Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Kinema / Totalitarizëm

SI DO TË JETOJMË NE BASHKË?

Shqipëria në Biennale 2021*. Një analizë.

nga Lindita Komani

Paraqitja e Shqipërisë në Biennale 2021 të Arkitekturës në Venecia u prit me kritika të forta në rrethet e profesionistëve, intelektualëve dhe artistëve shqiptarë. Mes të tjerash u hartua dhe u dërgua edhe një letër në adresë të drejtuesve të Biennale-s, për të cilën pati reagim të menjëhershëm. Letra do të bëhet publike dhe nuk bëhet temë në këtë shkrim, i cili synon të japë një analizë kritike më të gjerë mbi këtë paraqitje shqiptare.

Si drejtuese e një qendre coworking për disa vjet dhe studiuese mes të tjerash e trendeve të coliving për nevoja të kompanisë ku kam punuar më herët dhe jo vetëm, fokusi në këtë shikim nuk është i lidhur me aspektin arkitektonik që mbulohet në këtë projekt, por me problematikat që janë të lidhura me mangësitë në përqasje dhe hulumtim për të vërtetën e sotme shoqërore dhe trashëgiminë e hidhur të diktatit komunist-socialist mbi shoqërinë.

Cilat janë temat e shtruara në Biennale?

Në broshurën orientuese të Biennale-s, që në hyrje të saj, kuratori Hashim Sarkis parashtron temat e Biennale-s përmbledhur shumë qartë që në pyetjen që qëndron në bazë të saj:

Si do të jetojmë ne bashkë?

Sarkis shprehet se:

Si – qëndron për: “përqasje praktike dhe zgjidhje konkrete, që nxjerrin në pah primatin e zgjidhjes së problemeve në të menduarin arkitektonik”.

Do të – qëndron për: “te shikosh drejt së ardhmes por gjithashtu të kërkosh vizion dhe vendosmëri, duke shfrytëzuar fuqinë e imagjinatës së arkitekturës”.

Jetojmë – qëndron për: “jo vetëm të ekzistosh por të rritesh, të lulëzosh, të banosh dhe të shprehësh jetën duke prekur optimizmin që arkitektura bart në vetvete”.

Ne – qëndron për: “veta e parë shumës dhe për këtë arsye gjithëpërfshirëse për njerëz të tjerë, specie të tjera, duke apeluar për një kuptim më empatik të arkitekturës.

Bashkë – qëndron për: “kolektivat, commons, vlerat universale, duke nxjerrë në pah arkitekturën si një formë kolektive dhe një formë shprehjeje kolektive.

? – qëndron për: “një pyetje e hapur, jo retorike, që kërkon (shumë) përgjigje, për të ngritur lart pluralitetin e vlerave në dhe përmes arkitekturës”.

 

Si u është përqasur këtyre temave Shqipëria në Biennale?

Shqipëria ka zgjedhur të paraqitet me një projekt i cili përmban në vetvete një miks përqasjesh:

  • Shoqërore: duke u ndalur në vlerën që kishte socializimi mes fqinjëve në kohën e diktaturës komuniste.
  • Artistike: në funksion të ilustrimit të së parës, merren si bazë filma të Kinostudios “Shqipëria Sot”, trashëgimi artistike nga koha e diktaturës.
  • Arkitektonike: si pasojë e bazës së krijuar jepen zgjidhjet arkitektonike për problemin e konstatuar në nivel global duke iu referuar modelit të banesave në shtëpitë në kohën e diktaturës.
  • Konceptuale-artistike: një pavijon minimalist i cili përmban: paraqitje 2D të ambienteve të banesave dhe pallateve të kohës së diktaturës, fragmente të përzgjedhur nga tre filma “Në shtëpinë tonë”, “Edhe kështu, edhe ashtu”, “Taulanti kërkon një motër” si dhe një libër shoqërues. Filmi i parë është edhe më i rëndësishmi në kontekstin e Biennale-s, sepse i jep edhe titullin paraqitjes sonë aty.

Në këtë shkrim do të merremi veçanërisht me dy përqasjet e para, por shënimet tona do të përmbajnë edhe vlerësime për dy pikat e tjera.

Vlen të theksohet se është pozitive që Ministria e Kulturës e ka kuptuar modelin e fqinjësisë së mirë dhe kujdesin për tjetrin si modele shqiptare që vlejnë të promovohen në nivel global në kontekstin e një teme kaq të rëndësishme si kjo që ka të bëjë me bashkëjetesën dhe rimendimin e saj sidomos në kushtet e pandemisë dhe pas-pandemisë.

Vlen të theksohet gjithashtu se kuptohet që është bërë një punë jo e vogël për të mbërritur në finalizimin e këtij projekti që ka përfshirë 12 autorë që në librin shoqërues të projektit vijnë me kërkimet dhe mendimet e tyre dhe një staf jo të vogël ndihmës. Por nga ana tjetër vihet re që aty mungon prania e arkitektëve në zë të Shqipërisë, të cilët përsiatjeve shoqërore dhe nga trashëgimia e së shkuarës shqiptare t’u jepnin vizionin për të ardhmen që adreson gjendjen aktuale të kërkimit në fushën e coliving, sidomos nga pikëpamja arkitektonike, por edhe nga ajo shoqërore-ekonomike.

Gjithashtu vlen të vlerësohet libri shoqërues, i cili ndihmon që pavijoni të kuptohet shumë më mirë sesa vetëm me pamjen e parë dhe e bën Shqipërinë interesante në aspektin e bashkëjetesës, ndonëse ajo bashkëjetesë që paraqitet aty është më shumë një idealizim dhe trajtim idilik i diktaturës më të egër komuniste-socialiste që ka parë Europa.

Një studim më i plotë mund të merrej në detaje dhe në mënyrë të gjithanshme me këtë paraqitje shqiptare në Biennale, sepse kjo është ndoshta paraqitja e parë ndërkombëtare në kohën e paskomunizmit, nëpërmjet së cilës qeveria e Shqipërisë promovon vlerat e shoqërisë komuniste-socialiste si për t’u marrë shembull në nivel ndërkombëtar, duke i filtruar ato në mënyrë të pjesshme, duke mos i kontekstualizuar si duhet, duke mos i lidhur me një vizion për të tashmen dhe ardhmen dhe duke i shpëlarë ato. Kjo paraqitje, e cila edhe në nivel të brendshëm asnjëherë nuk është trajtuar sa duhet, sepse tema ka sjellë vazhdimisht debat por asnjëherë qëndrim përfundimtar, është bërë pikërisht pa një debat të brendshëm, por thjesht me imponim me vullnetin e Ministrisë.

Disa nga aspektet më shqetësuese të paraqitjes së Shqipërisë në Biennale 2021

Disa nga aspektet që në këndvështrimin tonë janë më shqetësueset paraqiten në vijim. Në mbyllje shoqërohen me një shtojcë e cila është përgatitur me këtë rast dhe paraqet fragmente nga filmi “Në shtëpinë tonë”, transkriptuar dhe shoqëruar me shkrimin e gjestikës dhe mimikës së aktorëve:

1. Referenca dhe bazimi tek komunizmi-socializmi dhe filmat e pashënuar qartaz si bartës të ideologjisë shtetërore për të formësuar njeriun e ri dhe jo tek realiteti historik se ku bazohej fqinjësia e mirë dhe mirëkuptimi mes njerëzve, tek tradita më e vjetër shqiptare, e cila është e fiksuar në shprehjen emblematike: Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.

Kjo traditë shprehet pikësëpari në idenë e dhomës së ndejtjes/pritjes që ishte e menduar pikërisht për të pritur miqtë, qofshin këta miq të familjes apo fqinjët.

Duhet thënë megjithatë që përpjekje për të adresuar këtë përqasje të gabuar dhe të mangët kanë bërë autorë të veçantë brenda këtij projekti, të cilët janë thelluar në shkrimet e tyre duke iu referuar traditave më të hershme se ato të komunizmit.

2. Cili është vizioni për të ardhmen që sugjeron pavijoni shqiptar në kuadrin e kësaj Biennale-je që fokusohet tek ideja e të bashkëjetuarit? Dhoma e pritjes si vend për takimin me fqinjët? Ambientet e përbashkëta të lojës për fëmijët? Dhe shkalla si vendi ku bëheshin bisedat mes fqinjëve?

Është e paqartë se cila është zgjidhja dhe cili është vizioni sepse prezantimi është referencial për të shkuarën, por nuk merret me të tashmen dhe me të ardhmen. Ai nuk jep propozime konkrete që shkrijnë modele pozitive të marra nga e shkuara për t’i integruar në një vizion për të ardhmen.

Ideja e Odës si e tillë, që është pararendëse e Dhomës së Pritjes së kohës të komunizmit-socializmit, mund të paraqitej në formë më të theksuar dhe të thelluar dhe të kishte një projeksion vizionar që i paraqitej publikut ndërkombëtar, në një mënyrë autentike. Oda nuk ishte imponim shtetëror, por një traditë shumëshekullore shqiptare, e lindur, e rritur, e ruajtur dhe e mbijetuar ndër shqiptarët. Rimëkëmbja e odave në shtëpitë tradicionale, për të tërhequr me sukses turistët, mund të ishte një shembull që të sillej nga ditët e sotme. Të huajt e shijojnë mikpritjen shqiptare sepse u mungon pikërisht ai lloj mjedisi dhe atmosfere që krijohet në odën tonë.

Ideja e fqinjësisë dhe bashkëveprimit me fqinjët nuk lindi me komunizmin/socializmin por me strukturat sociale më të hershme që janë të ngjashme në zonën e botës ku jetojmë – Mesdhe, ku kushtet klimaterike nxisin edhe të qëndruarin më shumë jashtë, të qenët bashkë, të pranuarin dhe kërkuarin e bashkëveprimit të mirë me fqinjin, dikur kryesisht në zonat e banimit.

Dhoma e pritjes e modelit komunist-socialist nuk është më aktuale. Ajo funksiononte brenda një konteksti ku takimet në lokale ishin të pamundura për arsye shtrëngese financiare, për arsye përgjimi, për arsye paragjykimi nga lagjja, kolektivi i punës, partia-shteti. Sot ajo është zhvendosur në lokal, ku bëhen madje edhe pritjet për ngushëllim, siç ka ndodhur sidomos në kohën e pandemisë, që është përdorur si metoda e vetme për familjet për t’u takuar me të afërmit e miqtë që donin të vinin për ngushëllim.

Bazuar në modelin e Odës shqiptare, pyetja që mund të shtronte paraqitja shqiptare, njëkohësisht ofertë për botën, do të ishte: si të aktualizohet dhe futurizohet Oda nga ana arkitektonike dhe përmbajtësore dhe të jetë një model bashkëveprimi dhe bashkëjetese jo vetëm për shqiptarët?

3. Në vetvete tema e COVID-19 është ajo që duket se ka frymëzuar Biennale-n, por sigurisht edhe trendet ndërkombëtare për coworking dhe coliving, që duan të zgjidhin njëkohësisht edhe probleme të rëndësishme sociale si ato që kanë të bëjnë me braktisjen dhe vetminë e të moshuarve në jetë individuale si dhe me rrezikun e vdekjes pa pasur njeri pranë. Këto tema që kanë të bëjnë me të moshuarit, deri më sot, në dijeninë tonë janë adresuar vetëm nga Britania e Madhe që ka krijuar Ministrinë për Vetminë për të konceptuar dhe zbatuar zgjidhje për to.

Pavarësisht se modeli i vendosjes së të moshuarve në azil ka hyrë e po ndiqet edhe në Shqipëri, sidomos në rastet kur fëmijët janë emigrantë dhe prindërit janë vetëm në shtëpi, modeli i bashkëjetesës me të moshuarit në të njëjtën ndërtesë, në një ndërtesë pranë, ose qoftë edhe në të njëjtën shtëpi në mungesë të kushteve financiare për të pasur një shtëpi tjetër ku të sistemosh prindërit apo sistemohesh vetë, është ai që mbizotëron. Nëse në perëndim janë fëmijët që po kthehen tek prindërit që kanë shtëpi e pension për shkak të mosgjetjes/mospasjes së një vendi pune që t’i mundësojë të jetojnë më vete, modeli i pranimit të prindërve nga fëmijët e tyre përgjithësisht mungon dhe ky është ai që mund të jepet.

Gjithashtu kjo lloj përqasjeje për bashkëjetesë apo bashkëveprim me të moshuarit, mund të përcillej edhe në raport me të moshuarit që ndodhen në të njëjtën ndërtesë, pra fqinjët e moshuar të cilët mund të mos ketë fëmijë që t’u vijnë në ndihmë. Si u është ardhur atyre në ndihmë gjatë pandemisë? Raste ka pasur shumë dhe gjithsecili njeh të tillë. Intervista mund të ishin realizuar me njerëz që vullnetarisht kanë ndihmuar fqinjët në nevojë e në veçanti të moshuarit mes tyre.

4. Referenca nga filmat nuk është e shoqëruar me cilësimin që filmat indoktrinonin që nga fëmijët e deri tek të moshuarit me konceptin e njeriut të ri, të përsosur me metodën socialiste-komuniste. Sidomos referenca për filmin “Në shtëpinë tonë” është më e rënda. Argumentet do t’i shtjellojmë në vijim.

Skenari i filmit “Në shtëpinë tonë” është në vetvete një kritikë për:

  • edukatën që jepej në shkollë me modelin e mësueses së re që kupton pasojat e sjelljes së saj ndaj një femije të cilin e gjykon menjëherë, pa u përpjekur fare ta kuptojë;
  • edukatën që jepej shtëpi dhe pasojën direkte mbi psikologjinë e fëmijës dhe të njeriut të ri në moshë, duke filluar me frikën, ankthin që çonte te gënjeshtra dhe veprimet e fshehta, tjetërsimin e karakterit që para se ai të formohej mirë;
  • fqinjësinë si e tillë, ku fqinjët nga njëra anë vërtet të ndihmonin për të ndarë e qarë hallin, por nga ana tjetër të kishin në vëzhgim të vazhdueshëm, për të ndërhyrë në punët e brendshme të shtëpisë dhe si dhënës të një etaloni të rremë morali dhe të modeleve të tmerrshme të abuzimit dhe rrahjes së fëmijëve, duke pasur madje edhe ndërhyrje direkte: një fqinj ngren për veshi në shkallë personazhin kryesor fëmijë të filmit dhe i jep edhe një shpullë (qoftë edhe vetëm për shaka) në të pasme.

Kush nuk kupton kritikën ndaj shoqërisë në këtë film, mbetet që do të bëjë referencë tek ai vetëm në mënyrë të gabuar.

Të mos neglizhojmë që në film nuk mungon edhe një referencë për Italinë si vend ku rrëmbehen fëmijët, krahasuar me Shqipërinë komuniste-socialiste ku një e tillë nuk vinte në fjalë. Të mos harrojmë me këtë rast që Biennale zhvillohet pikërisht në Itali.

Në vijim të këtij shkrimi do të sillen fragmente të shumta nga filmi që shprehin qartë problematikën e tij. Nëse këto fragmente do të përktheheshin në italisht dhe anglisht, atëherë besoj se vizitorët e pavijonit që nuk janë shqiptarë nuk është çudi që do të llahtariseshin për modelin e fqinjësisë që promovon kulturën e abuzimit me fëmijët dhe ndërhyrjes në jetët e njëri-tjetrit.

Një aspekt tjetër që filmi sigurisht nuk e shihte dot në mënyrë kritike, sepse ishte modeli real i shoqërisë diktatoriale shqiptare, ishte ai i përgjimit të fqinjit. Personazhi fëmijë – Miri – e kupton që përgjimi i prindërve në dhomën e tyre të gjumit është një sjellje e gabuar, por ndërkohë përgjimi në shoqëri ishte fenomeni më i përhapur dhe në një shoqëri demokratike plotësisht i dënueshëm. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh që qeveria sot promovon modelin e patronazhistëve për mbajtjen e shoqërisë nën kontroll, ndaj referimi me të shkuarën e përgjimit në fqinjësi, në shoqëri është akoma edhe më i rëndë.

5. Pavijoni vërtet merret me aspektet e fqinjësisë në Shqipërinë komuniste-socialiste, ndoshta duke kapur trendin ndërkombëtar që po shkon gjithmonë e më shumë për nga socialja, e përbashkëta, si kundërpeshë për individualizmin, por ekipi shqiptar nuk bën një studim të pasojave të imponimit të socializimit të detyrueshëm, në fqinjësi, në shkolla, qendra pune, ushtri, punë fizike, vullnetare, etj.

Ndërkohë, 30 vjet tranzicion, në një masë shumë të rëndësishme janë përcaktuar nga ajo që do ta quanim Arratisja e Shqiptarëve nga Socializimi i Detyrueshëm. Në këta 30 vjet ne kemi punuar në mënyrë sistematike për të prishur gjithçka të përbashkët dhe po shkojmë aq thellë në këtë shkatërrim sa të shkatërrojmë edhe njësinë bazë të shoqërisë, familjen. Të vetmet raste kur bashkëveprimi shoqëror ka qenë i fortë ka qenë për kauza të viteve të fundit, si: ndalimi i ardhjes së armëve dhe mbetjeve kimike, ndalimi i prishjes së Parkut të Liqenit, ndalimi i ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë dhe Vjosë, ndalimi i shembjes së Teatrit Kombëtar, ndalimi i prishjes së shtëpive në Unazën e Re dhe ndonjë tjetër me përmasa më të vogla.

Ndërkohë në nivelin e fqinjësisë në pallate apo lagje, bashkëveprimi është ende shumë i dëmtuar dhe do shumë vullnet individual, frymëzim e incentiva private e shtetërore që të ndodhë, por të cilat ende mungojnë. Një shenjë e qartë për këtë është kaosi dhe papastërtia e ambienteve të përbashkëta kudo krahasuar me ambientet e shtëpive të gjithsecilit. Diferenca mes të brendshmes-personale dhe të jashtmes-së përbashkët është e paneglizhueshme.

Nëse në kohët e hershme për shkak të traditës dhe në kohë të komunizmit-socializmit për shkak të pamundësisë financiare dhe asaj të sigurimit të një leje banimi në apartament më vete, familjet qëndronin bashkë – prindër, fëmijë, nipër e deri stërnipër (me raste ekstreme deri 4-5 kurora me pasardhës në një apartament 60-70 m2), shqiptarët sot synojnë për të qëndruar më vete dhe kjo prirje ka krijuar edhe tregun e mirëzhvilluar të shitjes dhe qiradhënies së banesave/shtëpive. Mbarëvajtja e tij është shprehje e qartë e një nevoje dhe kërkese ende të papërmbushur të qytetarëve. Dhe ndërsa kjo nevojë po adresohet, ndërtuesit dhe ofruesit e këtyre zgjidhjeve nuk po punojnë për të ofruar zgjidhje të mira bashkëkohore edhe për ambiente të përbashkëta në pallatet e reja apo për të ofruar forma alternative për banesat.

Për shembull mungojnë banesat që mundësojnë ambiente të përbashkëta për dy ose më shumë familje, të cilat mund ta bënin edhe më të përballueshme nga ana financiare blerjen e shtëpive për të rinjtë beqarë apo çiftet e reja, por njëkohësisht edhe më të këndshme nga ana sociale. Gjithashtu mungojnë zgjidhje për banesa të përshtatshme për të moshuarit, që ata të vendosen për shembull në blloqe me ndërtesa ku janë pranë njëri-tjetrit e të cilat nuk janë azile, pra ua japin plotësisht idenë e pavarësisë, por u ofrojnë edhe mundësinë të socializohen më shumë me njëri-tjetrin, duke pasur pranë edhe shërbime si kinema të vogël, shërbim infermiere. Në këtë këndvështrim tregu shqiptar qëndron mbrapa trendeve ndërkombëtare që po shkojnë drejt socializimit në mënyrë bottom-up – e vetëzgjedhur nga vetë individët dhe jo top-down – për shkak të detyrimit nga shteti si në diktaturën komuniste-socialiste.

Ne sot preferojmë të udhëtojmë me makina, fillimisht sepse deshëm të tregojmë që u pasuruam aq shumë sa të kishim makinë që tregon status shoqëror por njëkohësisht mundëson edhe liri të madhe në lëvizje dhe në vijim sepse mungojnë zgjidhjet për transport publik – trena, tramvaje, ndërkohë që linjat e autobusëve nuk e mbulojnë dot kapacitetin e tejshtuar në zona urbane, sidomos në kryeqytetin tonë. Në kushtet e një pandemie si COVID-19 që bllokoi jetën e gjithsecilit dhe imponoi masa të rrepta për ruajtjen e distancës, zgjidhjet e transportit urban ishin shumë larg atyre që duhet të ishin dhe që në fakt janë pikërisht në vendet me të cilat po krahasohemi në Biennale.

Këto janë disa të vërteta të munguara të prezantimit tonë në Biennale, të cilat mendojmë që e vënë atë në pikëpyetje. 

© 2021 Lindita Komani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

*Libri shoqërues për paraqitjen e Shqipërisë në Biennale, mund të lexohet këtu:

https://issuu.com/albanianpavilion2021/docs/ioh_layout_final_print

 

SHTOJCË

Në shtëpinë tonë

  • Fragmente nga teksti dhe kontekstualizim

https://www.youtube.com/watch?v=srkgASL0p6Q

Shtëpia jonë zgjohet rreth orës 5. Në 6 pa 20 minuta prindërit zgjojnë vajzën e madhe Anën që të shkojë të marrë qumështin dhe të kujdeset që vëllai të niset për në shkollë në orar. Sikurse kuptojmë, babai Stefi është shofer, mamaja Flora qëndistare, vajza Ana është studente, djali Miri është nxënës shkolle rreth 10 vjeç.

Fëmijët përgatiten për shkollë. Djali është vazhdimisht në konflikt me të motrën dhe ia kthen fjalën qysh sapo është zgjuar. Kur dalin nga shtëpia, ai bën sikur largohet dhe fshihet në shkallë që ta ndjekë. Vajza takon të dashurin që e pret tek kolonat pranë pallatit. Djali i përgjon. Kur e motra largohet me biçikletën e tij, djali i vogël afrohet në të ecur dhe e ngacmon të dashurin e të motrës dhe pas një shkëmbimi të vogël largohet me kërcënimin që prindërit e tij do t’ia tregojnë qejfin.

Min 14:08

Tema në orën e edukatës – flet një vajzë: …të tregojmë gjithmonë të vërtetën. Dhe Partia dhe xhaxhi Enver na mëson ne pionierët që të jemi gjithmonë të sjellshëm, të edukuar, të mësojmë mire dhe të kalitemi…

Min 18:45

Miri pasi kishte bërë shenja te xhami – një lepurush që ecte dhe klasa kishte shpërthyer në të qeshura, hyn në klasë se mësuesja i dërgoi fjalë që mos ta thellonte fajin. Hyn, mësuesja e detyron të ulë duart dhe kështu shihet që përparësja i është grisur, pra Miri ka bërë patjetër një prapësi që i ka ndodhur kjo. Reagimi i mësueses:

Mësuesja: Të pyesim klasën atëherë: E nderon Mirin kjo sjellje?

Gjithë klasa në kor: Joooo.

Mësuesja: I dëgjon? (Pauzë shikimi) Po përse nuk i nderon?

Nxënësit duke ngritur dorën: Mësuese, mësuese…

Mësuesja: Pa hë, Edlira!

Edlira: Një nxënës si Miri mësuese na turpëron të gjithëve. Ai kështu ia bën qejfin armiqve borgjezë dhe revizionistë. (Miri shihet me lotë në sy.)

Mësuesja: Jo, jo, Miri vërtet ka gabuar, por jo për t’i bërë qejfin armiqve.

Miri (shpërthen me lot në sy): Nuk jam borgjez, nuk jam revizionist, jam shqiptar. (Vrapon jashtë. Mësuesja e ndjek nga pas.)

Mësuesja: Miri! Fatmir… Miri!… (E sheh teksa largohet me vrap nga shkolla dhe vijon:) Mos e mërzit mësuesen, Miri!

Miri largohet nga shkolla duke qarë.

 

Min 20:16

Nxënësit shokë të Mirit e shtyjnë Edlirën dhe i tregojnë vendin. Ajo nis të qajë. Mësuesja e gjen duke qarë dhe thotë:

Mësuesja: Mos qa, je goxha vajzë.

Dhe vijon:

Mësuesja: Ta marrim vesh si është kjo punë. Edhe nesër do te bëjmë mbledhjen e klasës. 

Një mësuese tjetër i flet mësueses së Mirit për një nxënës çamarrok që kur ishte rritur ishte bërë i mbarë dhe e kishte përshëndetur nga një makinë, me ç’rast ajo kuptonte që ai ishte bërë njeri i rëndësishëm dhe njerëzit ndryshojnë.

 

Min 22:11

Miri po ecën, po kalon urën dhe teksa i afrohet një shtylle dëgjon një fëmijë moshatar me të që lexon një parullë në shtyllë:

Fëmija: Të luftojmë mbeturinat borgjezo-revizioniste. (Mendo në mendjen e Mirit të shkretë që sapo ishte larguar nga shkolla duke thënë që nuk ishte borgjez dhe revizionist.) Lavdi Marksizëm-Leninizmit!

 

Min 25:29

Ana me të dashurin Fatosin duke ecur nga liqeni, pasi dëgjon që Miri e ka kërcënuar që ta tregon babi qejfin.

Ana: Me siguri që do t’i tregojë. E shkreta unë.

 

Min 27:22

Ana shkon te fqinja dhe i lutet që të telefonojë të ëmën në punë që ta njoftojë për vëllanë që nuk është kthyer në shtëpi.

Djali i tmerruar ndërkohë, ka marrë rrugën me autobus në drejtimin ku e di që i ati e ka punën. I del ta presë në rrugë të madhe dhe vizaton në rrugë makinën e tij, një Zis, tipiku mes makinave që konkurrohej vetëm nga Skoda. Ka shkruar edhe targën në rrugë: TR 15-96.

 

Min 28:18

Fqinjat e ndihmojnë të qetësohet dhe e ëma Flora thotë që do të shkojë:

Flora: Në polici, ku tjetër. Mos e ka shkelur ndonjë makinë.

Fqinjat: U, larg qoftë!

 

Min 28:52

Oficeri i policisë (qetëson Florën që mos të ketë merak): Tek ne nuk rrëmbehen fëmijët si në Itali.

 

Min 29:30

Flora: Në rajon më thanë, nuk ka shtypje nga makina.

Fqinja (e qetëson nga dritarja): Larg qoftë ku të shkon mendja. Ja sikur të ka ardhur, më dëgjo mua.

Ka ardhur mësuesja dhe në shtëpi kanë ardhur edhe dy fqinjat që janë bërë personazhe, gjyshja që kishte telefon dhe një nuse relativisht e re, të dyja me fjalë të ëmbël. Gjyshja i ka bërë kafe që ta mbledhë pak.

Miri duke pritur. Fshatarët që kanë ndalur punën të hanë diçka, e shohin dhe u vjen keq e janë në merak. E pyesin nëse dëshiron të hajë, ai thotë jo, njëra prej tyre ngrihet që t’ia japë. Ndërkohë kalon i ati me makinë. E sheh dhe ndalon. Miri vrapon drejt tij.

Komentet e fshatareve:

Fshatarja 1: Paska dalë për të pritur të atin.

Fshatarja 2: Siç duket, do ta ketë rrahur e ëma, prandaj ka ikur.

Fshatarja 1: Njerka, njerka thuaj. E kuptova unë që ishte jetim.

 

Min 35:06

Babai i Mirit (pasi ai nuk i thotë se ç’ka që ka dalë në rrugë të madhe ta presë): Po më hanë duart.

Miri: Unë e di, ti s’ke zemër të më rrahësh.

Babai: Prandaj sillesh kështu ti, se s’kam zemër të të rrah?

 

Min 35:51

Pas gjithë të folurave, ndonëse nuk kishte bërë asgjë të keqe përveçse ishte përpjekur të bënte rolin e burrit dhe të ruante motrën dhe nderin e familjes, thotë:

Miri: Babi, unë e di qe jam njeri shumë i keq, e di edhe vete.

Babai: Po kur u bere i keq ti brenda ditës?

Miri: Nuk ta them dot (përpiqet të mos kallëzojë të motrën).

Babai: Shiko, shiko.

 

Min 37:13

Miri që nuk dinte si t’ia thoshte muhabetin për të motrën, por që ndien edhe presionin për mbrojtjen e nderit të saj dhe të familjes:

Miri: Pse nuk e martojmë Anën, o babi?

Babai: Ore, po unë s’po të pyes ty të martojmë apo jo Anën. Pastaj, pse mendon ti se duhet të martojmë Anën ne?

Miri: Kam dëgjuar.

Babai: Ku ke dëgjuar?

Miri: Në dhomën tuaj të gjumit, kur bini të flini me mamin. Mami thotë nuk do sportist pa universitet. As unë nuk dua.

Babai: Jo ore, po pse s’thua që paske përgjuar ti?

Miri: Jo, për kokën tënde që nuk kam përgjuar kurrë o babi. Po ju flisni me aq zë të lartë, sidomos mami kur nxehet. Harron që mund ta dëgjojnë edhe fqinjët. Për kokën tënde që nuk e bëj me qëllim. Unë mbyll edhe veshët, po fjalët më hyjnë vetë.

Babai mbetet i shushatur përballë të birit që qartësisht është i tronditur dhe i shqetësuar. I përkëdhel kokën.

Babai: Të ka marrë uria?

Pi cigare, mendohet dhe e pyet për Fatosin.

Në bisedë e sipër Miri thotë:

Miri: Jo o babi, unë nuk dua që ai dhe Ana… është turp i madh për ne. Dhe ajo pa lejen tonë… pa lejen tënde del me atë, sportistin.

Vazhdon më vonë:

Miri: E o e, po të ishte djalë i mirë ai, nuk do t’i bërtiste mami Anës: mos të dëgjoj më për të.

Në shtëpi ndërkohë vazhdojnë qetësimet nga fqinjat. Një e tretë po i tregon se si i biri shkoi njëherë me tren në Lushnjë tek gjyshja. Ajo thotë se fëmijët sot janë ndryshe, se lindin me televizor.

Tjetra thotë: Nuk duhen rrahur fëmijët kurrë.

E para: Eh, eh, ashtu është drejtë. Por ngandonjëherë ta sjellin në majë të hundës.

Vjen telefonata nga Stefi që është me djalin. Flora e dëgjon dhe i thotë:

Si, si? Vërtet e ke gjetur, Stefi? Aty me ty është? (në fytyrë është e mallëngjyer nga lumturia dhe çlirimi që fëmija është mirë, me fjalë thotë pak më vonë tjetër gjë). Ma jep t’i dëgjoj një çikë zërin.

Sapo del Miri, i thotë:

A mos ma prufsh kokën! Ma jep babin.

 

Min 42:07

Edhe fëmijët aq janë tronditur, sa me të degjuar lajmin shkojnë t’i thonë mësueses:

Genci: Mësuese, Miri është gjallë!

Mësuesja: Po ç’është kjo fjalë, Genci?

Genci: Po ju të gjithë thoshit që Mirin mund ta ketë shtypur makina.

Ndërkohë fqinjat vazhdojnë të flasin me Florën. Telefonata sapo është mbyllur.

 

Min 42:16

Fqinja gjyshe: Ta prishin gjakun dhe ta bëri ujë malukati, moj korbë!

Flora që do të mbajë fqinjën tjetër për një kafe, mos t’i ikë ashtu. Dhe zë be:

 

Min 42:30

Flora: Për kokë të… Për kokë të shejtanit! Veç mos më ardhtë në shtëpi, se të vdekur do ta bëj.

Fqinja: Ta ngordhësh moj ta ngordhësh! Kopanise mirë e mirë, që ta mbajë mend tërë jetën.

Gjyshja: Shëtitja, shëtitja dorën!

Mësuesja reagon pasi fqinja e kopanisjes ia vë fajin shkollës. Mësuesja flet për rrugë të ndërmjetme, asnjëra nga palët mos e fajësojë tjetrën. Të dyja të kujdesen për rritjen sa më të mirë të fëmijës.

Ia kthen fqinja:

 

Min 43:18

Fqinja: Ashtu është, por në kohët e para tjetër rëndësi kishin prindërit dhe mësuesi. Dridheshim ne para babait dhe mësuesit (gjyshja me sy të thelluar në kujtesë, tund kokën ndërkohë). Kishte respekt fëmija. Pse do të thuash ti? Se mësuesi nuk e lëshonte shkopin nga dora.

Mësuesja nuk është dakord, edhe fqinja nusja e re. Vijon Flora:

 

Min 43:43

Mirë thotë mësuesja, po nuk e do një dru ai i imi sot? Hë thuaj?! (Dhe fytyra e përgjëruar për mirëkuptim e Florës dhe fqinja e pason me gjeste dhe mimike dhe psherëtima shoqëruese).

 

Min 43:59

Vjen Fatosi të marrë Anën që të shkojnë në stërvitje.

E vërejnë dy fqinj. Njëri nga ballkoni lart teksa po rregullon furnellën me vajgur dhe tjetri po ecën me biçikletë. Të dy tundin kokën. Lagjja e di domethënë.

Miri në dialog me të atin. I ati i kërkon t’i premtojë që nuk do të bëjë gabime. Djali ezber nga mendja dhe goja gjen mënyrën ta bëjë të kuptojë që gabime do të vazhdojë të bëjë, gabime padashje dhe se gjithashtu edhe mamin dhe Anën do të mundet t’I ndodhet një gjë e tillë.

 

Min 49:03

Ndeshen me Fatosin poshtë pallatit pasi kanë zbritur nga autobuzi pranë shtëpisë. Shihen gjithë inat dhe drojë njëkohësisht. Miri mban fort gjelin në duar.

 

Min 49:16

Ecin pa folur, I ati përpara, Miri me ngadalë dhe duke parë Fatosin. I dalin shokët përpara dhe e rrethojnë plot gëzim. Entuziazmohen për gjelin. Shkëmbimi me Gencin është tronditës. Me çfarë fjalësh përballeshin 10-vjeçarët.

Genci: Na ngrive gjakun, o Miri! Gjithë lagjja kujtoi se të kishte shtypur makina. Gjithë njerëzit ty të kishin në gojë. (Miri e ndjek i çuditur dhe i zënë në faj e frikë). Thoshin që ishe djalë i zgjuar dhe i mirë.

Miri hidhet ne mosbesim: Posi!

Genci: I dëgjova vetë, ja me këto veshë. Kishte ardhur edhe mësuesja. Ja tashti sapo iku. Sa morën vesh që ishe gjallë, të gjithë filluan të të shanin. Të ishe aty, me siguri mami do të të rrihte.

 

Min 49:46

Ana përballet me të atin te shkallët. I ati e sheh me tërbim të mbajtur brenda. Ana e sheh gjithë frikë, duke menduar qe Miri do t’i ketë treguar për Fatosin. Ajo I flet, e pyet, I flet prapë duke ndarë nga emocionet e rënda të asaj dite. I ati e sheh sikur i thotë: Lëri këto, se e di ti se çfarë di unë! Dhe nuk i thotë asgjë me gojë.

 

Min 50:25

Vjen Miri me vrap e ngjitet pas të atit. I rri ftohtë Anës. Ajo e puth në faqe dhe I thotë: Miri, të keqen motra!

Miri fshin faqen. E sheh gjithë inat.

Fqinji: Oooo, Miri! Erdhe o trim?

E shoqja, ajo e kopanisjes: E solli kokën, thuaj! (Kur merr vesh që kishte shkuar deri te kthesa e Kamzës:) Deri atje kishe shkuar, mor ditëzi!

 

Min 51:00

Ndërkohë fqinji i tërheq veshin, teksa i bën moral dhe e ngrin peshë nëpër shkallë nga veshi.

Ndërkohë i ati e sheh dhe nuk thotë asgjë për këtë. Fqinji i jep edhe një shpullë në prapanicë dhe ikën duke thënë: Mirupafshim!

Teksa Stefi dhe Miri po ngjiten, fqinja i bën edhe një përshëndetje të fundit me gjest duke i treguar Stefit që ta zhdëpë mirë në dru të birin.

Vijon skena me Anën dhe Fatosin. Ajo I thotë që nuk do të shkojë në stërvitje por do të kthehet në shtëpi. Ai i thotë që nuk do të të lërë.

 

Min 51:35

E ëma e pret me këmbët e para.

Flora: Erdhe zotrote!

 

Min 51:42

Fqinja i qan hallin Mirit dhe i thotë Florës: Flora, mos e rrih se do e ketë rrahur Stefi! Ja, duket që ka qarë.

Hyjnë brenda.

Miri: Mirëmbrëma mami dhe më fal!

Flora: Të të fal, ë?!

Stefi: Jepja gjelin mamit!

Miri: Urdhëro mami!

Flora (duke e prekur me gishtat e mbledhur në kokë, një gjë që dhemb mjaft): Duhet therur ky sonte!

Stefi: Lëre tani!

Flora: Po si ta le, mor! Thashë se u çmenda. Gjithë lagjja luajti vendit për këtë mistrec. (Duke iu drejtuar prapë kërcënueshëm me gishta:) Po kujt i ngjave more dreq kështu? I kujt je që sillesh në këtë mënyrë? Hë, hë del, fol!

Miri: I juaji jam. I shtetit jam.

I ati qesh me shakanë e pafajshme të të birit.

Flora: Për llafe je i vetmi ti.

Stefi: Epo lëre tani, të tha më fal.

Flora: Jam ngopur unë me premtimet e tij. Hajde marsh në banjo. (E mbyll djalin në banjo bashke me gjelin.)

 

Min 53:06

Hyrja në skenë e tronditur e Florës, kur sapo ka marrë vesh që Ana shkon prapë me atë sportistin.

 

Min 53:50

Sqarimi i rëndësishëm i Anës përballë Fatosit. Merr përsipër të sqarohet me prindërit.

 

Min 54:55

Skena më e mirënjohur e filmit. Miri me gjelin duke qarë hallet.

 

Miri:

Të ka marrë uria, ë?! Edhe mua më ka marrë. Do durosh, mirë? Mos na bësh ndonjë gjë ore, budalla! Dale të të zgjidh! (Me mirësinë që ka brenda, Miri e zgjidh gjelin në liri. Gjeli tup e tup, ecën, vetëm se kur hidhet në parvaz dhe…) Gjel, aman mos ik! Obobo!

Gabimi padashje ndodhi. Si do e presin prindërit?

 

Min 55:55

Miri hyn si furi.

Miri: Babi, o ba!

Flora: Po ty kush të tha të vish këtu?

Miri: Babi, iku…

Stefi: Kush iku?

Miri: Gjeli. Fluturoi nga dritarja.

Stefi ngrihet: Po ai ishte i lidhur.

Miri: E zgjidha unë.

Stefi i përvesh një dackë.

Stefi: Prapë ti?

E ëma zbutet. I flet me butësi:

Flora: Miri, thuaji mamit, pse bën kështu?

 

Min 1:00:18

I flasin Anës që u kthye nga stërvitja.

Flora: Po të ka parë djali. E kur të ka parë djali, merre me mend bota! Ç’janë ato përcjellje ditën e natën? Po ti sikur na dhe fjalën! Harrove që na dhe fjalën? Sot u bëmë për të vrarë veten, kurse ti mendjen tek stërvitja. Zaten ajo stërvitje u bë sebep. Nuk më dëgjoi yt atë të të kish hequr që kur nisi ky muhabet. Por jo, është vajzë e edukuar Ana. Urdhëro edukatën tashti. Po thamë se mori fund kjo punë, moj bijë! Kurse ti paske filluar prapë! Na bëre gazin e botës!

Stefi: Pusho, moj grua!

Flora: Po prandaj më thotë Fatua përditë mua, fejoje çupën, Florë. Po unë budallaqja, hiç mendjen!

Stefi: Mjaft de, mjaft! (Të bijës:) Na thuaj moj bijë, pse na gënjen?

Ana: Ju më keni detyruar.

Prindërit shfaqen të tronditur. Stefi ngrihet në këmbë.

Stefi: Pa ma shpjego pak, se nuk të kuptoj.

Ana: Keni të drejtë që mendoni se ju gënjej, përderisa nuk ju kam thënë vetë. Unë vërtet ju kam dhënë një fjalë, por atëherë kur nuk e njihja mirë Fatosin. Dhe këtë e bëra për hatrin tuaj. Kurse ju, as u interesuat për të. U mjaftuat vetëm me dy gjëra: sportist, edhe pa shkolle të lartë. Sidomos mamaja. Unë do t’u thosha, por jo sot jo nesër. Ti babi vije i lodhur, mami shpesh e mërzitur dhe e dija që nuk do t’ju pëlqente kjo bisedë.

Flora: Nuk prisje dot të mbarojë shkollën… Pastaj, nuk kishte djem të tjerë Tirana? Ky ishte i pikuari nga qielli?

Ana: Përderisa nuk e njeh, nuk ke të drejtë ta shash.

Flora: Më mirë të mos flasim se kjo vetë ia thotë të gjitha. S’do mend, prindërit kaq u deshën, sa u rritën dhe u dhanë shkollë. Tashti…

Ana: Mama, ti je nervoze dhe nuk di ç’thua. Po kush tha moj mama që unë s’ju dua?

Flora: E dëgjon, more Stefi? Unë jam nevrike, unë nuk di se ç’them. E dëgjon sesi i përgjigjet bija nënës? Po nuk keni faj ju jo. Fajin e kemi ne që ju kemi përkëdhelur shumë. Xhani i mamit, shpirti i babit. Nuk ju ka munguar asgjë, prandaj tërboheni kështu.

Ana: Ç’janë këto, moj mama! Po s’është e vërtetë, nuk është e vërtetë. Më beso ti babi të paktën! Unë jam fajtore që s’ju kam thënë, po për kokën tënde që unë do t’ju thosha. Ai është djalë i mirë, unë këtë di t’ju them. Dhe për ty ky babi shofer ishte i pikuari nga qielli, kurse për mua ke pretendime si zonjë e madhe.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin