Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

CLERIHEW

nga Arben Dedja

Clerihew është një formë e çuditshme poetike: një si biçim mikrobiografie. Unë Clerihew-të e para i kam ndeshur në vëllimin e tretë të së famshmes (për ne, shqiptarët) The Essential English for Foreign Students, nga C. E. Eckersley, e vetmja metodë për mësimin e anglishtes që qarkullonte në Shqipërinë e dikurshme, bile shumëfishohej – pa të drejta autori – nëpër shtypshkronjat e vendit (po unë mburresha që i zotëroja të katër vëllimet në origjinal). Atëbotë nuk i kuptoja siç duhet këto vjershëza, por kujtimi i tyre më notoi gjithnjë në mendje, e kapërceu mijëvjeçarin.

Te Clerihew-të kemi të bëjmë me rastin e rrallë, do të thosha unik, kur poeti i ka dhënë emrin një forme poetike. Sot ne themi sonet “petrarkian”, sonet “shekspirian” – emra hijerëndë – por autorët këtu përdoren si plotës të termit “sonet”, në një kohë që Clerihew është i vetëmjaftueshëm. Edmund Clerihew Bentley (1875†1956), thonë, filloi t’i shkruajë që gjashtëmbëdhjetëvjeçar, në shkollë, dhe i botoi kryeherazi më 1905, në vëllimin Biography for Beginners, pasuar nga dy vëllime të tjera (më 1929 dhe 1939).   E para vjershëz e këtillë që shkroi është:

Sir Humphry Davy
Abominated gravy.
He lived in the odium
Of having discovered sodium.

E. C. Bentley ishte edhe një romancier, eseist e tregimtar shumë i mirë, por, sigurisht, sot e gjithë ditën kujtohet veç si shpikësi i këtyre poezive, që të tjerë, vite më vonë dhe që në të gjallë autorit, i quajtën me emrin e tij të mesit, aq të veçantë.

Clerihew është, pra, një poezi fare e shkurtër e shakatare, e përbërë nga vetëm katër vargje me numër të lirë rrokjesh, që rimojnë (por pranohen bujarisht edhe rimat jo të plota, asonancat, konsonancat, rimat me fjalë të gjuhëve të tjera nga anglishtja – ne mund të themi të tjera nga shqipja) sipas skemës: AABB. Bile, sa më ekstravagante të jenë rimat – aq më mirë. Vargu i parë është thjesht emri i personit (zakonisht i njohur, i famshëm) të cilit i bëhet biografia: në një intervistë të vonë E. C. Bentley saktësonte që emri duhet të jetë “at the end of the first line”, se gjithë puna është të arrish të bësh deri edhe kokëdollapçe rimore (dhe ju siguroj që nuk është aspak e lehtë, sidomos kur personazhi biografik është i huaj) me emrin. Në një Clerihew të denjë personi që përmendet në vargun e parë vihet gjithnjë në një situatë komike, absurde, anakronike, kallpe ndoshta, pak tallëse, të thjeshtëzuar sigurisht (janë vetëm katër vargje, je i detyruar), të shtrembët. Nuk bëhet satirë, nuk janë vargje fyese. E, megjithatë, shpesh janë më të vërteta se e vërteta.

*

Xhudoja është një sport tipik japonez. Haiku është një poezi e shkurtër tipike japoneze. Sot është vështirë të thuhet nëse në botë (jashtë Japonisë) është më e përhapur xhudoja apo haiku: flasim për miliona e miliona ushtrues të xhudos dhe ushtrues të dorës me haiku. Edhe në Shqipëri haiku shkruhet shumë (më thonë që vetëm poeti i ndjerë Milianov Kallupi ka botuar mbi tridhjetë libra me haiku). Po Clerihew? Nuk mund të barabitet kurrsesi numri i ushtruesve të sporteve të shpikura nga anglezët me numrin e shkruesve të Clerihew-ve në botë. Gjithsesi, dukuria duket e kufizuar në botën anglosaksone, ndoshta pse kërkon një dozë ironie dhe një understatement tipik anglez. Pa ta provojmë. Ja njëzet e pesë Clerihew-të e mia të para:

Sedefqar Mehmet agë Biçakçiu

Sedefqar Mehmet agë Biçakçiu,
xhaminë e tij kur e lyeu:
“Pa të pyes pak” tha, “Arkitekt Sinanin,
sa duar i dha Xhamisë së Sulejmanit.”

Nezim Frakulla

“Nezim Frakulla,
na e bëj kabull” tha,
“të quajtëm bejtexhi,
ty – të parit divanxhi.”

Hasan Zyko Kamberi

Hasan Zyko Kamberi,
s’po them që vetë Pejkamberi
të recitonte, po patjetër iluministët
dhe kambistët.

Katuli

Katuli
këmbënguli
ta tallte Jul Çezarin,
po ky tha: “Vari …”

Jan Kukuzeli

Jan Kukuzeli
ish një kokërr dembeli:
e la Qendrën e Botës
për Malin Atos.

Pieter Bruegel

Pieter Bruegel
ndryshon nga Hans-Peter Briegel.
I pari bën tentene
i dyti – dru-me-pre.

Ali Pashë Tepelena

Ali Pashë Tepelena
i therte kundërshtarët në pelena.
Simpatizonte Anglinë
dhe tepsinë.

Elena Gjika

Elena Gjika
përdorte emrin Dora d’Istria jo nga frika,
por që t’i shkruante De Radës
dhe Kamardës.

Edward Lear

Edward Lear
i shtuposi mirë
dritaret e sallonit
që binin nga “Ariston”-i.

Pashko Vasa

Pashko Vasa
është Vaso Pasha.
Lojë fjalësh?
Fe shqiptarësh.

Sami Frashëri

Sami Frashëri:
ç’e përmendin me breshëri
analistë, politikanë dhe deputetë
për “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të jetë”.

Princ Vidi

Princ Vidi:
gjidi
edepsëz! Lanet:
pa synet.

Jaroslav Hashek

Jaroslav Hashek:
me “Ushtarin e mirë Shvejk”
s’e kishim zor
në zbor.

Avni Rustemi

Avni Rustemi,
ç’e vrau qenin.
Pastaj dhe atë e vranë,
siç ndodh në këto anë.

Vasil Laçi

Vasil Laçi:
patllakja i lloci,
s’i tregoi shokët,
i krehu flokët.

Qazim Mulleti

Ore po Qazim Mulleti,
si qe i vërteti?
Ishte tirons
apo zdroms?

Etëhem Haxhiademi

Etëhem Haxhiademi
s’dinte t’i këndonte polemit.
Për të Shkumbini ish plot Nymfa e Satirë
e jo këllirë.

Shkurte Pal Vata

Shkurte Pal Vata
jo veç i mëshoi lopatës,
por shpiku dhe babanë e vet
si barceletë.

Groucho Marx

Groucho Marx
u pataks
nga mbiemri
prej shemri.

Syd Barrett

Syd Barrett
tha “Varet
a jam unë
The Dark Side of the Moon.”

Odhise Paskali

Odhise Paskali,
kur bëri Skënderbeun për kali,
“Shyqyr” i thanë, “o burrë i dheut,
se të kishim majë tehut.”

Llazar Gusho

Llazar Gusho
në paqë pusho:
liqeri yt – lajm i freskët –
hyri në UNESCO.

Ismail Kadare

Ismail Kadare:
ia kthyen shtëpitë në muze.
“Ika në Paris!” tha.
“Me qira.”

Rexhep Erdogan

Rexhep Erdogan,
po si, more, në divan?
Lëre të ulet
në karrige Ursulën.

Pëllumb Pipero

Pëllumb Pipero
s’desh të firmoste në bordero
pa mundur Covid-in.
Dhe ia arriti.

(c) 2021, Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin