Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji / Sport

PËR FUTBOLLIN SI METAFORË E JETËS

nga Arben Dedja

Prolegomenë

“Futbolli është metaforë e jetës” ka thënë Jean-Paul Sartre. Se ku pikërisht e ka thënë nuk qeshë dot në gjendje ta qëmtoj. Sot shkruhen libra që rreken të zbulojnë nëse një shprehje është vërtet e këtij apo atij personaliteti, por tani kjo nuk na intereson. Na intereson shprehja në vetvete ndaj, këtyre javësh nginjur ndeshjesh futbolli të një niveli të lartë, po përpiqem ta stërholloj mendimin tim e të orvatem t’i jap përgjigje pyetjes:

“Pse ky pohim i referohet futbollit dhe jo një sporti tjetër?”

E pata nisur prej vitesh arsyetimin me një “intervistë të pamundur” me Riza Lushtën, duke i vënë, siç ndodh në të tilla raste, mendimet e mia në gojën e asit juventin (të cilit në këtë shkrim do t’i dalë emri përsëri), por, në fund të fundit, intervista qe aq pa jehonë sa vendosa të kaloj në formën më zulmëmadhe, ndonëse jo aq të mirushtruar prej meje, të esesë.

 

Metafora dhe mendimi pozitiv

I. A. Richards dallon te metafora dy pjesë, që ai i quan “tenor” dhe “vehicle”. Në qoftë se duam ta çojmë figurën tonë të ligjëratës në ekstrem, për momentin “tenor” nuk po e përmendim dhe do të merremi vetëm me “vehicle” dhe karakteristikat e tij. Po flasim, pra, për futbollin, për të gjetur tek ai, siç thotë Sartre-i, jetën.

E gjitha bëhet më e kapshme nëse imagjinojmë një fëmijë që e fillon futbollin me ekipet zinxhir. Çfarë mëson ai, dalëngadalë, përveç teknikës, taktikës, përgatitjes fizike – që përbëjnë “zanatin” e të lozurit futboll – për të mbërritur objektivin përfundimtar të skuadrës, të çdo skuadre: të bëjë të paktën një gol më shumë se kundërshtari?

E pra, mëson që futbolli ka rregulla: po i shkele ato dënohesh (merr karton).

Që futbolli ka role. Pothuaj të gjitha rolet, hiq portierin, kanë pastaj nënspecializimet e tyre.

Që jo të gjithë janë njëlloj të zot dhe kush luan më mirë do të luajë më shumë ndeshje, do të jetë më i rëndësishëm për skuadrën.

Që futbolli është lojë grupi dhe fëmijës do t’i duhet të rrijë në atë grup, me gjithë simpatitë dhe antipatitë që gjen brenda.

Që duhet të stërvitet me mund e sakrifica të përditshme, të vogla apo të mëdha.

Që duhet të jetë i përgjegjshëm, altruist (në përgjithësi, të qenët egoist – mospasimi i topit shokut – kritikohet).

Që duhet të bëhet shembull për të tjerët, të mos jetë mendjemadh, të jetë i drejtë.

Që në ekip mund të lindin konflikte të brendshme, kur lojtarët nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin ose kur kanë probleme me trajnerin.

Që, meqë ra fjala për trajnerin, menaxhimi i grupit nga ai është thelbësor: forca e një skuadre varet shpesh nga sa bëhen bashkë lojtarët.

Etjera.

 

Kritikë e mendimit pozitiv

Që jeta, e cila jetohet në shoqëri, t’i ngjajë një sporti, besoj se duhet ta marrim për të mirëqenë që ky duhet të jetë sport kolektiv. Le t’i lëmë, pra, mënjanë njëherë e përgjithmonë sportet individuale. Dhe jetës, në listën e syzës më sipër për ekipet zinxhir të futbollit, a nuk i shkojnë të gjitha çka përmendëm? Ka aty-këtu, për hir të së vërtetës, një suva të lehtë që i vihet, me ato frazat prej nxënësi të dalluar të klasës, sidomos kur flitet për “sakrifica”, “drejtësi”, “shembull për të tjerët”, por thelbi mbetet. Mirë atëherë, ajo lista më sipër, a nuk i shkon edhe, bie fjala, hokejit, basketbollit, volejbollit? Pa dyshim. Çfarë ka ndryshe atëbotë futbolli?

Me sa duket, diçka që nuk është në atë listë; me gjasë, diçka që asnjë trajner nuk guxon t’ia thotë me zë të lartë fëmijës që stërvit.

Së pari, që futbolli ka një përqindje të lartë papërcaktueshmërie, është tejet i pasaktë. Kjo ndodh ngaqë luhet me këmbë. Ose, më mirë, luhet me çdo pjesë të trupit, hiq gjymtyrën tonë më të zhvilluar nga ana evolutive, dorën. Bile, prekja e topit me dorë është faull. Nga kjo papërcaktueshmëri e goditjeve të topit me një gjymtyrë jo aq të ndjeshme rrjedhin gabimet në pasim, shtyllat, topat jashtë për pak gjë, që anulojnë çdo epërsi, edhe dominante, të çfarëdo skuadre. Ndaj në futboll shënohet pak, shumë pak. Dhe vetëm në futboll ndeshja perfekte është ajo që përfundon me rezultat të bardhë, 0:0. Kurse ndodh pastaj që një gjuajtje krejt pa pretendime e skuadrës tjetër, asaj të dobtës, të destinuar për t’u mundur, të hyjë në rrjetë, t’ia shndërrojë lojës ecurinë. Dhe kështu skuadra më e fortë, ajo që ka bërë tre shtylla dhe ka humbur tre raste të tjera vetëm për vetëm me portierin (se këmbë është, e shkreta!), vazhdon obsesivisht sulmin. Atëherë skuadra inferiore, në avantazh falë gjuajtjes së vetme në portë, ndoshta edhe të devijuar nga mbrojtësi, shpalos gjithë bagazhin e saj në zvarritjen e lojës.

Dhe këtu hyn në lojë – edhe në kuptimin literal – tipari i dytë që e bën futbollin metaforë të jetës: fakti që ka një rregullore që favorizon skuadrën më të dobët. Më mirë të themi: e kishte. Patën vendosur kësisoj ca oficerë anglezë, diku rreth gjysmës së shekullit XIX, kur u ulën të përpilojnë rregullat e kësaj loje të re, që kish vite që luhej. Ndoshta kanë menduar kështu për ta bërë gjithçka më interesante. E frymëzuar nga kjo, që të mos e humbë lojën (nganjëherë, bile, që ta fitojë atë) skuadra më e dobët e zvarrit dhe e prish rrjedhshmërinë e saj: pasime prapa; topa në tribunë; rrëzime përtokë edhe pas prekjes më të vogël, si t’i ketë qëlluar rrufeja (në kufijtë e simulimit), me pastaj shfrytëzim maksimal të sekondave për t’u ngritur, si ai boksieri që ka marrë një uppercut dhe i numërojnë knockdown-in; faulle strategjikë ndaj lojtarit më të mirë kundërshtar, fantazistit që të gjithë e kanë zili dhe e urrejnë, mundësisht duke e frikësuar e duke i treguar që në zonën e rreptësisë topi edhe mund të kalojë, por këmba jo; vënie në dyshim e gjithçkaje vendos arbitri; etjera, etjera. Por dikur ishte edhe më keq.

 

Futbolli në vite

Si luhej dikur? Zotërojmë pak imazhe filmike të vjetra, por po sjell këtu një dëshmi të dorës së parë nga një ndeshje futbolli e viteve tridhjetë. Ndeshja është Vlora-Tirana dhe dëshminë e kam marrë nga disa shënime autobiografike që ka lënë im gjysh, Ibrahim Dervishi, atë ndeshje qendërmbrojtës i Vlorës. Historia është pak më e gjatë, por nuk është vendi ta shtjelloj këtu. Nënvizimet janë të miat.

Në orën 16 të po asaj dite (19 prill 1934, shënimi im) unë hyra në fushë pa emocione e i vendosur për të luajtur me të gjitha forcat. Stadiumi ishte mbushur 2-3 orë më parë plot e përplot, kaq sa mezi u gjet vendi për të vendosur gjashtë karrige për të ftuarit (konsulli, e shoqja, Ali Asllani dhe tre pjesëtarët e ekuipazhit). Skuadrat zbritën në fushë me formacionin më të mirë. Ato kishin si kapitenë dy centeralfat e lirë, Adem Karapici i Tiranës dhe Hamdi Zekën e Vlorës. Arbitër ishte një oficer nga të ushtrisë zogiste, Andon Fekeci nga Shkodra, që ishte kokë e këmbë me Tiranën. Ky, që një vit më vonë u rrah keqas në Vlorë pse mbrojti Tiranën, anoi më shumë nga ne. Ai me mua u tregua mjaft tolerant pasi më dha vetëm dy-tri herë faull, për ndërhyrje të rëndë ndaj Lushtës, në fillim të lojës. Pjesën tjetër të lojës arbitri (jo se nuk i pa goditjet e mia të çrregullta, por i kërcënuar nga tifozët vlonjatë) bënte sikur nuk i shikonte ato. Gjatë pjesës së parë skuadra e Tiranës u mundua të bëjë lojë të hapur dhe në sulm, por pa efekt, pasi Lushtën e bllokoja unë dhe ai u aktivizua fare pak. Pjesën e dytë Ademi e tërhoqi skuadrën gati të gjithë në mbrojtje, duke lënë në sulm vetëm Lushtën dhe Halim Begën […]. Unë u torturova gjatë gjithë ndeshjes duke qëndruar si xhandar pranë Lushtës. Bëra disa tentativa për t’u larguar, por më mbytën britmat e publikut dhe të Alush Lleshanakut (trajneri i Vlorës, që atëherë quhej “Shoqëria Sportive Vlorë”, shënimi im) për të mos u larguar. Aty nga fundi, pasi publiku u çor së gërthituri ‘arbitër penallti’ sa herë rrëzohesh pranë portës kundërshtare ndonjë lojtar i Vlorës, Andon Fekeci u detyrua të japë një penallti. Këtë penallti, Kudret Kokoshi e bëri gol, por kjo e nxehu aq shumë portierin e Tiranës, Mark Gugashin, saqë ai e pështyu arbitrin nga inati. Arbitri, me të drejtë, e nxori portierin nga loja dhe nuk e ndryshoi rezultatin. Loja mbaroi 1-0 në favor të Vlorës.

Siç e shihni, nuk është Drejtësia vetë, me sytë e lidhur për të qenë e paanshme, ajo që e mori për dore ekipin e Vlorës dhe e çoi drejt fitores.

Tani le të zhvendosemi pak në kohë dhe hapësirë. Jemi njëzet e pesë vite më vonë (fundi i viteve pesëdhjetë – fillimi i viteve gjashtëdhjetë), në Padovë, stadiumi “Appiani”. Padova, e drejtuar nga Nereo Rocco, arriti asokohe rezultatet e saj më të mira. Në një biografi të Rocco-s[1] më ka bërë përshtypje fakti që ndeshjet në “Appiani” (e quanin “gropa e luanëve” – la fossa dei leoni) Padova i fitonte edhe saje publikut. Stadiumi ishte pa pistë vrapimi, tifozët ndodheshin fare pranë vijave kufizuese të fushës dhe, rrëfehet në libër, ekipi mik e kish thuaj të pamundur, për shembull, të gjuante siç duhet goditjet nga këndi: tifozët e Padovës, të pajisur me çadra ngaqë në këtë qytet moti ishte (medet! nuk mund të them dot më “është”) shpesh i vrenjtur ose me shi, i lëviznin ato kërcënueshëm përmidis telave rrethues, për të gërvishtur çdo lojtar mik që “guxonte” t’i afrohej kornerit. Padova gjobitej vazhdimisht, por tifozët vetë paguanin një kuotë për gjobat dhe ia dorëzonin shumën e mbledhur klubit.

 

Futbolli sot

Në rregulloren e futbollit sot ndërhyhet rëndshëm. Qëllimi është që ta kthejnë futbollin gjithnjë e më shumë në një sport që synon drejt artit. Dhe dihet, një vepër arti nuk e ndikon dot. Je i detyruar ta admirosh, në rastin tonë i ulur në karriget e lustrosura të stadiumeve ose në divanin e shtëpisë. Vepra e artit synon përsosmërinë. Tek ajo nuk ka më vend për gabime. Ndaj edhe sot rregullorja e lojës “përmirësohet” vazhdimisht, që në fund të fitojë më i miri. Gabimet në përcaktimin e pozicionit jashtë loje dhe golat fantazmë janë eliminuar. Kur gjuhet njëmbëdhjetëmetërsh, portieri kontrollohet me VAR a lëviz apo jo nga vija fatale dhe, gjatë një goditjeje dënimi, ato 9.15 metrat e barrikadës (deri para pak vitesh krejt hipotetikë), shenjohen me një vijë të zhdukshme mbi bar, që arbitri do të bëjë çmos të respektohet. Goli me dorë nuk ka më shans të shpëtojë pa u parë, bile pasohet me karton.

Por ne nuk duam të fitojë më i miri, ndaj vazhdojmë, me shpresë e fanatizëm, ta ndjekim futbollin edhe sot e gjithë ditën. Ka një fragment domethënës të një interviste të Nereo Rocco-s në librin biografik që përmenda. Jemi përpara një ndeshjeje Padova-Juventus dhe gazetari e pyet për formacionin, taktikën, ato pyetjet e zakonshme që bëhen në çdo prag ndeshjeje. Në fund, e mbyll:

Grazie, Mister, e che vinca il migliore…” (“Fitoftë më i miri/ai që e meriton”).

Dhe Nereo Rocco, menjëherë, me atë dialektin e tij triestin:

Ciò, sperèmo de no!” (“Shpresojmë që jo”).

 

Përfundim

Në asnjë sport tjetër nuk mund të ndodhë të mos fitojë më i miri. E pra, Nereo Rocco e dinte: në futboll po. Po pse, në jetë a nuk është njësoj? Gjithë atyre fjalëve të mira, pra, atyre mësimeve të bukura që nxirreshin nga futbolli kur një fëmijë futej në ekipet zinxhir, gjëra që i përmendëm më sipër duke konkluduar që vlejnë, në fakt, katërçiptazi edhe për sportet e tjera, u mungon diçka, që ndoshta asnjë trajneri nuk ia nxë goja ta thotë, por që futbollisti a futbollistja e vogël do ta mësojë tumiri: futbolli është i padrejtë. Më vjen keq ta them, por ja pse i shëmbëllen jetës. Ndaj edhe njerëzit shpresojnë në jetën e përtejshme, në drejtësinë hyjnore. Por në atë jetë, për futbollin nuk ka vend. Na leverdis të zhdëpemi duke e parë tani.

 

(c) 2021, Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Gigi Garanzini “Nereo Rocco. La leggenda del paròn” (Mondadori).

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin