Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

DY FORMAT E KUJTESËS TE BERGSONI

nga Damian Alia

1. Në fund të kapitullit të parë tek Materia dhe Kujtesa (në vazhim MK), Bergsoni e përcakton çështjen e kujtesës në gjithë rëndësinë e vet si problem të privilegjuar. Kjo është e kuptueshme nëse kihet parasysh projekti i tekstit, i cili shpallet në parafjalën e botimit të shtatë (1911), që në fjalinë hapëse: “Ky libër pohon realitetin e shpirtit, realitetin e materies dhe përpiqet të përcaktojë raportin mes njërit dhe tjetrit përmes një shembulli të saktë, atij të kujtesës.”[1] Në njëfarë mënyre, fillimi i parafjalës së botimit të shtatë zbërthen bërthamën e hapjes së parafjalës së botimit të parë (1896), e cila, në formë të kondensuar thotë se “Pikënisja e punës sonë ka qenë analiza që gjendet në kapitullin e tretë të këtij libri.”[2] Në fakt, kap. 3 i MK, Mbijetesa e imazheve. Kujtesa dhe Shpirti, është hapësira në të cilën artikulohet pohimi i ekzistencës së shpirtit dhe imateriales, pohim ky që mund të bëhet vetëm duke shkuar në thellësitë e kujtesës, aty ku ajo nuk është asgjë tjetër veçse kujtesë e kulluar.

Megjithatë, analiza e kujtesës së kulluar nuk mund të bëhet dhe të shfaqet në gjithë fuqinë e vet nëse Bergsoni nuk do të shtjellonte teorinë e tij të dy formave të kujtesës tek kapitulli më përpara. Ky shkrim synon të jetë pikërisht një ekspozim i konceptit bergsonian të kujtesës sipas zhvillimit që merr në kap. 2 të MK. Kjo teori e Bergsonit është e nevojshme për të ndërtuar të gjithë aparatin konceptual, strukturën teorike si dhe linjën argumentative që pason në artikulimin legjitimues të kujtesës së kulluar. Kujtesa është problem i privilegjuar por gjithçka nis me trupin.

2. Perceptimi pre-teorik, ai që nuk i njeh qëndrimet idealiste dhe realiste, teoritë filozofike (sipas kërkesës së Bergsonit se duhet të bëjmë “sikur”), na vendos në mënyrë të menjëherëshme në prani të imazheve (të objekteve të universit material). Përpara se të mund të themi se çfarë ato janë, si veprojnë mbi ne dhe ne mbi ato, përpara edhe se të vendosemi përballë apo përtej tyre, Bergsoni kërkon të kuptojmë se jemi domosdoshmërisht në prani të imazheve, ose thënë më mirë, se jemi mes tyre. E megjithatë, ky mes vjen dhe kthehet në një qendër. “Të gjitha këto imazhe veprojnë dhe reagojnë njëra mbi tjetrën në të gjitha pjesët e tyre elementare…Megjithatë, është njëri që spikat mbi gjithë të tjerët për faktin se nuk e njoh vetëm nga jashtë, përmes perceptimeve, por nga brenda, përmes afektimeve: që është trupi im.”[3] Trupi është imazhi i privilegjuar për Bergsonin dhe jo vetëm për mundësinë e dyfishtë të njohjes dhe epistemologjisë së zgjeruar që kjo implikon, por sepse mes imazheve që veprojnë mbi imazhin tim dhe reagimit ndaj tyre, trupi është përkuesi i vetëm me Unin tim. Veprimet e tij shprehin lëvizjet e ndërgjegjes të materializuara. Ndjesitë e marra prej perceptimit janë nxitjet që konfigurojnë lëvizjet motorike të përshtatshme që përkthejnë pikërisht këtë aksion të brendshëm që ravijëzohet në lëvizje në lindje. Organizimi motorik si rezultat i ndjesive të jashtme krijon kushtet e përshtatshme për ndërfutjen e lëvizjes së duhur të ndërgjegjes e cila kanalizon lirinë nëpërmjet këtyre mekanizmave. Pra, mes imazheve, imazhi im i privilegjuar përfaqëson një njohje më të gjerë dhe më të thellë, si edhe një aksion më kompleks dhe të lirë në universin material. Trupi im është mekanizmi nëpërmjet të cilit mendorja krijon zonat e papërcaktueshmërisë në universin e parashikueshëm material. Këto zona janë shfaqjet e lirisë në botë dhe për Bergsonin shprehin aspekte të krijimtarisë që karakterizon ndërgjegjen tek njeriu, i cili shfaq kompleksitetin më të madh të sistemit nervor si mekanizëm kanalizues i lëvizjeve të saj përzgjedhëse dhe të lira. Pa ndodhjen e trupit mes imazheve të tjera nuk do të mund të flisnim për ndërgjegje, kujtesë, shpirt. Të paktën, kushtetimi antropologjik që e mundëson këtë të folur e kërkon si kusht ontologjik këtë qenësi. Trupi, produkt tepër i sofistikuar i ngjizjes dhe shfaqjes që jeta bënë në materie, me strukturimin e tij si kapacitet perceptues lëvizës, raportohet me imazhet e tjera. “Ja imazhet e jashtme, pastaj trupi im, dhe në fund, modifikimet e bëra nga trupi im imazheve rrethuese. Shikoj qartësisht se si imazhet e jashtme ndikojnë mbi imazhin që quaj trupi im: i transmetojnë lëvizje. Po ashtu, shikoj se si ky trup ndikon mbi imazhet e jashtme; i rikthen atyre lëvizje. Pra, trupi im është në tërësinë e botës materiale një imazh që vepron si imazhet e tjera, që merr dhe jep lëvizje, ndoshta me të vetmin ndryshim se trupi im duket se zgjedh, në njëfarë mase, mënyrën në të cilën të rikthejë atë që pëson. Por në çfarë mënyre trupi im në përgjithësi, sistemi im nervor në veçanti, mund të gjenerojnë, plotësisht apo pjesërisht, përfytyrimin tim të universit? Le të thuhet se trupi im është materie, apo të thuhet se është imazh, pak rëndësi ka termi. Nëse është materie, bënë pjesë tek bota materiale dhe, si pasojë, bota materiale ekziston rreth atij dhe jashtë tij. Nëse është imazh, ky imazh mund t’i japi vetëm atë që i është dhënë dhe përderisa, për hipotezë, është  vetëm imazhi i trupit tim, do të ishte absurde të duash të nxjerrësh atë të të gjithë universit. Trupi im, objekt i destinuar të lëvizi objekte, është, pra, një qendër aksioni: nuk do të dinte të lindte një përfytyrim.”[4] Përveç përcaktimit të ndarjes së përfytyrimit dhe trupit si delimitim paraprak i dallimit të ndërgjegjes dhe trurit, ky pasazh është i rëndësishëm sepse qartëson statusin e imazhit tim të privilegjuar si qendër veprimi. Ky kapacitet lëvizës perceptimi që është trupi, duke u raportuar në mënyra të ndryshme me imazhet e universit material pjesë e të cilit është, përcakton jo vetëm modalitetin e ndjesive që do të perceptojë por edhe aksionin që këto ndjesi përfaqësojnë mbi trupin tim, dhe mbi të gjitha, aksionin virtual apo real, në lindje apo të ekzekutuar, mbi imazhet e jashtme nga imazhi im.

Pozicionimi në pikat hapësinore që e vendosin trupin në distancë apo në takim me imazhet që përbëjnë interesin tim praktik, qoftë automatik si reagim trupor, qoftë i ndërgjegjshëm si zgjedhje, përcakton edhe dallimin e perceptimit nga afektimi. Përzierja e afektimeve me perceptimet e tashme është e vazhdueshme sipas Bergsonit, por një dallim mes tyre do të mund të shprehej duke thënë se ndërkohë që perceptimi raportohet me distancimin prej imazheve, afektimi implikon anullimin e tij dhe takimin me imazhin. Afektimi është ndjesia e brendshme e lokalizueshme në trupin tonë e që formohet si rezultat i takimit intensiv me imazhet e tjera. Bergsoni merr shembullin e dhimbjes prej çpimit për të treguar natyrën e afektimit, e që në njëfarë mënyre, nuk është gjë tjetër veçse përpjekja e trupit për të vendosur rregull në një çrregullim të shkaktuar nga jashtë. Kështu, midis perceptimit dhe afektimit, ndjesive që vijnë nga jashtë dhe atyre që formohen nga brenda, ndodhet sipërfaqja e trupit. Kjo sipërfaqe “kufi i përbashkët i të jashtmes dhe të brendshmes, është e vetmja pjesë e shtrirjes që në të njëjtën kohë perceptohet dhe ndihet.”[5] Faktikisht, orientimi i vëmendjes nga takimi me imazhin e jashtëm tek ai që përkon me trupin tonë zbulon, për Bergsonin, se pikërisht imazhi ynë perceptohet dhe ndihet njëkohësisht. Ajo që tha në fillim të tekstit vërtetohet në momentin e këtij përkimi i cili tregon se ndjesitë afektive janë aksione reale të krijuara nga brenda trupit për të cilat bëhemi të ndërgjegjshëm, ndërkohë që perceptimet përqafojnë aksionin e mundshëm mbi imazhet dhe të imazheve.

Konceptimi i trupit si qendër aksioni dhe mundësitë e panumërta të marrëdhënieve në të cilat ai mund të hyjë me imazhet e tjera, tregon natyrën e tij si reflektues i aksioneve të mundshme të imazheve mbi atë. Nëpërmjet këtij koncepti të reflektimit Bergsoni përpiqet të shpjegojë se si trupi raporton aksionin e tij me imazhe specifike. Aksioni i mundshëm i reflektuar nga trupi implikon përgatitjen e lëvizjes në lindje si rezultat i ndjesive të përcjella nga perceptimi, apo lëvizjeve imituese të gjësë së perceptuar, por po ashtu, zbulon edhe formën e imazheve pikërisht nëpërmjet këtij reflektimi. Në këtë mënyrë, aksioni i imazhit tim mund të rregullohet në përshtatje me imazhet mbi të cilat qëndron si aksion virtual apo real.

Pikërisht kjo qasje ndaj imazheve është konfigurimi i tyre, në aspekte të veçanta, në kuadrin e aksionit të imazhit tim të privilegjuar. Bergsoni e shpreh qartë këtë: “Dhe duke qenë se këto procedime janë padyshim të sugjeruara atij (imazhit tim të privilegjuar) nga avantazhi më i madh apo i vogël që mund të nxjerri nga imazhet rrethuese, duket pikërisht që këto imazhe ravijëzojnë, në ndonjë mënyrë, në anën që kthejnë drejt trupit tim, zgjidhjen që trupi im mund të nxjerri nga kjo. Në fakt, unë vë re se dimensioni, forma, madje edhe ngjyra e objekteve të jashtme modifikohet në varësi të të afruarit apo larguarit prej tyre të trupit im, se forca e erërave, intensiteti i tingujve zmadhohet ose zvogëlohet me distancën, vetë kjo distancë përfaqëson mbi të gjitha masën në të cilën trupat rrethues janë, në ndonjë mënyrë, të siguruar kundër aksionit të menjëhershëm të trupit tim. Sa më shumë që horizonti im zgjerohet, imazhet që më rrethojnë duket se përvijohen në një sfond më uniformë dhe të më bëhen indiferente. Sa më shumë e ngushtoj këtë horizont, aq më tepër objektet që rrethshkruan vendosen dallueshëm shkallë-shkallë sipas lehtësisë më të madhe apo më të vogël me të cilën trupi im mund t’i preki apo lëvizi. Rrjedhimisht, ato i rikthejnë trupit tim, siç do të bënte një pasqyrë, ndikimin e tij eventual: renditen sipas kapaciteteve rritëse apo zbritëse të trupit tim. Objektet që rrethojnë trupin tim reflektojnë aksionin e mundshëm të trupit tim mbi ato.”[6]

Nëpërmjet përthyerjes dhe reflektimit Bergsoni përpiqet të shpjegoj pikërisht se si perceptimi i ngjan fenomenit në fjalë të aplikuar tek drita. Objektet e përshkueshme e përthyejnë këndin e dritës ndërkohë që ai dendësia e të cilit nuk e lejon këtë përshkim e reflekton mbrapsht duke krijuar kështu, një rafigurim virtual të burimit origjinal të dritës. Pikërisht këtë bënë edhe perceptimi për Bergsonin. Pozicionimi i trupit ndaj imazheve përcakton edhe anën që ato shfaqin. “Objektet nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse të braktisin diçka nga aksioni i tyre real për të rafiguruar kështu aksionin e tyre virtual, pra, në fund të fundit, ndikimin e qenies së gjallë mbi ato. Pra, perceptimi i ngjan pikërisht këtyre fenomeneve të reflektimit që varen nga një përthyerje e penguar.”[7] Rrezatimi i objekteve mbi imazhin tim, duke mos e përshkuar e rrjedhimisht duke mos realizuar ky i fundit thjesht një përthyerje të tij, reflektohet nga ai, i cili, nga ana e tij, riparaqet virtualisht formën e objektit të reflektuar sipas anës së shfaqur në përputhje me pozicionin e trupit, e që është burimi konkret i rrezatimit vetë. Këtë aspekt të cilin perceptimi e reflekton, lëvizjet e përcjella dhe të rikthyera sipas organizimit përkatës motorik, do ta kenë objekt të aksionit të tyre në lindje.

Kështu, mes imazheve të tjera, në marrëdhënie me ato, trupi ynë, kapacitet perceptues lëvizës, krijues i zonave të papërcaktueshmërisë nëpërmjet veprimeve të lira që realizon në materie, është kushti i përvojës e rrjedhimisht i çdo ruajtjeje të saj në kujtesë. Veprimi i vullnetshëm përcaktohet pikërisht nga kujtesa specifikisht shpirtërore ndërsa aksioni i reflektuar, automatik, i referohet një forme tjetër të saj.

3. Problemi i përcaktimit të dy formave të kujtesës bëhet i domosdoshëm, jo vetëm për të qartësuar natyrën e tyre të mirëfilltë, por sepse sipas Bergsonit kujtesa është kuptuar gjithnjë nga përzierja e të dy formave. Në këtë mënyrë nuk është vënë re specifika e secilës dhe implikimet përkatëse.

Por gjërat janë më të qarta nëse ndiqet logjika e skicuar më sipër e që përcakton marrëdhëniet e imazhit tim të privilegjuar me imazhet e tjera. Bergsoni mendon se, duke qenë se esencialisht kemi dy forma të aksionit, atë automatik dhe atë të vullnetshëm, kjo implikon se e shkuara duhet të ruhet në dy mënyra të ndryshme.

Për këtë arsye kapitulli i dytë synon të analizojë këto dy forma të kujtesës në kushtet e tyre të kulluara. Së pari, për t’i ndarë nga njëra tjetra dhe së dyti, për të treguar pikërisht këtë implikim të logjikës së aksionit. Vetëm më pas mund të qartësohen raportet e dy kujtesave dhe ekstremet e tyre në lidhjen apo moslidhjen me aksionin. Analiza më e thelluar e këtyre dy formave e shtyn Bergsonin të trajtojë specifikisht çështjen e njohjes  e cila, në përputhje me dy format e kujtesës, “me raste do të aktohet tek vetë aksioni dhe me aktivizimin totalisht automatik të mekanizmit të përshtatshëm të rrethanave; herë të tjera do të implikojë një punë të shpirtit, që do të shkojë të kërkojë në të shkuarën, për t’i drejtuar në të tashmen, përfytyrimet më të përshtatshme për t’u vendosur në situatën aktuale.”[8] Por përpara se të shohim njohjen e menjëhershme dhe atë të vëmendshme, le të shpjegojmë sintetikisht dy format e kujtesës për Bergsonin.

Dy format e kujtesës janë të tilla sa që ngatërresa dhe mos vënia re e dallimit që qëndron mes tyre përfundon në mosnjohjen e njërës dhe keqnjohjen e tjetrës. E para është kujtesa e cila për nga natyra e saj regjistron përvojën e vazhdueshme të imazhit tim të privilegjuar. Çdo gjë që përfshihet në eksperiencën e subjektit trupor në botën materiale ruhet nga kjo kujtesë e cila vazhdimësinë e përvojës e kthen në histori të vazhduar. Por kujtesa si e tillë nuk ka vlefshmëri praktike, dhe pikërisht se regjistrimi i të dhënave të përvojës ndodh domosdoshmërisht prej natyrës së saj, për Bergsonin kjo kujtesë imagjinon dhe se për ta kuptuar më mirë dhe zbuluar drejtë natyrën e saj, gjë që esencialisht ka të bëjë me kërkimin në të shkuarën, duhet të shkëputemi nga interesi praktik i të tashmes.

Ajo ruan “nën formën e imazheve-kujtim të gjitha ndodhitë e jetës tonë të përditshme ndërkohë që zhvillohen; nuk do të anashkalonte asnjë veçanti; secilit fakt, secilit gjest, do t’i linte vendin e vetë dhe datën e vetë.”[9] Në vetvete, ruajtja e përvojës nga kjo kujtesë nuk ka qëllimësi specifike. Vetëm në rastet e nevojës praktike ne shkojmë vullnetshëm në thellësitë e saj dhe kërkojmë imazhet që na duhen. Rikthimi i të shkuarës në një formë të lirë, pra pa qëllimësi praktike thekson pikërisht se “duhet të mund të shkëputesh nga aksioni i tashëm, duhet ditur t’i jepet vlerë të padobishmes, nevojitet të ëndërrohet.”[10] Pikërisht kjo ikje nga e tashmja në të shkuarën e gjendshme në këtë kujtesë shpreh jo vetëm kapriciozitetin e saj në shfaqjen e imazheve të nevojshme por edhe se forma tjetër e kujtesës ndjek drejtimin e kundërt duke shtypur gjithçka që nuk i duhet aksionit të momentit.

Pra, duhet kujtuar se imazhi im i privilegjuar vepron dhe veprohet nga imazhet e tjera. Aksioni i tij i raportohet perceptimit të tashëm i cili në njëfarë mënyre thërret imazhin-kujtim nga kujtesa në mënyrë që njohja e të tashmes të përplotësohet nga përvoja e shkuar dhe aksioni të jetë, jo vetëm i mundur por edhe i sigurt. Por duhet patur në mendje se forma e dytë e kujtesës duke qenë motorike, pra, duke iu referuar mekanizmave që janë ngritur prej përsëritjes e që mundësojnë materializimin e lëvizjeve të caktuara të trupit, shpreh shkallë të ndryshme intensiteti apo dallime në gradë brenda vetes, ndërkohë që ka dallim në lloj mes dy formave të kujtesës.

Në shembullin e mësimit të leksionit prej leximeve të njëpasnjëshme dhe trajtimit të mëpasshëm të kësaj forme të kujtesës, Bergsoni tregon për një gjendje më automatike në ngritjen e strukturave motorike. “Megjithatë, ekzistenca jonë rrjedh mes një numri të ngushtë objektesh, që rikalojnë pak a shumë shpesh para neve: secili prej këtyre, në të njëjtën kohë në të cilin është i perceptuar, provokon nga ana jonë lëvizje, të paktën në lindje, përmes të cilave i përshtatemi. Këto lëvizje, duke u përsëritur, krijojnë një mekanizëm, kalojnë në gjendjen e zakonit dhe përcaktojnë tek ne sjellje që ndjekin automatikisht perceptimin tonë të gjërave. Sistemi ynë nervor qenka i destinuar, siç thamë, gati vetëm për këtë përdorim. Nervat prurës përcjellin në tru një nxitje që, pasi ka zgjedhur zgjuarsisht udhën e vetë, i transmetohet disa mekanizmave motorik të krijuar nga përsëritja. Kështu krijohet reaksioni i duhur, ekuilibri me ambientin, me një fjalë, përshtatja që është qëllimi i përgjithshëm i jetës.”[11] Kalimi nga një kujtesë motorike që ngre dhe përcjell lëvizje prej domosdoshmërisë jetësore të përshtatjes tek leksioni i mësuar prej përsëritjeve, është një i ngritjes nga automatikja tek e vullnetshmja. Kjo implikon së pari, dallimin në gradë mes tyre, ku forma e vullnetshme shpreh një intensitet më të lartë se ajo automatike, së dyti, që raporti ndaj imazhit-kujtim nuk është i njëjtë dhe së treti, përzierjen e dy formave të kujtesës. Bergsoni ngulmon tek fakti se vëmendja është marrë kryesisht nga kujtesa motorike sepse është më e dukshme dhe i përgjigjet aksionit të nevojshëm. Por dallimi që ai bënë thekson se kujtesa spontane, ruajtëse e përvojës së vijuar, është gjithnjë e pranishme në secilin rast të kujtesës motorike. “Por, në të njëjtën kohë në të cilën veprohet ky proces i perceptimit dhe përshtatjes që përmbyllet me regjistrimin e të shkuarës në formën e zakoneve motorike, ndërgjegjja, në të kundërt, siç do të shohim, i mban imazhet e situatave përgjatë të cilave ka kaluar herë pas here dhe i rendit sipas radhës në të cilën janë pasuar.”[12] Nëse e ndajmë këtë përbërje dhe përzierje atëherë do të kuptojmë pse raporti ndaj imazhit-kujtim nuk është i njëjtë në të dy rastet. Në rastin e parë perceptimi dhe përmbushja e tij me imazhe-kujtime ndodh spontanisht por duke qenë se automatizmi mjafton për të përmbushur qëllimin e çastit, perceptimi dhe imazhi-kujtim zbehen në vlerën e tyre. Në rastin e dytë, mësimi i leksionit implikon jo vetëm përsëritje por edhe thërritje të vullnetshme të imazheve-kujtim që raportohen me leksionin dhe leximet e tij. Kjo implikon njohjen e vëmendshme, ndërkohë që rasti i parë i referohet njohjes së menjëhershme motorike. Dallimi mes të dy kujtesave qëndron pikërisht në faktin se ajo motorike e ruan të shkuarën si pasojë e përsëritjeve të cilat kanë ngritur mekanizmat e përshtatshëm të lëvizjes për situatat e ardhme, ndërkohë që kujtesa spontane “është në mënyrë të menjëhershme e përsosur; koha nuk do t’i shtoj asgjë imazhit të saj pa e çnatyruar; për kujtesën ai do të ruaj vendin dhe datën e tij.”[13]

Midis të dyjave Bergsoni bënë dallim të qartë, ashtu siç bënë midis trupit dhe shpirtit, qoftë në rastin e përfytyrimit dhe trurit, ashtu edhe në atë të kujtesës dhe perceptimit. Dy format e kujtesës nuk janë gjë tjetër veçse përsëritja e veprimeve në mënyrë mekanike por të mësuara prej mundësisë së kujtesës ruajtëse të përvojës së vijueshme. Vëmendja më e madhe i është kushtuar formës së dytë sepse, së pari, ajo përfaqëson vlefshmërinë praktike, dhe së dyti, sepse për nga ngjashmëria që ka me zakonin, ka shfaqur trajta më të kuptueshme. Për Bergsonin, e vërteta është se forma e dytë nuk bënë gjë tjetër veçse përsërit ato që ka mësuar në bazë të thirrjes së imazhit-kujtim të ruajtur nga forma e parë e kujtesës. Kjo tregon se kujtesa e mirëfilltë është ajo e secilit moment të pandarë, ndërkohë që forma e dytë është thjesht zakon i cili mundësohet nga kujtesa. Pra, vetë aksionet, qoftë ato të reja, qoftë ato që shprehin përsëritje dhe zakonshmëri, pavarësisht intensifikimit prej përdorimit specifik dhe të shpeshtë apo zbehjes prej mos përsëritjes, i referohen kujtesës që magazinon të shkuarën në formën e saj të papërsëritshme.

Këtë përpiqet të tregojë kur merr shembullin e mësimit të leksionit. Leximi dhe mësimi janë dy gjëra të ndryshme që shfaqin dy format e kujtesës. Leximi është i veçantë secilën herë si pasojë e ruajtjes së vijueshme të përvojës së leximit, ndërkohë që mësimi i referohet qartësisë që vjen e shtohet prej leximeve të shpeshta e që në fund bëjnë të mundur riprodhimin gati automatik. Kjo tregon pikërisht se forma e dytë e kujtesës ngrihet në zakon prej përsëritjes që nga ana e vetë është e mundur të konceptohet vetëm në themelin ontologjik të formës së parë të kujtesës. Pa të parën nuk do të kishte përsëritje, por pa të dytën do të kishte vetëm dallim. Për këtë arsye Bergsoni thotë se leximi është i veçantë secilën herë dhe ruhet si i tillë në kujtesë, ndërkohë që mësimi i referohet pikërisht thirrjes së imazheve-kujtim në kuadër të interesit të momentit, e që me përsëritjen duket sikur zotërimi i leksionit është automatik dhe kjo besohet si kujtesa e vërtetë dhe e vetme, pra, një fiksim dhe copëzim i përvojës i ruajtur në lëvizjet motorike të trupit e prandaj i thërritshëm sipas nevojës. Por kjo, edhe një herë, nuk shpjegon vetë mundësinë e të mësuarit dhe jo më atë më abstrakte të përsëritjes. Për të mundësuar qartësinë e këtij raporti mes dy formave të kujtesës le të sjellim të plotë pasazhin e Bergsonit: “Pra, përsëritja nuk ka aspak si efekt atë të konvertimit të të parës (kujtesa spontane) në të dytën (kujtesa motorike); funksioni i saj është thjesht ai i përdorimit gjithnjë e më mirë i lëvizjeve përmes të cilave e para zgjatet, për t’i organizuar mes tyre dhe duke krijuar një mekanizëm, të krijojë një zakon të trupit. Nga ana tjetër, ky zakon është kujtim vetëm sepse më kujtohet që e kam fituar: unë kujtohem se e kam fituar vetëm sepse i bëj apel kujtesës spontane, asaj që daton ngjarjet dhe i regjistron vetëm një herë. Nga të dy kujtesat që sapo dalluam, e para, pra, duket të jetë pikërisht kujtesa në kuptimin e plotë të fjalës. E dyta, ajo që psikologët zakonisht studiojnë është më tepër zakoni i  ndriçuar nga kujtesa se sa vetë kujtesa.”[14]

Përsaqë kujtimet zgjaten në kuadër të perceptimit aktual, Bergsoni ngre pyetjen nëse ndërhyrja e këtyre imazheve-kujtim “të ruajtura në kujtesë, të riprodhuara në ndërgjegje, a nuk arrijnë të çnatyrojnë karakterin praktik të jetës duke përzier ëndrrën me realitetin?”[15] Nëse kujtesa spontane lihet në arbitraritetin e saj atëherë sigurisht që do të kishim të bënim me imazhe-kujtim të cilat nuk i referohen situatës e shfaqen me vullnetin e tyre. Kërkimi në kujtesë i imazheve të caktuara pa patur nevoja praktike dhe shfaqja e tyre kundër përplotësimit të aksionit të tashëm janë dy gjëra të ndryshme. Megjithatë, nëse sistemi nervor i njeriut nuk do të ishte i vendosur në të tashmen dhe i prirur gjithnjë ndaj organizimit të lëvizjeve të duhura si pasojë e ndjesive të marra nga perceptimi, atëherë do të mund t’i kthehej përgjigje pohuese pyetjes së mësipërme. Por, duke qenë e kundërta, Bergsoni pohon se “nga të dy kujtesat që dalluam, e dyta, që është aktive dhe motorike, duhet të pengojë vazhdimisht të parën ose të paktën të pranojë nga kjo vetëm aq sa mund të ndriçojë dhe plotësojë dobishëm situatën e tashme.”[16]

Pikërisht ky mekanizëm rregullues i strukturave të trupit tim të prirur drejt aksionit ruan këtë ekuilibër mes dy formave të kujtesës. Prej kësaj shtytjeje të imazheve-kujtim të padobishme në ndërgjegjen e tashme dhe lëvizjeve që ajo materializon nëpërmjet trupit, krijohet ideja se kujtesa e vetme është ajo motorike dhe kujtimet ruhen në tru. Megjithatë, përfundimet e dallimit dhe analizës së secilës formë Bergsoni i përmbledh duke thënë se “e shkuara duket se magazinohet, siç kishim parashikuar, nën këto dy forma ekstreme: nga njëra anë mekanizmat motorik që e përdorin, nga ana tjetër imazhet-kujtim personale që i ravijëzojnë të gjitha ngjarjet me kontekstin e tyre, ngjyrën dhe vendin e tyre në kohë. Nga këto dy kujtesa, e para është vërtetë e orientuar në kahun e natyrës; e dyta, e lënë vetvetes duket se shkon në kah të kundërt. E para, e fituar fal sforcimit mbetet nën varësinë e vullnetit tonë; e dyta, plotësisht spontane, është aq kapricioze në riprodhim aq sa është besnike në konservim. I vetmi shërbim i rregullt dhe i sigurt që e dyta mund t’i bëjë të parës është ai i të treguarit të imazheve të asaj çka paraprirë apo ndjekur situatat analoge ndaj situatës së tashme me qëllim ndriçimin e zgjedhjes së saj: në këtë konsiston shoqërizimi i ideve. Nuk ka asnjë rast tjetër në të cilin kujtesa që rishikon t’i bindet rregullisht kujtesës që përsërit. Në çdo situate tjetër parapëlqejmë të ndërtojmë një mekanizëm që na lejon, sipas nevojës, të ravijëzojmë përsëri imazhin sepse ndiejmë se nuk mund t’i besojmë më rishfaqjes së tij. Këto janë dy format ekstreme të kujtesës, të analizuara secila në gjendjen e kulluar.”[17]

4. “Akti konkret përmes të cilit kapim të shkuarën në të tashmen është njohja.”[18] Problemi i njohjes është i rëndësishëm sepse mund të zbulojë rolin që vërtetë kujtesa luan në të tashmen. Çështja që synon të sqarojë Bergsoni është se si arrijmë të rinjohim një imazh të perceptuar jo për herë të parë. Pra, si është e mundur që përhumbja e njeriut dhe pamundësimi i aksionit në rastin e një të tashmeje që përvijohet pafundësisht për herë të parë, të jetë rezultat vetëm i rasteve të dëmtimeve motorike-nervore të trupit dhe jo normë.[19] Së pari është njohja e menjëhershme. Bergsoni e kupton këtë në referim të kujtesës motorike si të tillë, si aftësi specifike të trupit. Shëtitja nëpër qytet, sipas shembullit të tekstit, kalon nga një perceptim që ende nuk ka organizuar në mënyrë efektive lëvizjet trupore, tek një mekanizëm automatik lëvizjesh që nuk e ka më nevojën e theksit të perceptimit e që është ngritur me shëtitje të përsëritura. Rrugët e perceptuara e përsëri të shëtitshme me vështirësi, kthehen me kalimin e kohës dhe njohjen e tyre në lehtësisht të përshkueshme sa që ta bëjë “të padobishëm perceptimin tim.”[20]

Bergsoni pranon se çdo perceptim zgjatohet në lëvizje dhe se secila përsëritje e këtyre vajtje-ardhjeve mund të kthehet në zakon. Në njëfarë mënyre, sensi i njohjes, i gjësë së njohur, i takon së pari trupit përsaqë “zakoni i të përdorurit të objektit ka përfunduar të organizojë së bashku lëvizje dhe perceptime, dhe ndërgjegjja e këtyre lëvizjeve në lindje që ndjekin perceptimin në mënyrën e një refleksi qenka, edhe këtu, themeli i njohjes.”[21] Pra trupi dhe raportet e tij me imazhet, ruajtja e të shkuarës në strukturat e tij motorike dhe siguria e aksionit të ngritur në zakon, duket se e “veprojnë njohjen përpara se ta mendojnë.”[22]

Sidoqoftë, nuk duhet harruar që eksperienca e vijuar e këtyre shëtitjeve nëpër qytet është ruajtur nga kujtesa spontane. Për këtë arsye Bergsoni paralajmëron nga të nxituarit në pohimin se strukturat motorike të trupit mjaftojnë për të realizuar njohjen. “Në fakt, ndërkohë që nën ndikimin e perceptimeve gjithnjë e më mirë të analizuara nga trupi, ndërtohen aparate motorike, jeta jonë e mëparshme psikologjike është aty: mbijeton – do të përpiqemi t’a provojmë – me të gjitha veçantitë e ngjarjeve të saj të lokalizuara në kohë. E shtypur pa pushim nga ndërgjegjja praktike dhe avantazhuese e çastit të tashëm, që do të thotë, nga ekuilibri ndjesor-motorik i një sistemi nervor të tendosur mes perceptimit dhe aksionit, kjo kujtesë thjesht pret që të shfaqet një e çarë mes përshtypjes aktuale dhe lëvizjes bashkëshoqëruese për të kaluar imazhet e saj.”[23] Pikërisht fakti i imazheve-kujtim që shoqërojnë perceptimin e tanishëm dhe lëvizjet motorike korresponduese nuk duhet lënë jashtë vëmendjes në njohjen e menjëhershme. Sigurisht, duke qenë se nuk kemi të bëjmë me një kërkim në të shkuarën, pa vlefshmëri praktike, e kuptojmë mos vënien re të imazhit-kujtim që ndriçon kujtesën motorike. Kjo e fundit “n’a shtyn në të ardhmen” ndërkohë që për të eksploruar kujtesën spontane “nevojitet të zmbrapsemi në të shkuarën.”[24] Lëvizjet trupore dhe kujtesa motorike kanë këtë raport me kujtesën spontane: ndërkohë që shtypin tërësinë e imazheve të magazinuara e që nëse do të ktheheshin arbitrarisht në përfytyrimin e ndërgjegjshëm, do të pamundësonin aksionin, me fiksimin që trupi i bënë mendjes në të tashmen, përgatitin përzgjedhjen apo kalimin e atyre kujtimeve që i përshtaten situatës,.

“Pra, mund të thuhet se lëvizjet që provokojnë njohjen mekanike, nga një anë pengojnë, nga ana tjetër, favorizojnë njohjen nëpërmjet imazheve.”[25] Kujtimi i ‘lejuar’ do të jetë “imazhi i ngjashëm me situatën e pranishme.”[26]

5. Njohja e vëmendshme e detyron Bergsonin të sqarojë fillimisht konceptin e vëmendjes. Kjo e fundit kuptohet në dy karakteristikat e saj: si intensifikim dhe si zgjerim. Të dy këto aspekte shprehin një qëndrim të inteligjencës, e cila, si e tillë, zgjeron veten apo gjendjen intelektuale dhe njëkohësisht intensifikon perceptimin si mundësi e zbulimit të detajeve më të mëdha tek imazhi i perceptuar.

Ky qëndrim intelektual që nuk jepet menjëherë si i qartë, gjurmohet nga Bergsoni në një pezullim apo mosndjekje të lëvizjeve që derdhen në aksion. “Vëmendja implikon një rikthim tek hapat e vetë shpirtit që heq dorë nga të ndjekurit të efektit të dobishëm të perceptimit të tashëm: së pari, do të ketë një frenim të lëvizjes, një aksion ndalimi.”[27]

Kështu, vëmendja është e kundërta e njohjes automatike e cila kalonte përnjëherë në aksion në përputhje me natyrën e vetë. Ndalimi është ruajtja e distancës ndaj objektit të perceptuar, e si i tillë, paraqet rikthimin tek trajtat e këtij të fundit. “Me këto lëvizje nis puna pozitive, dhe jo thjesht negative, e vëmendjes.”[28]

Për të kuptuar qartësisht njohjen e vëmendshme duhet të mbahen në mendje dy gjëra: a) marrëdhënia e perceptimit të vëmendshëm me kujtesën, b) rindërtimin e brendshëm të objektit të perceptuar.

Pika b implikon pikën a sepse perceptimit të tashëm, që në përputhje me lëvizjet imituese të perceptimit kundrejt gjësë së perceptuar thërret dhe mundëson kanalizimin në perceptim, pra, kalimin e kujtimeve në imazhe-kujtim, nga virtuale në aktuale, sipas përkueshmërisë me objektin e perceptuar, i shtohet nga brenda rindërtimi i gjësë së perceptuar pikërisht prej imazheve-kujtim. Bergsoni thotë se “ajo krijon përsëri perceptimin e tashëm, ose më mirë, dyfishon këtë perceptim duke i nisur vetë imazhin e saj, qoftë edhe ndonjë imazh-kujtim të të njëjtit lloj.”[29] Imazhet analoge të perceptimit vijnë vërtetë sipas kushteve të vendosura nga lëvizjet nervore që perceptimi shkakton, por implikojnë gjithnjë përpjekje për sintetizim. Njohja e vëmendshme që shfaqet si analizë ngrihet mbi këto prova sintetizuese të cilat nuk janë gjë tjetër veçse përpjekjet e kujtesës për të përzgjedhur imazhin e përshtatshëm rast pas rasti.

Imazhi-kujtim gjen kushtet e duhura për t’u aktualizuar në të tashmen duke mundësuar në këtë mënyrë rindërtimin e brendshëm të objektit të perceptuar. Prandaj Bergsoni thotë se “çdo perceptim i vëmendshëm supozon vërtetë, në kuptimin etimologjik të fjalës, një reflektim, pra, një projektim të jashtëm të një imazhi aktivisht të krijuar, identik apo të ngjashëm me objektin dhe që do të modelohet mbi përvijimin e tij.”[30]

Këtë proces që ndërton njohjen e të tashmes nëpërmjet një drejtimi që shkon nga jashtë-brenda, nga perceptimi në kujtesë, dhe nga brenda-jashtë, pra, nga kujtesa në perceptim nëpërmjet imazhit-kujtim, Bergsoni e koncepton si qark. “Përkundrazi, ne pretendojmë se perceptimi i reflektuar është një qark në të cilin, të gjithë elementet e vetë, përfshirë edhe objektin e perceptuar, mbahen në një gjendje të tensionit reciprok, si një qark elektrik, në mënyrë të tillë që asnjë vibrim i nisur nga objekti të mund të ndalojë përgjatë rrugëtimit në thellësitë e shpirtit, ai duhet t’i kthehet gjithmonë vetë objektit.”[31]

Ky proces duhet kuptuar si një konceptim i ri i punës intelektuale sipas Bergsonit. Çdo njohje e vëmendshme implikon këtë proces qarkor e që nga ana tjetër nuk mund të bëjë pa puqjen midis objektit dhe shpirtit. Këtë përkim e bënë të mundur pikërisht lëvizja nga perceptimi në kujtesë dhe nga kujtesa në perceptim.

Intensifikimi i vëmendjes do të krijojë qarqe të tjerë, apo ato që Bergson quan rrathë të kujtesës. Këto janë rezultat i nevojës për të kërkuar më tepër detaje dhe lidhje të objektit të perceptuar brenda vetes dhe me imazhet rrethuese. Ky intensifikim i perceptimit dhe zgjerim i intelektit mundësohet dhe rezulton në vijueshmërinë e procesit dhe thellimin në të shkuarën e ruajtur nga kujtesa.

 

Nëpërmjet kësaj skeme Bergsoni do të tregojë rrathët e kujtesës dhe korrespondueset e tyre në realitetin e objektit që njihet. Pika O përfaqëson objektin e perceptuar nga pika A. Të gjitha pikat B, C, D, përfaqësojnë pikërisht këto qarqe të krijuara nga procesi i rindërtimit dhe thellimit që njohja e vëmendshme mundëson nëpërmjet kalimit në kujtesë. Pikat B’, C’, D’, përfaqësojnë përplotësimin e qarkut në tërësi e si rrjedhim detajet e zbuluara tek objekti dhe lidhjet e tij me imazhet e tjera.

Këto janë rrathët e kujtesës nëpër të cilët kalon puna e shpirtit. Sa më thellë të kërkojmë në përmbajtjen e kujtesës, aq më shumë rrathë do të krijohen duke përcaktuar kështu intensitetin në të cilin po vepron shpirti i orientuar prej lëvizjeve të përcjella nga perceptimi i tashëm. Kujtimet e thërritura nga skica që jep perceptimi ynë vijnë duke u përshtatur me atë, e në këtë mënyrë, “vinë momenti në të cilin kujtimi, i reduktuar kështu, ngec aq mirë në perceptimin e tanishëm sa që nuk do të dinim të thonim ku mbaron perceptimi dhe ku fillon kujtimi.”[32] Thellimi në kujtesë nëpërmjet rrathëve që shprehin largësi të ndryshme të të shkuarës, reflekton gjithnjë thellim në njohjen e imazhit të perceptuar. Pra, shtresat më të thella të kujtesës bashkohen, rast pas rasti, në një qark me ato të realitetit të njohur.

Me qëllim theksimin e natyrës së njohjes së vëmendshme dhe marrëdhënies perceptim-ndërgjegje-kujtesë citojmë këtë pasazh të gjatë për t’a përmbyllur ekspozimin. “Imazhi-kujtim, i reduktuar në gjendjen e kujtesës së kulluar, mbetet i padobishëm. Virtual, ky kujtim mund të bëhet aktual vetëm për perceptimin që e tërheq. I pafuqishëm, i kërkon hua jetën dhe forcën e tij ndjesisë së pranishme në të cilën të materializohet. Me këtë, a nuk është njëlloj si të thuash se perceptimi i dalluar provokohet nga dy rryma me kahe të kundërta, nga të cilat, njëra, centripete, rrjedhon nga objekti i jashtëm, dhe tjetra, centrifuge, ka si pikënisje atë që quajmë<kujtim të kulluar>? E vetme, rryma e parë do të jepte vetëm një perceptim pasiv me reaksionet mekanike që e shoqërojnë. E dyta, e lënë në vetvete, përpiqet të japi një kujtim të aktualizuar, gjithmonë e më aktual ndërkohë që rryma theksohet. Të bashkuara, këto dy rryma formojnë, në pikën në të cilën takohen, perceptimin e dalluar dhe të njohur.”[33]

 

(c) 2021 Damian Alia. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Bibliografi:

Bergson, Henri, Materia e Memoria, Editori Laterza, Roma, 2004
Bergson, Henri, The Creative Mind, Philosophical Library, New York, 1946aa
Bergson, Henri, Mind-Energy, MacMillan and Co, London, 1920

Referenca:

[1]Henri Bergson,Materia e Memoria, Editori Laterza, Roma, 2004, f. 5.
[2]Po aty, f. 3.
[3]Henri Bergson,Materia e Memoria, vep. e cit., f. 13.
[4]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 15.
[5] Po aty, f. 46.
[6]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 16.
[7]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit, f. 29.
[8]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 64.
[9]Po aty, f. 66. Fluksi i kohërrjedhës së brendshme përcakton ritmin e kësaj ruajtjeje të të shkuarës e cila është përmbjatja e përvojimit sipas këtij ritmi. Po ashtu, vetë mbërja dhe ndryshimi i imazhit të perceptuar dhe të ruajtur si e shkuar në kujtesë kushteton veçantinë e secilit kujtim si ngjarje. “Tani, as dy momente nuk janë identike në një qenie të ndërgjegjshme. Merrni shembull ndjenjën më të thjeshtë, supozojeni të jetë konstante, përthithni të gjithë personalitetin në të: ndërgjegja që do të shoqërojë këtë ndjenjë nuk do të mbetet vetvetja për dy çastet pasuese përsaqë momentet pasardhëse përmbajnë, përtej dhe sipër atij paraardhës, kujtimin që i fundit ka lënë. Ndërgjegja që do të kishte dy çaste identike do të ishte një ndërgjegje pa kujtesë.” Henri Bergson, The Creative Mind, Philosophical Library, New York, 1946, f. 193.
[10]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit, f.66.
[11]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 69.
[12]Po aty, f. 69.
[13]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 68.
[14]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 68.
[15]Po aty, f. 69.
[16]Po aty, f. 69.
[17]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 73.
[18] Po aty, f. 74. Reconnaissance në origjinalin frëngjisht, recognition në anglisht dhe riconoscimento në italisht. Të tre gjuhët shprehin pikërisht identifikimin e diçkaje të njohur. Në këtë shkrim u përdor njohje, jo si rezultat i një gjykimi të specializuar për përkthim por sepses së pari, në përdorimin e zakonshëm të shqipes e kemi mjaft të përhapur formën e njoh, e njeh?, për të shprehur atë që merr të mirëqenë vetëdijen e njohjes së diçkaje. Nga ana tjetër, nëse do të krijohet ndonjë ngatërresë dhe njohja, gabimisht në këtë rast, do të kuptohet si kushtet e mundësisë së njohjes në përgjithësi, përsëri nuk bindin për të përdorur termin identifikim duke qenë se shpreh institucionalizëm dhe artfic gjuhëson në këtë rast, si edhe në atë të përdorimit të përditshëm. Për këto arsye, ky shënim synon pikërisht të kuptuarit e termit njohje sipas kontekstit bergsonian në të cilin po përdoret, në përputhje me qëllimin e artikulimit teorik dhe jo atë specifik të shqipërimit.
[19] Analiza e dëmtimeve cerebrale dhe sëmundjeve të ndryshme ka për qëllim të tregojë së pari, dallimin e trupit dhe shpirtit apo mendjes dhe trurit dhe si rezultat, se sëmundjet apo dëmtimet kanë të bëjnë me trupin/trurin dhe jo kujtesën apo mendjen. Në rastin konkret kemi të bëjmë me atë të kujtimeve dhe trurit përsaqë Bergsoni tregon se gjendjet shëndetësore zbulojnë se të pamundësuara apo shkatërruara janë strukturat motorike dhe jo kujtimet duke mos qenë këto të fundit të ruajtura në tru. Pra, ose dëmtohen strukturat motorike të cilat duhet të organizojnë lëvizjet e duhura kundrejt perceptimit të tashëm e që në këtë mënyrë nuk arrijnë të thërrasin imazhet-kujtim që kërkon nevoja, ose shkatërrohen strukturat të cilat, edhe pse i raportohen percpetimit, nuk janë në gjendje të lejojnë kalimin e imazhit-kujtim për të përplotësuar ri-njohjen. “Por truri, – saktësisht se tërheq nga jeta mendore çfarëdo që mund të luhet në lëvizje, çfarëdo që është e materializueshme, – pikërisht sepse kështu kushteton pikën e futjes së mendjes në materie, – siguron në çdo moment përshtatjen e mendjes ndaj rrethanave, duke e mbajtur vazhdimisht atë në takim me realitetet. Pra, truri nuk është, duke folur striktësisht, as organ i mendimit, as i të ndjerit dhe as i ndërgjegjes; por e mban ndërgjegjen, ndjenjat dhe mendimin të tendosur në jetë dhe rrjedhimisht, i bënë ato të afta për aksion efikas. Nëse dëshironi, le të themi se truri është organi i vëmendjes ndaj jetës.” Henri Bergson, Mind-Energy, MacMillan and Co, London, 1920, f. 47. Bergsoni vazhdon më tej duke theksuar këtë qëndrim: “Në fakt, një çlirim i tensionit apo më mire, i vëmendjes ndaj jetës, e cila e mban mendjen të fiksuar në atë pjesë të botës materiale e cila ka të bëjë me aksionin e saj, është i vetmi rezultat i drejtpërdrejtë i çrregullimit trunor. Sepse truri është grumbulli i të gjitha sajesave që lejojnë mendjen t’i përgjigjet aksionit të gjërave nëpërmjet reagimeve motorike, të zbatuara apo thjesht në lindje, të cilat me saktësinë e tyre sigurojnë futjen e përsosur të mendjes në realitet.” Po aty, 48.
[20]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 77.
[21]Po aty, f. 78.
[22]Po aty, f. 79.
[23]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 79.
[24]Po aty, f. 79.
[25]Po aty, f. 80.
[26]Po aty, f. 80.
[27]Po aty, f. 84.
[28] Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 85.
[29]Po aty, f. 85.
[30]Po aty, f. 86.
[31]Po aty, f. 87.
[32]Henri Bergson, Materia e Memoria, vep. e cit., f. 89.
[33]Po aty, f. 108.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin