Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

SHËMTIRË – KAQ E BUKUR?!

nga Albert Riska

Prurje nga kërkimi në terren

Shëmtirë për fjalorët e shqipes është diçka jo e bukur (e shëmtuar), madje, e neveritshme. Por fjala që do të shqyrtojmë këtu nuk ka asnjë lidhje me të, përveç përbërjes fonematike, që do konsideruar si një homonimi e rastit.

Shëmtirë mund të jetë një ndër fjalët më të hasura në mikrotoponiminë e Shqipërisë.

Kështu, në rrethin e Kolonjës kemi një fshat me emrin Shëmtirë. Po me këtë trajtë na dalin edhe katër mikrotoponime në rrethin e Pogradecit: Shëmtirë, një vend pranë fshatit Katjel, Shëmtirë në fshatin Homesh, Shëmtirë në fshatin Slabinjë, si edhe Shëmtirë, në fshatin Slatinë, të gjitha këto në Mokrën e Poshtme.

Shëmtirë gjejmë edhe në Lukan të Shpatit të Elbasanit.

Ndërsa, në fshatin Losnik, po në Mokër, emri del me trajtën e shumësit, Shëmtirat. Po në trajtën e shumësit, Shëmtirat, del edhe në fshatin Hondisht të Mokrës së Sipërme, si edhe në Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit.

Për etimologjinë popullore, këto vende quhen kështu ngaqë “janë vende të rrëshqitura, të shembura”.

Veç këtyre, në treva të tjera gjejmë disa mikrotoponime që na vijnë me përbërje fonematike disi të ndryshme, por që duhet të kenë të njëjtin burim.

Në Qukës-Skënderbe të Librazhdit disa ara quhen Shëmërti. Në rrethinat e Tiranës gjejmë po Shëmërti, ndërsa në Shënmëri të Shëngjergjit të Tiranës kemi Shmartin.

Në Stranik, fshat në zonën e Stravajt të Librazhdit, gjejmë “Bregu i Shën Mërtirit” dhe në Petresh, pranë Elbasanit, kemi Qafa e Shëmërtinit,

Ndër më interesantet është trajta Shumtin, që gjendet në Labinot-Katun të Elbasanit, në mikrotoponimin Guri i Shumtinit.

Normalisht, në qoftë se kjo larmi trajtash vjen nga një bazë e përbashkët, bëhet e qartë se nuk kemi të bëjmë me “i shëmtuar”, por me trajta fonetikisht të evoluuara nga emri i shenjtorit Martin, ose shenjtit Mërti, siç del te Buzuku. Në këtë mënyrë kuptohet se emrat e këtyre vendeve na kanë mbetur nga emrat e kishave të dikurshme që janë ndodhur në to dhe që i dedikoheshin këtij shenjtori. Mbetet të kërkohen gjurmët arkeologjike të kishave.

Për t’u përmendur fakti që në zonën e Mokrës mikrotoponimet Shëmtirë apo Shëmtirat bashkëjetojnë me mikrotoponimin Shembat, “që janë vende që rrëshqasin, që shemben”.

 

Vlera e mikrotoponimisë në studimet historiko-gjuhësore

Në çështjen e vendit të formimit të gjuhës shqipe apo të popullit shqiptar gjuhësia është tërhequr pas trajtimit të disa argumenteve të tërthorta, ose, siç shprehet Prof. M. Domi, gjuhësisë i është dashur “të rindërtojë procese e faza në bazë faktesh të tjera e dëshmish të ndryshme të tërthorta”.

Në këtë lëmë, terreni më i rëndësishëm mbetet ai i toponimisë së lashtë të vendit tonë që na vjen nëpërmjet dokumenteve të vjetra, qofshin greke apo romake.

Një nga kërkesat themelore metodike që parashtron gjuhësia në këtë sektor qëndron në mënyrën e zhvillimit fonetik të këtyre toponimeve. Kjo ka bërë që në diskutimin e çështjes së autoktonisë së shqiptarëve të jenë marrë në shqyrtim toponimet më të vjetra e më të rëndësishme të trevave tona, si emrat e qyteteve kryesore, të maleve më të larta, të lumenjve të mëdhenj etj.; ata që janë, kështu, toponimet më të qëndrueshme.

Pra, kjo kërkesë e ka kufizuar hetimin gjuhësor në nivele makrotoponimike.

Veçse, sado që shqyrtimet e derisotme në këtë aspekt kanë shpënë jo rrallëherë në zgjidhje të mirëpranuara, duhet pranuar, gjithsesi, që kjo punë e pastër është zhvilluar, si të thuash, në kushte laboratorike: analiza e toponimit dëshmon autoktoninë e shqiptarëve kur zhvillimi fonetik i tij vjen në përputhje me normat specifike të shqipes ose e kundërta.

Ndërkohë që është menduar dhe mendohet se mikrotoponimet nuk janë shumë të vlefshme për çështjet që diskutojmë, duke u konsideruar si elemente të lëvizshme dhe kryesisht të reja. Kështu, për shembull, mund të pranohet fare mirë se emrat e fshatrave në Shqipëri janë edhe të lëvizshëm, duke qenë se është fjala për qendra të vogla banimi, apo që janë shpesh edhe qendra të reja e pa histori. Është e vërtetë, gjithashtu, se mikrotoponimet janë mjaft të prekshme nga ngjarjet e ndryshme historike, saqë mund të pranohet pa mëdyshje se çdo pushtim i gjatë në Shqipëri e ka shndërruar hartën toponimike të vendit.

Megjithatë, sondazhet tregojnë se një nga mundësitë më të mira për t’i zgjeruar, pse jo edhe për t’i thelluar studimet historiko-gjuhësore, do kërkuar pikërisht te prurjet nga mikrotoponimia.

Mikrotoponimia është aq e pasur, sa nuk do të kishte valë që të mund ta fshinte atë krejtësisht. Faktet provojnë se, duke vjelë në nivele mikrotoponimike, mund të fitohet material gjuhësor edhe më i vlefshëm sesa në nivele makrotoponimike. Vëzhgimet në terren tregojnë se mikrotoponimia paraqitet mjaft interesante në disa enklava apo, më mirë të themi, në disa zona me tipare të spikatura etnokulturore, në treva gjeografikisht të përcaktuara dhe jo detyrimisht të izoluara (siç mund të imagjinohet). Mund të vihet re se mikrotoponimet në këto treva përbëjnë sisteme interesante dhe shpesh të organizuara sipas një skeme të caktuar.

Më e rëndësishmja në këtë mes qëndron në faktin se ne mund të pajtojmë përmes kërkimit në terrenin e mikrotoponimisë disa disiplina të ndryshme të albanologjisë, si gjuhësia, arkeologjia, historia, folklori, etnografia e deri gjeografia; por në mënyrë të veçantë duhet të pajtohet gjuhësia me arkeologjinë, duke shfrytëzuar në të njëjtin kërkim disa të dhëna: nëpërmjet mikrotoponimit kemi gjetur të dhëna për vendin e banimit; nëpërmjet zhvillimit fonetik (analizës gjuhësore) të mikrotoponimit mund të përcaktojmë “pronarin” e kulturës dhe, nëpërmjet analizës së materialit arkeologjik që mund të gjendet, përcaktojmë edhe kronologjinë e fakteve historike.

Dhe është për t’u theksuar se më interesantet në këtë mes rezultojnë mikrotoponimet që kanë mbetur nga kishat e vjetra dhe që burojnë nga një emër shenjtori, siç mund të përmendim, bashkë me Shumtini/Shëmtira, edhe: Shulash, Shlli/Shëndëlli, Shumri, Shubablla, Shmoni, Shndrezë, Shtrezi/a, Shijoni/Shijani, Shtanas, Shtëmaj, Shtodër, Shpal/Shupal, Shijak, Shirokë etj., të cilat i gjejmë me frekuenca të ndryshme nga Çamëria deri në Shkodër. Duke u lidhur me “vende të mira”, këto toponime mund të konsiderohen edhe relativisht të qëndrueshme.

Përbërjet e sotme fonetike të këtyre toponimeve tregojnë në mënyrë të qartë se “pronarët kulturorë” të këtyre kishave kanë qenë paraardhësit tanë. Analiza e materialit arkeologjik që mund të gjendet aty do të na tregojë se kur kanë funksionuar kishat që kanë bërë të lindin këto toponime e, detyrimisht, edhe vendbanimet pranë tyre.

Në këtë mënyrë do të mund të realizohej jo një kërkim arkeologjik i nxitur nga gjetjet e rastit, por një kërkim arkeologjik i orientuar nga kërkimi gjuhësor.

Për burimin dhe zhvillimin fonetik të Shëmtirë e Shumtin

Emri i shenjtorit vjen nga latinishtja Martìnus, emër familjar që lidhet me Marsin (Marte) dhe do të thotë “dedikuar Marsit”.

Njihen disa shenjtorë me këtë emër. Ndër ta, duke menduar se duhet të lidhen me traditën tonë, mund të përmendim: Shën Martini i Tursit, që, sipas Enciklopedisë së shenjtorëve të kishës katolike, ka jetuar në shekullin IV, dhe Shën Martini i Romës, që njihet si nga Enciklopedia e shenjtorëve të kishës katolike, ashtu edhe nga Thesari i shenjtorëve të kishës ortodokse dhe besohet se ka jetuar në shekullin VII.

Nuk është e lehtë të ndajmë se cilin prej tyre njeh tradita jonë, por duhet të jenë njohur të dy, sepse në Valsh të Shpatit, rrethi i Elbasanit, me emrin e këtij shenjtori lidhen dy festa të ndryshme: një Shumurtiri në qershor dhe një Shumurtiri në nëntor. Datat nuk përkojnë me ato që jep Enciklopedia e shenjtorëve, por Shumurtiri që festohet në nëntor duhet të jetë Shën Martini i Tursit.

Sidoqoftë, një shenjtor me këtë emër duhet të jetë njohur mjaft herët nga shqiptarët, sepse emri i Martinit vjen me zhvillime të rëndësishme fonetike. Trajta Mërtī tregon se emri i shenjtit ka qenë mjaft i evoluuar që në kohën e Buzukut.

Pa u zgjatur në përshkrimin e zhvillimeve fonetike që kanë njohur trajtat e ndryshme me të cilat na shfaqet toponimi, do të bënim nja dy vërejtje për të treguar vlerat historiko-gjuhësore që ai mbart.

Trajtat Shumtin dhe Shmartin ruajnë bashkëtingëlloren /n/, duke mbartur kështu një tipar dialektor të gegërishtes. Me interes edhe shfaqja e zanores /u/ në njërën dhe, sidomos, ruajtja e zanores /a/ në tjetrën, e cila do të implikonte edhe problemin e theksit.

Trajta Shëmërti e sjell emrin e shenjtorit në trajtën që e gjejmë te Buzuku, ku është për t’u vënë re rënia e bashkëtingëllores /n/,  çka duhet të jetë shoqëruar me hundorëzimin e zanores /i/.

Trajta Shëmtirë ka provuar rotacizimin e bashkëtingëllores /n/ në pozicion ndërzanor.

Shkurt, përballë njëra-tjetrës, Shëmtirë dhe Shumtin apo Shmartin shfaqin mjaft tipare zhvillimore dhe, për më tepër, mbartin një nga tiparet më të rëndësishme fonetike që ndajnë dialektet e shqipes, rotacizmin. Kjo do të thotë se ato mund të jenë në përdorim që nga koha para se të pushonte së vepruari kjo dukuri gjuhësore e shqipes, domethënë para kontakteve të shqipes me gjuhët sllave.

Në këtë mënyrë kërkimi arkeologjik mund të nxjerrë në dritë gjurmë të kishave që mund të kenë funksionuar në atë periudhë e që do të konsideroheshin pronë e mirëfilltë kulturore e shqiptarëve dhe do të përbënin prova kokëforta të autoktonisë dhe të vijimësisë.

(c) 2021 Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

2 Komente

  1. Vertete artikull shume interesante, urime! Nqs mundem do doja te pyesja ne lidhje me nje emertim te vecante qe ka goxha perafri me emertimin (Agjionim) qe merrni nen shqyrtim, duke filluar nga pjesa e perparme: shëm/shim-[ʃəm/ʃim], gjithashtu edhe nga zhvillimi fonetik. Pra behet fjale per Agjionimin  – te shnderruar ne toponim\onomastik karakteristik te kroateve te bregdetit dalmat –  “Šimrak”, qe sipas Z.Mirdites etj, mund te shpjegohet vetem npm shqipes: Shin Mark sllav. e vjeter *Sǫ-Martinŭ > serb-kroat. Sumartin

    – rom-dalm. San Pietro > sllav. e vjeter *Sǫ-Petrŭ > serb-kroat. Supetar
    – rom-dalm. Santa Irene > sllav. e vjeter *Sǫtorina > serb-kroat. Sutorina

    Pra a mund te mendohet per nje ndikim te mundshem te ndersjellte ndermjet te dy gjuheve, apo keto zhvillime fonetike ne keto gjuhe kane ndodhur krejt ne mynyre te pavarur nga njera tjetra !? 

    Pastaj Agjonimi “Shen Gjon” nder arberishtfolesit\shqipfolesit nuk ka egzistuar vetem ne trajtat: Shijon, Shinjan dhe Gjonm (pa ‘Shen’), por ne te vertete ka egzistuar – dhe egziston! – edhe ne trajten e ‘mirfillte’, mjafton te gjurmohet pak me larg kufirit te RSH, pra behet fjale per toponimin e fshatit malazez te ndodhur ne skajin verior te liqenit te Shkodres: Šinđon <  shq. Shin Gjon, gjeja e pare qe bie ne sy kur e shikon ne google maps eshte restoranti me emrin "Sveti Jovan" qe perkthehet ne shqip pikerishte: Shen Gjon !! 

    Ne lidhje me Agjionimin "Shmil" trajte e derivuar nga Shen Mehill (ne Shqiperi kemi edhe fshatin Shmil ne veri-lindje te Elbasanit), kam disa paqartesi, kjo sepse 'Shmil' haset edhe si onomastik emer\mbiemer nder Arberor, konkretishte ne fshatin Lavanica:
    Λάβα
    Velventos-Servia 505 00, Grecia
    https://maps.app.goo.gl/hVVutn6C5wUSTMeJ6

     prefektura e Kozanit te sotem ne Greqine Veriore, viti 1506 (ne nje zone qe asojkohe banohej dendesishte nga Arberor!!):
    https://i.imgur.com/7SiqvsV.jpg

    Por, ky emer nuk ishte ekskluzivishte Arberor, ne fakte haset edhe nder Serbet dhe Vllehet tek Krisobulla e Decanit viti 1330;
    https://i.imgur.com/S4yZU3n.jpg

    gjithashtu, po tek Serbet dhe Vllehet ne krahinen e Trebinjes ne Hercegovinen e vitit 1477 : 
    https://i.imgur.com/xhlcevg.jpg

    Pra shtrohet pyetja vertet 'Shmili' vjen nga Agjionimi Shen Mehill !? 

  2. Pjesa qe nuk u publikua:
    …..A egzistojne raste te ngjajshme edhe ne toponomastiken ne Shqiperi, qe mund te perbenin nje prove te metejshme per te konfirmuar interpretimin ne lidhje me emertimin Šimrak !?

    Pastaj ne lidhje me trajten: shu-[ʃu] nga ku rrjedhin ne shqip Shumtin, Shulash, Shubak etj, ne fakte kjo trajte egzistone edhe ne Serbo-Kroatishte, hasur me dendur pikerishte ne bregdetin dalmat dhe ate malazez, disa shembuj:

    – rom-dalm. San Martino > sllav. e vjeter *Sǫ-Martinŭ > serb-kroat. Sumartin
    – rom-dalm. San Pietro > sllav. e vjeter *Sǫ-Petrŭ > serb-kroat. Supetar
    – rom-dalm. Santa Irene > sllav. e vjeter *Sǫtorina > serb-kroat. Sutorina

    (?)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin