Që kur kam mësuar të shkruaj, emrin[1] tim të plotë e kam shkruar Ardian Vehbiu[2]. Megjithatë, në dokumente të reja e të vjetra llagapin e tim eti e kam parë të dalë si Vehbi, pa atë -u-në fundore që në fakt nuk është veçse nyja shquese mashkullore e një emri që mbaron me -í të theksuar (Vehbi > Vehbiu njëlloj si Ari > Ariu). Për antroponimet mashkullore, shqipja standard e kërkon emrin të pashquar (Ardian) ndërsa llagapin të shquar, edhe pse ky rregull mbetet tolerant ndaj përjashtimeve[3]. Llagapi priret nga trajta e shquar edhe për antroponimet femërore, dhe jo vetëm ngaqë llagapet e vajzave dhe grave, në antroponimet, vijnë nga llagapet e burrave (baballarëve): vajza e Kujtim Selmanit, Luljeta, do të marrë edhe ajo llagapin Selmani. Arsyeja kryesore pse llagapi kërkon trajtën e shquar, pavarësisht nga gjinia e bartësit, ka të bëjë me atë që emri i përveçëm i personit, në shqipe si në gjuhë të tjera, është kuptimisht i shquar, përveç disa rrethanave gramatikore të veçanta, p.sh. kur ndjek nyjen e pashquar një (“ka ardhur një Ilir dhe të kërkon te dera”) dhe në kontekste metagjuhësore, përmendëse (mention), apelative ose performative – p.sh. “djalit do t’ia vënë emrin Sotir,” ose “Emri Sotir sot përdoret rrallë”. Përndryshe, në përdorime të tilla si “erdhi Sotiri”, “takuam Sotirin”, “jepja Sotirit”, etj., emri del i shquar; dhe i tillë është edhe kur e regjistrojmë në një listë kontaktesh në telefon. Por, kur emri ndiqet nga llagapi, shquarsia i kalon zakonisht llagapit – “takuam Sotirin” por “takuam Sotir Hanxhakun”. Ka edhe lloje morfologjike llagapesh që nuk e pranojnë këtë, p.sh. ato që mbarojnë me -o të patheksuar, si Nano, Qirjako, Pollo, Shapllo[4]; ndërsa llagapet që mbarojnë me zanore të theksuar, siç është rasti i llagapeve me prapashtesat -xhi, dhe -çi, të turqishtes, p.sh. Jorganxhi, Jazexhi, Sahatçi, etj., i gjen shpesh të patheksuar, por i gjen edhe të theksuar. Problematike mbetet forma “përmendëse” ose “identifikuese” e emrit të dikujt, ose ajo që del në dokumente – meqë identifikimi, me përkufizim, nuk i lejon luhatjet, madje edhe kur standardi gjuhësor i lejon. Për gjendjen civile, Ardian Vehbí dhe Ardian Vehbiu janë dy persona të ndryshëm[5]; jo si në gramatika, ku barí dhe bariu janë dy trajta të së njëjtit emër. Është një nga ato raste kur gramatika ndeshet ballazi me ligjin.
Im atë është luhatur lirisht mes mbiemrave Vehbí dhe Vehbiu; dy xhaxhallarët e mi dhe dy djemtë e njërit prej tyre përdorin rigorozisht formën Vehbí. Ky lloj përdorimi i llagapit në trajtë të pashquar duhet ta ketë prejardhjen nga praktikat administrative osmane të trashëguara nga shteti shqiptar i pas 1912-ës, aq më tepër që turqishtja nuk ka nyjë shquese.[6] Ironikisht, ime më, që e pat marë llagapin nga im atë, ka përdorur pothuajse gjithnjë Vehbí, pa nyjen shquese; ashtu e ka edhe në dokumentet amerikane[7]. Përkundrazi, unë kam qenë gjithnjë Vehbiu, edhe para 1990-ës, edhe më pas në Itali, edhe në SHBA. Dhe kjo më ka nxjerrë gjithnjë kokëçarje, kur më janë dashur certifikata të lindjes e të familjes, sepse në gjendjen civile llagapi rezulton rigorozisht i regjistruar si Vehbí.
Nëse dua të nxjerr një kartë identiteti në Shqipëri, kjo do ta ketë mbiemrin në formën Vehbí, në pajtim me çfarë del në dokumentet e gjendjes civile; pa çka se në pasaportën time të SHBA, mbiemri është Vehbiu. Dhe meqë për shtetin (edhe shqiptar, edhe amerikan) Ardian Vehbiu dhe Ardian Vehbí janë në parim dy persona të ndryshëm, mua më duhet të paktën të zgjedh, në çdo moment, se cili prej tyre të jem, të paktën në marrëdhënie me institucionet. Me gjasë, kjo mospërputhje në formë e ka origjinën te momenti kur kam mbushur formularin për pasaportën e parë shqiptare, dikur në vitin 1987, ku e kam shkruar llagapin ashtu siç e kam ditur, me -u; gabim që pastaj dora-dorës ka përfunduar në permesso di soggiorno-n italian dhe pastaj në green card-ën amerikane.
Janë me mijëra shtetas të RSH që ende përjetojnë kokëçarje të tilla, për shkak luhatjesh gramatikore. Prandaj, një administratë e kujdesshme, do të kish adoptuar tashmë ndonjë qarkore ase akt nënligjor, që t’i mënjanonte disa nga këto ngatërresa, duke i zgjidhur luhatjet në bazë të tipologjisë morfologjike (duke i standardizuar “dialektet burokratike”). Për shembull, të gjitha ato llagape që kanë trajtën e një emri mashkullor me -i të theksuar në të pashquarën, do të formalizohen në trajtën e shquar me nyjen -u, ndërsa trajtat pa nyje do të konsiderohen automatikisht si variante. Në fakt, ajo u-ja finale e llagapit tim veç ia përshtat emrin gramatikës së shqipes, duke ndërmjetësuar përdorimin e tij në ligjërim; ka një status të ngjashëm me mbaresën -n të kallëzores: takuam Ardian Vehbiun; në kuptimin që kallëzorja nuk është pjesë e emrit, por vetëm sa e lidh këtë me gjymtyrët e tjera të fjalisë. Çfarë do të thotë edhe se të gjitha këto forma, Ardian Vehbi, Ardian Vehbiu, Ardian Vehbiun, Ardian Vehbiut, etj. duhen mbajtur si okurrenca të një forme të vetme “matrix”; ose që kjo e fundit manifestohet me disa mënyra, të barasvlershme në kuptim dhe në funksion.
Kjo qëndron për shqipen, por e humb vlerën në momentin që emri i dikujt i kapërcen kufijtë e gjuhës, për t’u përdorur në një gjuhë tjetër – p.sh. në anglishte, ku paradigma e lakimit të emrit shqip as njihet, as ekziston. Për anglishtfolësin, dy trajta të ndryshme të një emri, njëra e shquar dhe tjetra e pashquar, regjistrohen sakaq si dy fjalë të ndryshme; sepse anglishtja nuk ka nevojë që ta lakojë emrin si në shqip, për ta përdorur në fjali. E njëjta gjë ndodh, në thelb, edhe në shqip me ndonjë emër të huaj – p.sh. ajo da, te emri Leonardo da Vinci, për ne është pjesë e emrit, por për italianët mund të tregojë edhe prejardhjen gjeografike. Një islandez kur dëgjon se një grua quhet Helga Egilsdóttir, e kupton menjëherë se babai i saj quhet Egill (Egill’s daughter); për një shqiptar, kjo nuk është fare e qartë.
Me një kategori emrash femërorë, shquarsia është treguar edhe më agresive, duke u shtrirë edhe tek emrat. Kështu, sot është përgjithësuar prirja – të paktën në Shqipëri – që emrat femërorë që dalin me –ë të patheksuar, ta marrin nyjën shquese edhe në ato kontekste që kërkojnë një formë të patheksuar, p.sh. në përdorimin burokratik të emrit: Diana Sula, në vend të Dianë Sula (sa kohë që themi Petrit Sula, dhe jo Petriti Sula). Gramatikisht, Diana Sula është jo-korrekte (dhe Dianë Sula, për gjendjen civile, është person tjetër nga Diana Sula); por zakoni gjuhësor këtu është treguar më i fortë se gramatika, gjithë duke provuar se, kur vjen puna për emrat e përveçëm, shquarsia është më tepër çështje sintaksore, se semantike. Në Kosovë janë ruajtur mirë trajtat me -ë, aq sa kur dëgjon një emër të tipit Linditë Selimi, mund të vësh bast se personi në fjalë është kosovar.
Vështirësitë praktike që dalin nga luhatjet morfologjike të emrit të përveçëm, dhe sidomos të emrit të personit, tregojnë edhe – në mënyrë gati befasuese – se emri i përveçëm dhe numërori kanë më shumë ngjashmëri se ç’mund të duket në vështrim të parë, sidomos kur vjen puna për funksionin identifikues. Gjendja civile e sheh emrin e përveçëm si një varg numrash, me redondancë zero – në kuptimin që stringa 13579 është krejt e ndryshme nga 23579, pavarësisht se dallimi prek vetëm një nga elementet përbërëse; dhe se do të ishte e pasaktë që 13579 të shihej si “variant” i 23579. Sipas këtij argumenti “shkresor”, Vehbi dhe Vehbiu janë po aq të ndryshëm mes tyre sa edhe Vehbiu dhe Bakalli, të paktën në funksionin e tyre identifikues formal. Prandaj edhe disa shtete e kanë më të lehtë që t’i identifikojnë qytetarët nëpërmjet një numri, siç është numri i sigurimeve shoqërore në SHBA (SSN)[8]. Kjo i jep një zgjidhje konfuzionit të krijuar nga një normë ligjore tradicionale, sipas së cilës emrat e njëjtë identifikohen si të tillë në bazë të kriterit të idem sonans (të shqiptohen njëlloj)[9], kriter që sot nuk ka më vlerë, të paktën në burokracitë e zhvilluara, përballë atij të njëjtësisë në shkrim.
© 2021, Peizazhe të fjalës™.
[1] Terminologjia këtu krijon konfuzion të plotë. Së pari, ngaqë emri im është Ardian Vehbiu, por në rrethana të tjera është thjesht Ardian; së dyti ngaqë emër në shqipe ka kuptimin edhe “name” edhe “noun”; së treti ngaqë mbiemër në shqipe shënjon edhe llagapin (last name) edhe mbiemrin e zakonshëm (adjective). Nga pikëpamja gramatikore, llagapi nuk është mbiemër por emër (noun), madje edhe morfologjikisht sillet si emër, duke u lakuar, duke marrë nyjë shquese, etj.
[2] Kur ti e shkruan emrin në faqen e parë të një fletoreje, për t’u identifikuar si pronari i saj; ose kur e shkruan emrin në një formular, je duke përdorur formën “përmendëse” të emrit, duke qenë emri një formë e shkurtër e shprehjes “emri im është Ardian Vehbiu”.
[3] Një përjashtim tipik është ai i llagapeve që mbarojnë me -aj (të theksuar: Musaraj dhe të patheksuar Brataj, Likaj) ose -ej (të theksuar: Çabej).
[4] Shqipja e ka të vështirë t’i integrojë në sistem emrat në -o të patheksuar; meqë forma e shquar, si radio > radioja mezi shqiptohet. Shpesh, me emrat e përveçëm, forma e pashquar emërore zëvendëson të shquarën, p.sh. erdhi Niko; por kallëzorja del normalisht si Nikon.
[5] Emrin ma kanë shkruar shpesh edhe Ardjan (për të mos folur për Adrian); ndërsa tim eti, edhe më shpesh Ylvi. Forma Ulvi do të ketë të bëjë me shqiptimin e y-së në dialektin e qytetit të Gjirokastrës. Përndryshe, të krahasohet me Ylvi Pustina ose Ylvi Basha; ose, në një rrafsh tjetër, emra si Muqerrem, Muslim, Munir, Murteza, Hisenj, Husni, etj., që i ndesh sërish në Gjirokastër. Të ngjashme janë edhe luhatjet në shkrimin e disa fundoreve mbylltore, në emrat me origjinë osmane (turke, arabe, persiane): Vahid/Vahit, Ferid/Ferit, Hamid/Hamit, Sahit/Sahid, Vehab/Vehap, Mahmut/Mahmud, Mehmet/Mehmed, etj.
[6] Shumë llagape me -í të shquar ose me -iu e kanë prejardhjen nga emra të përveçëm me burim nga lindja osmane (Nuriu, Abdiu, Bedriu, Kadriu, Kadiu, Musliu, etj.)
[7] Por ime më e ka kompensuar këtë duke përdorur pastaj tre emra: Suzana, Zana dhe Suzi, për të mos shkuar deri te Senije e dokumenteve. Një miku i familjes sonë e kish parë shpalljen e vdekjes, por nuk e kish kuptuar që bëhej fjalë për të, sepse nuk e njihte nënën time me atë emër.
[8] Kjo edhe pse shifrat, në një Social Security Number, nuk janë aspak arbitrare. Shpjegimi këtu.
[9] Sipas doktrinës së idem sonans, identiteti i një personi nuk cenohet edhe sikur emri i tij të jetë shkruar gabim, sa kohë që ekziston një ngjashmëri në shqiptimin e emrit. Kjo vlen veçanërisht për kultura ku drejtshkrimi nuk ndjek parimin fonetik. Në shqip, kjo do të vlente, për të përcaktuar se Ardian dhe Ardjan, ose Teodora dhe Theodhora, janë në thelb i njëjti emër.