(nga Stanislaw Lec*)
Muhabetet për shiun dhe kohën e mirë do të bëhen interesante, sa të shfaqen shenjat e para të fundit të botës.
Shpesh mjafton të njohësh bijtë, për t’i parë të shlyera fajet e etërve.
Mbase zotit tënd i pëlqen që t’u biesh në gjunjë zotave të tjerë?
Ca mendimeve u kam dhënë azil në kokën time, nuk i ekstradoj dot.
Kur hartojnë CV-në e tyre, shumë e lënë në heshtje faktin që nuk ekzistojnë.
Kaq e vështirë është të digjesh nga epshi, sa herë që jeta t’i tregon të pasmet?
Kur ngritën duart lart, për t’u dorëzuar, u dukën kaq kërcënues sa të tjerët ia mbathën.
A i bën dot ballë, prodhimi i mendimeve, rritjes natyrore të popullsisë?
Për t’u kthyer te burimi, duhet notuar kundër rrymës.
Ligj i fizikës: sa më shumë ngjitet uji, aq më shumë peshon jeta.
Mos i bëni për të qeshur tiranët pa dhëmbë.
Dy forca fitojnë terren në botën e intelektit: precizioni dhe profkat. Të bëjmë kujdes, që të mos lejojmë lindjen e një hibridi: profkat precize.
Kush tha që njerëzimi nuk bën përpara? Fajtorët për genocide po gjykohen në mënyrë gjithnjë e më humanitare.
Edhe në plazhet e nudistëve ka arbitra të elegancës.
Ai që sheh ëndrra pushteti, le të mos gërhasë fort.
Mos i fut të gjitha në një thes, nuk do ta ngresh dot!
Imagjinata antropomorfe na bën t’i përfytyrojmë ata që na shtypin si qenie njerëzore.
Formulat na deformojnë.
Njeriu ka konstitucion të hekurt. Prandaj, ndonjëherë, nuk i ndien vargonjtë si trup i huaj.
Legjendat shpesh shkatërrohen prej atyre që ëndërrojnë t’ua përvetësojnë lëndën.
Tradita? Fisnikëri e trashëguar e plagjiaturës.
Nuk them dot asgjë për të. E kam parë vetëm lakuriq.
Shërbente si qen, e vranë si qen.
Po i afrohemi gjithnjë e më shumë zbulimit të Zotit nga shkenca. Më dridhet shpirti për të.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).