Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

GARDHIMI

Gjatë një prezantimi të hershëm të një librit tim, mbaj mend që u ngrit njëri për të folur dhe e filloi kështu: “Unë librin s’e kam lexuar, por ca gjëra do t’i them.” Dhe vazhdoi me një argument të cilin – edhe pse ai këtë s’e dinte meqë librin s’e kish lexuar – unë e rrëzoja në libër.

Mirëpo atyre që flasin spontanisht në prezantime librash këtë ua fal, sepse gjasat janë që librin të mos e kenë lexuar ende: libri sapo ka dalë nga shtypshkronja dhe kushedi as në librari nuk ka mbërritur ende.

Më e rëndë është kjo tjetra: unë etimolog nuk jam, edhe nga gjuhësia nuk është se marr vesh, por më revolton fakti që ju gjuhëtarët i nxirrni fjalët e shqipes nga fjalët e huaja. Ose kjo tjetra: unë nuk jam as arkitekt, as inxhinier, por ja ku po ta them se kjo lloj ndërtese nuk mund të rrijë në këmbë.

Këtë lloj përftese – në fakt retorike – e ndesh shpesh në shkrimet me natyrë akademike, sa herë që autori kërkon të tregojë kujdes me ato që thotë ose të dallojë një opinion të vetin nga një fakt ose në përgjithësi për ta zbutur “forcën” e ligjërimit. Në anglisht e quajnë hedging.

Për shembull:

COVID-19 nuk ka origjinë virale, por bakteriale.

Mendimi im është se
COVID-19 nuk ka origjinë virale, por bakteriale.

Në këtë moment, nuk është gabim të shprehësh dyshimin se COVID-19 nuk ka origjinë virale, por bakteriale.

Unë mjek nuk jam
, por kam frikë se COVID-19 nuk ka origjinë virale, por bakteriale.

Të kundërta me hedging janë ato lloj thëniesh që përdorin paterica përgjithësuese:

Të gjithë e dinë që Toka është e rrumbullakët.

Nuk ka pikë dyshimi
, që Irani po zhvillon armë atomike.

Dihet që
ekonomia italiane ka marrë tatëpjetën.

Edhe pse efekti, në të dy herët, është dobësues – në mos për gjë tjetër, për atë që subjekti folës distancohet nga përgjegjësia personale për çfarë thotë, duke larë duart, ose duke u anuluar si subjekt.

Kohët e fundit, po e kap shpesh veten duke u shtuar pak hedging atyre që them në publik, në përgjigje kritikash dhe objeksionesh imagjinare.

Jo të tipit:

Vetëm një budalla do ta kundërshtonte që klima globale po ndryshon me të shpejtë.

Por të tipit:

Nuk jam mjek, por besoj se vaksina kundër COVID-19 po shpëton jetë.

Dhe kur pyes veten pse po i fortifikoj kështu ato që them e shkruaj, më vijnë në mendje disa përgjigje.

Një arsye do të ishte se hapësirën e diskursit publik e kanë mësyrë llafazanët dhe inkompetentët, të cilët jo vetëm e kanë kokën bosh, por nuk kanë as sensin e duhur kritik ndaj gjërave që nxjerrin nga goja – ose nga pena. Hedging funksionon kështu si një mënyrë, sado e tërthortë, për t’u distancuar nga këta gojëshpuar.

Shto këtu edhe të gjitha ato herë kur, si llafazanë dhe inkompetentë, maskohen manipulatorë të fshehtë të opinionit dhe agjentë të psy-ops (troll farms) – siç mund të ishte përdorimi i qëllimshëm i propagandës dhe pseudo-argumenteve no-vax për të fituar besimin e atyre që nuk u besojnë më autoriteteve. Ose e kundërta, çuarja në absurd e propagandës no-vax për t’ua kthyer njerëzve të arsyeshëm besimin tek autoriteti. Hedging do të shërbente, në kontekste të tilla, si një lloj vaksinimi soft ndaj ekstremeve.

Një arsye tjetër do të ishte më personale: shumë nga ata që duan të të kapin në gabim ose të të kritikojnë me çdo kusht, kapen pas çikërrimash dhe i përdorin menjëherë kundër teje. Prandaj:

Edhe pse kam shkruar disa herë që përdorimi i paskajores gegnishte me punue në tekste që ndjekin standardin e thyen normën gramatikore, sërish mendoj se kjo formë mund të eksperimentohet në tekste letrare dhe publicistike, madje edhe përbri lidhores, për të parë nëse do të pranohet apo jo nga sistemi.

Pohimi më sipër synon të sugjerojë se paskajorja e gegnishtes mund të përdoret eksperimentalisht në tekste që ndjekin normën gramatikore të standardit, për të verifikuar nëse sistemi do ta përballojë dot apo jo. Por, i vetëdijshëm se ndonjëri mund të ngrihet dhe të më kujtojë çfarë kam shkruar për këtë argument para 20 vjetësh (me rrejshmërinë “ti ke thënë kështu dje, pse e ktheve fletën sot? ”), e gjykoj me vend që t’i paraprij pohimit me informacion – përndryshe të panevojshëm, sa kohë që informacioni i shtuar, në pjesën e parë të thënies, ka lidhje me mua dhe integritetin tim, jo me paskajoren.

Lexoj ndonjëherë autorë që, më shumë se gjysmën e artikullit të tyre, e shpenzojnë me hedging, për t’u paraprirë kritikave imagjinare. Mund të përfytyroj një artikull i cili të jetë hedging nga fillimi në fund, dhe t’i thotë lexuesit, në thelb, se “unë nuk ta kam me të keq.”

Ka një dallim midis hedging-ut që i detyrohet ndershmërisë së autorit dhe hedging-ut që i detyrohet paturpësisë së atij që shkruan a flet. Për shembull:

Nuk ka nevojë të jesh mjek, që ta thuash se ivermektina jep rezultate të mira kundër COVID-19.

E kotë të shpresosh se do të sillen ndonjëherë prova që Sorosi ka paguar, për ta armiqësuar Amerikën me Berishën.

Unë nuk jam kritik letrar, por romani i fundit i Pulëbardha Dashit meriton çmimin Nobel.

Fatmirësisht, nuk na pengon kush që t’i shprehim në publik opinionet tona – por kjo nuk do interpretuar si detyrim që t’i shprehim; dhe shpesh nuk ka hedging që të na shpëtojë, sidomos kur i bëjmë “tonat” gjithfarë pasaktësish, gjepurash, gënjeshtrash dhe budallallëqesh që gjejmë në mediat dhe në rrjetet sociale; dhe aq më keq kur nuk arrijmë të kuptojmë mirë a të interpretojmë drejt gjëra që lexojmë poshtë e lart.

Shpesh hedging më i mirë është heshtja.

 

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin