Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

PYLLIT PA SPATË

nga Sait N. Saiti

Një nga këto paradite bamë dy pare muhabet me një antropolog tonin rreth fjalës kujri të kanunit që mblodhi dhe kodifikoi Gjeçovi. Zotnia në fjalë kishte me mbajtë edhe një kumtesë për një sebep, ku kujrinë kanunore e parashtronte si një element organizimi bashkësor diku në spektrin mes res publica-s dhe kooperativës paramoderne, tue marrë duken e kurisë politike romake, italike e kishtare. M’u dha përshtypja se antropologu jonë fjalën e dinte me po këtë prejardhje nga edhe rrihte aludimi.

Mbasi ia vuna në dukje këtë paraqitje, i kujtova që në vargjet e Mjedës trajta e përdorun asht korije, për “pyll i vogël, zabel” dhe me tahmi them që ndjeshmëritë disi ma të mirëfillta filologjike të Mjedës kanë qenë arsyeja për të përdorë këtë trajtë. Korije ose korie gëzon edhe përdorimin ma të gjanë gjeografikisht, por ban vaki arsyet e Mjedës kanë qenë edhe për hir të parimit etimologjik: fjalori i orientalizmave i Dizdarit na udhëzon që korijen e kemi peshqesh nga turqishtja korú që po ashtu “pyll i vogël” don me thanë.[1] Këtë qasje gjuhësore të Gjeçovit e lexoj si të qëllimshme, dhe arsyen se pse e lexoj si të tillë ma jep leximi i studjuesit italian Martucci,[2] i cili ka vërejtë ndërhymjet madhore që mbledhësi i kanunit i ka ba landës zakonore. Pjesë e ndërhymjeve me koordinata finalitetesh socio-kulturore të mbledhësit asht edhe purifikimi tanësor që i ka ba referencave të Islamit apo administratës osmane. I vetmi log[3] jokishë që i ka pshtue purifikimit të kodifikatorit ka qenë xhamia e Drishtit. Kujria mund t’i jetë dukë edhe vetë Gjeçovit leksemë bijë latine a venete, siç edhe kishin nisë me e besue. Ky gja mund të lexohet mes rreshtave edhe te parathania që Fishta i ka ba Kanunit, në një fjali radhit shkurtimisht popujt e kontinenteve dhe cilësitë narrativa kolonialiste u kishte mveshë.[4]

Tjetër landë që më jep shtysë me e lexue në mënyrë kritike deri në këtë pikë Gjeçovin asht një përmasë ma e pakremtueme e tij: meraku për mitologjinë dhe atë që ai konkretisht ia serviri lexuesit shqiptar të kohës së vet si Trashigime pellazgesh. Narrativë kjo që e radhit se e ka ndigjue nga një epirot prej Lubinës së Epirit dhe prej një delvinjoti; nga mënyra si asht kopsitë për të paraqitë një ideosinkrezë e mitologjisë helenike dhe asaj biblike kjo narrativë në mënyrë të dukshme i përket traditave të mbledhuna gojore të ndikueme nga kontakti letrar. Për dy pare ky projeksion i Zojsit[5] me ushtarët labër mund të ketë qenë narrativë e Megaliidhesë për të ngacmue ndjeshmëritë në funksion të synimeve për të ashtuquejtunin Epir të Veriut dhe Gjeçovi i zanun gafil e ka sjell për pellazgologji.  Worst case scenario at least. Në rastin ma të pranueshëm, Gjeçovi e ka mbledhë tue e njehë, ose s’paku tue e servirë për traditë të mirëfilltë popullore.

Këtë angazhim, të ndikuem nga kontakti letrar, për të vu jo vetëm shenja barazimi, por edhe shortcut-e mes landës së mbledhun zakonore shqiptare apo edhe dëshmive të tjera mbi shqiptarët e nisën diplomatët e huej ndër qendrat e vilajeteve shqiptare. Kryesisht në Janinë dhe në Shkodër, ma do mendja se i pari mund të ketë qenë Hahn, por i ruej vetes të drejtën me qenë gabim. Për të shkapërcye disa dekada, këto paradigma i gjejmë ndër kureshtarë të tjerë që e shihnin shqiptarin dhe gjithçka bante me ekzotizëm orientalist. Por ndryshe nga meraku që të tjerë bashkëkohës kishin ma shumë nga Lindja, tek ne angazhimi i tyne përshkrues pati ndër të tjera edhe pretendime hipostazuese, kryesisht të tabanit të besimit popullor. Romanticizmi dhe rrymat pararendëse që mbrujtën këta diplomatë, udhëtarë dhe mbrapa klerikë tanë qoftë për hir të një sitjeje kulturore, qoftë për hir të sugjerimit që të gjitha këto dëshmi besimesh popullore i kanë referencat në antikitet. I gjithë ky angazhim i ndikuem nga kontakti letrar krijoi mite të cilat u shndërruen në paradigma identitare, sidomos kur këto punë kishin tjetër trysni dhe urgjencë kur i erdhi vakti me i trajtue në mënyrë akademike. E përderisa antropologët tanë nuk marrin në konsideratë apo shpërfillin kryeveprat e traditës sonë leksikografike, ndoshta prej urgjencës që parashtron projeksioni identitar i joni në këtë shekull, atëherë mitet do të kenë inercitë e tyne akritike. Antropologu jonë i ka kushtue studime të vlefshme fushës, madje edhe një historik të kodifikimit, ku as nuk e përmend kodifikimin e administratës osmane. Kodifikim i cili asht i randësisë themelore për me ilustrue diakroninë e mendësisë kanunore: administrate e cila, me implementimin e Tanzimatit të fashitte ligjësitë e vjetra me dame të jashtëzakonshme ekonomike që pllakoste edhe familjet e bâkeqve në fukarallëk. Në Prizren u angazhuen familjet ma të sojshme shehërlie me mbyllë gjaqet.[6] Në Shkodër po ashtu, por u themelue edhe një Komision i Xhibalit (i Maleve) për të rakordue urf-in me synimet e reja juridike.[7]

Miti në fjalë me kujri latine në kanun asht ai i malit, si ma i papërlyem nga entiteti gjeopolitik në tërheqje e sipër: Nopça asocion faktin se si qitnin pushkë kur kishte breshën, shtrëngatë apo bubullima nëpër malësitë e Dukagjinit dhe Thaçit të Pukës figurës së besimeve popullore të quejtun Shën Verbdi/Shën Shurdhi ose Rumria. Krahasimi i parë krejt asht historicist – pa ndonjë sens përpjesëtimi të lakmueshëm, siç e donte nacionalizmi romantik – me fisin trak të Getëve, dhe mbrapa i jep një kahje bashkëkohësie tue vërejtë se i njejti zakon ishte edhe në Tirol, Baden dhe Oberpfalz të Gjermanisë.[8] Dodaj dikur afër Hyrrijetit të 1908, tue u kthye prej Malit të Zi, shkruen për një mort në Malësi të Madhe ku mori pjesë dhe se si i vunë të vdekunit një monedhë në ball dhe aludon për varkëtarin Keron.[9]

Nuk e di me thanë a asht kjo një përpjekje me ndërtue trashë-trashë një memorie osianike, sikur pati vu re dikur i zoti i shtëpisë te Nisur nga e mira  për “Zanin e kasnecave”, por ajo që mund të përftohet nga një vështrim panoramik i mbledhësve dhe kodifikuesve asht se nuk begenisnin me e pa kontekstin si shtetnor, si diakronik të dëshmive që kanë mbledhë, por kalonin në shenja barazimi ku shkapërcehen mijëvjeçarë pa fe gajleje. B.f. filan banor në një vis malor mos ka pa dhe keqkuptue ndonjë zakon në Jemen gjatë viteve të asqerisë? Fistek përcjellës i Shën Verbdit, si e shenjtëroi këtë kênsin Verbd? Ç’qasje kanë pasë kleri në fjalë me këto gjurmë të pretendueme paganiteti? Tekembramja ende sot këndohet kanga dhe bahet beja Ndihmo Zot dhe ora e Shalës, ndonjë librec uratash e rruzaresh i viteve ’30 mund të konstatojmë integrimin e orëve në mitologjinë katolike për sa i përket grigjave lokale të viseve veri-perëndimore. Kështu edhe kujritë e Gjeçovit, kushedi ç’finalitet tjetër përveç përqasjes me kurinë italike ka pasë, aq sa edhe sot janë gati me ia përligjë latinitetin edhe kur s’e ka.

© 2021 Sait Saiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Tahir Dizdari (2005), Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë: AIITC.

[2] Donato Martucci (2017), Le consuetudini giuridiche albanesi tra oralità e scrittura. Salento: Palaver

[3] Për mos me humbë nëpër korijet e latinitetit, log asht landë e prozhmit sllav. Shih: Xhelal Ylli, Das slavische Lehngut im Albanischen. Teil 1: Lehnwörter. Munich, Germany: Verlag Otto Sagner.

[4] “[…] Nji ligjë e preme, po zâmë, per ingilz, aleman e tjerë popuj të shtruem e të gjytetnuem, sugurisht nuk bân – sado e drejtë e e ndershme të jèt – per rrebela të Ballkanit, fatalista të Azís, kanibal t’Afrikës etr.”

[5] Zojsi që mbrapa mori dhenë nga gramatika e Abidin Feizit (Napoli, 1929) krejt mirë mundet me qenë ndonjë shkurtim i emnit grek Polizois (sq. Jetëshumi) dhe ndonjë kumt popullor mund të jetë ndikue nga kontakti letrar deri në pikën që me e ba Zot dhe Zeus. Falenderoj Mihalis Ntinopoulos për muhabetin depërtues mbi onomastikën greke.

[6] Ndoshta ndër të dhanat me vlerë të mirëfilltë asht krahasimi që ban Nopça me situatën me vendet evropiane: “Në Prusi, kohët e fundit, para luftës 1914-1918 kishte rreth 1.9 vrasje për 100,000 banorë, në Bavari për të njëjtin nr. banorësh 2.7, në Serbi për të njëjtin nr. banorësh 18.0, në malet e Shqipërisë.” Kanuni i pushkve të gjata ishte një plagë sociale, dhe ky ishte urf­-i jonë, as ishte marrë perandoria ndonjëherë me këtë punë deri mbas Tanzimatit. Shih: Maurus Reinkowski (2005). Gewohnheitsrecht im multinationalen Staat: Die Osmanen und der albanische Kanun. Berlin: Walter de Gruyter.

[7] Pleqnitë e serxherdeve të maleve, përgjithësisht anëtarë të familjeve Hoti dhe Gjylbegu, mund të jenë radhitë dhe dokumentue dhe mund të hedhin edhe ma shumë dritë te kanuni i pushkve të gjata. Shih: Hamdi Bushati (1998-9), Shkodra dhe motet, Shkodër: Idromeno.

[8] Franc Nopcsa (2012), Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe, përktheu Mihallaq Zallari.

[9] Pal Dodaj (1995), Shënime vrojtimesh, Tiranë: Hylli i Dritës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin