Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Urbanistikë

RROPULLI URBANE

Ishte një herë një shtëpi. Në shtëpi jetonin njerëz.
 
Njerëzit rrinin në dhoma, dhomat kishin dritare.
 
Për ata që nuk e dinë, dritarja është një vrimë zakonisht katërkëndore në murin e një ndërtese, përmes së cilës hyjnë drita, ajri, mizat dhe, ndonjëherë, hajdutët.
 
Nga dritarja del edhe e keqja.
 
Banorët e shtëpisë shihnin nga dritarja dhe mendonin se ishte gjë e mirë për ta që dhoma kishte dritare, meqë mund edhe të mos kishte.
 
Shtëpia ishte autoktone tironse.
 
Dritarja shikonte nga rrugica. Në rrugicë kalonin njerëz dhe qen. Kur binte shi, rrugica zhvillonte pellgje të formave të ndryshme.
 
Njerëzit që kalonin aty pari, gjithnjë kthenin kokën dhe shikonin nga dritarja. Ditën, dritarja ishte e errët, natën e ndritshme, edhe pse jo shumë. Pak si e verdhë.
 
Nga dritarja vinin aroma shtëpie: qepë, vaj i djegur, speca, cironka të fërguara, sapun rrobash.
 
Kalimtari i vëmendshëm mund të nuhaste ndonjëherë trishtim ekzistencial, ose pikëllim të llojit “si mund të kish qenë.”
 
Shtëpia me dritare në rrugicë dukej e kapur si mushkonja jurasike në qelibar. Asgjë nuk ndodhte me të, edhe pse shumëçka ndodhte NË të.
 
Familja që banonte aty e kish marrë me qira. Nga një një familje tjetër, që paguante edhe ajo diku qira. Trualli ku ngrihej shtëpia i përkiste – me letra – një personi dikur të shpronësuar. Të gjitha këto do të merrnin rëndësi më vonë.
 
Pas 1990-ës u tha se shtëpisë “i doli pronari.”
 
Ta përfytyrojmë tani pronarin si fytyrë të madhe, të rrumbullakët, me një shprehje pak përçmuese, që shfaqet njëkohësisht në të gjitha dritaret e mundshme të bllokut, edhe ato të banjave. Shikon brenda dhe thotë: “mos më kishit harruar?”
 
Banorët e dhomës me dritare ikën. Erdhën të tjerë, pastaj edhe ata ikën. Ishin vite kur njerëzit nuk jetonin gjatë në shtëpitë e tyre, por vetëm sa ndaleshin pak, si për të rregulluar frymëmarrjen.
 
Më pas akoma, të tjera gjëra ndodhën mes pronarit, qiraxhinjve dhe palëve të treta, që çuan në braktisjen e shtëpisë. Braktisja është ndryshe nga ikja: ai që braktis, e ndien se pas tij nuk do të vijë kush tjetër t’ia mbushë hapësirat e jetesës. E ndien se bashkë me të, shtëpisë po i hiqet edhe banueshmëria.
 
Ashtu u braktisën shumë shtëpi të tjera në atë bllok.
 
U tha se truallin e kish marrë një ndërtues, për “ta zhvilluar.” U përmendën metra katrorë, përqindje dhe kontrata. U përmend e ardhmja dhe Europa.
 
Mjediset e ndërtesave të braktisura ndërkaq u përdorën: (1) si strofka opiumi; (2) si salla bixhozi; (3) si magazina për shitësit e rrobave të përdorura në trotuarët që nuk kishin gojë të rrëfenin.
 
Erdhi pastaj dita kur një pemë fiku, budallaqe dhe sfiduese, mbiu mu në mes të gjithçkaje.
 
Duke pritur që fiku të lidhte kokrra, njerëz me instinktin e sipërmarrjes në gjak i zhveshën shtëpitë e braktisura nga gjithçka – përfshi edhe xhamat e dritareve, kornizat dhe parvazet.
 
Ashtu edhe dritarja e fotos erdhi dhe u kthye në statusin e saj primordial: një vrimë drejtkëndore në një mur.
 
Kjo ndodhi mu kur pronari ose ndoshta ndërtuesi filloi të paguajë një roje për t’i ruajtur rrënojat nga ndonjë banor i ardhshëm, improvizues, që t’ua cenonte statusin prej monumenti të kulturës post-tiranase.
 
Banorët e rrugicës, edhe ata të ndërruar tashmë, kalonin aty pari dhe vështronin zbrazëtinë brenda dhe vrisnin mendjen për t’i gjetur ndonjë përdorim të menjëhershëm kësaj të mire publike të papritur.
 
Dhe meqë vendi i caktuar për të hedhur plehrat shtëpiake ishte pak larg, njerëzit filluan t’i hedhin plehrat te dhoma, së cilës i përkiste (dhe i kish shërbyer) dritarja.
 
Gjesti i të hedhurit të plehrave kërkonte një farë precizioni, si prej basketbolli rudimentar.
 
Lartësia mbi nivelin e detit e kodrës me qese rritej dita-ditës, teksa tavani i dhomës bënte bark por megjithatë mbante, qiell ende i mbarsur me stuhi, por me foshnjën tashmë të vdekur në bark.
 
Me fijet e varura të kashtës që cave u dukeshin si litarë të këputur të një shiu të trashë, ca të tjerëve si penj të këputur të një autopsie shkeleshko.
 
Por plehrat e rrugicës e kishin një strehë mbi kokë; banorët një zgjidhje më shumë dhe një problem më pak; dhe lagjja një instalacion të ri për turistët.
 
Kaluan muaj. Të gjithë banorët habiteshin me kapacitetin e asaj dhome, për të nxënë plehra. Një kalama shkolle e shpjegoi këtë mister kështu: në rrjedhë të javëve dhe të muajve, plehrat humbin në volum, zbuten dhe zgërlaqen, dhe ngjeshen nën peshën e tyre.
 
Sa më shumë plehra të hedhësh, tha ky kalama, aq më shumë vend do të krijohet dora-dorës.
 
Dhoma ishte tani gati edhe për arkeologët dhe studiuesit e mbetjeve urbane, të cilët të mësonin – duke studiuar shtresat e plehrave – si jetonin qytetarët e Tiranës në periudha të caktuara.
 
Gati për doktoratat e radhës. Gati për OJQ-të, financimet dhe konferencat.
 
Dhe kjo do të kish ndodhur, sikur të mos ish shpallur hapësira e dhomës në fjalë off-limits, për shkak të gazrave toksike që çliroheshin, radioaktivitetit spontan dhe kandrrave – viktima të gjithfarë mutacionesh – që shumoheshin mbi, në, dhe nën pirgun e mbeturinave.
 
Koha ndërkaq nuk ndalet, sepse nuk di të ndalet. Trualli e ka pronarin e vet, ndërtuesi e ka planin e vet të miratuar, banorët e rrugicës e kanë vendin ku t’i hedhin plehrat e përditshme. Nga një zgjidhje për gjithsecilin.
 
Një shtëpi mu në zemër të Tiranës smart city, dy hapa larg lavdisë së Sheshit Skënderbej, po i provon botës një mënyrë ekologjike dhe praktike, në mos ekonomike, për të zgjidhur problemin e mbetjeve. Një mënyrë ndryshe.
 
Tirana e vjetër e rishpik kështu vetveten, si kontenitor të entropisë, në zbatim të parullës, “plehra të të gjitha llojeve, bashkohuni!”, e cila kohët e fundit ka gjetur jehonë edhe në politikë, edhe në rrjetet sociale.
 
Tani dritarja, dhoma me tavanin e rrëgjuar, flora dhe fauna endemike dhe plehrat po presin për poetin që t’u këndojë.
 
© 2021, Castigat™ dhe Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin