq] që paska shkruar, “në gjuhën tonë”, e që bart, ndoshta jo më kot, pikërisht mbiemrin familjar Buzuku. Dyshimndjellës mbetet gjithsesi emri krejt i pazakonshëm <Donich>, i cili të kujton më fort një paraqitje të latinizuar të një grafie të mundshme sllave, përkatësisht të një mbiemri sllav, ase të sllavizuar[6]. Një shpjegim të mëtejshëm kërkon gjithashtu edhe kumti i Ketës mbi një kopje “dorëshkrimi ritual” që ruhej atëbotë në ambientet e Seminarit Italo-Arbëresh të Palermos.

Sa i përket çështjes së emrit familjar <Donich>, jemi më se të vetëdijshëm që – në pamundësi të verifikimit të kësaj grafie në dorëshkrimin origjinal të “Thesarit” e aq më pak në kopjen e shumëdëshiruar “të dorëshkrimit ritual” – çdo shpjegim, qoftë edhe në ndonjë detaj, vështirë se i kapërcen sot për sot caqet e hipotezës. Duke ecur gjithherë në këtë hulli, mendojmë se Keta duhet të ketë parë e ngjëruar atëbotë pikërisht një kopje ase copëza në dorëshkrim, të marra prej “Mesharit” të Gjon Buzukut. Parë nga kjo perspektivë, grafia “sllave” <Donich> rezulton të jetë më fort një shformëzim i grafisë autentike <Donih> që e lexojmë në tekstin burimor të “Mesharit”, e cila s’është gjë tjetër veçse funksioni fetar i meshtarit katolik: Dom, ashtu siç na e kumton vetë Gjoni Buzuku që në rreshtin e parë të pasthënies së “Mesharit”, khs.:

<U Donih Gioni biri hi bdech Buzuchut…>

|U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut…|

Në këtë rast mbetet për t’u verifikuar më tej, nëse shtimi i panevojshëm i shkronjës <c> tek emri <Donich> në “Thesarin” e Ketës, është një lapsus i përftuar ose prej vetë Ketës, ose gjatë transkriptimit të dorëshkrimit të tij, ashtu siç e lexojmë sot në versionin e botuar. Më se e mundshme është gjithsesi një përshtatje grafike që mund t’i ketë bërë Keta ose një pararendës i tij grafisë fundore <-h> te tekstit burimor <Donih> në tingëllimin normal [h] me grafinë <-ch> për tingullin karakteristik frikativ grykor [χ] të arbëreshëve të Sicilisë. Si opsion i fundit mbetet edhe mundësia e një lapsusi të përftuar në dorëshkrimin burimor, të cilin Keta e ka kaluar dikur në duar.

Argumentin tonë në të mirë të mendimit, që autori ynë <Donich Buzuku> duhet të jetë pikërisht Dom Gjon Buzuku, shkruesi i parë i letrave shqip (?), nuk e rëndon aspak emërtimi i tekstit burimor të Buzukut si “Ritual” (= <manoscritto rituale>) prej vetë Ketës. Siç cekëm shkurt më lart, shumëkush që njeh sado përciptas historikun e “Mesharit” të Buzukut, ka mësuar ndërkohë se emërtimi i tij si “Meshar” është fiktiv, përkatësisht që ky emërtim përvijon traditën në shkencën tonë filologjike, e cila deri sot njeh Gjon P. Nikollë Kazazin si “zbuluesin” dhe pagëzuesin e librit të Buzukut si “Meshar”. Sigurisht që traktati i Buzukut merr në pjesën më të vëllimshme të tij tiparet e një meshari, por në të nuk mungojnë assesi pjesët katekistike, të orëve (Horologion)  e aq me pak ato të ritualit roman[7].

  1. Dorëshkrimi i “Ritualit” dhe autori i tij

monsignor Philoteo Zassi

Përderisa Keta dorëshkrimin shqip që kish kaluar nëpër duar nuk e quan “meshar” por “ritual”, këtë pohim mund të sjellim fare mirë si argument pozitiv që do të kundërshtonte një supozim të mundshëm se mos ndoshta edhe në këtë rast kemi të bëjmë me letrën e mirënjohur të Gjon P. Nikollë Kazazit dërguar Gjergj Guxetës (= Giorgio Guzzetta), apostullit të arbëreshëve të Sicilisë po në vitin 1743, ku janë kopjuar nga teksti burimor pasthënia dhe rituali i celebrimit të martesës në kishë.[8] Në këtë kuadër është më se domethënës vetë emri i kopjuesit të dorëshkrimit, të cilin Keta e përmend me titullin klerikal <monsignore Zassi> [= Imzot Xasi]. Bëhet fjalë pa dyshim këtu për imzot Filoteo Xasin (= monsignor Philoteo Zassi, 20.01.1654 – 24.07.1726), i mirënjohur në analet e historisë së Urdhërit Bazilian: a) më parë – qysh në nëntor 1668 – si murg në manastirin bazilian të Munxifit (= it. Mezzojuso) në Sicili; b) më pas (1693 – 1715) në misionin papnor të provincës kishtare të Himarës, fillimisht si misionar i thjeshtë e shoqërues i Imzot Nilo Catalano-s dhe më vonë si vikar apostolik i Himarës e arqipeshkëv i Durrësit; c) duke i kaluar vitet e fundit të jetës (1716 – 1726) pranë Kolegjit të Shën Vasilit në Romë, pikërisht në kishën e këtij kolegji si zëvendës i Imzot Onofrio Costantini-t[9].

  1. Përfundim

Jo vetëm dorëshkrimi në fjalë, por edhe rrethanat e njohjes e të kopjimit të tekstit burimor, i cili duhet të ketë qenë – e përse jo! – “Meshari” me autor Gjon Buzukun, hapin një dritare të re në historinë e librit të parë shqip që njohim deri më sot, meqë parësinë në zbulimin e tij jemi të detyruar t’ia përcjellim tash klerikut arbëresh Imz. Filoteo Xasit, ndërsa vetë kohën e këtij zbulimi duhet ta shtyjmë më thellë, pikërisht në një periudhë, kur Xasi ynë gëzonte në Romë vitet e fundit të jetës (1716 – 1726). Sigurisht që për këtë dhuratë informative i mbetemi mirënjohës fanmirit Ketë, i cili na ka lënë trashëgim një “thesar”, që ruan sot e gjithë ditën funksion orientues dhe nxitës në kërkimet e mëtejshme kulturore-filologjike.

 

(c) 2021 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Giuseppa Fucarino (bot.): Niccolò Cheta, Tesoro di Notizie su de’ Macedoni. Contessa Entellina 2002.

[2] Teksti i plotë italisht, i transkriptuar sipas tekstit burimor: “Bischittini, che il Giovio, ed il Domenichini la nomaron pure Boschetmio, e Bischetto, cioè Bys-Chetto, composto da Bosa, o Bossen, o Bosna, [vedi §§ – B.D.] 7 92 102 104 131 141 170, che sarebbe busa, o buza, cioè labbro, onde poi l’altro composta Busecco, Bosichia, Buzucu, o sia labbro lupo, altrimenti detto Bisulka. Così forse da Bosa, e Dara, ne fu composto il cognome Bosdario, e Bischetmio è addiettivato. Al pari di Musacchino presso il medesimo Giovio, che col Guicciardini cel encomiò 104 179 188 192 194 198. Vedi Cresìu. Il Cantacuzeno ci nota8, che Chrale Dusciano contro dell’imperator Andronico Paleologo spedì una mano di Triballi, de’ quali eran duci Bozice (gr. …), e Stefano. Il Contarini notò9, che in Cipri contro di Solimano eravi con Moretto Calabrese e di Candia, Baldissare Boschetto, capitan di Sua Santità con 200 fanti. In questo seminario si conserva un manoscritto rituale di lingua nostra, trascritto dall’originale di propaganda per mons. Zassi, e composto da Donich Buzucu. Il Rodotà per Boschetto di Candia scrisse corrottamente Moschetto. Bishittiini fu capitolante della P. Busicchia della C. Bisulca. (Chetta Tesoro, lib. III, kr. IV § 252)

[3] Me këtë fjalë shpjegon Keta në të njëjtin paragraf edhe emra të tjerë, khs.: „Budeu, e Buzeu, per noi labbro nero […] Il Giovio ci encomiò i cavalieri Labaro, Buseo, e Barbatio. […] Buzeo 201 Busiki fu capitolante nella Contessa.”

[4] Shih në mënyrë të detajuar Çabej 1968 I 17vv.; SE II 404v. me një bibliografi shteruese të studimeve të deriatëhershme.

[5] Shih ndër të tjerë Çabej loc. cit.

[6] I tillë paraqitet p.sh. në shkrimet e kohës edhe mbiemri i Gjon P. Nikollë Kazazit, khs. Johannes B. Niccolouich Casasi. Shih më hollësisht Demiraj: Gjon. P. Nikollë Kazazi dhe “Doktrina” e tij. Prishtinë 2006 31vv.

[7] Khs., ndër të tjera, hyrjen e letrës: “Esemplare | di una memoria antichissima albanese che si tro|va nel fine di un antichissimo Messale Albanese | e per l’antichità tutto già stracciato, il quale | si conserva nella Libreria del Ven: Colle|gio della Propaganda in Roma. | È stampato in caratteri come Gotici: con le lettere che | sono proprie dell’ idioma Albanese nella | maniera che sono qui espresse | con ogni fedeltà.”;  më tej “Nell’istesso eran molte altre cose. Tutto ciò che si contiene nel catechismo, nelli | Rituali, le hore, li vespri, sette salmi penitenziali, & con altre cose. Delle quali una | si mette in questione il modo che havevano alhora di fare il matrimonio e di celebrare | avanti il sacerdote.” Shih më hollësisht Mandalà 1994; Demiraj 2005 47vv.

[8] Demiraj 2005 47v.

[9] Nilo Borgia (sidomos 1942 38vv.; 45vv.; 63vv.) mbetet sot për sot biografi më i plotë dhe më i thelluar si i Imzot Filoteo Xasit, ashtu edhe i Imzot Nilo Catalano-s, që njihet në historinë e albanologjisë si autor i një gramatike shqipe si edhe i një fjalori të vëllimshëm shqip – italisht, të cilët për fat të keq konsiderohen ende të humbur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin