Pas diskutimeve këto ditë për besën – në kulturën shqiptare, në Kanun dhe në gjuhën shqipe – m’u kujtua edhe që, para se të dokumentohej te Meshari i Gjon Buzukut, fjala besë tërthorazi dilte që te Statutet e Shkodrës – një dokument i datuar si herët i shekullit XIV, i hartuar në një dalmatishte romane të venecianizuar, që rregullonte jetën qytetare të kohës. Dhe pikërisht, te folja besare, e cila del te një shtesë e statutit të vitit 1391 (kapitulli 269), në këtë kontekst:
se alcun nostro citadino andasse al signor ove al chiesalia over ad alcun proniario metando e propognando parole contra rason, et non da vera cum besare contra li nostri citadini over contra li sui vicini…[1]
të cilin përkthyesi P. Xhufi e ka dhënë kështu në shqip:
nëse një qytetar i ynë shkon te kryezoti, tek qefalia ose një proniar çfarëdo dhe shpif me besë të rreme ndaj bashkëqytetarëve ose fqinjëve të tij…
Nuk jam specialist i dalmatishtes/venecianishtes së statuteve dhe në përgjithësi, por po më duket se përkthimi më shumë e parafrazon, se e ndjek me besnikëri origjinalin, sidomos në pjesën non da vera cum besare. Pavarësisht nga kjo, besare në tekstin më lart sikur i referohet një lloji specifik të betimit (term që gjetiu në tekstin e statuteve del zakonisht si sacramento). E diskutueshme për mua edhe natyra gramatikore e kësaj besare – a është folje në paskajore, apo emër?
Në një doktoratë të mbrojtur në Università degli Studi di Firenze (La codificazione del diritto penale in Albania tra tradizione nazionale e modelli stranieri), Orges Mandi duke iu referuar tekstit të lartcituar, mendon se termi besare “duket se i atribuon kapitullit kuptimin: nëse dikush akuzon pa të drejtë dhe me dëshmi jo të drejtë (“non con giusta testimonianza”).” Me fjalë të tjera besare do të ishte diçka si “dëshmia në besë”.
Megjithatë, për “dëshmi të rreme” në Statutet përdoren zakonisht shprehje të tjera nga ato të thënies më lart (por kjo mund të lidhet edhe me atë që shtesat në Statutet, ku shfaqet edhe kjo besare, janë mjaft të vona dhe në një gjuhë relativisht të ndryshme nga ajo e trupit të tekstit).
Në një ese që ia bashkëlidh botimit të Statuteve në Shqipëri, gjuhëtari Giovan Battista Pellegrini, duke iu referuar gjuhës së statuteve, shkruan se “është për t’u habitur mungesa pothuajse totale e depërtimit në tekst të elementeve nga shqipja.” Kjo, besoj unë, mund të interpretohet në disa mënyra: mundet që statutet të jenë hartuar nga autorë që nuk e kanë njohur fare të drejtën zakonore shqiptare ose nuk e kanë parë të arsyeshme që ta marrin parasysh në statutet; mundet edhe që statutet e Shkodrës të jenë kopje statutesh të tjera më të hershme nga qytetet dalmate dhe/ose veneciane në brigjet e Adriatikut, ku shqiptarë nuk kishte.
Pesha specifike e elementit arbëror në Shkodrën e shekujve XIV-XV mbetet e diskutueshme. Vetë teksti i statuteve bën haptazi dallim mes qytetarëve të Shkodrës dhe elementit albanese/arbanese/arbaneso[2] ose sclavo (Xhufi ka përkthyer “arbëresh” ose “sllav”) që vinte në qytet; por kjo nuk duhet lexuar si provë se arbërorë në Shkodrën e asaj kohe nuk kishte, dhe se ky element arbëror vetëm sa hynte në qytet nga rrethinat, për punë të ndryshme. Tek e fundit, asgjëkund në Statutet nuk specifikohet “etnia” e qytetarëve të Shkodrës, çfarë tregon se etnia nuk kish vlerë juridike as statutore.
Më e arsyeshme do të ishte, pra, që të mendohej Shkodra e statuteve si qytet i romanitetit dalmat në Ballkan, ku rëndësi kish dallimi midis qytetarit dhe jo-qytetarit (të huajit), ndërsa “etnia” dhe gjuha e folur e banorëve nuk ngrinin aq peshë. Shto këtu edhe se në kohën kur u hartuan statutet, prania arbërore në qytet mund të ketë qenë më e vogël, dhe se vendësit filluan të vijnë atje me shumicë nga rrethinat, pas murtajës shkatërrimtare të vitit 1348 (këtë e mbështet, tërthorazi, edhe fakti që i vetmi term shqip në statutet, besare, shfaqet në shtesën e vitit 1391).
Ndoshta këtu vlen të rikujtohet një shprehje e qëlluar e Sufflay-t, të cilën e plotëson Schmitt-i: “Uni i komunës [qytetare]” nuk karakterizohej nga gjuha. Vëren historiani zviceran (tek Arbëria Venetike, K&B 2007):
Bashkëjetesa paqësore e grupeve të ndryshme gjuhësore në qytetet e Arbërisë së vjetër tregon se nuk ishte përkatësia në një bashkësi gjuhësore apo në njëfarë “kombi” në kuptimin që mori në shekullin XIX, i cili në atë kohë nuk ekzistonte fare, por e drejta qytetare, pozita juridike, shoqërore dhe ekonomike e individëve, ajo që përbënte pikën e referimit për identitetin.
© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë për ilustrim vetëm.
Shënim: sa më lart, janë disa përsiatje për një temë që më ngacmon dhe që dua ta ndaj me lexuesin. Lutem nga zemra mos i trajtoni si fjalë të gdhendura në gur.
[1] Jam bazuar në botimin dygjuhësh Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469, 2010, Universiteti Wisdom, Tiranë/Onufri.
[2] Për t’u shënuar se fjala albanese del vetëm një herë në këtë formë, dhe katër herë të tjera si arbanese/arbaneso, një formë me arb- jo me alb- e cila mund të jetë ndikim i sllavishtes. E çuditshme, që fjala të dalë si albanese në kapitullin 1 të statutit dhe si arbanese në kapitullin 2 pak rreshta më poshtë; unë do të priresha ta gjykoj formën e parë, albanese, si një gabim shtypi (refuso) të kopistit të shekullit XVI të cilit ia detyrojmë dokumentin dhe që, pa dashje, e ka shkruar fjalën në një formë familjare për venecianishten/italishten.