Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
1x10 / Letërsi

1×10: ANTOLOGJI E POEZISË BASHKËKOHORE GREKE

Titulli: Antologji e Poezisë Bashkëkohore Greke
Shtëpia botuese: Berk, 2021
Përzgjedhur dhe përkthyer:  Sokol Çunga

 

Parathënie

Ndër kohëra titulli “antologji” ka marrë kuptimin hijerëndë të një prodhimi mbrujtur nga autoritete akademike dhe zyrtare dhe, afërmendsh, pyetja e parë e dikujt do të ishte: “cili autoritet e ka përpiluar këtë antologji”. Përgjigja është e thjeshtë: asnjë autoritet. Është një “antologji jozyrtare”, nuk hedh shtat në hijen e asnjë institucioni apo autoriteti. Nuk është, kurrsesi, simbol vetëkënaqësie mbledhja e kësaj antologjie. Vetvetiu, askush s’i afrohet dot poezisë me arrogancë dhe vetëkënaqësi. Përndryshe, s’ka aty poezi. Kjo përmbledhje është krejt spontane, e mbështetur në lexime të përditshme gjatë 15 e më shumë viteve, dhe kriter të vetëm ka artin që na bën ta soditim dhe të heshtim.

Emri “antologji”, huazuar nga greqishtja “ἀνθολόγιον”, në kuptimin e parë bart domethënien “buqetë lulesh”. Kur dalim fushave, apo kur shkojmë në shitore lulesh, nuk zgjedhim lulet sipas kritereve akademike, duke pasur parasysh përbërjen biologjike të tyre. Kështu, edhe kjo buqetë është përfundim i luleve të poezisë greke që kam mbledhur ndër vite, dhe i shërbehen sot lexuesit përkthyer në shqip nga vetë përzgjedhësi.

Mbledhja e këtyre poezive i nënshtrohet vetëm një kriteri: së bukurës që me lëmimin estetik dhe pjalmin shpirtëror, nxjerr nga amullia mendjen dhe shpirtin. Nga ana tjetër, kur përpara ke poetë që janë të rinj sipas moshës fizike, siç janë shumica e poetëve që shërbejmë këtu, udha e të cilëve në letërsi, me gjasë, ka për të qenë e gjatë, vetvetiu mbledhësi çlirohet dhe nga tensioni që dikton kërkimi për të gjetur të përkryerën. Ndoshta e përkryera nuk është shkruar ende. E rëndësishme, në këtë çast, mbetet përvoja e leximit dhe e marrëdhënies që arrin të vendosë lexuesi me poezinë e shërbyer. Nga ana tjetër, është krejt e pamundur që poezia bashkëkohore greke të paraqitet në një vëllim të vetëm. Por njëkohësisht, do të kishte qenë ëndërr e marrë përfshirja e gjithë poetëve bashkëkohorë në një vëllim të vetëm. Prandaj dhe, me shpresën se do të mundem të  vijoj këtë projekt edhe në të ardhmen, këtu sjell vëllimin e parë të poezisë bashkëkohore greke.

Poezia e shkruar në greqishte daton që në shek. VIII para Krishtit, me dy veprat e mirënjohura të antikitetit, Iliadën dhe Odisenë e Homerit. Teksa në këtë pikë bien në një mendje të gjithë studiuesit, për fillesat e letërsisë moderne greke (pra, asaj jo klasike), debati akademik vijon. Sipas njërit prej varianteve, letërsia moderne greke ndahet në gjashtë periudha, si më poshtë:

  1. Shek. IX – 1453 (rënia e Konstandinopojës);
  2. 1453 – 1669 (rënia e Kretës nën sundimin e Perandorisë Osmane);
  3. 1669 – 1821 (fillimi i Revolucionit Antiosman);
  4. 1831 – 1880 (shfaqet Shkolla e Re e Athinës);
  5. 1880 – 1930 (Brezi i viteve ’30 dhe ’31, shfaqja e J. Seferisit në letrat greke);
  6. 1930 deri në ditët tona.

Një tjetër variant i qëndrimeve teorike sugjeron ndarjen e letërsisë greke në tre periudha të mëdha: Antike, Bizantine dhe Moderne. Dikush tjetër propozon vetëm dy periudha: Antike dhe Moderne (duke vendosur si kufi mes tyre vitin 1453), e kështu me radhë. Për të tjerë autorë moderniteti fillon aty rreth vitit 1700, duke quajtur “letërsi mesjetare” periudhën mes viteve 1200-1700. Pavarësisht debateve, pika kyçe e poezisë moderne greke mbetet Eposi i Digjenis Akritas i shek. XII. Kurse zonat në të cilat lëvrohet letërsia greke e kësaj periudhe, afërmendsh, ndodhen jashtë kufijve gjeografikë të Greqisë së sotme. Letërsia moderne greke është lëvruar në Athinë, Kretë, Qipro, Rodos dhe ishujt e vegjël të Mesdheut, në Peloponez dhe Epir, në Stamboll, Trakë dhe Azi të Vogël.

Gjithsesi, diskutimi i periudhave mbetet çështje krejt teknike dhe rreptësisht akademike për këndvështrimin e kësaj parathënieje. Ajo që vlen për t’u nënvizuar është se, pavarësisht klasifikimit në periudha e shkolla, e gjithë letërsia shkruar në greqisht, por veçanërisht ajo e periudhës fundbizantine dhe pas-bizantine janë thelbësore për zhvillimin e letërsisë greke të shek. XX e më prapa, gërshetuar me elementet kozmopolitë të epokës së internetit.

Veç disa poetëve të kanonit të poezisë greke, të cilët i kemi përfshirë këtu për arsye që do t’i shpjegojmë më poshtë, synimi kryesor i kësaj antologjie është të sjellë disa prej zërave të poezisë bashkëkohore të poezisë greke. Këta poetë janë të njohur për lexuesin e kultivuar grek dhe cilindo që ndjek revistat letrare (tradicionale apo elektronike) kombëtare a ndërkombëtare, si dhe botimet e reja në Greqi. Kurse në rastin tonë, në Shqipëri, mbeten të panjohur. Secili nga këta poetë bashkëkohorë ka botuar të paktën një libër, e shumë prej tyre janë edhe fitues të çmimeve të ndryshme letrare. Kësisoj, kjo antologji është, kryesisht, përzgjedhje poezish për t’i ndarë me njerëz që dëshirojnë të ngjërojnë poezinë bashkëkohore greke, kurse në aspektin personal, në mos i shërbeftë vetë Poezisë, le t’i shërbejë, aq sa mundet, njohjes së tjetrit, njëkohësisht të ndryshëm dhe të ngjashëm.

Në tekstet shkollore dhe universitare në shqip që trajtojnë poezinë greke, por edhe trajtesat akademike që merren me të, hyrja e zakontë dhe e parashikueshme nuk harron të përmendë se letërsia mesjetare dhe romantike e dy popujve tanë, atij shqiptar dhe atij grek, si dhe folklori ynë, kanë shumë të përbashkëta. Pavarësisht metodologjisë shkencore, shumë shtjellime mëtojnë të gjejnë pikëtakimet mes eposeve të dy vendeve dhe në përrallat popullore. Megjithatë, marrëdhëniet letrare të dyanshme janë shumë më të varfra se marrëdhëniet njerëzore, ekonomike, politike dhe, së fundmi, edhe ato gjeo-strategjike të këtyre 30 viteve të fundit. Pavarësisht afërsisë dhe komunikimit, çuditërisht, lexuesi shqiptar dhe publiku i gjerë njeh variante fragmentare të kulturës greke, të stereotipizuara prej muzikës apo industrisë së argëtimit në përgjithësi, dhe pak letërsi. Po t’i hedhim një vështrim diakronik botimeve të autorëve grekë në gjuhën shqipe në Republikën e Shqipërisë (theksojmë mosnjohjen tonë për realitetin e këtyre botimeve në Kosovën e para dhe pas pavarësisë), nga Lufta II Botërore, deri në fund të periudhës së partisë-shtet, vërejmë se autorët që botoheshin, qoftë në formë libri, qoftë në revista apo gazeta letrare, ishin komunistë, të cilët preferohej të ishin edhe pro-stalinistë (meqenëse stalinist vijonte të thoshte se ishte edhe ish diktatori ynë). E vetmja antologji e poezisë greke në gjuhën shqipe gjatë periudhës së shtetit diktatorial u botua më 1986[1]. Më 1984 ishte botuar i famshmi libër i diktatorit të Shqipërisë, ku theksohej tradita e gjatë miqësore mes popullit shqiptar dhe atij grek, dhe nevoja e kultivimit të mëtejshëm të saj. Prandaj, nuk mund të mos aludoj dhe nuk mund të mos mëtoj se botimi i antologjisë 2 vjet më pas ishte nismë e shtyrë nga temperatura e politikës së kohës, dhe jo mirëfilli nga synimet dhe shijet letrare, realitet i pagjasë për Shqipërinë e asaj kohe. Kjo ide përforcohet edhe më shumë kur shohim botimet e periudhës pas-diktatoriale. Sigurisht, nuk mungojnë përpjekjet e vazhdueshme të shtëpive të ndryshme botuese për të sjellë letërsi greke në shqip (për të mos i hyrë kujt në hak, nuk po marr përgjegjësinë t’i rendis). Në tregun e librit gjenden lehtësisht autorë grekë, si të traditës, aq dhe të letërsisë bashkëkohore, së shumti në prozë. Por këta autorë, pavarësisht në janë të mirënjohurit Nobelistë dhe pjesëtarët e listave të projekteve kulturore Evropiane apo Ballkanike, apo autorë krejt të panjohur, mbeten njëfarësoj të shkëputur nga bisedat apo nga ato pak kritika që shkruhen për letërsinë në Shqipëri. Veç kësaj, fakti që përkthimi i letërsisë greke në shqip ende ka vellon e mistikes dhe të ekzotikes, ndryshe, fjala vjen, nga përkthimi prej anglishtes apo frëngjishtes, tregon se letërsia greke është “tjetri” i një realiteti ku “uni” është shumë i ngurtë dhe shpërfillës. Arsyet janë të shumta, por do të ishte më me vend t’i shtjelloja në një trajtesë tjetër.

Pavarësisht synimit kryesor, sjelljes së poetëve të brezit të sotshëm të Greqisë, në këtë antologji kam përzgjedhur edhe disa prej poetëve-simbol të poezisë greke, për shkak të vulës së pashlyeshme që kanë lënë në letërsinë e vendit të tyre dhe tek publiku ndërkombëtar. Emrat emblematikë të tyre i kam përfshirë me synimin që të shërbejnë si metaforë e mbajtësit të dikurshëm të një stafete, e cila sot ndodhet në të tjera duar, me tjetër frymë, tjetër përmbajtje, tjetër formë, të tjera shqetësime dhe tjetër ndikim. Sido që të jetë, poezia e Seferisit, Elitisit a Ricosit (gjerësisht por jo plotësisht të përkthyera edhe në shqip), janë, tashmë, të tejkaluara. Veç qëndrimeve të ndryshme letrare dhe artistike që kanë, ata qenë, njëfarësoj, “të përkëdhelurit” e regjimeve gjatë të cilëve jetuan (duke bërë dallimin e domosdoshëm se, mes tyre, Ricosi ishte disident dhe i dënuar me burg dhe internim gjatë periudhës diktatoriale të Greqisë).

Mirëpo, pas tyre vjen një tjetër periudhë, vijnë botimet e pavarura të shtëpive botuese të vogla apo botimet individuale, të cilat bartin orientim të pavarur në fokusin politik dhe shoqëror të poezisë. Po ashtu, sikundër brezi i viteve ’30 arriti të linte pas poezinë e deriatëhershme romantike dhe ia doli me sukses të përqafonte dhe të kultivonte poezinë moderne, edhe këta poetë të lindur a të rritur, kryesisht, pas diktaturës së kolonelëve (vitet 1967-74), janë shkëputur prej traditës moderne dhe rrezatojnë ngjyrat e tyre të përveçme pasmoderne. Temat e mëdha që trajton poezia e viteve ’70 e më herët fillojnë të shteren, dalë nga dalë, dhe duket se poezia e viteve ’80 e pas nuk ka më qëllim të shpëtojë botën a të luftojë për idealet madhështore, por thjesht të ruajë njerëzoren në marrëdhëniet e përditshme, të kultivojë, së pari, dashurinë në mikrobotën e secilit, me shpresë se gjithkush do të bartë këtë flakë dorë më dorë, jo podium më podium. Gjykova me vend të sjell në shqip këtë poezi me përmasë individuale, ku diskutohet marrëdhënia e individit me të shkuarën e afërt, me njerëzit apo sendet krejt të parëndësishme për epopetë historike apo muzetë kombëtarë, ku shtjellohet marrëdhënia me qendrat urbane që me rritjen e tyre të pafre anonimizojnë njerëzoren, ku shumica mbyt pakicën, vendosur përballë dukurisë ku pushteti i pakicës justifikon arbitraritetin me fjalën magjike demokraci. Autorët shkruajnë në gjuhë të huaj, por jo për dukuri të huaja për shqipfolësit.

Kjo tubë poetësh (duke nënkuptuar ata që ende jetojnë) banon ose ka banuar, kryesisht, në Greqi. Por ka mes tyre syresh që kanë banuar edhe jashtë kufijve administrativë të vendit, çka edhe duket, shpeshherë, përmes poezive të tyre. Dukuria e emigrimit është pjesë integrale e poezisë greke (që prej Homerit, po të duam të shkojmë aq larg). Përvojat e ndryshme njerëzore dhe ballafaqimi me kultura të tjera vetëm i kanë shtuar vlera dhe përmasë poezisë bashkëkohore greke (pa u deklamuar, domosdo, përmes tematikës së emigrimit dhe vajit për kurbetçinjtë, tipar dallues i poezisë folklorike). Duket se, veç frymës së emigrimit të grekëve jashtë Greqisë, që është trupëzuar në poezinë bashkëkohore greke, edhe emigrimi apo shpërngulja drejt Greqisë ka dhënë kontributin e vet.

Në të vetmen antologji të poezisë greke që kemi në shqip, Shqipëria vjen në poezinë greke përmes Jorgos Seferisit (meqenëse kishte qenë, dikur, pak kohë konsull në Korçë), një fragmenti poezie nga poema “Këngë heroike dhe e përzishme për nëntogerin e rënë në Shqipëri” e Odiseas Elitisit (poezi që kujton kohën kur poeti pati kryer shërbimin ushtarak në frontin italo-grek gjatë Luftës II Botërore) dhe poezia “Shqipëria – Vendi i shqiponjave” e poetes Rita Bumi-Papa (ngjizur gjatë një vizite në Shqipëri më 1980). Në këtë antologji tonën Shqipëria vjen ndryshe përmes poezisë greke. Mes poetëve të paraqitur në të, tri prej tyre, Eleni-Suela Dukshi, Kristo-Armando Gezos dhe Eno Agolli janë lindur në Shqipëri, por janë rritur e shkolluar në Greqi. Vetvetiu, dhe fjalën e tyre poetike e kanë shtruar në letër në gjuhën greke, duke zënë vend mes zërave të poezisë bashkëkohore greke, pavarësisht prejardhjes, kombësisë apo kulturës së paraardhësve të tyre. Mirëpo, nga ana tjetër, pavarësisht gjuhës greke në të cilën janë shkruar poezitë, nuk mund të mos ndjejë lexuesi i atyre poezive, qoftë i lexon në origjinal, qoftë në shqip përmes këtij vëllimi, shkrirjen e jehonave dhe kujtimeve të fëmijërisë në Shqipëri, me arkitekturën pasmoderne të një poezie që është sa greke, aq edhe botërore.

Sado që përzgjedhjen dhe përkthimin e kësaj antologjie e kreva me dëshirë dhe përkushtim, gjithmonë ka një metahistori, prapa asaj që duket, të cilën dëshiroj ta rrëfej. Në muajt e fundit të vitit 2020, z. Rudin Dakli, me të cilin, veç komunikimeve miqësore, këmbejmë edhe mendime për projektet e tij në kuadrin e Arkivit Digjital të Elbasanit dhe të projektit Dokumente për Shqipërinë dhe Shqiptarët, më shkroi thjesht dhe shkurt: “Më pëlqejnë poezitë e përkthyera nga greqishtja, që publikon, herë pas here, në Facebook. Nëse ke diçka, e botojmë ne, me ADE”. Nuk isha as gati, as i qartë se çfarë vlente të propozoja. E blova idenë me veten, pastaj zura të pyes ca miq të afërt: ç’të bëj, ç’vlen të botohet? Ndër kohëra më qenë mbledhur poezi të përkthyera nga greqishtja dhe anglishtja, të cilat mes viteve 2015-2018 i pata lexuar në disa mbrëmje poetike pagëzuar spontanisht me titullin “Antologji Informale e Poezisë”. A vlente të mblidhja ato? Nuk e riprodhoj dot besnikërisht radhën e miqve që pyeta, por kujtoj se mora ide të dobishme nga Mikaela Minga, Aida Baro, Eleana Zhako, Andi Rembeci, Edon Qesari. Që prej fillimit të veprimtarisë së shtëpisë botuese “Berk” kishim premtuar me Anna Shkrelin se do të botonim diçka së bashku. Kështu, krejt natyrshëm, disa prej këtyre bisedave i zhvillova edhe me të. Dhe po aq natyrshëm mbërritëm tek ideja që sendërtohet përmes këtij botimi: antologji e poezisë bashkëkohore greke.

Pasi u qartësua synimi, filloi pjesa tjetër e vramendjes: cilën poezi mund të mbledh në antologji, teksa poezia e re greke fillon në shek. XII dhe vijon të zhvillohet gjallërisht deri sot? Sigurisht, i kisha disa autorë të parapëlqyer në mendje dhe në përkthime të viteve të shkuar. Por asgjë nuk kishte një formë që t’i afrohej, deri diku, antologjisë. Mora t’u shkruaj, duke kërkuar leje për botimin, poeteve dhe poetëve me të cilët kam komunikuar, herë pas here, virtualisht. Ishte thelbësore ndihma bujare që më dha prej fillimit Eleni-Suela Dukshi, jo vetëm duke më sugjeruar të përfshij disa prej poetëve më në zë të ditëve të sotshme, por edhe duke kontaktuar ajo vetë me ta, për të ma thjeshtuar komunikimin. Autorët filluan të më dërgojnë tuba poezish ose librat e tyre, elektronikisht apo përmes postës tradicionale, duke më çelur vise poezie që s’i kisha njohur deri atëkohë. Njësoj më ndihmoi në komunikimin me disa autorë edhe Eleana Zhako. Tek shkruhesha me Kosas Dhespiniadhisin, i pranishëm ai vetë në këtë botim si poet, por edhe si botues i disa prej poetëve që përfshihen këtu, më përmendi dy autorë të tjerë, poezia e të cilëve më mrekulloi. Veç kënaqësisë së punës që më jep ngaherë përkthimi, kësaj here pata edhe kënaqësinë e komunikimit me njerëz mëse të gatshëm për të qenë të dobishëm. Uroj që, ashtu sikundër mua poezitë e kësaj antologjie më shërbyen për të përforcuar lidhje të vjetra dhe për të krijuar lidhje të reja, edhe lexuesi të ndërtojë përjetimet e veta dhe të ngjërojë ca vezullime të reja që vijnë prej fqinjëve tanë jugorë.

Veç kësaj parathënieje dhe vëllimit të antologjisë, që është thelbi i kësaj pune, gjatë përgatitjes, bisedave dhe rishikimeve të disahershme kuptova se disa fraza, emra, toponime, data apo ngjarje nuk mund të silleshin për lexuesin e shqipes pa disa shënime të thjeshta. Për këtë arsye, aty ku gjykuam të domosdoshme, vendosëm dhe shënime shpjeguese, të cilat ndodhen në fund të vëllimit.

Në gjithë këtë proces pune, nuk do të kisha mbërritur kurrë i vetëm, ndaj u mbetem mirënjohës gjithë atyre që kontribuuan në këtë ndërmarrje. Falënderoj thellësisht të kurdogjendurën Eleni-Suela Dukshi, falë së cilës njoha poezi dhe poetë të mrekullueshëm. Falënderoj, me radhë, poetët: Eno Agolli, Pelagjia Fitopulu, Kristo Armando Gezos, Anna Griva, Thomas Joanu, Lena Kalergji, Jazra Khaleed, Nikolaos Kucodhondis, Gjerasimos Likiardhopulos, Irini Margariti, Jorgos Moleskis, Titos Patrikios, Haris Vlavianos, Dhanai Sioziu, Kostas Dhespiniadhis, Eleni Nanopulu, Thanos Gogos, Jorgos Dhinezis, Vasilia Ikonomu, Jorgos Prevedhurakis, Stamatis Polenakis, Stathis Inxes, Tasos Porfiris.

Falënderoj Aida Baron, Mikaela Mingën, Eleana Zhakon, Andi Rembecin, Edon Qesarin për mendimet e çmuara dhe përkrahjen miqësore.

Falënderoj Anna Shkrelin që i besoi përkthimit tim pa pasur mundësi të drejtpërdrejta për të verifikuar cilësinë e kësaj pune, dhe më pas, si botuese, por edhe miqësisht, u bë oponenca pozitive e kësaj antologjie.

I gjithë ky udhëtim nuk do të kishte përfunduar pa mbështetjen e Rudin Daklit, të cilin e falënderoj thellësisht jo thjesht për kontributin e tij në shtypjen e këtij vëllimi, por edhe për gacën që shërbeu si pikënisje e kësaj ndërmarrjeje.

Sokol Çunga
qershor, 2021


 

1.

ENO AGOLLI

OXFORD COMMA

Pas një farë moshe kemi për t’u ngjatjetuar.

Gjithmonë kam dyshuar
mos më pat lindur binjak
nën një pemë Bodhi[2] në Delos[3]
dhe më kobiti që kërthi
me mantrat e nacionalizmit kallp:

Topi rrotullohet, portës i afrohet –
enc, penall, shyt, gol.

Qysh atëherë zvogëlohem.
Çdo ditë zvogëlohem edhe më
sepse, në fund,
madhësia matet dhe peshon.

S’ka njerëz të tjerë
veç nesh, pati thënë:
e besova dhe
s’besoj në dashuri, në miqësi,
e të tjera.
Sepse jam idhujtar,
krijoj idhujt e mi paganë
vetëm e vetëm që t’i shkatërroj.

Post festum, gjithmonë.

Një mbrëmje, kur nuk besonte tek bota,
më tha të bëhem i papërcaktuar.
I pakufishëm.
Që atëherë zvogëlohem.

Dhe s’e di në kam për ta mbërritur përsosmërinë
e këllëfit të jastëkut të saj në lulëzim,
të filxhanit prej procelani
me pijen e përvëluar,
të ballkonit deng me
bukavile,
apo të mbulesës së tavolinës së saj karo
të shtruar.
Por e di se dikur do të mbërrij tek ajo pikë:
te presja e Oksfordit

sepse në ka diçka që mësova të dashuroj
është dykuptimësia.

Tani po shkoj, e pavlerë,
se cigaret mbarojnë shpejt,
mjaft më mbajte në prag të shtëpisë atërore.
Po shkoj të gjej veten, binjakun tim (,)
dhe idhullin e Apolonit.

 

2.

 

PELAGJIA FITOPULU

METROPOL

ndërtesa që këndon
është një strehë e re rrëfimtare
një shtrat në stomakun tim
ku e vdekur u shtri natyra
lama e të uriturit në barkun tim
pikturon zogj me klithma minimale
kanë për ta gjykuar
ndërtesën që këndon, qytetin brenda meje

 

3.

 KRISTOS ARMANDO GEZOS

I KRYQËZUARI

Endesha rrugëve të fshatit
me kufomën e tim ati në shpinë.
Qielli kullonte urinë
ngordhësira
shpretka të kalbura
kurse unë me një gjethe maruleje rrekesha
të zija vrimat në kokën e tij
që të mos i kullonin trutë.

Kur arritëm në shtëpinë mbi mal
e pashë mbi gorricën plakë
me kyçe të fryra
në vend të gozhdëve në pëllëmbë kishte shkarpa
në vend të kurorës kapelë kashte;
kurse mjekra i puthte kraharorin, si qengj i therur
pranoi, pra, ai që jetoi me aq krenari
ta varnin në atë pozicion qesharak;
pra, prej kaq vitesh mbaja në shpinë
një kukull.

4.

 THOMAS JOANU

MË QUAJNË GJITHMONË THOMA

Më quajnë gjithmonë Thoma
Duhet të dukem
I padenjë për emrin që mbaj
E vështirë të mbash të tillë emër
Kur të tjerët besojnë
Ti duhet të kërkosh provat

Duhet të vë gishtin
Në shenjë të peronave
Jam mësuar të mat të vërtetën me plagë
Të dyshoj për dhimbjen e të tjerëve
Të dyshoj për mrekullitë
E perëndive dhe të njerëzve

I detyruar të bisedoj me plagët
Të prek të ardhmen
Në trupin e kryqëzuar të kujtesës
U dënova të ndërtoj një jetë
Për të grishur zhgjëndrra
Një jetë të përpiqem
Që plagët të mos heshtin

Jam besëmirë thellë-thellë
U afrova me përkrahësit
Pas të parave shenja të ngjyrës
Kaq shumë pata nevojë
Të besoj në Ngjallje

Por tani që edhe unë jam
Ngjitur në kryq
Dhe mbi trupin tim mësova
Ç’do të thotë jetë
Dhe sa shumë vrer kullon shpresa
Në buzët e përzhitura të ëndrrave

Nuk e di në ekziston një kohë
Kur duhet të braktis
Edhe jetën e ardhshme

 

5.

JAZRA KHALEED
REPUBLIKA E GREQISË

Jam një mysliman i qirë,
grusht, shkelm, kar.
Në atdheun tim s’kam për t’u kthyer
(nuk kam atdhe).
Jam kërcënim për higjienën publike,
jam infeksion,
asnjë race të qytetëruar s’i përkas.
Ç’e prish imazhin e vendit tuaj,
dhëmbët apo gjuha ime?
Në gjoksin tim, mbushur emigrantë,
ngulen anijet e kalbura,
në shpinën time fillojnë luftëra civile,
mercenarët kërcejnë nga brinjët e mia.
Mjekë të shoqëruar nga hafije
Shpallin faunën time mikrobiologjike,
regjistrojnë çdo sekrecion timin;
teksa unë rizbuloj sifilizin
ata garantojnë sigurinë.
Komisionet e banorëve përgatisin pogrom,
mëditjet ulen,
punëmarrësit blejnë;
shumica e heshtur ndërron stacionin.
Qytetarët e mirë dhe të bindur ndaj ligjit
e hanë frikën me lugë,
dalin në manifestime që të mbështesin shtetin,
kërkojnë mbylljen e kufijve;
imperializmi i mikroborgjezëve.
Jam një mysliman i qirë,
grusht, shkelm, kar.
Në këtë vend
dhunojnë emigrantët,
djegin motrat,
satëri i republikës helenike
copëton, copëton, copëton.
Nën presën e tmerrshme
të shpatës
keni për të jetuar
një mijë vjet
të kulluar

 

6.

NIKOLAOS KUCODHONDIS

KAFENEJA SPITFAJËR

Lavatriçet vrapojnë në rrugicat e Leukosisë
shpëlajnë kanotierat e ushtarëve
dhe të brendshmet plot lëngje onirike.
Kuadrot falimentojnë me krizën
qytetarët falimentojnë si kuadrot
komunistët e kanë fajin për të gjitha
teksa njeriu përkrah mbante erë djerse dhe fryme
marrë hua nga një grua në bordello
limuzinat rendnin në bulevardin Griva
natën përpara parakalimeve të shkollave
ku adoleshentët mbanin në duar meandre.

I binte detyrë dezhurnit të dhomës
që ushtarët t’i mbulonte kur
në ëndrra luftonin me çarçafët.
Ruante kasafortën e armëve numëronte
dhe hekuri kishte një shije
si e çara e gishtit që kemi futur në gojë.
Pajimet qenë grisur dhe çelësat
tingëllonin në lojën garipçe.
Ishte vetëm, sigurisht.

Në kodrën e Maqedonitisës[4] ishin rreshtuar
thellë bimsave të kujtesës
hallavitesha përpara fotografive të të vdekurve.
Ishin të rinj me pantallona xhinsi
dhe më buzëqeshnin nën cullufe
teksa më tutje dukej goja e Kisingerit
aeroport i vjetër me xhama të thyer.

Kishim pasditen e leje-daljes
për te seri e hamtoreve, te kafenetë me brandy
imamët këndonin dhe në internet kafetë
gjatë pushimit bënin skajp shërbëtorët aziatikë.

Por mes gjithë gërmadhave që u bënë vijë kufitare
me dritaret dhëmbëdala
plot çimento dhe ndryshk
shqova kafenenë “Spitfajër”[5].
Popullohej nga insektet dhe gëzhojat e rëna
të denja për emrin e vet!

Në fund të shërbimit tim në Qipro
s’kam gjë për të kujtuar
asgjë veç një muri në fjetore
ku kishin shurruar shokët
dhe në banja
spermën e trashë derdhur përdhe.

 

7.

DHANAI SIOZIU

BURRI MË I BUKUR MBI DHE

Sikur gjyshi të mos ishte burri më i bukur mbi dhe
ndoshta s’do ta kisha dashuruar me shikim të parë
dhe po të mos e kisha dashuruar ndoshta e keqja s’do të ishte bërë.
Po të mos besonte se kam vështrimin e tij
sikundër me krenari e pat shpallur ditën e lindjes sime
dhe mund të mos kisha trashëguar vështrimin dhe zemrën e tij të fortë
shijen e tij për kapelat dhe gratë
dhe ai të mos e kishte shtyrë për pesë vjet vdekjen e tij
po të isha djalë ndoshta do të më vinte të zgjidhja ushtrime matematikore dhe unë
në vend që të më mësonte sjelljet e fisme, kacavarjen, pse e dashurojmë pianon
dhe po të dinte se kuptoja
nuk do të m’i kishte thënë kurrë ato histori të shkurtra
që besonte se do t’i harroja
sikur gjyshi të mos ishte ai burrë trim dhe i bukur
me këmbët e forta, që ndreq botën, tek kacavaret
lart e poshtë mbi dhe, deri në frymën e fundit
ndoshta do të kishte mustaqe hijerëndë
ndoshta do të ishte martuar dy herë, do të kishte bërë edhe fëmijë të tjerë
do ta kishim humbur fare numërimin
sikur të kishte zemër të ashpër dhe duar të buta, pra, të kundërtën
ndoshta nuk do të më linte të kërceja në shtratin e tij
t’i ledhatoja barkun
ndoshta s’do të kishte frikë nga operacioni
dhe ne do të rronim mirë
sikur gjyshi të mos ishte një nga ata
që kaluan kufijtë
varret tona gjetiu do të qenë gërmadhë
po të mos vallëzonte dhe po të mos bënte krem pastiçerie për ëmbëlsirë
po të kursente të hollat për luna-park apo biçikletë
nuk do të kishte qenë dashuria ime e parëdhe vdekja ime e parë
s’do të kishte qenë burri më i bukur mbi dhe
do të kisha një shpresë tani.

 

8.

 HARIS VLAVIANOS

OFICERI QË VRAU ARKIMEDIN

       Sipas stilit së Holub-it
       Për Mihal Oratin

Me një lëvizje të rrufeshme
e zhyti shpatën në zemër të rrethit
dhe me të dytën e ndau trekëndëshin në mes.

Tashmë pensionist,
jeton në periferi të Sirakuzës,
ku drejton një Shkollë të re Filozofike,
parimi themelor i së cilës është
se nga numri tre e sipër
nuk ekziston asnjë numër tjetër.

Çdo mëngjes,
qoftë shi a borë,
nxjerr nxënësit në kopsht
dhe i urdhëron të vrapojnë qark ndërtesës
duke thirrur fort: “një-dy, një-dy”.

 

9.

ELENI (SUELA) DUKSHI

QYTETI

Qyteti vlon përbrenda brenda një reaktori
frymëmarrjet e shkurtra
trokthet e egra
korrespondenca boshe
dashuria që çjerr fytin me sonata shurdhuese.

Topi i diellit merr shenjë bërthamën
copë e çikë u bë ëndrra
fije-fije mishi
mushkëritë e saj një oazë zhytur
në llumin e aligatorit reklamues gojëtar.

Qyteti im i kthen edhe faqen tjetër
nën fuqinë e vet të kërrusur.

Përmbysjet e fundit që hëngri
gjithë ndryshojnë duar e ferman
s’i mbeti faqe bojërozë ku të mbështetesh
cipa iu bë çarçaf i grisur
me çimkat dhe gjithçka përmban
tek valëvitet mbi telat e korrentit
nga ku ngazëllehen sternat e qiellit.

I madh mëkati i tij
si dhe brinjët e kafshuara
nën buzëqeshjen e fajdexhinjve
gjithë shëtit invalidët e vet
dhe me dhjetëshet e zjarrta të vdekurit bën pazar.

Qyteti im vlon përbrenda nëpër gjirize
copëton me një sëpatë
klithmat e detyrës kolektive
bishë e çalë nëpër shi
si anemona kërkon plasë të nxjerrë krye
beton arme muri dhe sinjal i tërbuar
shpon si peronë zemrën e saj rini’ e përvëluar.

 

10.

JORGOS PREVEDHURAKIS

KAÇAKÇE

(fragment)

IV.

O Hir Hyjnor – e kam të vështirë të të përfytyroj –
me fustan të gjatë dhe pankreatit
dhe një kapelë kashte kulmharkuar
duke gulçuar në të përpjetat e Pireut
ndanë Qendrës së Vjetër të Torturave
në korridorin e p a f u n d
në sallë
ku mblidhen të dëshpëruarit duke planifikuar
kompromisin e radhës,

– fytyra jote e gështenjtë, e trishtuar
lotët e detyrimit bashkëshortor
(ç’normalizime të pangushëlluara, vajtime të mbytura,
kontrata huamarrjeje dhe angari mëngjesore – mes rrobave të bardha të mëhallës –
zmbrapsje e pafundme – nënshtrim – marrëveshje paqeje – në këmbët e ndonjë profeti Elia)
atëherë kur qëndroja në banjë lakuriq
kurse ti pudrosje mavijosjet në gjunjët e mi –
vallë ç’mendoje atëherë – fshehtas – tek shikoje si burrërohesha dalëngadalë –
e unë një hibrid i heshtjes familjare në platformën e flatrave të tua të padukshme
gati për t’u vithisur – Muzeu i Kastelës –
Hir Hyjnor
Patakos[6] jeton – Patakosi zgjohet më pesë pa një çerek ndaj të gdhirë – për not dhe shtriqje – sot do të flasë në Hotel Kalipso – në Anavisos[7] – shoqata e ushtarakëve në lirim ka përgatitje – tani po lustrojnë brirët e drerëve të balsamosur –
po ndriçojnë sallën e ceremonive martesore dhe nxjerrin nga papafingot porcelanet e vjetra – me
stemën e mollës dykrenore të ngurtësuar – dhe të cjapit të përjetshëm të betuar – në mbrëmje do të mblidhen falluse fushore – ish shpresat
mesfushorët e ekipit vendor – tellallë të gunëpunuesit “Andama” –
do të ngrenë krenarisht shpresat kaltëroshe të kombit – duke kënduar
Three blid mice dhe London Bridge a ndonjë tjetër
ninullë fëmijnore të ndihmave të pasluftës civile –
vetëm se ti s’ke për t’u bërë kurrë plakë
as ke për ta parë këtë qytet t’i merren këmbët
i rraskapitur dhe kërrusur – zhytur në mitologjinë e vet të oksiduar –
një Jerusalem wannabe që shitet si punëmadhi
mes veremlinjve dhe të gjymtuarve
duke shpërndarë vaj merluci në katekizma
kore nafore bajatenë mensat bujare të bashkisë
një pjatë thjerrëza – një pjatë thjerrëzash të dhjera –
për njëfarë bukurie – që dështoi – edhe në shekullin tonë –
t h a m ë
s’e kam të lehtë të të përfytyroj – dikush harroi hapur një telefon në mendjen time
– mbrëmjeve bie me dridhje dhe s’më lë të fle –
Ndërkaq ende të shoh tek qëndron, – fantazmë e Ermupolit –
tek porta me kangjella e lamtumirave stolisur me dorëzonjë
kishe veshur në mish dashurinë e padhënë
dhe diçka që në kushte të tjera ndoshta ishte fustan mëndafshi –
duke u çapitur nën qiellin e përhimët,
duke recituar përmendsh adion:
adio – një labirint ku përbirohen fijet lëmsh
adio – një Minotaur ambivalent
dhe dobia e vetme e të prekurit: të fërkojmë gjithë ditën
në një skaf të paraluftës
Gjithësinë
Hir Hyjnor
ç’dreq kockash mban errësira?
si është atje? ka shushurimë?
këtu – siç na ke lënë –
kemi veshur antiplumb – bukur mirë –
por jeta merr shenjë kokën
prapa numrave
te cigaret e shtëpisë – te pijet e mbytura
tek ekstrat dhe frymëmarrjet e pensionit të stërgjyshërve
te sherret tona mbrëmësore me një flamur të bardhë teksa i hedhim peshqirin
këtij fundi të çdo përdëllimi
askush s’u çlirua nga lineariteti i dashurisë
askush s’u çlirua nga ciklika e heshtjes
të pambrojtur – të gjallët e së ardhmes dhe të vdekurit –
të pambrojtur – nga urrejtja e “qytetarit të mesëm” –
kudo dhe kurdo të papërgatitur për kohën e thatësirës
në fillim të këtij përdëllimi të ri:
bukë mërzi foshnjecid
nuk gjen azil parulla e tyre e humbur
nuk është këtu———————————-Politeknik[8]

Patakosi jeton dhe Dhespiniadhi do të shtypë Kaçakçe në 500 kopje
– më të vrarën ke mbajtur –
Jorgoja dhe Fei pa rrogë bëjnë akrobacira në Ano Ilisia
Gjyshja vështron stoikisht shthurjet tona
tani nuk rri më të rendisë të vdekurit e saj,

herën e fundit të takova në klinikën private
mes krekosjes së vizitave mjekësore
mes vulgaritetit të sponsorëve me broshura,
vajzë e zbehtë – pa ndjenja – në dhomën me oksigjen,
pëllumbat gugatin – banalitete të padurueshme – në gallustër
dhe nga kafka jote bojëhiri shkëlqenin venat e të mundurve,

koha kalon, por lufta mes njerëzve nuk duket se ka fund
o Hir Hyjnor

 


[1] Antologji e poezisë greke, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1986 (zgjedhur e përgatitur nga Piro Misha, me parathënie nga Ismail Kadare).

[2] Ficus religiosa, pemë e madhe dhe fort e lashtë nën të cilën predikoi Siddhartha Gautama dhe u bë i njohur si Buddha.

[3] Ishull në Arkipelagun e Cikladeve në Mesdhe, vendlindja e Apollonit.

[4] Kodra e Maqedonitisës, në Leukozi të Qipros greke e ka marrë emrin nga manastiri me të njëjtin emër që ndodhet në të. Pas përpjekjeve turko-qipriote, ushtarët qipriotë dhe grekë të rënë mes viteve 1967-1974 janë varrosur në një pjesë të kodrës. Më 22 korrik 1974, gjatë një operacioni sekret për transportimin e ushtarëve komando nga Greqia në Qipro, një prej aeroplanëve transportues u qëllua nga kundërajrorët e ushtarëve qipriotë-grekë, të cilët nuk ishin njoftuar për operacionit. 28 ushtarë humbën jetën nga përplasja, por edhe dhjetëra të tjerë u plagosën apo u vranë nga zjarri i forcave aleate. Ende nuk janë qartësuar rrethanat dhe shkaqet e kasaphanës që mund të ishte shmangur.

[5] Bar-kafe Spitfajër (Spitfire Cafe), ndërtesë emblematike në Nikozi e cila u la të rrënohej nga koha pas pushtimit të Qipros nga Turqia më 1974, pasi bar-kafeja u ndodh në vijën kufitare të zonës asnjanëse të kontrolluar nga forcat e Kombeve të Bashkuara.

[6] Stilianos Patakos (1912-2016), nëngjeneral i forcave ushtarake të Greqisë (i shkarkuar), një nga ideologët e grushtit të shtetit të vitit 1967. Gjatë periudhës së juntës ushtarake shërbeu si ministër i punëve të brendshme dhe zëvendës-kryeministër i parë i qeverisë.

[7] Hotel dhe zonë turistike në Gadishullin e Atikës, pranë Athinës.

[8] Universiteti Politeknik i Athinës ishte vatra e rezistencës kundër juntës ushtarake në Greqi (1967-1974).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin