(Për “Kronikën e Dropullit” dhe jo vetëm)
nga Dhori Q. Qirjazi
Universiteti Aristotelian i Selanikut
Lexuesit të nderuar mund t’i kujtohet se, me rastin e një shkrimi të botuar fillimisht diku tjetër dhe të ribotuar para disa ditësh në “Peizazhe…” (26.1.2021), kisha premtuar të merrem pak më gjatë me “Kronikën e Dropullit” dhe prej aty të kapem pas çështjesh të tjera.
Ç’ne ky titull? – do të më thonë të paduruarit. Ju ftoj të gjithëve t’i hidhni një sy emisionit “Gjurmë Shqiptare” të datës 16 janar të këtij viti dhe të dëgjoni drejtuesin Mema. I cili, i ndihmuar nga dy profesorë të nderuar, shpalosi të vërtetën e gjithëkohshme e të llagartë për prejardhjen e banorëve të Dropullit, që, me gjak dhe humor të prishur në kohë pandemie, morën, para kohe a tamam në kohë, dozën a mësimin e parë të këtij viti prej Marinit: Gjaku s’ bëhet ujë!!!
Po shkenca dhe e vërteta? Ato, po. Bëhen ujë e bëhen krunde! Dhe do të shpjegohem më poshtë.
Le të më lejohet të shtoj fillimisht se pakica kombëtare greke në Shqipëri, në radhët e së cilës bëj pjesë, është prej kohësh tópos i preferuar i “Gjurmëve”.
Me maskë a pa maskë anti-covid, me candid a ç-candid camera, ky djalë i ndjek një për një gjurmët në kohë të minoritetit grek. Por ka gjurmë e gjurmë, sikurse ka timing e timing.
Përse vallë tani “Gjini e Gjoni” dhe mes tyre Dropulli me “gjak të shprishur”? Kaq nuk i marrka gjumi këta mediallinj për të vërtetën e nisen në mes të dimrit për të na rrëfyer soin e për të na bërë sejmenin a soj-menin? Kaq të pazotë qenkemi ne për të ditur nga vijmë e cilët jemi dhe përgjithësisht për t’i kullandrisur punët tona?
Me sa di, ne “çifçinjtë” e dikurshëm luftuam krahas shqiptarëve për t’u dhënë dërrrrmën bejlerëve të djeshëm. Edhe sejmenëve të sotëm, sigurisht!
Ne kemi me qindra e qindra njerëz që, të integruar në indin e shoqërisë shqiptare, kanë kontribuuar, dje dhe sot, për përparimin dhe emancipimin e saj. I ka pasqyruar ndokush gjurmët e tyre? Marini është i ri dhe mund të mos i dijë këto gjëra, të cilat është koha t’i mësojë e t’ia mësojnë.
Prof. Xhufi shtronte para disa ditësh dilemën “të flasësh a të mos flasësh”, e cila nuk po e fsheh se më ka munduar edhe mua. Të flasësh kur dhe ku duhet, dhe të flasësh pasi të jesh matur shtatë herë.
Por, ndryshe nga kolegu, që ka një raport të vetin me MEDIAT dhe me 7 herët, për ne “të padalët” nëpër shesh-MEDIA-në të tillë, mjedisi i natyrshëm i të shprehurit janë konferencat, auditorët, tryezat e rrumbullakta, faqet e revistave, etj.
Aty do të kisha dëshiruar të replikoja edhe sot. Megjithatë, kësaj here s’mund të rrija pa folur dhe kam shpresë se “Peizazhet” dhe lexuesi cilësor i tyre krijojnë kushte për bunacë edhe në ditë e dete me tallaz.
Dy fjalë për “Kronikën e Dropullit”
Po e nisim in medias res për të shmangur përsëritjet dhe po e fillojmë me savantin Athanasios Petridhis (1828-1912), me origjinë nga Dhrovjani i Delvinës, i cili botonte më 1871 Kronikën në fjalë dhe shënonte ndër të tjera se
“…kam shkuar shpesh nëpër qytete dhe manastire të Epirit për të gjurmuar dhe grumbulluar, në shkallën që mundesha, çdo të dhënë dhe çdo relike historike, duke i shërbyer sadopak dheut mëmë. Përveç disa dorëshkrimesh të tjera, kam gjetur edhe dorëshkrimin që po botoj [me titullin] Χρονικόν Δρυοπίδος [Kronikë e Dryopidës], prej të cilit pata fatin të siguroja katër kopje.
Ky dorëshkrim i rrëgjuar prej moteve, edhe pse e përshkruan në mënyrë konfuze historinë e lashtë të Epirit, e sidomos historinë e Drinopojës, na jep megjithatë të dhëna të shumta e me vlerë për gjendjen kishtare të tij [Epirit] gjatë periudhës bizantine, dhe ka ruajtur emrat e shumë autorëve të lashtë që patën shkruar për Epirin. Gjuha e tij tregon se periudha gjatë së cilës është hartuar nuk shkon tej shekullit XVI, por asgjë nuk na pengon të supozojmë se përbën një përmbledhje apo parafrazim të një historie më të përpunuar dhe të kompozuar pak shekuj më parë.
Sido që të jetë, po e botojmë tashmë këtë dorëshkrim, e madje për një arsye më shumë, për faktin se ka pas qenë botuar mbi bazën e një kopjeje pa fund e pa krye dhe të mangët, fillimisht prej shtegtarit francez Pouqueville (Voyage dans la Grèce, t. V. 5, 1821, p. 318-355, me përkthimin frëngjisht), e paskëtaj prej Imm. Bekker-it (Corpus scriptorum hist. Byzantinae. Historia Constantinopoleos. Epirotica. MDCCCXLIX [1849], p. 263-279, me përkthimin latinisht), që e patën nuhatur vlerën e këtij monumenti historik.
Për hir të plotërisë së veprës kemi shtuar vërejtjet e Pukëvilit për dorëshkrimin në fjalë, të cilat i pati përkthyer edhe Bekker-i, si dhe një skicë të përshkrimit gjeografik të Epirit, hartuar mbi bazën e vërejtjeve dhe kërkimeve in situ.” (Α. Πετρίδης, Νεοελληνικά Ανάλεκτα, vëllimi Α΄, pjesa Β΄, 1871, f. 4-5).
Në vazhdim (f. 5-6), autori Petridhis citon në frëngjisht fragmentin e mëposhtëm nga vepra e Pukëvilit, që po e përkthejmë pjesërisht në shqip:
“Vërejtje për Kronikën e Gjirokastrës.
Fragmentin historik që sapo lexuam ma dha më 1806 peshkopi i Gjirokastrës gjatë qëndrimit tim në Gjirokastër. Dorëshkrimi prej 20 faqesh, i formatit të vogël 4°, nuk kishte as krye as mbyllje dhe megjithë mangësitë e tij m’u duk me interes për sa i përket të ndodhurave në Epir gjatë kohësh prej të cilave na mungojnë të dhënat për rajonin që ngaherë e konsideronim gjysmëbarbar… Autori që përktheva na lejon që, nisur nga stili i tij, të hamendësojmë se ka shkruar në fillimet e shek. XVII, dhe se vepra e tij është një version në greqishten e pakultivuar i dorëshkrimeve më të hershme, që nuk i njohim, dhe i traditave që hasim te bardët apo te malësorët e Shqipërisë së Epërme, madje edhe te fshatarët e Skocisë, se historia e kohëve heroike u ruajt mes këngëve nacionale. Kronikani, larg çdo fryme kritike, dhe në kërkim vetëm të asaj që kënaqte fantazinë e tij, mblodhi anakronizma që mbështeteshin në përralla nga më fëminoret dhe sakrifikoi rendin kronologjik në favor të preferencës së tij të habitshme për [ngjarje] të bujshme…” (Pouqueville, ibidem, p. 356-360).
Petridhis e mbyll hyrjen e vet me citimin vijues:
“Kjo kronikë, e hartuar, duket, fillimisht, prej një burri të ditur, u rrëgjua në vazhdim prej kohës, dhe tash është bërë e pakuptueshme në pjesën më të madhe të saj; hasen në të emra historianësh krejt të panjohur dhe ngjarje të pazakonta, të ruajtura vetëm këtu.” (Revista e Shoqatës Filologjike Greke të Kostandinopojës, 1867, viti III, f. 23).
Pas këtyre citimeve, shtojmë se A. Petridhis ka zgjedhur nga “Vërejtjet…” e Pukëvilit pjesët që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me “Kronikën”, por ka lënë pa përmendur disa rreshta të parëndësishëm ndoshta për kohën dhe gjykimin e tij, por që lidhen paq me debatin erdhën a s’erdhën dropullitët nga Atika:
“Nëse do të kishim fillimin e historisë, të cilën e quaj Kronika e Gjirokastrës dhe që e zbulova në këtë qytet, do të dinim se nga vijnë kolonët athinas që përmenden atje, dhe ka gjasa që ky informacion shtesë, sado e çuditshme që të tingëllojë, të mos i jepte më shumë autenticitet një historie, që ngjan të jetë problematike për shkak të vërtetësisë së hamendësuar.” (f. 357).
Vite më pas, studiuesi Leandros Vranusis (1921-1993), në kuadër të një libri me titull Χρονικά της μεσαιωνικής και τουρκοκρατούμενης Ηπείρου (Kronika të Epirit për periudhën e mesjetës dhe të pushtimit turk), botuar në Janinë më 1962, në faqet 117-130 bën fjalë posaçërisht për Kronikën e Gjirokastrës dhe shënon që Petridhis, i cili “e botoi të plotë Kronikën më 1871”, “të jep përshtypjen se nuk është thjesht botues, por në njëfarë mënyre edhe përshtatësi i fundmë i saj. Me një përpjekje sistematike është synuar që ky rrëfim naiv të paraqitet sa më i ngjashëm me burimet gjoja antike të tij. Ky lloj arkaizimi përgjithësohet dhe arrin deri në atë shkallë, saqë ndryshohen pika thelbësore të rrëfimit, siç është ndryshuar edhe vetë titulli. Drinopoja bizantine -i shumëkënduari Dropull, sikurse deri më sot quhet zona e luginës së Gjirokastrës- duhej të lidhej me Dryopët e antikitetit paraklasik dhe historia e vendit mori titullin Χρονικόν Δρυoπίδος / Kronikë e Dryopidës!”
Pasi ka theksuar se “Hartuesi plot fantazi i Kronikës e habit lexuesin me rreshtimin e historianëve të panjohur dhe të veprave poashtu të panjohura të antikitetit, të cilat gjoja paskan humbur; ndërton etimologji të paqena dhe arkaizon dhjetëra toponime të Epirit të Veriut, për të sajuar hegjemonë dhe themelues qytetesh, qytezash dhe fortesash, si dhe ka ambicien të lidhë historinë e vendit të vet me emrat më të lavdishëm të lashtësisë. Nuk është fjala aspak për tradita gojore popullore, por për një roman historik me vulë savante” (f. 118), Vranusis pranon ndërkaq që “… kjo nuk do të thotë se e gjithë Kronika duhet lënë mënjanë si e pavlefshme për kërkimin historik. Sepse krerët e fundit të rrëfimit për manastiret dhe institucionet e tjera dhe donacionet e perandorëve të Bizantit në këtë pjesë të Epirit, është evidente që përcjellin jehonën e traditës së gjallë lokale dhe në disa pjesë bazohen në burime të shkruara.” (f. 120).
Katër dekada pas Vranusit, dy autorë të tjerë, antropologët Nikolaos Vernikos dhe Sofia Dhaskalopúlu, pedagogë universiteti, shkruanin librin Στις απαρχές της νεοελληνικής ιδεολογίας – Το Χρονικό της Δρόπολης (Në fillimet e ideologjisë neohelenike – Kronika e Dropullit), Athinë, 1999, në hyrjen e të cilit theksojnë se “…kur studiojmë kronika lokale apo histori që shkruhen në një periudhë gjatë së cilës fillon e përvijohet një identitet kolektiv i ri, duam të mësojmë qëllimin pse u hartuan dhe përpiqemi të kuptojmë mënyrën me të cilën u lindën” (f. 19). Ky libër e vendos në një kuadër më të gjerë Kronikën e Dropullit, ngaqë, pa mohuar dobësitë dhe thelbin fantazist të saj, arrin të gjejë vepra të kohës dhe të antikitetit mbi të cilat u bazua(n) hartuesi(t) i/e parë dhe mandej shpjegon se “leximi i burimeve antike dhe orientimi kah një e shkuar e hershme heroike u përdorën për ngjizjen e një identiteti të ri”, duke shtuar se kësilloj sajesash qenë të modës në fund të shek. XVIII e se shfaqja e tyre shpjegohet me përpjekjen për vetënjohje dhe vetëpërcaktim të grupeve të ndryshme etnike. (f. 27).
Studiuesi që e ka rikapur Kronikën vitet e fundit është italiani Simone Rambaldi, i cili, edhe pse nuk i njihte librat e Vranusit dhe të autorëve Vernikos-Dhaskalopúlu, shkruan sa më poshtë:
“I gjashti ndër këto tekste të paplota (fragmentare) u quajt nga Pukëvili Chronique d’Argyro-kastron, duke qenë se dorëshkrimin ia kishte dorëzuar peshkopi i Dropullit (Drynopolis) më 1806 në Gjirokastër. Duke gjykuar nga stili i tij, konsulli francez arriti në përfundimin se autori ose popullarizuesi (divulgatori) anonim (nëse pranohet që teksti ishte vepër e një njeriu të vetëm) duhet ta kishte hartuar atë në fillim të shekullit XVII, duke u mbështetur gjerësisht në tregime fantastike të mbledhura nga tradita gojore shqiptare dhe të renditura së bashku pa shqyrtim kritik dhe pa respektuar fare rendin kronologjik të ngjarjeve, por vetëm në përputhje me pëlqimin e tepruar për hollësitë më përrallore. Por ky dokument i ishte dukur megjithatë i rëndësishëm, sepse bënte fjalë për historinë e Epirit në një periudhë fare pak të njohur dhe tërhiqte vëmendjen mbi tërë ato gjëra interesante që mund të gjendeshin në manastiret e botës greke.” (S. Rambaldi, Testimonia Urbis Phoenices III, në Sandro De Maria & Shpresa Gjongecaj (ed.), Phoenike IV – rapporto preliminare sulle champagne di scavi e ricerche 2004-2006. Ante Quem, Bologna, 2007, f. 181).
Botimi më i ri i Kronikës, i vitit 2013, duket se plotëson, realisht dhe simbolikisht, ciklin e saj. Libri “Kronika e Dropullit”, i botimeve Argjiro, Gjirokastër, mban emrat e dy djemve dropullitë, tashmë të zbardhur, Kristaq Mandit dhe Filip Jovanit. Ata e kanë përkthyer Kronikën në shqip duke e shoqëruar me shënime të hollësishme dhe kanë nxjerrë në pah vlerën historike të saj, jo aq si dokument i mirëfilltë sesa si burim krenarie për një prejardhje të fisme e të moçme, por edhe si “brumë” për ngjizjen e identitetit të dropullitëve në motet kur u shkrua dhe qarkulloi teksti i saj. Në botimin e mësipërm jepen hollësi që ne i kemi lënë mënjanë për arsye vendi dhe nuk përmendet libri i vitit 1999 i autorëve Vernikos-Dhaskalopúlu.
Këtu mbaron paraqitja e shkurtër, me ndonjë përjashtim pa peshë, e “kronikës” së Kronikës së Dropullit, dhe është koha të shkojmë më tej. Por, para se të ndalemi te përdorimi a mos-përdorimi i saj si burim i besueshëm historik, më duhet të bëj një parantezë dhe të them se autori Petridhis meriton më shumë vëmendje dhe respekt.
Me shpresën se lexuesi do të tregojë durim, dhe me dëshirën që i mistershmi Tannhäuser të dalë në “shesh të burrave”, po citoj in extenso prof. Xhufin:
Kronika është botuar edhe nga historiani grek A. Petrides, dhe këtij botimi preferon t’i referohet Tannhäuser, dhe më duket se e kam zbuluar përse. Petrides i çon kufijtë e Dropullit, e pra të minoritetit grek, deri në Tepelenë, duke njësuar me Tepelenën vendin që kronika në fjalë, sipas botimit Petrides, e jep me emrin “Titopolis”. Por ky autor nuk është një referencë e sigurt, e jam i bindur që sikur të kishte jetuar në shek. XX, ky Petrides do t’i kishte çuar kufijtë e Dropullit, pra të “helenizmit”, jo në Tepelenë por në Titograd. Pse jo? Petrides ishte aq grek-grek, saqë jo vetëm shqiptarët, por edhe sllavët nuk i hynin në sy. Sa për të shuajtur kërshërinë e lexuesit, Petrides u përpoq shumë në vitet 1870 për ta nxjerrë Skënderbeun tonë me origjinë helene. Madje, për Skënderbeun nuk hezitoi të prishë gojën edhe me babain e historiografisë moderne greke, P. Paparrigopoulos, pasi ky i fundit paskësh fyer helenizmin duke e nxjerrë Skënderbeun…sllav.
Sqaroj se në kohën që jetoi Petrides nuk ekzistonte as koncepti dhe as entiteti “minoritet grek” në Shqipëri, sepse, thjesht, nuk ekzistonte shtet shqiptar. Pra s’bëhet fjalë për ndryshim kufijsh prej “oreksçelurit” dhrovjanit. Madje, në shënimet që shoqërojnë tekstin e Kronikës, ai shkruan se vendbanimi Ιφιτόπολις, i quajtur më pas Τιτόπολις, është “I njëjti me Tepelenën e sotme [1891], e cila ngrihet mes shkëmbinjsh në bregun e majtë të Vjosës, dhe banohet prej shqiptarësh, turqish dhe një numri të vogël të krishterësh.” (shën. 6, f. 26).
Fjalë të thëna shkoqur, që s’lënë shteg për të zbuluar aty dëshirën për shtyrje sinoresh, dhe as për ngatërrimin e kufijve kohorë mes shekullit XIX dhe XXI.
Kalojmë tani te Skënderbeu “grek”. Në prani të prof. Xhufit, në ligjëratën e mbajtur në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut (shtator 2018), duke iu referuar studiuesit T. Johalas kam sqaruar se “grekësia” e Skënderbeut ka qenë e “importuar” ndër grekë, qysh me përkthimin e librit të francezit Paganel:
“Sepse Paganeli në biografinë e vet [të Skënderbeut] e konsideronte Skënderbeun grek, dhe si të tillë [grek] e quajti atë sigurisht edhe Dragúmi”, autori i përkthimit greqisht (1861) të historisë së Paganel-it (T. Johalas, Γεώργιος Καστριώτης ο Σκενδέρμπεης, Selanik, 1975, 40).
Përveç kësaj, pata sqaruar se në organin e iluministëve grekë “Ermís o Lógios”, që botohej në Vjenë, qysh në mesin e viteve 1810 Skënderbeu konsiderohej mbret i shqiptarëve, dhe se, në fund të fundit, shqiptarët e sotëm s’ka përse të jenë aq të idhnuar që heroi kombëtar i tyre adhurohej si hero i lirisë e pastaj si “grek” nga një popull fqinj me ta. A ka gjë më të bukur kur heronjtë “tanë” bëhen edhe heronj të “të tjerëve”?!
Debati a ishte Skënderbeu grek apo sllav është një histori tjetër, të cilën e sqaron ftillueshëm i nderuari T. Johalas, libri i të cilit duhej të ish përkthyer prej kohësh në Shqipëri. Po shtoj vetëm se, Eftim Brandi, në veprën e vet “Ankime Shqiptare”, botuar greqisht më 1880, duke marrë shkas po nga ai debat, kritikon ashpër historianin Paparigopoulos pse ky e ka bërë sllav Skënderbenë dhe as që merret me “atdhesimin” grek të këtij!
Kanë qenë vitet kur mbizotëronte ende fryma e rrënjëve të përbashkëta të grekëve dhe të shqiptarëve, kur flitej “pellazgjisht” për një shtet të përbashkët e pse jo, për një hero të përbashkët si Skënderbeu.
Sa për autorin Petrides, duke qenë nga Epiri ende i paçliruar, ai gjente një burim frymëzimi të pashoq tek epiroti Skënderbe. Por, ajo që s’është vënë në dukje, është se vetë Petrides, në vitin 1891, shkruante në revistën “Apólon” të Pireut (fashikulli 73, f. 4-6) artikullin me titull “Rreth Krujës, selisë së mbretit të Shqipërisë Skënderbeut” (Περί της Κρόιας, καθέδρας του βασιλέως της Αλβανίας Σκενδέρμπεη).
Është edhe një hollësi tjetër, nga ato që të imponojnë t’i peshosh fjalët e të matesh kur tundohesh dhe tundon kërshërinë e lexuesit, e cila i ka shpëtuar prof. Xhufit tek i turret savantit Petrides. E kam thënë prej kohësh, po e përsëris ta dëgjojë edhe Marini i “Gjurmëve”, se në shtypin grek të shekullit XIX ka lëndë bukur të vlefshme për historinë e shqiptarëve, e cila lëndë pret të studiohet me qetësi e gjakftohtësi, akoma edhe kur është shkruar nga ndonjë “grek-grek”, si Petrides.
Ky, duke filluar prej 1 tetorit 1893 dhe në disa numra rresht të gazetës “Zëri i Epirit”, botoi një cikël shkrimesh me titull “Kryengritja e Gjolekës”, të cilat janë një kronikë e hollësishme e dëshmitarit okular Petrides, që i jetoi nga afër ato ngjarje, sepse, mustaqepadirsur dhe 19-vjeçar, pati qenë gramatikúa a sekretar i Gjolekë labit!
Aspak e çuditshme, po të mbajmë parasysh lidhjet dhe kontaktet ndëretnike në rajonin që sot përbën Shqipërinë e Jugut. Dhe meqenëse prof. Xhufi e njeh greqishten, po e citoj në origjinal dhe të përkthyer “grek-grekun” Petrides, që i çmonte dhe i nderonte shqiptarët:
«… το άνθος της Αλβανίας και το καύχημα είνε οι Λιάμπιδες⸱ διότι εισίν ανδρείοι, υπερήφανοι, αποφασιστικοί, πιστοί μέχρι θανάτου και φυλάττουσι την περίφημον ‘Μπέσαν’ μέχρι κεραίας.» / “… ajka e Shqipërisë dhe krenaria e saj janë lebërit; sepse janë burrërorë, krenarë, të vendosur, besnikë deri në vdekje dhe ruajnë deri në një ‘Besën’ e tyre të famshme” (Α. Πετρίδης, Η επανάστασις του Γκιολέκα. «Η Φωνή της Ηπείρου», 1.10.1893).
Më poshtë:
«…υπό την αρχηγίαν του Γκιολέκα, όστις ην έμπειρος μαχών και τρομερός, αυτόβουλος στρατηγικών σχεδίων και επινοημάτων, στρατηγός⸱ διό και έχαιρε την υπόληψιν απάντων των Μπέιδων και Αγάδων των επαρχιών της Αλβανίας και την αγάπην και αφοσιώσιν προς αυτόν των στρατιωτών, θεωρούντων αυτόν ως πατέρα και αδελφόν⸱ διότι περιποιείτο αυτούς ως τέκνα εαυτού πεφιλημένα λέγων ‘τα παιδιά μου’ και αλβανιστί ‘ντιεμτ εμί’ ώστε άμα ήκουον ‘εθά Γκιολέκα⸱ βάτε’⸱ (το είπε ο Γκιολέκας⸱ πάει) δηλαδή έγινε. Τοσαύτη πίστις και ένθερμος υποδοχή των διαταγών αυτού υπήρχε!!!» / “… nën komandën e Gjolekës, i rrahur në luftime dhe i tmerrshëm, që hartonte vetë dhe pa humbur kohë plane dhe manovra të zgjuara, strateg; ndaj edhe gëzonte respektin e gjithë bejlerëve dhe agallarëve të Shqipërisë dhe dashurinë e përkushtimin ndaj tij të luftëtarëve, që e kishin si baba dhe vëlla; sepse kujdesej për ta si të ishin bijtë e tij të dashur dhe u thosh shqip ‘djemt’ e mi’ dhe ata, sapo [e] dëgjonin [,thonin] ‘e tha Gjoleka; vate’; d.m.th. mori fund ajo punë. Me të tillë besim dhe dëshirë të zjarrtë zbatoheshin urdhërat e tij!!!” (Α. Πετρίδης, ibidem).
Përdorimi i Kronikës së Dropullit si burim historik
Plot 31 vite më parë, në shkurtin e vitit të largët 1990, mbase i kujtohet edhe prof. Xhufit, në Këshillin Shkencor të Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në prani të drejtorit, të ndjerit prof. S. Pulaha, por edhe të shumë kolegëve si F. Duka, E. Dule, L. Malltezi, E. Lafe, etj., u diskutua punimi me titull “Prejardhja e popullsisë së Dropullit”, hartuar nga i ndjeri tashmë Filip Liço. Recensues P. Xhufi dhe Dh. Qirjazi, njëri për anën historike të punimit, tjetri për anën gjuhësore, ngaqë vetë studimi i Liços e impononte një qasje të tillë.
Sipas shënimeve që kam mbajtur, pjesa e parë e punimit, e shtrirë në 6 krerë, merrej në thelb me përkimet, sipas Liços, mes së folmes së Dropullit dhe së folmes së Atikës, ndërsa pjesa e dytë i kushtohej tërësisht Kronikës së Dropullit, e cila, gjithnjë sipas autorit, përbënte “vulën” historike të origjinës prej Atike të dropullitëve, që, gjykonte Liçoja, dukej qartë nga ngjashmëritë e shumta të të gjitha niveleve të dropullishtes me atikishten.
Kam ruajtur një kopje të recensionit tim prej 17 faqesh, e cila, ma merr mendja, mund të gjendet edhe në Arkivin e Institutit së bashku me materialet e tjera të mbledhjes. E them këtë për ata që ndoshta mendojnë se po bëjmë trimin post festum. Argumentet që paraqita atëherë, duke vënë në dyshim tezën e Liços, nuk ndryshojnë në thelb nga sa do të them edhe sot. E njëjta gjë shoh se ka ndodhur edhe me prof. Xhufin, por nuk po hyj në hollësi, të cilat do të shtjellohen në vijim. Mbaj mend që ai e pranoi si të vërtetë përmbajtjen e Kronikës dhe i konsideroi të mirëqena përputhjet gjuhësore Dropull-Atikë, duke e cilësuar të natyrshëm konkluzionin e Liços.
Kujtoj se teza mbizotëruese e asaj periudhe për banorët e Dropullit qe formuluar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të Akademisë (1985): “Të dhënat historike e gjuhësore tregojnë se banorët e Dropullit me kombësi greke kanë ardhur në këto vise në shek. XVIII si bujq të çifligjeve të feudalëve shqiptarë” (f. 211).
Në këtë kuptim, teza e Liços, e pranuar edhe nga Xhufi, e kish një të mirë. Ajo e shtynte deri në mesjetë ardhjen (?) e dropullitëve, pra ishte një hap përpara, ngaqë, veç të tjerash, u jepte atyre një origjinë “fisnike” dhe i zhvishte nga cilësimi eufemistik “bujq çifligjesh”, më troç “çifçinj”, që dëgjohet edhe sot.
Liçoja i qëndroi besnik tezës së vet, siç duket edhe nga dy librat që botoi më pas (Το Χρονικό της Δρόπολης, Nerajda, Tiranë, pa vit botimi, por epilogu i autorit mban vitin 2008; Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare, Nerajda, Tiranë, 2009). Shënoj se autori në asnjë rast nuk përmend vërejtjet dhe rezervat e njërit prej recensuesve të 1990-s dhe nga ana tjetër mban qëndrim kritik ndaj vlerësimeve, sipas tij, të papranueshme në lidhje me prejardhjen e popullsisë së Dropullit dhe me interpretimin e njëanshëm të të dhënave antroponimike të defterëve osmanë të viteve 1520 dhe 1583.
Nga libri i parë i F. Liços, ku botohet edhe teksti integral i Kronikës në variantin Petridhis (1871), do të veçonim krerët me titull “Nënvleftësimi i Kronikës së Dropullit” (f. 127-130), “Analizë e përciptë e regjistrimit osman të vitit 1520” (f. 130-140) dhe “Përfundime të përgjithshme” (f. 141-142).
Prej veprës së dytë, në gjuhën shqipe, ia vlen të lexohen, ndër të tjera, shënimet e autorit për librin “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët” të Sh. Demirajt (2008), të cilat janë bashkëngjitur si Aneks (I-XIX), sepse, me sa duket, libri i Liços ndodhej asokohe në shtypshkronjë.
Me dy fjalë, objeksionet e tij lidhen me çështje të interpretimit të antroponimisë së Dropullit, duke i mëshuar, sipas rastit, karakterit mbizotërues grek, të përzier dhe jo tërësisht shqiptar të këtyre emrave, e duke kritikuar posaçërisht “argumentin” e mungesës së –s fundore nga antroponimet e Dropullit, që “dëshmon” shqiptarësinë ekskluzive të saj. Janë me interes edhe të dhënat që sjell Liçoja për lëvizjet demografike në Epir gjatë mesjetës dhe konstatimi i tij se në vitin 1520 në Dropull kemi prani evidente të një popullsie që fliste greqisht.
Theksojmë se këto ndihmesa të Liços duhen marrë parasysh, edhe pse ai beson në një lidhje gjuhësore specifike të Dropullit me Atikën, gjë të cilën ne e vëmë në dyshim dhe do ta shtjellojmë më poshtë.
Përdorimi më i gjerë dhe me kohëgjatë i Kronikës së Dropullit si burim historik, e posaçërisht si dëshmi e zhvendosjes së një popullsie –fillimisht greke, më pas shqiptare, që, siç mëtohet, u helenizua gjatë itinerarit Dropull-Atikë-Dropull e vazhdim- i takon historianit P. Xhufi. Kjo tezë e tij duhet të ketë qenë e formuluar qysh në fillimet e viteve 1990, përderisa e gjejmë të shprehur në artikullin “Migrimet shqiptare në Greqi në shek. XIV” të autorit, botuar në revistën Studime Historike, 3-4, të vitit 1991, f. 3-32.
Kronika e Dropullit përfshihet aty në një kuadër më të gjerë. Autori e ka ndarë mendjen se në Epir ka pasur vetëm shqiptarë dhe vazhdon të qëndrojë i patundur nga istikami, pa marrë në konsideratë të dhënat gjuhësore, toponiminë dhe gjurmët e gjuhëve në kontakt, për të cilat lexuesi mund të shohë edhe shkrimin tonë të datës 26 janar. Ja çfarë shkruan, ndër të tjera, prof. Xhufi:
“Deri në provë të kundërt, e prova të kundërta vështirë të gjenden ndonjë ditë për këtë çështje, ne do ta konsiderojmë pa hezitim Epirin si trevë shqiptare e për rrjedhim, është krejt e pasaktë të flitet pa kurrfarë baze për një migracion shqiptar në Epir. Është vendi të kujtojmë se dokumentacioni historik provon pikërisht të kundërtën, d.m.th. që në drejtim të Epirit ka pasur here pas here migrime të popullsisë greke. Në vitin 1204 regjistrohet një fluks refugjatësh grekë të ardhur nga viset e pushtuara nga kryqtarët latinë e që u strehuan në qytetin e Janinës. […] Njoftimin për një kolonizim akoma më të rëndësishëm grek në Epir, përkatësisht në luginën e Dropullit, na e jep kronika e quajtur “Kronika e Dropullit”. Subjekti i këtij dokumenti të çmuar ka të bëjë me shpërnguljen e një popullsie greke nga viset e Athinës në një kohë të papërcaktuar.” (nënvizimet tonat, Dh. Q.)
Të njëjtat fjalë, pa lëvizur as edhe një presje, i gjejmë edhe në librin “Dilemat e Arbërit” (P. Xhufi 2006, 331-332). Identik sillet aty edhe pasazhi vijues i artikullit të 1991-shit:
“Sigurisht, kur përdorim termin autokton, ne jemi të nje mendjeje me prof. E. Çabej, i cili, në përgjithësi, preferon të flasë për “autoktoni relative”. Po ashtu, kur flasim për karakterin etnik të një territori, ne nuk e kuptojmë aspak atë në sensin e një “pastërtie etnike”, gjë që do të ishte e tepruar sidomos kur bëhet fjalë për zona të kontaktit e për periudha kohe, kur bashkëjetesa dhe mirëkuptimi midis njerëzve të kombësive të ndryshme ishte më i mirë se në kohët moderne.” (Xhufi, po aty, 330)
Le të shënojmë për momentin se, duke ndjekur hullinë e E. Çabejt, autori ynë pranon konceptin e “autoktonisë relative” dhe, për më tepër, karakterin etnik të një territori, sidomos në zonat e kontaktit, nuk e kupton si “pastërti etnike”. “Kronika e Dropullit” është, sipas tij, “një dokument i çmuar”, por ai vetë nuk na e sqaron pse-në e këtij cilësimi. Është e tillë sepse i mban iso bindjes së tij, të shfaqur “pa hezitim”, për “Epirin si trevë shqiptare”, ku “është krejt e pasaktë të flitet pa kurrfarë baze për një migracion shqiptar”, dhe ku “dokumentacioni historik provon pikërisht të kundërtën, d.m.th. që në drejtim të Epirit ka pasur here pas here migrime të popullsisë greke.”? Apo sepse ajo është një burim të dhënash historike të pakontestueshme dhe prandaj një dokument me kredibilitet të lartë?
Po a ka gjasa të jetë i tillë një burim që bën fjalë për “shpërnguljen e një popullsie greke nga viset e Athinës në një kohë të papërcaktuar”? Citoj autorin:
“Pa i hyrë çështjes së komplikuar se kur duhet të ketë ndodhur ky migrim popullsie nga viset e Athinës në Dropull”, që, “në çdo rast, …, nuk duhet të ketë ndodhur, siç thuhet shpesh, në fillim të shek. XIX”, ngaqë, “përndryshe, udhëtarët e huaj që e vizituan atëherë atë krahinë … do ta kishin përmendur atë në njëfarë mënyre. Por kjo shpërngulje s’mundet gjithashtu të jetë bërë para shek. XVII, pasi defterët osmanë të atëhershëm dëshmojnë ende për një popullsi shqiptare në krejt rajonin.” (Xhufi, “Dilemat…”, 2006, 333).
Shtojmë se autori e gjen me interes vëzhgimin e E. Kurillës, sipas të cilit “popullsia shqiptare e Gjirokastrës i quan grekët e atyshëm me fjalët “të çkulur”, ose “ksul”, që … vjen nga italishtja “exsul-esule” dhe i korrespondon në shqip fjalës “i shpërngulur” apo “i shkulur”.” (Xhufi, po aty).
Po nga erdhën të “shkulurit” që u ngulën në Dropull? Dhe a kanë ndonjë farë baze të shkruarat e kronikanit anonim për atdheun e parë të dropullitëve, sipas tij, Athinën / Atikën?
Para se t’u përgjigjemi pyetjeve të mësipërme, le të shtojmë dy gjëra:
E para, që autori i rikthehet “Kronikës…” dhjetë vite më pas, duke bërë një korrigjim kronologjik:
“Nga shqiptarë banoheshin në atë kohë edhe territore që më vonë rezultuan me elementë greqishtfolës. Kështu mund të thuhet për fushën e Dropullit. “Kronika e Toccove” e bën atë të banuar nga shqiptarët, shtetas të Gjon Zenebishit të Gjirokastrës, në vitin 1418, kur turqit osmanë e sulmuan atë. Po edhe pas një shekulli, regjistrat osmanë provojnë të njëjtën gjë, teksa për atë krahinë shpërfaqin një antroponimi karakteristike shqipe. Regjistri osman i Sanxhakut të Vlorës, nahija e Gjirokastrës, i vitit 1520, tregon qartë se fshatrat që sot janë greqishtfolës në zonën e Dropullit e të Delvinës banoheshin në atë kohë ende nga një popullsi shqiptare. Me sa duket pas kësaj date (viti 1520) duhet të ketë ardhur nga Atika e të jetë vendosur në luginën e Dropullit një popullsi helene (apo e helenizuar), për të cilën bën fjalë kronika e njohur me emrin “Kronika e Dropullit.” (Arbërit e Jonit, 2016, 54).
E dyta, që autori, në një libër të vetin të v. 2009 (Nga Paleologët te Muzakajt, Berati dhe Vlora në shekujt XII – XV, 364 – 456), merret posaçërisht me “Kronikën e Gjon Muzakës”, shkruar në Itali më 1510, nga Gjon Muzaka, pinjoll i familjes feudale shqiptare Muzaka. Ai jep historikun e hartimit, të gjetjes dhe të botimit të Kronikës, si dhe ndërmerr botimin e origjinalit shoqëruar me përkthimin shqip dhe shënimet përkatëse, ku vend të rëndësishëm zë identifikimi i toponimeve mesjetare që përmend kronika me toponime të Shqipërisë së sotme (shih p.sh, f. 436-437).
Pa hyrë në hollësi, mund të themi se kjo Kronikë është vërtet “perlë e materialeve tona për Shqipërinë”, siç e cilësonte Hahn-i, dhe se plotëria dhe vlera e saj si burim autentik historik i nxjerr më në pah të metat e “Kronikës së Dropullit”.
Është pak e “habitshme” që autori, ndërsa pohon me të drejtë se “Informacioni i pasur historik, personazhet e situatat e shumta që ndeshen në faqet e pakta të saj, gjejnë shpeshherë konfirmim në dokumente e burime nga më të ndryshmet, duke i dhënë Kronikës [së Gj. Muzakës] vlerën e një burimi të dorës së parë e të pazëvendësueshëm për historinë mesjetare të Shqipërisë” (Xhufi 2009, 370), cilëson si “dokument të çmuar” edhe “Kronikën e Dropullit”, dhe këtu lindin probleme metodologjike të qasjes së burimeve historike.
Më konkretisht, e para ka të dhëna konkrete dhe të verifikueshme kohore dhe toponimike, ndërsa e dyta duket që është një sajim ad hoc, posaçërisht në pjesën që bën fjalë për vendosjen në Dropull të atikasve. Për thelbin fantazist të Kronikës së Dropullit dhe rrjedhimisht për besueshmërinë e kufizuar të saj, kanë rezerva të shumta, siç e pamë më sipër, të gjithë autorët që e studiuan apo e botuan, që nga Pukëvili e deri ta Rambaldi.
Përsenë e të shkruarit të kësilloj Kronikave e kanë shpjeguar bindshëm autorët Vernikos dhe Dhaskalopúlu, që marrin shkas nga Kronika e Dropullit, por e gjejmë edhe në dy pasazhe të Kronikës së Gj. Muzakës. Ai, në njërën anë, e lidh mbiemrin Muzaka me fisin e Molosëve (“… mbiemri ynë vjen nga vendi i Molosëve … dhe na kanë quajtur gjithnjë Molosaku, që i shtrembëruar është bërë Muzaka”), dhe, nga ana tjetër, duke u folur të bijve për t’ ëmën, shkruan se ajo ishte nga dera e Dukagjinëve dhe se “Dukagjinët e kanë origjinën nga Trojanët” (Xhufi 2009, 423 dhe 442).
Po t’i besonim Kronikës së Dropullit, me të njëjtën logjikë do të mundej dikush të ngrejë hipotezën se dropullitët erdhën nga Italia shumë më herët sesa shek. XVI! Pse jo? Kronika e thotë shprehimisht që mbreti i Italisë pruri prej Italie dhjetëmijë burra dhe i vendosi aty bashkë me gra e fëmijë:
«…βλέπων δε ο βασιλεύς [της Ιταλίας] την θαυμαστήν εκείνην τοποθεσίαν και την ανακάινισιν, ως το πρότερον, έφερε δέκα χιλιάδας ανδρών εκ της Ιταλίας, και τους εκατοίκισεν εκεί με τας γυναίκας και τα παιδία των. Περιήλθε δε εις τα μέρη ταύτα χρόνους πέντε, και εκεί ήλθαν και οι Ηπειρώται και Αϊδώνιοι και Φοινικείς και Χειμάριοι, και τον επροσκύνησαν. Αναχωρών δε επέρασε να ιδη την θαυμαστήν Φοινίκειαν, και ασθένησε, και όταν έφθασε εις τον θρόνον του, απέθανεν.» / “rex [Italiae] autem cum admirabilem illam regionem eiusque restitutionem videret, decem milia hominum ex Italia adduxit, ibique eos cum mulieribus et liberis collocavit. Peragravit autem regiones has per annos quinque, et illuc venerunt etiam Epirotae, et Aidonii et Phoenicei et Chimarii, eumque regem agnoverunt. Reversus autem visit admirabilem Phoeniceam, et aegrotus est factus, et, cum urbem capitalem advenisset, mortuus est.” (Bekker 1849, 273).
Por çështja, e përsëris, nuk është erdhën a s’erdhën dhe kur erdhën dropullitët nga Atika. Ngado dhe kurdo që të kenë ardhur, ata ndodhen sot në vatrat e tyre dhe askush nuk ka të drejtën t’ua turbullojë sadopak qetësinë dhe jetën.
Çështja qëndron te shpërfillja e normave elementare të të bërit shkencë dhe e zhvlerësimit të shkencës dhe të punëtorëve të saj. Përse, i dashur koleg, në Shqipëri ka aq shumë “pellazgologë” dhe vetëm një a dy indoeuropianistë? Përse anashkalohet ilirologjia dhe rendin të gjithë pas pellazgologjisë? Mos lidhet kjo me truallin “rrumpallë” të pellazgjishtes, ku çdonjëri mund të thotë ç’t’i pjellë kaptina, dhe me metodologjinë dhe kriteret e rrepta shkencore të indoeuropianistikës?! Pyetje për debat, që mund dhe duhet t’i diskutojmë e t’i pleqërojmë. Tani, duke u nisur nga problematikat që u shfaqën me shkas Kronikën e Dropullit, të më lejohet të shfaq disa mendime.
Në kësi rastesh, më e thjeshta që mund të bëhet është të shohim si kanë vepruar e si do të vepronin mësuesit tanë. Konkretisht, po të mbahej parasysh dhe të zbatohej metodologjia e propozuar nga E. Çabej në punimin me titull “Çështja e prejardhjes së ngulimeve arbëreshe të Italisë në dritën kryesisht të gjuhës e të emrave vetiakë” (Studime Gjuhësore V 38-47, Prishtinë, 1975), çështja e prejardhjes së dropullitëve do të kishte marrë prej kohësh udhën e zgjidhjes.
Kur flitet për raste popullsish ardhëse (me gjithë relativitetin e këtij termi), aty gjërat duhen peshuar mirë e paskëtaj të arrihet në përfundime për vendorigjinën e tyre. Çabej thekson ndër të tjera se “…shtrohet detyra që të vlerësohen në mënyrë kritike të dhënat e etnografisë, të traditës gojore, po sidomos dhe të historisë, të gjuhës dhe të emrave vetiake në kuptimin më të hapët të kësaj fjale, dhe këto të kombinohen midis tyre”, dhe shtonte se “në studimin e materialit është me rëndësi në këtë mes, që të dallohet ajo që është specifike nga e përgjithshmja, dhe që ajo të merret në shqyrtim në një shkallë të veçantë e më të gjerë, si një element që çon peshë në problemin e prejardhjes” (Studime Gjuhësore V 39, Prishtinë, 1975).
Pa u kryer një studim me prerogativat e mësipërme, pohimet a mohimet kategorike vetëm se e ndërlikojnë problemin, por nuk e zgjidhin atë. Leximi dhe përdorimi i njëanshëm i dokumenteve të një periudhe të caktuar historike dhe anashkalimi i të dhënave gjuhësore e toponimike të një spektri më të thellë kohor e më të gjerë hapësinor nuk shkojnë pas frymës së metodologjisë çabejiane dhe prandaj ofrojnë zgjidhje gjysmake e jobindëse.
Le të ndalemi një për një në argumentet tuaja:
Mua më duket, se mes të dhënave me bazë mitologjike, edhe kjo kronikë e ka një thelb historik, që është ai i shpërnguljes nga rrethet e Athinës së një mase banorësh, të cilët erdhën e u vendosën në luginën e lumit Drino, në Dropullin e sotëm në një kohë të papërcaktuar.
Le të supozojmë se, me gjithë kusurin kronologjik të Kronikës, që bën fjalë për një kohë të papërcaktuar, ju keni të drejtë kur thoni se dropullitët erdhën nga Atika pas vitit 1520 dhe gjetën në Dropull një popullsi shqipfolëse.
Si argument gjuhësor ju përmendni faktin se atikishtja dhe dropullishtja u takojnë të folmeve me vokalizëm jugor të greqishtes, pra atyre të folmeve që, po sqarojmë lexuesin, ndryshe nga grupi tjetër i të folmeve veriore, nuk i ndryshojnë në u dhe i zanoret e patheksuara, përkatësisht, o dhe e, dhe më tej nuk i bjerrin ato. Pra, në të folmet jugore, edhe në Atikë e Dropull, themi γομάρι dhe jo γουμάρι e as γουμάρ apo γμαρ. Themi παιδί dhe jo πιδί e as πδι apo bδι.
Për sa më lart, ju shkruani:
Gjuhëtarë të shquar grekë, si G. Hatzidakis, J. Anagnostopullos kanë provuar se greqishtja e folur nga banorët e Dropullit nuk ka lidhje me dialektet veriore të folura në Epir, Thesali e Maqedoni, por i përket grupit të dialekteve jugore, përkatësisht dialektit të Atikës (F. Liço, Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare, Tiranë: Neraida, 2009, f. 179). Nëse është kështu …, ja edhe një provë nga fusha e gjuhësisë që tregon se banorët e Dropullit nuk përfaqësojnë një vazhdimësi territoriale me popullsitë grekofone të Greqisë së Veriut, por një transplantim të një popullsie të ardhur nga viset më në jug të tyre.
Po ju përgjigjem me ndihmën e Çabejt, i cili na orienton kah specifikja. Kjo do të thotë që, po, atikishtja dhe dropullishtja ndajnë një tipar të përbashkët, i cili përfshin të gjitha të folmet jugore të greqishtes, ndërsa nuk përkojnë sa i takon një tipari të veçantë të atikishtes mesjetare e deri të kohëve kur Athina u bë kryeqytet; pra në të folmen e Dropullit nuk gjendet asnjë gjurmë e veçorive të së folmes së Atikës, e njohur si παλιά αθηναίικα (e folmja e hershme e Athinës), e cila, sipas gjuhëtarit të njohur Μ. Τriandafilidhis dallonte për shqiptimin e υ dhe οι si u (ου) dhe, pas bashkëtingëlloreve qiellzore, si –ιου: ανατσούκλιασμα (ανακύκλισμα < ανακυκλώνω), κιουρά (κυρά); për ruajtjen e grupeve fundore zanore –ία, –έα: καρυδέα, κουτσία (κουκιά); për shndërrimin e κ, γ dhe τ në τσ (citacizmi), kur pasojnë zanoret ι dhe ε: ξόρτσι (ξόρκι), τσαίω (καίω), etj. (Μ. Τριανταφυλλίδης, Νεοελληνική Γραμματική – Ιστορική Εισαγωγή, Αθήνα, 1938, 240).
Për punë të “transplantimit”, duhet thënë se deri në shek. X greqishtja nuk qe diferencuar sa i përket vokalizmit, çka do të thotë se të folmet e sotme greqisht të Shqipërisë së Jugut kanë qenë pjesë e një continuum-i gjuhësor, i cili pësoi një “çarje” fonetike, por kjo s’do të thotë se patëm ndërprerje të vazhdimësisë në rrafshet e tjera gjuhësore. Është njësoj sikur t’ju them unë se toskërishtja dhe gegërishtja nuk përbëjnë vazhdimësi të së njëjtës gjuhë, ngaqë ndryshojnë fonetikisht.
Por ajo që ngre më tepër peshë në këtë punë është se i ashtuquajturi “transplant” ndodhet në periferi të arealit greqishtfolës e si i tillë u tregua më konservativ:
“Se di due fasi cronologiche l’una si trova o si è trovata in aree laterali […] e l’altra in aree intermedie ad esse […], la fase delle aree laterali è di solito più antica che la fase delle aree intermedie.” (M. Bartoli – G. Vidossi, Lineamenti di linguistica spaziale, Milano, 1943, 37). (Nëse prej dy fazash kronologjike, njëra ndodhet ose është ndodhur në zona periferike … dhe tjetra në zona ndërmjetëse, faza e zonave periferike është si rregull më e hershme sesa faza e zonave ndërmjetëse).
Po shtoj se edhe një historian që ju e njihni mirë e pati shtruar këtë pyetje:
“Problem të veçantë shkencor-gjuhësor përbëjnë të folmet epirotase perëndimore të Himarës, të Gjirokastrës, të Delvinës, të Paramithisë dhe të Pogonit, të cilat krejt çuditërisht nuk bëjnë pjesë në grupin e të folmeve veriore të greqishtes, por përkojnë në të gjitha hollësitë thelbësore me të folmet jugore të greqishtes.” (G. Stadtmüller, Τα προβλήματα της ιστορικής διερευνήσεως της Ηπείρου / Problemet e hulumtimit shkencor të Epirit, Ηπειρωτικά Χρονικά 9 (1939) 154), por dha edhe përgjigjen e saj:
“Fakti i habitshëm, që në pjesët më periferike të arealit gjuhësor grek –në Epirin Perëndimor dhe në Italinë e Poshtme- flitet një numër dialektesh që i përkasin sigurisht grupit të dialekteve jugore të greqishtes, prej të cilit ato ndodhen gjeografikisht të veçuara, shpjegohet pa dyshim vetëm duke pranuar se grupi jugor dhe grupi veriperëndimor i dialekteve të greqishtes në kohë më të hershme mbizotëronin në një zonë unike e të pandërprerë”. (G. Stadtmüller, po aty, 155).
Vazhdojmë më tej:
Ky vend, thoni ju, Dropulli, sipas Kronikës, “ishte i braktisur dhe i pabanuar” (eremous topous kai akatoiketous). Diçka do ketë ndodhur me popullsinë e fshatrave të asaj treve, që siç e ka provuar tashmë kolegu F. Duka, në vitin 1520 paraqitej me popullsi mjaft të dendur e me një antroponimi mbizotëruese tipike shqiptare.
Ndaj këtij pohimi, mbi bazën e një analize të imtë të materialit antroponimik, mund të bëhen dy objeksione.
I pari, ka fshatra ku, vërtet, elementi antroponimik shqiptar zë vend të rëndësishëm, por ama ka edhe fshatra me antroponimi të përzier greke, sllave, shqiptare e vllahe, sikurse ka fshatra ku mbizotërojnë dukshëm emrat e fondit antroponimik grek, siç është rasti i Derviçanit. Këtu lind diskutimi për praninë apo mungesën e –s fundore të antroponimeve greke, e cila mungesë i çon kolegët shqiptarë (Sh. Demiraj, F. Duka, P. Xhufi) në përfundimin se kemi të bëjmë me emra të një popullsie shqiptare. Nuk është tamam kështu, sepse edhe në zona ku nuk vihet në dyshim karakteri etnik grek i popullsisë, defterët nuk e pasqyrojnë –s fundore. Kam pyetur këto ditë kolegë osmanologë dhe më thanë pikërisht këtë gjë. Po citoj njërin prej tyre, K. Καμπουρίδης:
“-s fundore dhe prapashtesa –is nuk shënohet në emrat dhe mbiemrat grekë, dhe kjo është e zakonshme në dokumentet osmane” (K. Καμπουρίδης – Γ. Σαλακίδης, Η επαρχία Σερβίων τον 16ο αιώνα μέσα από οθωμανικές πηγές / The province of Serfice during the 16th century through Ottoman surces, Θεσσαλονίκη, 2013, 283).
Pohimi i kolegut vërtetohet edhe nga regjistrimet osmane në ishullin Kythera të Jonit, të vitit 1715 (Ε. Μπαλτά, Η οθωμανική απογραφή των Κυθήρων 1715, Αθήνα, 2009). Nga një shkëmbim e-mail-esh që patëm, prof. F. Duka vazhdon të insistojë se burimet osmane e ruajnë –s fundore të emrave grekë, por ende nuk më ka dërguar të dhëna konkrete.
Me syrin e gjuhëtarit dhe të ballkanologut, defterët osmanë na japin një pasqyrë interesante dhe dinamike të zhvillimeve demografike që pasuan pushtimin turk, të cilat, sigurisht, nuk mund të bëhen objekt i këtij shkrimi.
Objeksioni i dytë lidhet me faktin që, duke iu kthyer përsëri kërkesës së Çabejt për analizë të gjithanshme të të dhënave dhe duke shqyrtuar edhe toponiminë e Dropullit, nuk mund të mos vërejmë mbizotërimin absolut të toponimeve greke dhe të atyre sllave, çka përbën një çështje që ngre diskutim dhe shtron pikëpyetje. Sipas përllogaritjeve të F. Liços, prej 2778 toponimeve dhe mikrotoponimeve të fshatrave të Dropullit, 2324 janë greke, 57 sllave, 184 shqipe, 90 turke dhe 123 të paidentifikuara (Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare, Tiranë, 2009, 455).
Ndonëse nuk kemi hartuar pasqyra të ngjashme, bazuar në një libër mjaft të vlefshëm me lëndë toponimike të fshatrave të Dropullit, fryt i punës së pasionuar të arsimtarëve dropullitë (K. Κουλίδας, (ed.) Τα τοπωνύμια των πανάρχαιων ελληνικών χωριών του νομού Αργυροκάστρου, Ιωάννινα, 2005), arrijmë pak a shumë në të njëjtat përfundime, duke pasur rezerva vetëm për praninë me gjasa më të shpeshtë të toponimeve sllave, që pasqyrohet edhe në emrat e fshatrave të Dropullit.
Në mbështetje të idesë për një situatë komplekse antroponimike, po përmendim edhe një gjetje interesante. Në defterët osmanë të fshatrave të Dropullit, 1520 dhe 1583, është mjaft i shpeshtë emri a mbiemri Martin / Martini dhe mjaft i rrallë mbiemri Mërtiri. Ky është një tregues mjaft i rëndësishëm, që dëshmon se ka pasur lëvizje popullsish shqipfolëse nga veriu për në jug të Shqipërisë së sotme, pas periudhës kur kish përfunduar procesi i rotacizimit. Gjithë këta Martinë zbritën me gjasë pas shek. X dhe kjo mbase shpjegon mungesën e toponimisë shqipe në Dropull. Madje edhe rastet e numëruara me gishtat e njërës dorë të trajtës Mërtiri, mund të lidhen me lëvizje popullsish toske, ku rotacizimi qe kryer prej kohësh. Mund të supozojmë, gjithashtu, se të ardhurit rishtas gjetën popullsi vendase në Dropull, prej së cilës mësuan greqishten.
Argumenti etnografik i prof. Xhufit, shamia e famshme dropullite, që u bë bajrak debatesh dhe replikash, lidhet edhe me pohimin e tij për një deportim të popullsisë së Dropullit etj. etj. Citoj përsëri:
Mundet që një pjesë e konsiderueshme e saj [e popullsisë së Dropullit] të jetë deportuar me rastin e ndonjë kryengritjeje, gjë që osmanët, ashtu si më parë edhe bizantinët, e praktikonin shpesh kundrejt popullsive të panënshtruara. […] ne e dimë, se Athina e fshatrat rreth saj pas shek. XIV ishin të populluara dendur nga popullsi shqiptare. E thonë udhëpërshkrues të shumtë evropianë, e mes tyre edhe gjermani J. Bartholdy. Ky në librin e tij, përkthyer në frëngjisht, Voyage en Grèce fait dans les années 1803 et 1804, Paris 1807, f. 92, flet edhe për gratë shqiptare të Athinës, për të cilat ruan konsideratat më të larta. I tërhoqi shumë, veç bukurisë së tyre (les belles Albanaises) edhe veshja e veçantë, aq sa u vu të pikturojë një portret shqiptarke me veshjen popullore karakteristike. Këtë portret të pikturuar nga vetë autori po e paraqesim në këtë shkrim, dhe jam i bindur se kujtdo do t’i lindë spontanisht një asociacion i veshjes së shqiptarkës së Athinës me veshjen e bukur karakteristike të vajzave të Dropullit sot. Ja pra, edhe një e dhënë nga fusha e etnografisë, që më ka dhënë edhe mua guximin të mbështes idenë se banorët e vendosur në Dropull dikur pas shek. XVI dhe të ardhur nga viset e Athinës, pas çdo gjase ishin nga ata shqiptarë që pas shek. XIV popullonin fshatra të tëra të Atikës dhe vetë Athinën, atë kohë një fshat i madh. Ky nuk është një konkluzion, është një hipotezë pune dhe si të tillë e paraqita edhe në emisionin televiziv të Marin Memës.
Nuk e di a kanë dhe sa kanë lidhje, por një shpjegim pak a shumë të ngjashëm jep edhe i ndjeri prof. Kristo Frashëri, sipas të cilit himariotët shkuan në Peloponez, në Manjë, dhe kur u kthyen në Himarë flisnin greqisht! (K. Frashëri, Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve, Tiranë, 2005, 19). Hipoteza mund të bëhen shumë, të cilat në vazhdim duhen edhe vërtetuar.
Pak më sipër treguam bindshëm se gjuhësisht nuk mbështetet ardhja e një popullsie nga Atika në Dropull. Pse s’kemi asnjë toponim të Atikës në Dropull dhe pse nuk kemi asnjë traditë gojore popullore –jo savantësh- që bën fjalë për këtë zhvendosje? Përse nuk këndojnë edhe dropullitët për të bukurën Atikë?, sikurse arbëreshët “O e bukura More!”? Si mundet që kjo popullsi, fillimisht shqipfolëse, zbret në Atikë dhe kthehet prej aty e helenizuar a gjysmë e helenizuar, për t’u shndërruar më pas në dropullitët e sotëm? Përse, ndërkaq, arvanitishtja u ruajt në Atikë deri vonë, kurse këta e humbën shqipen kaq lehtë? Dhe, nëse e humbën, ku janë gjurmët e thella të gjuhës së parë, shqipes, në greqishten e Dropullit?
Asociacionet kanë vlerë si një shtysë e parë për kërkim dhe shqyrtim të mëtejshëm, por nuk janë të mjaftueshme për të bërë shkencë. Po të mbetemi në atë nivel dhe të mos thellohemi, bëhemi një shembull i keq për të tjerët. Edhe “pellazgologët” mbështeten në përkime të rastit dhe arrijnë të shpjegojnë fjalë të njërës gjuhë me fjalë të një gjuhe tjetër, mbi baza ngjashmërish të rastit e josistematike e të përsëritura.
Më 1520, po të vështrohen me kujdes defterët, në Dropull kishte shqiptarë, por kishte edhe grekë, ndryshe si ta shpjegojmë toponiminë mbizoteruese greke dhe asimilimin gjuhësor fillimisht të elementi sllavofon e më pas të “Gjonit e të Gjinit”?
Sa për shaminë e kokës dhe lidhjen e veçantë të saj, ekzistojnë kolegët etnografë, ekziston edhe bibliografia përkatëse, që mund të konsultonte profesori para se të bënte hipotezën e guximshme. Zonja Janulla Kapllani, arkeologe dhe socioantropologe nga Qiproja, autore e një punimi mjaft të hollësishëm për veshjet e grave të Dropullit Lindor (Η γυναικεία ενδυμασία της Ανατολικής Δερόπολης, Εθνογραφικά 10, Ναύπλιο, 1995, 91-146), pra të fshatrave që ndodhen matanë kufirit shqiptaro-grek dhe në vazhdim të luginës së Dropullit, ka kryer edhe një studim krahasues të veshjeve të Pogonit e të Qipros (Ενδυματολογικές αντιστοιχίες μεταξύ Πωγωνίου και Κύπρου – Συμβολή στη βυζαντινή ενδυματολογία, “Ενδυματολογικά”, τ. 1, 163-169, Ναύπλιο, 2000) dhe, veç të tjerash, vëren ngjashmëri thuajse identike mes shamisë së grave të Pogonit-Dropullit Lindor me shaminë e Maries në Manastirin e Vulgarelit, Artë, 1281, si dhe me shamitë e kokës të grave të ofiqarëve bizantinë në pikturat murale të kishave të Qipros, të fundit të shek. XIII. Datimi dhe shpërndarja gjeografike e kësaj mënyre të lidhjes së shamisë së kokës, nuk flasin për ndonjë përkatësi etnike, por për origjinën e përbashkët bizantine të tyre.
Në përpjekjen për të dëshmuar se në Epir nuk ka pasur veçse ndonjë ishullth greqishtfolës, ndodhur aty rastësisht apo aksidentalisht falë tekave të historisë, prof. Xhufi thotë se
Në vitet 1820, Athanas Psalidas shkruante se në kohën e tij, në Shqipërinë e Jugut (Mesembrine Arvanitia) ndesheshin edhe fshatra me kolonë grekë (helenikais apoikiais). Besoj nuk është nevoja të shpjegojmë se cili është kuptimi i termit “kolon”.
Me sqarimin se helenikais apoikiais do të thotë koloni greke, shtojmë se Psalidhas nuk shkruante vetëm këto. Përpara tekstit që citon kolegu ndodhet fragmenti i mëposhtëm, të cilin po e japim në origjinal dhe të përkthyer:
Εις την Ήπειρον από τους αρχαίους καιρούς ευρίσκονται ελληνικαί αποικίαι […] διό και εφυλάχθησαν εις την Ήπειρον Έλληνες έως την σήμερον, και εις πόλεις και εις χωριά⸱ καθώς εις την Τζαμουριάν, δηλ. Δέλβινον, Παραμυθίαν, Χειμάρραν, Δρυμάδες, Παλιάσσαν, Πλεσιβίτζαν, Φοινίκην, Σαγιάδαν, Γερομέρι, Πάργαν, και άλλα κεφαλοχώρια, οπού είναι Έλληνες οι κάτοικοι και κατά τα ήθη και κατά την γλώσσαν⸱ ομοίως όλοι η Δρυϊνούπολις κοινώς Δερρόπολις⸱ από Δερβιτζιάνην, ως κρατεί το βουνό Αργυροκάστρου, ως Λάκκαν, Παρακάλαμον, και ως Πρέβεζαν και Άρταν, ομιλούν ελληνικά όλα τα χωριά και είναι χριστιανοί. Τα Ιωάννινα με όλα σχεδόν τα χωρία των είναι Έλληνες, καθώς και εις όλην την Πωγωνιανήν και Κόνιτζαν, έως τα Μεσογέφυρα και το βουνό Κολόνιας. / “Në Epir qysh prej kohëve të lashta ndodhen ngulime greke; […] prandaj edhe ka në Epir grekë deri sot e kësaj dite, si në qytete ashtu edhe në fshatra; sikurse në Çamëri, domethënë në Delvinë, Paramithi, Himarë, Dhërmi, Palasë, Plesivicë, Finiq, Sajadhë, Jeromeri, Pargë, dhe të tjerë kryefshatra, ku banorët janë grekë edhe nga zakonet edhe nga gjuha; poashtu e gjithë Drinopoja, apo siç themi zakonisht Dropulli, nga Derviçani dhe sa mban mali i Gjirokastrës; deri në Llakë, Parakalamo, e gjer Prevezë e Artë, flasin greqisht gjithë fshatrat dhe janë të krishterë. Janina me thuajse gjithë fshatrat e saj janë grekë, sikurse edhe në gjithë Pogonianinë dhe në Konicë, gjer në Mesojefira dhe malin e Kolonjës.” (Κ. Θεσπρωτού και Α. Ψαλίδα, Γεωγραφία Αλβανίας και Ηπείρου, Ιωάννινα, 1964, 51-52)
Po ç’kupton Psalidhas me αποικίαι/koloni? Po të zbatojmë konceptin e autoktonisë relative, kjo fjalë nuk merr kuptimin e një ngulimi të themeluar tani afër a në kohë të vona. Nga i njëjti citim të vihet re se Psalidhas konsideron të banuar prej grekësh edhe Pogonianinë. Në përforcim të kësaj vjen edhe një dokument i Arkivave të Ali Pashës, i 15 marsit 1817, ku banorë të fshatrave Poliçan, Hllomo, Skorjadhes, Dhrimadhes, Pontikates, Mevjista, Kserovalto, e sigurojnë Pashain se ustabashi i tyre nuk mban përgjegjësi për vdekjen e njërit prej anëtarëve të rinj të esnafit të gëlqerepunuesve të Stambollit (Aρχείο Αλή Πασά, vëll. ΙΙ, 1909-1817, Αθήνα, 2007, 808-809).
Μë duket se ka peshë të shtohet këtu që një personalitet i shquar nga anët e Gjirokastrës, i cili jetoi në gjysmën e dytë të shek. XVIII, savanti Γεώργιος Δημητρίου, me gjasë nga Vanista e Dropullit, në veprën pak të njohur, por mjaft të vlefshme të tij Γραμματική Ελληνο-Λατινίς / Grammatica Graeco-Latina (Vjenë, 1785), ku qysh në ballinë shënon se është “εξ Αργυροκάστρου της Ευρωπαίας Αλβανίας / Argyrocastrense ex Europea Albania”, shkruante se:
“Rreth lashtësisë dhe zulmës së Molosisë bëjnë fjalë Tukididi, Plini, Livi, Straboni dhe gjeografë të tjerë, të cilët përshkruajnë mbretërit-strategë me emër të saj dhe fushatat e ndërmarra prej tyre. Plutarku dhe Justini rrëfejnë mjeshtërisht, dhe të thënat e tyre dalin të vërteta jo vetëm prej kështjellave dhe fortesave që ruhen aty gjer më sot, ndonëse kthyer më të shumtat në rrënoja, por edhe nga zakonet e bëmat e motmoçme të saj, si dhe nga shpirti heroik e luftarak i banorëve të vendit, ruajtur po aq i gjallë edhe sot e kësaj dite. Edhe pse kanë humbur shumë prej selitjes dhe rregullit të atyre moteve, ky boshllëk plotësohet sot me rritjen e forcës së armëve dhe me numrin e madh të banorëve; [vendi] është tani më i aftë e më i gatshëm për luftë dhe ka më shumë burra nga sa kish qëmoti, si dhe është i banuar jo vetëm në fusha e kodra, por edhe në male, zbukuruar me shtëpi kulla. Feja e vendit është e ashtuquajtura Lindorja e Krishtit, dhe ajo e Mohamedit, besime që ushtrohen të dyja në liri të plotë dhe pa pengesa. Gjindjet janë dy, e grekëve dhe e shqiptarëve, dhe kjo duket ngaqë aq e aq farë të huajsh iu vërsulën atyre, e disa syresh qëndruan jo pak në këto vise, e megjithatë nuk ia dolën mbanë të ndryshonin jetën dhe zakonet prej epirotësh të vendasve, ose, që ta themi ndryshe, ata vetë ndërruan zakone dhe u bënë si vendasit; kemi sakaq shqiptarët që mbetën po ata. Ngaqë njohim jetën e zakonet e tyre të qëmoçme, dhe pa lënë mënjanë ato çka bënin së lashti molosët dhe epirotët, fare thjesht, duke u nisur nga veprat, dhe nga fushatat ushtarake, e sidomos nga emrat e prijësve, si dhe nga kujtimi i mbretërve të hershëm të Epirit, shtjellimin e të cilave s’do të desha ta bëja tani, dalim në përfundimin se shqiptarët u lindën epirotë, dhe jo epirotët shqiptarë. Të dyja këto gjindje ndjekin besimet e përmendura më sipër dhe njëra flet gjuhën e tjetrës, pra shqiptarët greqishten popullore, dhe grekët shqipen (nënvizimi yni, Dh.Q.). Lidhur me këtë vend [Molosinë] dhe ndarjet e tashme të tij do të flasim sërish, kur të qëllojë të bëjmë fjalë rreth Shqipërisë në përgjithësi, në pikën dhe në kohën e volitshme”. (Δημητρίου 1785, 14-15, shën. 6). ?
Nëse, vërtet, do të kish ndodhur ndonjë ardhje popullsie në Dropull prej Atike, si mund t’i shpëtonte këtij savanti skrupuloz, që i njihte mirë si grekët ashtu edhe shqiptarët?
Për shkencën, para-shkencën dhe naciopopulizmin
Po kaloj tani në një problem që them se ia vlen të diskutohet. Për arsye moshe unë nuk i kam ndjekur konferencat ndërkombëtare albanologjike të viteve 70 të shekullit të shkuar, por kur shfletoj materialet e tyre më kap zilia dhe ndiej admirim për diskutimet që bëheshin pas referimeve, të cilat, doemos, kishin edhe kripë e piper, por i bënin edhe më të mençur pjesëmarrësit. Sot, siç e vinte në dukje edhe kolegu K. Giakoumis, kjo traditë ka humbur. Koha e pluralizmit, çudi, është kthyer në kohë monologimesh pa bukë. Pa le që organizohen edhe konferenca ku pjesëmarrësve u kërkohen tekstet e kumtesave qysh më parë, në mënyrë që organizatorët të krenohen se që me çeljen e punimeve (punime u thënçin!) pjesëmarrësit mbanin në dorë vëllimin me kumtesa!
Me shkas debatin për Kronikën e Dropullit, kolegu Doja përmendi nevojën e diskutimit rreth metodologjisë që ndiqet sot në studimet shqiptare, etj. etj., ndërsa u shtrua bindshëm edhe nevoja e zbatimit të parimeve të këndvështrimeve të shumëfishta (multiple perspectives) dhe të kritikës së burimeve (source criticism). Dua të shtoj në këtë mes edhe nevojën urgjente të qarkullimit të prodhimit shkencor tej caqeve të ngushta lokale dhe të organizimit të diskutimeve me oponencë për vepra që thuhet (nga kush?) se “bëjnë epokë” apo “çelin udhë të reja”, etj. etj. Një tjetër problem është edhe citimi selektiv apo i cunguar, për të cilin rezervohem të sjell shembuj me raste të tjera.
Pa këto, ujërat e fjetura a të përgjumura të mendimit shkencor krijojnë terrenin ideal për të mbetur sy- e luleçelur mendimi dhe prodhimi para-shkencor. I cili vitet e fundit ka marrë shtrirje e ka fituar të drejtë qytetarie të pazakontë.
Kohë pandemie është dhe njëditëzaj u hodha një sy në YouTube disa emisioneve televizive, ku parakalonin si në sfilatë mode emra të njohur me “kontribute e pikëpamje origjinale” për punë të historisë së shqipes e sidomos të etimologjisë. Kaq të mençur janë, sa kanë filluar të kritikojnë Topallin e ndjerë e më të vjetrit, përfshi edhe Çabeun! Që e paskan mbiçmuar elementin e huazuar të shqipes. Bie fjala, pezovol “rrjetë e vogël peshkimi, që hidhet me krahë”, fjalë e anëve të Gjirokastrës, që del edhe te përkthimi i “Dhiatës së Re” (1827) i Meksi-Gjirokastritit, si dhe me trajta të tjera të toskërishtes (perzevol, pezevul, pezeul), dhe që Çabej e bie nga greqishtja e re πεζόβολος (Studime etimologjike në fushë të shqipes VI 181, Tiranë, 2002), për njërin nga këta është shqipja peshk zë boll, etj. etj. Ju po qeshni, por këtë njërin, nuk e di se si, YouTube e “kap mat” tek merr fjalën edhe në sallën e vogël të konferencave të Akademisë, nën vështrimin e habitur të portreteve të Çabejt, Demirajt, Domit, Kostallarit, etj.!
Sa herë ndizet debati publik për këtë apo atë çështje, ka interes të shohësh jo vetëm çfarë diskutohet, por edhe çfarë e si komentohet nga publiku. Jetoj në Greqi, por e ndjek edhe përditshmërinë shqiptare dhe shpesh më bën përshtypje brutaliteti i komenteve në të dy krahët, kur bie fjala për marrëdhëniet e të dy vendeve. Mbase e kam gabim, por më duket se edhe ne njerëzit e penës e të paneleve televizive kemi pjesën tonë në krijimin e kësaj klime.
Emisioni i M. Memës për Dropullin dha shkas për “shpërthime” të tilla, por edhe tregoi qartë sa të përgjegjshëm na takon të jemi kur, me cilësinë e njerëzve të shkencës, nyjëtojmë publikisht dhe pa oponencë opinione me impakt jo të vogël social.
Që ta themi ndryshe, problemi s’është Mema, por Dema e Rema, që ndjekin Memën dhe thonë “e tha X, vate!”. Sa për humor, njëri nga këta, i vetëquajturi Partizani Velo, në komentin e 25 janarit 2021, ora 18: 38, gëzohet, por edhe ndihet “i sikletosur” para dropullitëve, “gjakut të vet”:
“Kjo ishte goditje fatale. Nuk, s’ka më… Tër filogrekët që do bëjnë komente më poshtë ose të nxjerrin fakte dhe argumente konkrete që hedhin poshtë ato që ka shkrojtur z. Xhufi ose le ta qepin grykën njëherë e përgjithmonë.
Tani as nuk ju shajmë dot as nga raca se na dolët tanët shumica (kta të Dropullit të paktën)”!
E tepërt të themi se ka partizanë e partizanë, Velo e Velo… Mandej, kush rri të merret me si u tha ajo që u tha? Rëndësi ka që u tha! E kush e mbledh fjalën që del nga dhëmballa, kur e merr vesh gjithë mëhalla!
Në fillim të këtij viti lexova në Sarandanews një shkrim të z. Auron Tare. Vinte re me keqardhje reagimin e vakët për lënien në dorë të fatit të një ndërtese në qendër të Tiranës, ku qe strehuar Radiostacioni i parë shqiptar, dhe poashtu, “patriotizmin” tejet luftarak dhe selektiv ndaj pranisë së tabelave rrugore dygjuhëshe në zonën e minoritetit grek.
Do të guxoj të flas për një frymë naciopopulizmi, i cili nuk bën krushqi me shkencën, por me para-shkencën dhe kinse-shkencën, nuk promovon të vërtetën por sheqeros dhe vernikos gjasme- dhe gjysmë- të vërtetën; në emër të kombit deformon ndjenjën e vërtetë dhe burimore kombëtare, krijon dhe miklon një ushtri fanatikësh, që për hir të përkushtimit ndaj kombit të vet janë të gatshëm të sheshojnë vlerat e kombeve të tjerë.
Mbase ndonjë ditë do të flas më shkoqur, por tani mjaftohem të them se ky lloj virusi nuk ndodhet më ante portas, por është ulur këmbëkryq mes nesh, e sigurisht nuk është dukuri vetëm shqiptare. Naciopopulizmi shfaqet i veshur me petkat e shkencës, por shpeshherë i braktis edhe ato dhe shndërrohet në naciopopulizëm vulgar, apo në një hibrid të tyre.
Një përfaqësues tipik i tij u duk këto ditë edhe në “Peizazhe të Fjalës” me pamjen e baba(xhan)it të kombit, sypafjetur edhe ky, ore, me mendim të artikuluar dhe mendje të civilizuar e të paasimiluar: e para, e dyta, e treta, e tjetra. Gjëra të kopsitura në hije të Dodonës!
Në të njëjtën kohë, ky zotëria, në vend që të artikulonte “tezat” e veta për të shfaqur mendimin ndryshe në raport me sa kanë shkruar në “Peizazhe” autori i këtyre radhëve dhe kolegu K. Giakoumis, pra në vend që t’i drejtohej komunitetit shkencor ku, siç prezantohet, është i asociuar, iu drejtua në gjuhën greke masës anonime të fansave, për të treguar me zell e mllef djaloshar sa anës-dritës-i-paparë është dhe si e pse para-shkenca është mëma, bija dhe fryma e naciopopulizmit.
Por edhe tani nuk është vonë. Para se të na shpallë persona non grata të “Republikës së Dodonës”, e ftoj këtë FB-ist dhe populist të thekur t’ua përcjellë “perlën” e vet të radhës gjithë kolegëve universitarë në Greqi e në Shqipëri e ATA, PO, le të më/na gjykojnë. Gjithsesi, dhe aspak çudi, qysh më 31 janar, unë dhe kolegu Giakoumis nuk jemi veçse “grekë” dhe “shkencëtarë” tradhtarë të interesave kombëtare!
Prandaj, i prangosur dhe trup e shpirt i sakatosur në thonjëzat dhe në FeisBurgun a në FeisTurpin e z. HD, në pritje të dënimit kapital me akuzën “anëtar-i-grupit-të-rrezikshëm-të-shkencëtarëve-që-vënë-në-dyshim-autenticitetin-dhe-origjinën-e-kombit”, afishuar në shpifje-net e në linçim-net, i lutem inkuizitorit dhe ekzekutorit tim, që, në çastin e fundmë, të më lejohet, në vend të Himnit Kombëtar, të cilin nuk jam i denjë ta këndoj, të përsëris fjalët e poetit që shkroi “Himnin për Lirinë” (Ύμνος εις την Ελευθερίαν): Kombi duhet të mësohet të konsiderojë kombëtare, (pra në shërbim të interesave të tij), atë çka është e vërtetë (D. Solomós).
Ose, më mirë, bashkë me to, edhe refrenin e këngës së njohur dropullite, që, ç’mëkat!, ka huazuar ca fjalë të shqipes: Qaj, moj qaj, [e qesh, more qesh] me lo[t]!
(c) Dhori Q. Qirjazi, 2021. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.