Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

MIQËSI ME KLARËN

“Gjërat e mëdha vijnë nga gjëra të vogla të bëra me dashuri dhe pasion”

nga Flori Kasaj

… Profesoreshë Klara Kodra ka zë të ëmbël dhe të veçantë. Tingulli i atij zëri jehon magjishëm, në kubenë e mendjes, duke të tërhequr në botën e saj, e duke ta rrëmbyer të gjithë vëmendjen.

Në komunikim vjen butë, e më pas me çiltërsi, pa drojë e me pozitivitet arrin të të bëjë për vete, me thjeshtësinë e saj dhe me fjalët lakonike që përdor.

Ashtu e paqtë dhe me entuziazëm e fillon bisedën gjithmonë.

Në bisedë objekt komunikimi janë gjithmonë librat dhe letrat, personazhe të saj të dashur, edhe të mitë, gjithashtu.

Fjalët i qëmton me kujdes nga lulnaja e pasur e fjalorit të saj dhe i sjell ëmbël në tavolinë, ashtu, porsi bleta që qëmton polenin e luleve shumëngjyrëshe.

Të tërheq në komunikim me thellësinë e mendimeve, e të rrëmben vëmendjen ashtu, sikur forca e gravitetit që vepron mbi çdo trup.

Njohjen e parë me profesoreshë Klara Kodrën e kam pasur nëpërmjet veprave të saj, në gjimnaz, ku në listën e leximit të librave jashtëshkollor gjendej edhe libri i saj, novela, “Erdhi dita e Arbrit”. Ky libër ishte kontakti im i parë me të, e më pas, me libra të tjerë për fëmijë të përkthyera nga italishtja apo dhe libra të krijuar nga vetë ajo, edhe në dy gjuhë, shqip-italisht për fëmijë. Kam pasur fatin dhe rastin t’i shfletoj edhe veprat e tjera letrare të saj, si: poezi, vjersha, tregime, monografi, të sjella me seriozitet dhe përkushtim në letrat shqipe për lexuesit, si pasuri e patjetërsueshme.

Prof. Dr. Klara Kodra, poete, studiuese dhe përkthyese, ka lindur më 22 tetor të vitit 1945 në Tiranë. 20 vite më vonë ka përfunduar studimet e larta për Gjuhë-Letërsi. Menjëherë pas studimeve ka nisur të punojë në Institutin e Histori-Gjuhësisë (sot Gjuhësi-Letërsi, Instituti i Studimeve Albanologjike) në fushën e historisë së letërsisë të arbëreshëve të Italisë, të cilën e lëvron edhe sot.

Numërohen mbi 10 monografi shkencore dhe studime që profesoreshë Klara Kodra ka sjellë në editorinë shqiptare, duke bashkëpunuar me shtëpi të ndryshme botuese; ndër to dua të veçoj njërin prej monografive shkencore dhe studimin me titull, ‘‘Pinoku, Liza në Botën e Çudirave dhe Piter Pani si shprehje e figurës së fëmijës në letërsinë botërore, studim’’.

Në gjithë krijimtarinë poetike e studimore të saj, është e rëndësishme të theksohet se ka dhënë kontribute me vlerë e potencial të jashtëzakonshëm në zhanrin e librave për fëmijë, të tilla si: përkthimin nga italishtja e romanit për fëmijë ‘‘Ditari i Xhuljetës’’ i autores Gianna Anguissola; vëllimet për fëmijë ‘‘Tregimet e maçokut laraman’’; përralla në dy gjuhë (shqip/italisht) si: ‘‘Kush është më i miri?”, ‘‘Ku janë Zanat?’’; ‘‘Epopeja e maceve’’ me poezi për fëmijë, novelën e saj ‘‘Do ta kem vajzën time’’, që i kushtohet marrëdhënies midis brezave; e shumë tituj të tjerë… Libri i parë i botuar për fëmijë mban titullin ‘‘S’janë lule bore’’, vjersha të shkruara gjatë viteve të diktaturës, në vitin 1977, të cilat u refuzuan disa herë për botim për arsye ideologjike, për 10 vite, të cilat u botuan 10 vite më pas, në vitin 1987.

Që prej më shumë se 1 viti, kam marrëdhënie të ngushtë miqësore me të. Takimi i parë me të ishte rastësor në një bar kafe, afër shtëpisë ku ajo jeton, në lagjen e 21 Dhjetorit, në Tiranë. Që prej atij takimi, edhe sot, vazhdojmë traditën e takimeve miqësore, të ngrohta, duke konsumuar përherë ajo çaj të ngrohtë dhe unë kafe; gjithmonë mes diskutimeve mbi letrat shqipe dhe debateve të vogla konstruktive sa u përket botimeve në Shqipëri dhe lexuesve shqiptarë.

Nga takimet me të, ku diskutojmë tematika të shumëllojshme nxjerr gjithmonë mësime të vlefshme, të cilat i transmetoj në jetën e përditshme me njerëzit me të cilët jam në kontakt.

E shoh shpesh të revoltuar, dhe tepër kritikuese kur hapet diskutimi për botimet e librave për fëmijë nga autorë të rinj shqiptarë. Përmend faktin se autorët e vjetër, nuk po trashëgohen nga autorë të rinj shqiptarë dhe se librat për fëmijë, po zëvendësohen këto kohë me librat e përkthyera të autorëve të huaj. Kjo gjë nuk i pëlqen, dhe shpesh në çdo diskutim përmend arsyet se pse nuk kemi më autorë të rinj shqiptarë.

Gjithmonë, në çdo takim kërkon të rrënjosë në mendjen time dëshirën e madhe për librat dhe kryesisht për librat për fëmijë. Shpesh në diskutime më është shprehur se unë mundem që ta ‘‘zëvendësoj’’ atë, e bindur duke vlerësuar dëshirën time për librat në tërësi, dhe leximin tim sistematik të librave.

Më ndodh të reflektoj shpesh pas diskutimeve të tilla. I nxitur nga revolta e saj për mungesën e autorëve të rinj, kam menduar ta përfshij veten në këtë botë të bukur, në botën e librave për fëmijë. Ashtu sikurse dhe profesoreshë Klara më inkurajon gjithmonë se gjërat e mëdha vijnë nga gjëra të vogla të bëra me dashuri dhe pasion, mora guximin të shkruaj.

Si fillim, fillova të shkruaj një prozë të shkurtër për fëmijë të vegjël, me personazhe kryesorë dy kafshët simpatike siç janë ketrat, të cilën me mendimin e parë mendova ta pagëzoja me emrin ‘‘Andrushi’’. Këtë shkrim ia lexova në takimin e radhës profesoreshë Klarës, e cila e lumtur e vlerësoi shumë duke më inkurajuar dhe uruar me fjalë më të mira. Buzëqeshja dhe lumturia e saj, më lumturoi edhe mua. Menjëherë më kërkoi që të bënte parathënien e librit, duke nxjerr në pah vlerësimet e saj. Insiston që unë ta botoj dhe ta ftoj në promovimin e librit tim të parë. Profesoreshë Klara Kodra, në një farë mënyre, tashmë është guruja përthithëse dhe vizionare e kulturës sime për botën universale të librave. Ndihem i lumtur dhe i vlerësuar që në shoqërinë time bëjnë pjesë miqtë si ajo. E vlerësoj shumë për njohjen e madhe enciklopedike që ka për letërsinë arbëreshe, për të cilën meriton padyshim një vlerësim të veçantë. Krijimet e saj dhe kontributi i saj në letrat shqipe janë vlera të paçmueshme dhe të patjetërsueshme për bibliotekën e librave tonë kombëtarë.

(c) Flori Kasaj, 2021.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin