Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Psikologji

PASQYRA TË BËRA VETË

Kur më kërkuan, në një zyrë, që të nënshkruaja diçka, m’u desh ta largoja fletën e letrës nga fytyra, si të ishte e përfshirë nga flakët; pastaj i shpjegova nëpunëses te sporteli se “nuk i kisha syzet me vete.” Më shkoi pastaj në mendje nuk kam takuar kurrë njeri, me probleme të shikimit, që ta ketë zor t’i pranojë këto haptazi: “u bënë vite që nuk shoh mirë larg”, ose “pa syze nuk lexoj dot”, e të tjera si këto. Unë madje e kam kapur veten duke ofruar, vullnetarisht, hollësi për aventurat e mia me syzet, që përndryshe nuk i interesojnë askujt. Dhe gjithnjë pa pikë droje.

Por me veshët nuk ndodh kështu, edhe pse ulja e dëgjimit nuk është se ndodh, besoj, më rrallë se problemet me sytë. Një i moshës sime, edhe ta paguanin, nuk do ta pranonte se i është rënduar njëri vesh, ose të dy. Një postieri të FedEx-it që më kërkoi t’ia lexoja një numër te një faturë, nuk e pata për gjë t’i them se nuk i kisha syzet me vete; por nuk do t’i kisha thënë dot që të fliste më fort, se nuk po e merrja vesh se ç’më thoshte, ngaqë nuk dëgjoja mirë. Pa folur pastaj për “fajin e ka zhurma në sfond”, ose “ai flet me zë të ulët, nuk i merret vesh se ç’thotë.” T’i thoje nënës sime që i kish ardhur koha të vinte një aparat dëgjimi, do ta bëje armike për jetë, pa çka se kishte të paktën pesë palë syze leximi në shtëpi dhe ish operuar për të hequr një katarakt!

Më kujtohet këtu një maksimë e La Rochefoucault-it, që po e citoj me mendje: “Të gjithë ankohen për kujtesën, askush nuk ankohet për inteligjencën.” Vërtet, kur ishte hera e fundit që dikush të na ketë thënë se “jam pak i trashë, nuk i kuptoj këto që thua” (përveçse me ironi therëse)? Për arsye misterioze, humbja e kujtesës nuk shihet si ndonjë sakatllëk i madh: madje disa e pranojnë lirisht, gati me gjysmë mburrje. Zakonisht edhe në vijim të një komplimenti që të kanë bërë ty për kujtesën: “sa mirë i mban mend ti këto gjëra, mua më janë fshirë të gjitha!”

Edhe pse tani maksimën e Rochefoucauld-it më duhet ta korrigjoj pak: vërtet që askush nuk ankohet për inteligjencën, por dy në çdo tre vetë që takon, ta pranojnë haptazi se kanë qenë të dobët në matematikë. Mbase kjo s’ka lidhje me inteligjencën… aq më tepër që të fortët në matematikë kanë qenë konsideruar edhe si pak të çuditshëm, tuhafë, freaks, diçka si shahistët ose poliglotët. Për të mos folur pastaj për ata që janë të fortë në aritmetikë dhe që mund të llogaritin rrënjë katrore e logaritme dhe që, në imagjinatën kolektive, i grupojnë bashkë me ata të tjerët, që mbajnë mend numrat e kartave të kreditit. Zakonisht të tyret.

Në përgjithësi, nuk është kollaj ta kuptosh se për çfarë kanë qejf të flasin njerëzit dhe për çfarë jo. Sot nuk habitet kush kur tjetri i thotë se ka qenë në palestër dhe ka bërë këto lloj përkuljesh dhe përdredhjesh së bicepseve, ose që sapo ka ngritur disa pesha të hatashme ose që ka shkuar me vrap deri në Vaqar, por kush do të guxonte vallë të mburrej, bie fjala, se natën më parë e ka gdhirë duke (ri)lexuar Heideggerin ose Herodotin? Njëlloj, shumë nga ne s’e kanë problem të tregojnë si dhe sa alkool kanë konsumuar (“e mbaruam një shishe, të tërën”), por nuk besoj se ka më njeri që të thotë se ka pirë një paketë duhan, nga më i miri; ose që e ka rrëkëllyer mjaltin nga kavanozi. Njerëzit dalin lirisht në fotografi duke ngrënë gjithfarë mishrash dhe duke trokitur gotat në restorante të bujshme (prit kur të na dalë ndonjëri deri edhe duke kryer punë në nevojtore të rëndësishme), por ndodh shumë më rrallë të shohësh dikë, në foto, duke pastruar shkallët e pallatit ku banon ose, xhanëm, duke fjetur. Këto janë gjëra që dihen, por i sjell në vëmendje sepse nuk më duken pa lidhje me atë që na vjen e lehtë të ankohemi për sytë ose për kujtesën, por jo për veshët ose për intelektin.

Janë ca pastaj që e kanë tmerr ta pranojnë se kanë fjetur. Unë? Po unë nuk mbyll sy kurrë. Shumë-shumë, do të pranojnë se kanë fjetur vonë në mëngjes (implikimi: kanë ndenjur gjithë natën jashtë). Epo mirë, meqë ti nuk mbyllke sy, si e kalon pastaj ditën (nuk po pyes për natën, se e kuptoj që e gdhin duke lexuar Agamben-in ose duke shikuar filma të Tarkovskit: ata që e gdhijnë me mundime intelektuale, nuk flenë dot vonë në mëngjes)? Se po të gjykosh nga fotot që i tregon dynjasë, duket sikur je permanent në kafene, duke takuar gjithfarë të ngeshmish, në festivale të kafeinës. Por si seli festivalesh të tilla, edhe kafenetë nuk është se janë pa rrezik: kafeja të rrit tensionin, filxhani i kafesë i palarë mirë mund të të ngjitë herpesin (HPV1 jo 2), tavolina mund të bëhet shkas për thashetheme që pastaj të kushtojnë vendin e punës (gjithë në qoftë se ke të tillë)… ndërsa kur fle, është e sigurt se nuk po i bën kujt dëm! Përveçse kur fle me personin e gabuar. Epo jo, të thotë, se unë kur jam në kafene bisedoj vetëm për pompat që kam bërë në palestër. Bashkë me miqtë e mi, krahasojmë BMI-të dhe masat muskulore dhe marrim nëpër gojë vitaminën D.

Të paktën të kish palestra edhe për sytë dhe veshët! Se nuk po kërkoj nga ato institucione dhe institute që stërvitin kujtesën ose intelektin…

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin