Vëllamadhit Titos Jochalas
Nga Bardhyl Demiraj
(LMU München)
Debatin e kohëve të fundit në revistën “Peizazhe të fjalës” – i nxitur prej dokumentarit në dukje eksplorativ: Kur Gjini u “bë” GREK… Dropulli, grek apo shqiptar? E vërteta – Gjurmë Shqiptare (regj. M. Mema), lidhur me etnicitetin e zonës së Dropullit në Jug të hapësirës shqipfolëse, e kam ndjekur nga afër e sigurisht – përse ta fsheh ?! – me shqetësimin e natyrshëm të një studiuesi që i është përkushtuar me shpirt dhe fiton bukën e gojës prej më shumë se 40 vjetësh me çështje që lidhen drejtpërsëdrejti me historinë e gjuhës shqipe e sado tërthorazi edhe me atë të bartësve të saj. Gjatë leximit, më saktë studimit të kujdesshëm të gjithë atyre shkrimeve që plotësojnë mozaikun e këtij debati, u josha edhe unë të shihja sot (më dt. 19.02.21) dokumentarin në fjalë. Isha i 214.499-ti në radhë, ndërkohë që ishin regjistruar 2535 komentare, ndërsa 2460 shikues drejtonin pëlqyerin e vet lart dhe vetëm 172 syresh poshtë. Nuk kishte kuptim të jepja edhe unë ndihmesën time në këtë pikë, sepse, ja ashtu, pëlqyeri im nuk do të ndryshonte aspak proporcionet e qarta të shumicës. Gjithsesi kjo rrethanë e pazakonshme më esëlloi, andaj solla ndër mend se edhe unë jam marrë dikur seriozisht e kam hedhur në letër të bardhë e botuar diçka lidhur me njërën ndër ato pamje të shumta të “Çështjes shqiptare”. Është fjala pikërisht për trevat e vendbanimeve shqiptare në periudhën e mesjetës së hershme, thënë më saktë: në kapërcyell të shek. V/VI deri në dhjetëvjeçarët e parë të shek. IX e.j. Si e tillë ajo lidhet vetëm tërthorazi me debatin në fjalë, anipse çështje të metodës dhe kritere të studimit, sikurse vetë vlerësimi dhe interpretimi i fakteve, qofshin këto edhe gjuhësore, në dimensionet ‘kohë’ dhe ‘hapësirë’ nuk dallon aspak me sosh të fushave shoqërore-kulturore historike që sendërtojnë së bashku shkencën rajonale ndërdisiplinore të albanologjisë.
Prashtu, këtë pjesëmarrje sado të brishtë në debatin në fjalë e kam kufizuar thjesht dhe vetëm në çështje të metodës dhe të aparatit shkencor që disponojmë dhe zbatojmë në ato pak studime gjuhësore diakronike, përkatësisht syresh etnolinguistike shqiptare në kohën tonë. Ndërhyrje të rastit në çështje të metodës ase vlerësim konkret ndaj ndonjë termi teknik të pagjetur që qarkullon në këtë debat, jam rrekur ta cek vetëm përciptas e kryesisht në fusnota, në mënyrë që të mos ndërhyj vend e pa vend duke shkapërdarë strukturën dhe rrjedhën e përsiatjeve lidhur temën e kumtuar qysh në titull. Përndryshe e ndjej më se të arsyeshme e të domosdoshme të shpreh edhe unë në fund në formë epilogu gjykimin tim ndaj atij dokumentari të transmetuar në një kanal televiziv shqiptar qoftë si qytetar shqiptar dhe nënshtetas i Republikës së Shqipërisë.
- Qerthulli tematik dhe diskutimi përkatës
Kufizimi i temës brenda atyre caqeve kohore kushtëzohet kryekëput me dy drejtime të debatit shkencor albanologjik përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar në arealin kulturor europian, sidomos në atë gjermanishtfolës, ku koncepti i autoktonisë relative të popullit shqiptar në trojet e sotme të Ballkanin Perëndimor (dhe Qendror) sendërtohet ende në tri pamje:
- a) si e pranueshme të paktën për periudhën prej fundit të antikitetit dhe e kufizuar në zanafillë në një zonë të Shqipërisë Veriore që përkon deri diku me trevën gjeografike të Matit;
- b) si e përftuar në një hapësirë gjeografike të Shqipërisë Veriore të quajtur dikur Arbanon (= shq. Arbën – më vonë edhe njësi politike-administrative: shek. XIII), shi në shpinë të Durrësit, ku gjetën strehë disa mijëra besimtarë të krishterë prej fisit trakas të besëve, të cilët në dhjetëvjeçarët e parë të shek. IX e. j., më saktë në vitin 820, ishin të detyruar të linin trojet e tyre të dikurshme në masivin qendror të Rodopeve, pikërisht në zonën e Remesiana-s;
- c) si e shtrirë në zanafillë pak a shumë në të gjithë hapësirën e sotme shqipfolëse, duke e ruajtur këtë pamje qysh prej periudhave të hershme të antikitetit;
Pjesëmarrja ime në këtë debat kufizohet në verifikimin e argumenteve pro dhe kundër tezës së parë dhe të dytë, që kanë si bartës kryesorë historianët gjermanë Georg Stadtmüller (19662) dhe Gottfried Schramm (1981, 1994, 19992). Lidhur me tezën e tretë (Ölberg 1995 7vv.), që mbështetet sot e gjithë ditën edhe në arealin kulturor-shkencor mbarëshqiptar[1], do të mjaftohem në përmbyllje të trajtesës me ndonjë vërejtje të skajshme të karakterit metodik lidhur me pozicionimin e entitetit etnik-gjuhësor shqiptar në qerthullin e entiteteve gjuhësore të (pa)njohura të Ballkanit në periudhën e antikitetit.
Lidhur me metodën e studimit më duhet të përsëris se, duke qenë gjuhëtar historian qasja ime ndaj një teme të kësaj natyre kushtëzohet në thelb me rrethanën që çështje të historisë së gjuhës shqipe ngërthehen dashur pa dashur në spektrin e studimit të kulturës etnike të popullit shqiptar si bartës i kësaj gjuhe. Pra, në pikëpamje të metodës së studimit do t’i përmbahem edhe në këtë rast orientimit tim gjuhësor-filologjik, që parakupton edhe besnikëri ndaj parimeve të kurdogjendura të të ‘këndvështimit shumëfish’ dhe të ‘kritikës koherente të burimeve’.
- Premisa metodike
2.1. Areale kulturore-gjeografike ~ areale gjuhësore etnike
Mbështetur në perspektivën e studimit gjuhësor diakronik, nocioni “atdhe / vendbanime të shqiptarëve” në mesjetën e hershme mund të perceptohet fare mirë si një hapësirë kompakte gjuhësore në Gadishullin Ballkanik, që kufizohej dikur me areale të tjera ku nuk flitej shqip. Gjithashtu kjo hapësirë kompakte nuk përjashton aspak në tërësinë e saj bashkëjetesën midis gjuhëve të ndryshme, sikurse na dëshmojnë rrethanat për pjesën tjetër të mesjetës deri në kohën e re – madje vise-vise edhe sot – në zona të tëra të Gadishullit. Dhe është fakt që në trevat e sotme kompakte shqipfolëse – të mirënjohura si monada e Ballkanit (Šufflay 1916 285) – janë folur e fliten edhe sot shumë gjuhë. Një rrethanë të tillë gjuhësore nuk lejohemi të paktën ta përjashtojmë as për periudhën në fjalë (shek. V/VI – IX), aq më tepër që gjatë kësaj periudhe Ballkani i tërë u përball me fluksin e fuqishëm të fiseve sllave të jugut, të cilat, duke u përhapur e shtrirë gjithkund, i shtuan njëherësh një komponent të ri sistemit ekologjik së marrëdhënieve ekzistuese ndëretnike e gjuhësore të Gadishullit.
Pra, në rast se e perceptojmë hapësirën gjuhësore shqipfolëse në periudhën e mesjetës në mënyrë opsionale si disagjuhëshe, në kuptimin e një zone ku bashkëjetonin disa grupime etnike-gjuhësore, thyejmë njëherësh një barrierë metodike që ka gëzuar gjithherë përkrahje në perëndim kryesisht në studimet e mirëfillta historike për Ballkanin, ku kufijtë kulturorë-gjeografikë përcillen njëherësh si kufij etnikë-gjuhësorë. Rrjedhojë e këtij koncepti – për mendimin tim më se të diskutueshëm – janë p. sh. përfundimet e nxjerra gjatë hetimit të së ashtuquajturës Vija Jireček (= Linie Jireček), e cila përcillet nga shumëkush jo thjesht dhe vetëm si kufi i dy kulturave të qytetërimit europian në mesjetën e hershme, por edhe si kufi ndarës i dy zonave gjuhësore-etnike të Ballkanit në fillimin të mesjetës, përkatësisht në një zonë latine-romane në Veri kundrejt gjegjëses greko-bizantine në Jug. Më vonë, me dyndjen e fiseve sllave të jugut e gjithë kjo hapësirë – përpos ndonjë qendre urbane bregdetare të fortifikuar – mendohet të ketë qenë rrafshuar tërësisht në pikëpamje gjuhësore etnike. Në vijim të kësaj hullie syzimi, rrëgjimit etnik-gjuhësor duhet t’i kenë shpëtuar vetëm disa zona të vështira malore në Ballkanin Qendror dhe/ose Perëndimor, e pikërisht aty mundën të ruanin e të mbronin identitetin e tyre dy gjuhë të mëhershme ballkanike: shqipja dhe rumanishtja e përbashkët. Kjo përsiatje e marrëdhënieve gjuhësore-etnike në Ballkan përgjatë mesjetës së hershme mendoj se është e gabuar, dhe nuk i përgjigjet realitetit të kohës, për të cilën po diskutojmë.
2.2. Ndikimi i greqishtes së vjetër si barrierë psikologjike
Kufizimi i hulumtimit në hapësirën kohore midis shek. V/VI deri IX e çliron historianin e gjuhës nga një barrierë e fortë psikologjike, meqë çështja e vendbanimeve të shqiptarëve në Ballkan është ndërliksur gjithherë me shkallën e ndikimit të greqishtes së vjetër ndaj shqipes, duke u ndërvarur prej tij. Në rastin tonë, kufizimi i gjurmimit të vendbanimeve të shqiptarëve në periudhën e mesjetës së hershme e mënjanon këtë problem, që mbetet për fat të keq ende i pazgjidhur në albanologji.
2.3. Marrëdhëniet e filiacionit së shqipes me një gjuhë të Ballkanit antik
Duke e kufizuar hetimin e hapësirës shqipfolëse në mesjetën e hershme, ne gëzojmë edhe një tjetër përparësi në hulumtim, pasi çlirohemi nga barra e rëndë që i kemi vënë vetes deri sot për të gjetur dhe saktësuar marrëdhëniet e filiacionit të shqipes me njërën ndër gjuhët që fliteshin dikur në Ballkanin antik. Nisur nga këndvështrimi i mirëfilltë gjuhësor kemi të bëjmë këtu, përpos greqishtes së vjetër, – thënë troç! – me gjuhë fantazma, të cilat në çdo rasë e nevojë ndryshojnë emër dhe formë. Mbështetësit e tezës së autoktonisë së shqiptarëve në trojet e sotme e identifikojnë këtë gjuhë në kohën tonë me të ashtuquajturën ilirishte ose degëzime të saj, si p.sh. epirotishtja, maqedonishtja antike apo dardanishtja etj. Në Perëndim nuk mungojnë gjithashtu as kundërshtarë të kësaj teze, të cilët mëtojnë marrëdhënie filiacioni me gjuhë të tjera rrënoja, që duhet të jenë folur dikur në lindje të Ballkanit antik, të tilla si trakishtja ose degëzime e saj si dako-mizishtja, besishtja etj. Të gjitha këto teza e supozime i bashkon në vetvete një emërues metodik i përbashkët: operojnë me gjuhë imagjinare – thënë më saktë me pseudogjuhë – meqë ato nuk na ofrojnë gjë tjetër përpos ndonjë glose të rrallë e të dyshimtë si edhe një burie njësish toponomastike, më se të vështira për t’i interpretuar në pikëpamje etimologjike.
Meqë ky shkrim nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me marrëdhënie të kësaj natyre, po mjaftohem të theksoj këtu mendimin tim, që kërkimet në paleoetnologjinë e Gadishullit Ballkanik vështirë se do të jenë dikur në gjendje të verifikojnë apo të falsifikojnë marrëdhëniet e filiacionit të shqipes me një gjuhë rrënojë të Ballkanit antik, sa kohë që nuk disponojmë një tekst sado të shkurtër prej asaj gjuhe.
2.4. Rruga e tretë
Dalja nga ky rreth vicioz, ku është futur dashur pa dashur gjurmimi diakronik i shqipes dhe i kulturës etnike të bartësve të saj, lejon të guxojmë si zgjidhje alternative një rrugë të tretë. Dua të citoj me këtë rast mendimin e një kolosi në historinë e albanologjisë dhe të indoevropianistikës, gjuhëtarit danez Holger Pedersen, i cili duke shqyrtuar etnonimin e dikurshëm të shqiptarëve kumton, si vijon:
“Është pra e qartë, që në emrin etnik të shqiptarëve, pa marrë parasysh gr. ‘Aλβανοί dhe emërtimin [me shformim] sllav që sipas Meyer-it fshihet në emrin e trevës Labëri, duhet caktuar [si parësore forma me] r (jo l). Grekët e kanë riformësuar emrin sipas një asociacioni të paqartë me emra të tjerë gjeografikë. Se ç’do të thotë arbən-, kjo është natyrisht e vështirë për t’u sqaruar. Në rast se do të ishte identik me gr. ὀρφανός “jetim” (pra në zanafillë emërtim i një fisi migrator), kjo do të ngërthente në vetvete një profeci të fatit të [këtij] populli.”[2]
Këto premisa metodike, për mendimin tim, mundësojnë të paktën një ridimensionim të metodës dhe të qëllimit të kërkimit, përkatësisht të verifikimit të vendbanimeve të hershme të shqiptarëve, duke u mbështetur kryekëput në hetimin e historisë së brendshme e të jashtme të shqipes e në bashkëlidhje me të me përpunimin e të dhënave që përfitojmë prej gjeografisë historike gjuhësore të trevave të sotme shqipfolëse. Qëndrimi gjithherë koherent ndaj këtyre premisave e bën krejt sipërfaqësor puthadorjen dhe flirtimin me të ashtuquajturën ideologji kombëtariste, siç po ngjërojmë tash në këtë debat.[3]
- Ndarja dialektore e hapësirës kompakte shqipfolëse në shek. V/VI – IX e.j.
Në vijim të kësaj metodike pune nuk e kemi të vështirë për të deduktuar me saktësi që sistemi gjuhësor i shqipes qysh në fazën e parë të mesjetës së hershme nuk sillej më i njësuar në gjithë hapësirën kompakte ku flitej shqipja atëbotë. Një ndër tronditjet e para të sistemit arrijmë ta izolojmë p.sh. me dukurinë e rotacizmit të bashkëtingëllores hundore /n/, që u përftua në zanafillë në një mjedis rrethues zanor, dhe përfshiu si i tillë vetëm një pjesë të hapësirës kompakte shqipfolëse, bash atë që e quajmë sot Toskëri: */n/ ↧ t. /r/ | V_V.
Rezultatet e hulumtimit diakronik dëshmojnë gjithashtu bindshëm që kjo dukuri dialektore e shqipes ka përfshirë krahas fondit të burimit indoevropian edhe shtresat e huazimeve leksikore nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja, khs.: t. llërë = g. llãnë < pshq. */Vłenā/ : gr. ὠλένη “id.”; g. mokën = t. mokër “gur mulliri” < gr. dor. μᾱχαν “id.”; g. lakën ~ t. lakër < gr. λάχανον “id.”; g. rãnë ~ t. rërë < lat. arēna “shesh (dueli) me rërë, arenë”etj. Përkundrazi, gjurmët e veprimit të saj në shtresën e huazimeve sllave të shqipes janë, në mos të diskutueshme, të paktën të papërfillshme, khs.: t. tërësirë „litar“ < bulg. trъstina „litar i sajuar me lesh dhie“[4] Këto rrethana kanë bërë të mundur edhe izolimin në kohë të kësaj dukurie, e cila pranohet sot gjithkund e prej gjithkujt në albanologji se ka pushuar së vepruari, të paktën në periudhën e intensifikimit të marrëdhënieve të ndërsjella shqiptare-sllave, periudhë që shkon deri aty nga shek. VIII-IX e. j.
Kjo rrethanë na jep tash dorë të orientohemi drejt në qerthullin problemor që parakupton tema komplekse e hetimit të trevave shqipfolëse në periudhën e mesjetës së hershme. Të paktën në një pikë jemi të qartë: ndarja dialektore e arealit të dikurshëm gjuhësor shqipfolës i bie ndesh tezës së migracionit të shqiptarëve në hinterlandin e Durrësit në dhjetëvjeçarët e parë të shek. IX e. j. (§ 1b) Kritika që mund t’i bëhet kësaj teze është shumëplanëshe, por mund të mjaftohemi këtu me vërejtjen, që dasia dialektore e një hapësire gjuhësore zakonisht është produkt i një numri dukurish gjuhësore me kohëzgjatje të konsiderueshme e që parakupton një numër bukur të madh folësish natyrorë, përkatësisht një hapësirë shumë më të shtrirë gjuhësore me një ose disa vatra rrezatuese.
3.1. Jugu i Shqipërisë – pjesë përbërëse e hapësirës kompakte shqipfolëse në mesjetën e hershme
Kjo situatë gjuhësore, d.m.th. çarja dialektore e sistemit gjuhësor të shqipes në kohë dhe hapësirë, rrezikon pas gjase të shkaktojë kolizion edhe me përsiatjet e grupimit të atyre historianëve që e kërkojnë “atdheun” e shqiptarëve në mesjetën e hershme pikërisht në trevat e sotme të hapësirës shqipfolëse, duke e rrudhur atë në krahinën e quajtur dikur Arbanon, ose të paktën në një pjesë të saj, p.sh. në trevat e Matit (§ 1a). Nisur nga kjo rrethanë, shumëkush lejohet të njohë të paktën si zgjidhje alternative marrjen në analizë edhe të hapësirës gjeografike gjuhësore të Jugut. Sigurisht që bëhet fjalë këtu për praninë e një entiteti gjuhësor etnik, i cili për periudhën në shqyrtim gjëllinte në këtë territor së bashku me bashkësi të tjera gjuhësore-etnike, si p.sh. ato greke, (më vonë ) sllave dhe – pse jo – edhe ato romane/arumune.
Ndër argumentet gjuhësore që u bien ndesh përgjithësisht përfundimeve të grupimit në fjalë lejohem të përcjell në debat:
- Ndikimi i greqishtes së mesme, përkatësisht i kulturës greke-bizantine në mesjetën e hershme ndaj shqipes nuk mund të nënvleftësohet aspak. Kështu p.sh., mjafton të përmendim këtu huazimin popullor t. korë “ikonë” < gr. (εἰ)κόνα “id” me dukurinë dialektore të rotacizmit, i cili na lejon të përsiasim që popullsia e krishterë në jug të hapësirës kompakte shqipfolëse mund dhe duhet të ketë përcjellë të ashtuquajturën “luftë të ikonave” midis Kishës së Lindjes dhe asaj të Perëndimit (shek. VIII-IX)[5].
- Me të njëjtën rrethanë përballemi edhe gjatë hetimit të makrotoponimeve antike, si p.sh. emri i qytetit antik të Vlorës që buron në instancë të fundit prej gr. Аὐλών ~ (kall.) Аὐλῶνα (Jireček IAF I 1916 177), e që shumëkush – në sajë të një metateze të mundshme të përftuar në rrokjen nistore – rreket ta përcjellë në shqipe me ndërmjetësimin e sllavishtes së jugut (Weigand 1927 239; Schramm 1981, 391f.). A gjen mbështetje ky mëtim me të dhënat e sotme të albanologjisë dhe të sllavistikës? Kjo çështje lë shteg për shumë diskutime. Për momentin paraqet më shumë rëndësi fakti që ky toponim i është nënshtruar në shqipe dukurisë së rotacizmit, e cila siç përmendëm më lart ka vepruar në shqipe në shek. VI – IX e. j. Përsiatja e një riformimi të mëvonshëm analogjik mbetet në këtë rast e pambështetur dhe duhet përjashtuar patjetër, në qoftë se marrim parasysh edhe faktin që në gjithë zonën përreth sikurse në gjithë Jugun e hapësirës kompakte shqipfolëse mungon një model i mundshëm. Përkundrazi, në Juglindje të qytetit të Vlorës ngrihet kalaja e Kaninës. Emri i saj nuk dëshmon asnjë shfaqe të dukurisë dialektore të rotacizmit, e kjo për një arsye më se të thjeshtë: kjo qendër e fortifikuar dëshmohet me këtë emër prej fillimeve të shek. XI[6], d.m.th. në një periudhë kur kishte pushuar me kohë së vepruari dukuria në fjalë. Shumë domethënës në këtë drejtim, e sidomos për këndvështrimin tonë, është padyshim hetimi i toponimit relativisht të hershëm Shqeri (= [ʃce͑͑ ri:]) (< lat. *Sklavinia “trevë sllave”[7]), i cili shënon “një krahinë të vogël (rrethinë) në rrethin e Përmetit (Ljesa L[indore] dhe të Kolonjës (pjesa P[erëndimore])” (FESH III 2537) dhe na dëshmon qartë një zhvillim të rregullt të strukturës tingullore burimore në gojën e folësve të shqipes së lashtë në këtë periudhë.[8]
- Pa dyshim që një sasi e konsiderueshme e toponimeve dhe hidronimeve në Jug të Shqipërisë është e burimit sllav, përkatësisht format e përdorimit të tyre në shqipe mund të shpjegohen thjesht dhe vetëm nëpërmjet ndërmjetësimit të sllavishtes, si p.sh. Vjosë, Osum, Seman, Korçë Gjithsesi kjo rrethanë nuk parakupton aspak që në Jug të hapësirës së sotme kompakte shqipfolëse flitej vetëm sllavisht (dhe – më parë – greqisht). Një pasqyrë të gjendjes multietnike të kësaj zone mund të fitojmë edhe me hartën toponomastike të gjithë zonës në shek. XV-XVI, ku emrat e vendbanimeve me origjinë sllave variojnë në kuotat 25% në Jugperëndim (Palasë) dhe 62% në Juglindje (Skrapar)[9], ndërkohë që shpërndarja dialektore e huazimeve leksikore sllave varion ndërmjet 430 (Korçë) dhe 186 (Sarandë) njësi[10].
- Edhe një fakt nga historia e jashtme e shqipes e tumir mendimin për praninë e vendbanimeve shqiptare gjatë mesjetës së hershme në jug të hapësirës së sotme kompakte shqipfolëse dhe gjithherë në bashkëjetesë bashkësi të tjera gjuhësore-etnike. Mjafton të përmendim këtu ndër të tjera bjerrjen e fonemës /y/, përkatësisht kalimin e saj në /i/ në të gjitha të folmet çame e në shumë e shumë të folme të tjera të toskërishtes juglindore, duke rrokur sigurisht edhe gjirokastritçen e pjellës më të keqe që përjetoi dikur populli dhe kombi shqiptar në historinë e vet të trishtë. Kjo dukuri do parë si dëshmitar okular i bashkëjetesës afatgjatë e në simbiozë të bashkësive shqiptaro-greke për gjithë hapësirën në fjalë. Të mos u anashkalojmë as bashkëpërkimeve të shumta në të gjitha nivelet gjuhësore (fonetikë, stukturë gramatikore, sintaksë) midis shqipes, (a)rumanishtes dhe maqedonishtes, të cilat janë përftuar jo rastësisht në Toskëri falë bashkëjetesës së paqme ndëretnike përgjatë periudhës së mesjetës së lartë dhe të vonë. E në këto bashkëpërkime jo gjithmonë pjesëmerr edhe gegnishtja.[11]
3.2. Veriu i Shqipërisë – pjesë përbërëse e hapësirës kompakte shqipfolëse në mesjetën e hershme
A flitej shqip në mesjetën e hershme edhe në Gegni, që vjen me thënë në pjesën veriore të hapësirës së sotme shqipfolëse? Kjo pyetje merr ndërmjetshëm përgjigje pozitive në rast se i referohemi rishtas dukurisë dialektore të rotacizmit në shqipe, e cila nuk e ka rrokur këtë zonë gjatë veprimit të saj. Për më tepër edhe hetimi i fondit të makrotoponimeve ekzistuese mbështet bindshëm mendimin që ky fond në shumicën e tij dërrmuese shpjegohet gjuhësisht pa marrë parasysh një ndërmjetësim të mundshëm të formave sllave.
- a) Të tilla janë p.sh. makrotoponime si Drisht : lat. Drivastum (= /drívastu-/), Ulqin : gr. Όυλκίνιον, lat. Olchinium (= */ulkín-/) ose Shkodër : gr. Σκόδρα, lat. Scodra (= /skódra/, apo hidronime të tipit Ishm : lat. Issamnus (= */ísamnu-/). Në këtë qerthull bën pjesë edhe toponimi Durrës (: gr. Δύρραχιον, lat. Dyrrachium), të cilin Weigand-i (1927 239) e pas tij edhe Schramm-i (1994 27v.) përpiqen ta shpjegojnë me ndërmjetësinë e një forme sll. *Dъrâč (khs. serb. Drâč). Ky shpjegim kundërshtohet së fundi me të drejtë nga Matzinger (2009 94), i cili rindërton për shqipen një formë ndërmjetëse romane */dúrratso/ me bashkëtingëllore afrikate /-ts-/ dhe theks nistor indigjen, duke pranuar si kufi të kalimit të saj në protoshqipe shek. V e.j. Pa dashur të hyjmë më shumë në hollësi lidhur me atë interpretim, mund të vëmë në dukje se ky cak kohor për toponimin në fjalë, qoftë edhe ante quem non, i përshtatet më së miri përsiatjeve tona mbi vendbanimet shqiptarëve në perëndim të Ballkanit gjatë mesjetës së hershme[12].
- b) Sigurisht që me fluksin e fiseve sllave të jugut në Ballkan edhe në këtë zonë pritej të ndodhnin përzierje të marrëdhënieve gjuhësore-etnike, ashtu siç i përcjellim pjesërisht a) në statistikat e fondit toponomastik të shek. XV-XVI, ku toponimet me burim sllav lëkunden ndërmjet 79% në lindje (Dulgoberda), 14% në perëndim (Malet e Mjet) dhe 5% në trevat e Matit (Fandi)[13]; si edhe b) në përhapjen dialektore të huazimeve sllave që variojnë midis 402 (Shkodër) dhe 185 (Mati) njësi leksikore[14].
3.3. Krahina e Matit si zonë relikte e shqiptarëve në mesjetën e hershme
Ky regjistrim empirik i të dhënave toponomastike dhe leksikore dëshmon bindshëm që elementi sllav është thuajse i papërfillshëm në krahinën e Matit, të cilën historiani gjerman Georg Stadtmüller (1942; 19662 118ff.) e syzon si një zonë relikte për bashkësinë shqipfolëse në periudhën e mesjetës së hershme. Shumë studiues i janë bashkuar ndërkohë kësaj teze, edhe pse dikush e sheh këtë paksa të ngushtë e ndonjë tjetër përsiat jo pa argument pozitiv (p.sh. ky shkrim) më shumë se një të tillë.
- Pa dashur të pjesëmarr drejtpërdrejt në diskutim lidhur me shtrirjen gjeografike të kësaj zone në mesjetën e hershme, po lejohem këtu të përmend se vetë emri i lumit të Matit, që dëshmohet me këtë emër ndoshta jo rastësisht në shek. IV/V e. j. (Vibius Sequester), pra në fund të antikitetit, është pas gjithë gjasash i burimit shqip. Këtë mendim e përforcon përdorimi i tij në shqipe edhe si apelativ me kuptimin (arb. It., g.) “buzë lumi, breg deti”, që e bën më se të besueshëm afrimin etimologjik dhe përqasjen formale me lat. mons,-tis “mal” (Vasmer 1921 39v, 61), çka mundëson rindërtimin e një forme bazë të përbashkët me shkallë ablautive zero të rrënjës: */mnt-/ me n rrokjebartëse. Shmangiet që vihen re në kuptimet e fjalës në shqipe dhe latinishte nuk janë aspak të pazakonshme, madje gjejnë mbështetje edhe në gjegjëse të ngjashme ndër gjuhët ballkanike, khs. shq. mal “mons,-tis” : rum. mal “breg lumi” (B. Demiraj 1997 67).
- Në hyrje të zonës së Matit, bash në anën perëndimore të saj hasim një toponim që paraqet interes, pos të tjerash, edhe në zbërthimin e marrëdhënieve gjuhësore-etnike të gjithë krahinës në kapërcyell, në mos edhe përgjatë, periudhës së antikitetit. Bëhet fjalë këtu për toponimin e sotëm zyrtar Pllana, i cili ka konkurruar si i tillë variantet popullore të mëhershme P(ë)dhanë, B(ë)dhanë, që konservojnë të pandryshuar ndërrimin dialektor /dh/ ~ /ll/ (Gjinari 1989 174). Lidhur me historinë e këtij emërtimi janë dhënë deri sot dy mendime: a) i pari prej Norbert Jokl-it (1934 196) që niset prej variantit popullor Pëdhanë, duke deduktuar këtu një toponim latin-roman të padëshmuar *Pedaneus *“në këmbë/rrëzë të malësisë”, i cili, sipas tij, duhet të jetë njohur dhe përdorur si i tillë prej popullsisë migratore shqipfolëse aty rreth shekullit VIII e. j.[15], dhe b) i dyti prej albanologut i hershëm, por ende pak i njohur Ndre Mjeda (1935 241ff.), i cili arrin të izolojë këtu me saktësi marramendëse ngulimin e hershëm ilir Bassania (Livius 44, 30), ndërkohë që vetë emërtimi gjëllin sot e gjithë ditën në gojë të banorëve anas në formën P(ë)dhanë, B(ë)dhanë.
Pa dashur të ndalem më gjatë në secilin argument, mund të përmend shkurt se bashkëlidhja që bën Mjeda midis toponimit ilir Bassania dhe emërtimit popullor P(ë)dhanë, B(ë)dhanë është bindëse në disa pamje, ndërsa vështirësia e përqasjes së segmenteve ilir. (= lat.) <-ss-> /s/ ~ shq. /dh/ (↧ dial. geg. /ll/) kapërcehet lehtë, në rast se mbajmë parasysh zëvendësimet e ngjashme tingullore gjatë hyrjeve të të ashtuquajturave fjalë migratore / mesdhetare antike në fondin leksikor të shqipes, si p.sh.: shq. thikë : lat. sica; shq. thes : gr. vj. σάκ(κ)ος “thes (me lëkurë dhie)”, lat. saccus (< huazim nga semitishtja, khs. hebr. (fenik.) śaq “thes”); shq. bathë : gr. vj. φακός “thjerrë”, φάσηλος “lloj fasuleje” (> lat. fasēlus) etj.
- Përfundim
Si përfundim mund të shtoj se argumentet e përcjella më lart vetëm tumirin tezën që vendbanimet e të parëve të shqiptarëve në periudhën e fundit të antikitetit dhe fillimet e mesjetës duan kërkuar bash në hapësirën e sotme kompakte shqipfolëse, si në veri ashtu edhe në jug të saj e gjithmonë e pandërprerë në bashkëjetesë me bashkësi të tjera etnike-gjuhësore. Gjithsesi ai (ri)hap edhe një problem, që nxit në një mënyrë a një tjetër hulumtimin ndryshe të periudhave të mëhershme në zhvillimet e etnosit shqiptar, shi pozicionimin e tij në arealet kulturore-etnike të Ballkanit antik, të cilat jemi mësuar t’i quajmë sipas rastit si ilir, epirot, dardan, maqedonas etj. Le t’i japim më mirë një shans, duke njohur qoftë edhe si zgjidhje alternative gjallesën e tij si një entitet etnik-gjuhësor sa i veçantë aq edhe real në morinë e pseudopopujve të albanologjisë dhe të pseudogjuhëve të Ballkanit antik. Kështu edhe thënia e Pedersenit fiton më shumë kuptim.
- Epilog: bëni kujdes ndaj marrëdhënieve ndëretnike në hapësirën shqipfolëse
I bashkohem edhe unë me ose pa dashje atyre 172 shikuesve të dokumentarit në fjalë, bash atyre që tregojnë pëlqyerin për poshtë. Me siguri që secili syresh e ka ndjekur atë sipas mënyrës së vet, për të mos përmendur këtu të ashtuquajturit terma teknikë si <grekëri> dhe <shqiptari>, të cilët vijnë e i zvirdhen natyrshëm zhgënjimit që i bashkon në unison këta termopilas ndaj lukunisë me pëlqyer lart. Këso rasash trysnie të rëndë shpirtërore mua më ngushëllon vetëm i madhi Fishtë me polemikat e tij në publicistikë. Më vijnë në mend lloj-lloj aforizmash e kumtesh (p.sh.: Dheu i shtremtë ban kual të shkjeptë), anipse s’besoj t’i bashkohem ndonjëherë metamorfozës së tij, të përftuar plot një shekull më parë. Pa rrëgjuar asnjë grimcë ndaj respektit dhe mirënjohjes sidomos ndaj një debatuesi dhe kolegu të intervistuar, qoftë edhe për prurjet e tij të pazakonshme në medievistikë, ajo që më bën të ndjej veten mirë në këtë debat janë gjykimet e mprehta dhe pa implikime ideologjish nacionaliste të dy kolegëve grekë dhe si-shqiptarë, të cilët jo rastësisht nuk mungojnë t’i referohen shpesh e më shpesh kolegut dhe vëllamit tim prof. Titos Jochalas (Athinë), një Promethe i dytë ky, i lindur vetëm me njohur, mbledhur dhe prurë një jetë të tërë në fushat tona “zjarrin” e gjuhës, të kulturës e të historisë së arvanitasve të Greqisë e të diasporës historike shqiptare në Thesali.
Të hedhësh në letër vlerësime ndaj dokumentarit në vetvete besoj se është thjesht kohë e humbur. Konceptimi, struktura, intervistimet me rrugë e mjete të paligjshme dhe realizimi ndoshta – e pse jo? – po aq tinëzar, duke manipuluar intervistat me specialistë të fushës, nuk kanë të bëjnë aspak me një sendërtim të vonuar të <Shqiptarisë> (kundër <Grekërisë>) ase të nacionalizmit shqiptar si bazament politik-ideologjik dhe kulturor-social i dy formacioneve nacionale shtetërore në Ballkan: Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Ai dokumentar ruan vetëm një vlerë, më saktë antivlerë, sepse ia vlen të përdoret thjesht dhe vetëm si provë dëshmuese ndaj dhunimit të vetëdijshëm të Kartës së Helsinkit mbi të Drejtat e Njeriut, si edhe të bashkësive etnike në shtetet nacionalë, meqë përcjell hapur ne masmedia dhe rrjete sociale të internetit prirjet raciste e kundërproduktive të ndonjë segmenti të errët social në Shqipëri, i cili nuk kontrollohet dhe përndiqet prej organeve të dhunës ligjore të një shteti nacional që synon të hyjë sa më parë e pa kompleks inferioriteti në familjen e lirë të Bashkimit Europian. Aforizmat e Fishtës fitojnë në këtë rast edhe më shumë kuptim.
© 2021, Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autorit.
Literaturë e përzgjedhur
Bartl, P.: Albanien. Vom Mittelalter bis zur Gegenwart, Regensburg 1995.
Demiraj, B.: Sistemi i numërimit të gjuhës shqipe (vështrim diakronik), Tiranë 1997.
Demiraj, B.: Einheitlichkeit und Spaltung im Laufe des Christianisierungsprozesses der Albaner (Eine ethnolinguistische Fallstudie), në: „Studime“ 8-9 [2001-2002] 23-41, Prishtinë.
Demiraj, Sh.: The origin of the Albanians; linguistically investigated, Tiranë 2006.
Gjinari, J.: Dialektet e gjuhës shqipe, Tiranë 1989.
Jireček, K.: Valona im Mittelalter, në: „Illyrisch-albanische Forschungen“, bl. I, München u. Leipzig 1916 168-188.
Ködderitzsch, R.: Albanisch und Thrakisch, në: „Studia albanica“ [2001] 79-87.
Matzinger, J.: Kritische Kurzbemerkungen zur nordalbanischen Toponomastik: Die Namen der urbanen Zentren in adriatischen Küstenbereich, në: „Nordalbanien – L’Albania del Nord“ (botues M. Genesin & J. Matzinger), Hamburg 2009 87-101.
Mjeda, N.: Bassania, në: „Leka“ 7 [1935] 241-243, Shkodër.
Ölberg, H.: Die ursprünglichen Wohnsitze der Albaner auf der Balkanhalbinsel, në: „Dardania“ 4 [1995] 7-9, Wien.
Pedersen, H.: Die albanesischen l-Laute, KZ 33 [1895] 535-551.
Schramm, G.: Eroberer und Eingesessene, Stuttgart 1981.
Schramm, G.: Anfänge des albanischen Christentums. Die frühe Bekehrung der Bessen und ihre langen Folgen, Freiburg/Br 1994.
Jokl, N.: Zur Ortsnamenskunde Albaniens, në: „Zeitschrift für Ortsnamenforschung“ 10 [1934] 181-206.
Stadtmüller, G.: Forschungen zur albanischen Frühgeschichte. Zweite erweiterte Auflage, Wiesbaden 1966.
Šufflay, M.: Das mittelalterliche Albanien, në: „Illyrisch-albanische Forschungen“ Bd. I, München u. Leipzig 1916 282-288.
Svane, G.: Die slawischen Lehnwörter im Albanischen, Aarhus Univ. Press, Aarhus 1992.
Vasmer, M.: Studien zur albanesischen Wortforschung I, Dorpat 1921.
Weigand, G.: Sind die Albaner die Nachkommen der Illyrer oder der Thraker, në: „Balkan-Archiv“ 3 [1927] 227-251, Leipzig.
Ylli, Xh.: Das slavische Lehngut im Albanischen, 1. Teil: Lehnwörter, München 1997
Ylli, Xh: Das slavische Lehngut im Albanischen, 2. Teil: Ortsnamen, München 2000
[1] Shih së fundi Sh. Demiraj 2006 passim.
[2] Citati origjinal: „Es ist also klar, dass der eigene name der Albanesen, ohne rücksicht auf gr. ‘Aλβανοί und die im gaunamen l’abəri nach Meyer steckende slavische bezeichnung, nur mit r (nicht l) angesetzt werden darf. Die Griechen haben den namen nach unklarer association mit anderen geographischen namen umgestaltet. Was arbən- bedeutet, ist natürlich schwer zu sagen. Sollte es mit gr. ὀρφανός identisch sein (also ursprünglich bezeichnung eines ausgewanderten stammes), würde es so zu sagen eine prophezeiung vom schicksal des volkes enthalten.” (Pedersen: Die albanesischen l-Laute, KZ 33 [1895] 551)
[3] Lejohem të përmend me këtë rast pjesëmarrjen paksa të çuditshme në debat të para do ditëve të Akad. (ASHSH) Prof. (Uni. Lille) Dr. Albert Dojës me shkrimin: Midis shqiptarisë dhe grekërisë (dt. 6 shkurt 2021), ku rreket të kombinojë çështje të metodës dhe të ndonjë parimi të ashtuquajtur antropologjik me pozicionime të natyrës ideologjike kombëtariste të disa historianëve medievistë shqiptarë, meqë: “Nuk ka si të mos jem i ndjeshëm, pikërisht ndaj kësaj problematike, pasi prej kohësh kam trajtuar dhe diskutuar në mënyrë kritike, si dhe kam hapur debat të ashpër në shtypin shkencor ndërkombëtar, ndonëse herë-herë edhe për publikun akademik shqiptar, mbi mangësitë teorike dhe metodologjike të studimeve shqiptare…” Shih edhe shën. 8.
[4] Shih së fundi Svane 1992 292; Ylli 1997 261, 316vv.
[5] Shih më hollësisht Demiraj 2001/2002 34.
[6] Shih Acta et Diplomata I Nr. 58 (1019: τὰ Κάνινα).
[7] Edhe si fjalëterm gjeografik që shënon Sllavoninë e dikurshme në veri të Gadisshullit tek Blanchus Dict. 1635, 144 33: <Shkiení> “Illyris, Schiavonia”, sikurse ndër arbëreshët e Italisë te Chetta Dict. 1764 (?) <Shqerí> “id.”.
[8] Shfrytëzoj rastin të ndërhyj rishtas në shkrimin e z. Doja të cituar më lart (nr. 3), duke u mjaftuar këtu të zhdrivilloj shenjuesit <grekëri> dhe <shqiptari> që ky si-mos-o-zot-albanolog i vendos qysh në titull dhe rreket t’i përdorë si: “dy terma teknikë që nënkuptojnë mënyrën e të qënit “grek” apo “shqiptar”” e duke shtuar në fusnotë, sqarime të rastit, se si: “Termi “grekëria” mund të konsiderohet i formuar sipas rregullave fjalëformuese të shqipes nga sh[umësi] grekë (grekër), por është i dëshmuar në anglisht (Greekery) të paktën që nga viti 1680 dhe tregon “mënyrën sipas grekëve”, veçanërisht “zakonet ose praktikat e Kishës Greke” (English Oxford Dictionary, 2nd edition, 1989), ndërsa termi “shqiptaria” lidhet etimologjikisht me shqip dhe tregon “mënyrën sipas shqiptarëve” apo atyre që flasin “shqip”, të paktën që nga shekulli i tetëmbëdhjetë, ndonëse bëhet i njohur gjerësisht pas ligjërimeve kombëtare shqiptare rreth viteve 1878-1881.” Shumëkush që njeh sado përciptas leksikun e shqipes dhe gjedhet e saj fjalëformuese, do të pyesë në radhë të parë veten: çfarë ka të vërtetë në këtë kumt? Përgjigja është e thjeshtë, në mos triviale: asgjë! Kush kërkon argumente, i gjen ato me bollëk: a) <Greekery> [< GREEK n. + -ERY Suffix.] shfaqet vërtet në anglisht në shek. XVII, por jo vetëm që aty është fjalë e rrallë dhe obsolete, por edhe kur është përdorur, është përdorur vetëm me konotacion të theksuar negativ: “[1] contemptuous. Customs or practices (in general) of the Greek Church. Obsolete. | 1680 Dialogue between Pope & Phanatick 11 They [the Greek Church] are no more true Protestants than the Church of England; for they have Bishops and Liturgies, Rites and Ceremonies, and such kind of Greekery; [2] Cheating, card-sharping.” Të përdorësh këtë fjalë si term teknik në aktivitete shkencore-intelektuale kësodore, siç është debati në fjalë, është njëlloj si të hedhësh benzinë në zjarr; 2) shq. <Grekëri> shfaqet në kulturën e shkrimit shqip po aq rrallë. Është e regjistrur për herë të parë në shek. XIX dhe bart natyrshëm ashtu siç pritet kuptimin “Greqi” (shih Hahn: Albanesische Studien III, f. 21: <Grekërí> “Greqi, (më shpesh) More”, thuajse njëlloj si, siç përmendëm në tekst, toponimi <Shqerí> “zonë, krahinë sllave; Sllavoni”. Por jo vetëm kaq! Nuk ka të bëjë aspak me një formim prej numrit shumës, sepse në Veri dëshmohet po aq rrallë gjegjësja <Grekni> “Greqi” (shih Mann Al.-Engl. Dict. 1948, f. 133), khs. edhe <Shqipëri/Shqipni> (< shqip+ëri/(ë)ni), <Labëri> (< lab+ëri) etj. Pra kemi jo vetëm një fjalëformim tjetër (: shq. grek+ëri/(ë)ni), por edhe një kuptim krejt të ndryshëm nga anglishtja, andaj edhe përdorimi i saj si term i dyfishtë teknik sjell vetëm çoroditje. 3) Njëlloj, mos më i mefshët është gjykimi për prejardhjen e shenjuesit <Shqiptarí> (< shqiptar+í), në bazë të cilit qëndron endonimi <shqiptar>, pra kemi lidhje të ndërmjetshme me ndajfoljen <shqip>. Gjithsesi përdorimi i saj si term (teknik) është zënë me kohë si shenjues i programit politik-ideologjik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare e me spektër semantik më se të ngulitur si emër përmbledhës që sendërton në komunikim së pari propagandën politike-ideologjike shtetformuese të Rilindjes, sikurse më pas edhe vetë kombin shqiptar, shih ndër të tjerë Mann AED 1948, f. 496: <shqiptari> “(MN = archiv Mann): Albanian Nationalism; Bsh.: alb. Nation”. Ajme, edhe ky term i ashtuquajtur teknik që ka përzgjedhur z. Doja, s’bën gjë tjetër, veçse hedh madje tritol në gjakrat dosido të ndezura në këtë debat. Ja që është mirë që herë-herë t’i drejtohemi vetes me kundër-fabulat e Ezopit se si të heqim brirët për t’u dukur më të shëmtuar, se me siguri do të tërheqim edhe ndonjë sarkazmë dhe qesëndisje të përsëritur ndaj gjuhësisë dhe prurjeve të gjuhëtarëve.
[9] Ylli 2000 199. Lidhur me proporcionet toponomastike në zonën e Dropullit e rrethina na tërheq vëmendjen së fundmi studiuesi i censhëm Dhori Qiriazi: https://peizazhe.com/2021/02/18/gjaku-sbehet-uje-shkenca-po/.
[10] Ylli 1997 298.
[11] Falë zbatimit koherent të parimeve universale të këndvështrimeve shumëfishe (multiple perspektives) dhe të kritikës së burimeve (source criticism) janë zbërthyer ndërkohë me sukses zhvillimet konvergjente të shqipes si gjuhë ballkanike (Balkansprachbund) falë bashkëjetesës dhe marrëdhënieve intensive në kohë e hapësirë me gjuhë të tjera simotra të Gadishullit.
[12] Gjithashtu duhet mbajtur parasysh që një formë me bashkëtingëllore afrikate në trup të fjalës na dëshmohet qysh në shek. III e.j., khs.: <Dyrratio> (Tab. Peutingeriana, sect. VI)
[13] Ylli 2000 199.
[14] Ylli 1997 298.
[15] Ky kufizim në kohë bëhet për të motivuar mosrrëgjimin e mbylltores së zëshme /-d-/ në pozicion ndërzanor që ka rrokur pa përjashtim të gjitha huazimet e mirëfillta latine në shqipe, khs. fe < lat. vulg./rom. fede < lat. fides, shq. va < lat. vadum “id.”.