Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

NJË NGATËRRESË ME ITINERARIN E AUTOBUSËVE

nga Arb Elo

Ndërkohë që futbollistët e kategorisë së tretë të ekipit të Karadakut u habitën goxha nga pritja madhështore me tupanë, cyrle dhe valltarë me kostume popullore, që i’u bë ekipit nga një humbje epike shtatë me zero kur mbërriti në qytezë autobusi i tyre dhe nuk po dinin si të reagonin, – kur panë se kishin dalë t’i prisnin ofiqarët e komunës me kostume të errëta zyrtare, e kur fëmijë të vegjël, të veshur edhe këta me xhamadanë e xhubleta, u dhuruan bozhure dhe lule të tjera shumëngjyrëshe të zonës, – Nexhmije Sh., familjare dyfëmijëshe, po i jepte një fetë bukë djalit të saj të parë në një autobus tjetër, të drejtuar gabimisht për në Gjilan nga shoferi i ngatërruar nga një telefonatë e keqkuptuar me centralin, Nexhmije Sh. po i jepte pra një fetë buke, lyer me gjalpë dhe mbështjellë me omelett djalit të saj në një autobus tjetër.

Klubi i futbollit kishte bërë ankesë për një incident që kishte ndodhur gjatë ndeshjes: në fushë kishin hyrë, pasi kishin kapërcyer rrethimin dhe u kishin ikur policëve, ultrasit e ekipit kundërshtar dhe kishin rrahur shpejt mbrojtësin e majtë për disa opinione politike që kishte shprehur ky në një intervistë për televizionin lokal. Ndaj menduan fillimisht që ankesa paskësh patur sukses e ndeshja mbase qenkësh fituar në tavolinë tre me zero, – ndonëse edhe ky rezultat nuk do ta shpjegonte ngazëllimin që gjetën, aq më tepër që ndeshja nuk ngrinte peshë për vendin në tabelë, – por ndoshta ishte edhe ky me sfond politik e ndaj nuk munguan të bënin shqiponjën, paksa të hutuar sidoqoftë kur vunë re një si farë bezdie që kaploi ofiqarët dhe ata që po i prisnin e po festonin pas tyre ndërsa po zbrisnin nga autobusi i tyre.

Këta të dytët, ultrasit domethënë, u hutuan më së pari nga gjinia e ekipit, pasi për nga vetë organizimi, – që i binte të ishte tubimi i përvitshëm mbarëkombëtar i poeteshave, – pritej që të ardhurit të ishin femra, mirëpo menduan me vete se mbase qenkëshin bashkëshortët e djemtë e ndoshta edhe juria ata që kishin mbërritur, – ndonëse tutat me vija e me zinxhirë të uniformave të sportit nuk jepnin shumë shkas për këtë pandehmë, për më tepër që mes të ardhurve nuk gjendej as edhe një femër për bé – u hutuan pra. Ky keqkuptim zgjati thuajse një gjysmë ore, derisa u mor vesh se kishte ndodhur një ngatërresë me autobusët e linjës dhe poeteshat gjendeshin në autobusin e linjës që të çonte për në Gjilan ku ishin mundur djemtë në futboll.

Me të ndaluar atje, në Gjilan, autobusin e këtyre, poeteshave domethënë, gjysmë- apo treçerek ore më tutje, e mësyu luzma me ultrasit që kishin rrahur mbrojtësin në fushë, ndërkohë që e kishin goditur makinën qysh në hyrje të stacionit me gurë. Pastaj u futën brenda dhe e zunë nga flokët shoferin, e tërhoqën zvarrë, e goditën me shkopa bejsbolli dhe ndezën përjashta një zjarr bengalas ku nuk e merrte vesh i pari të dytin. Edhe ky keqkuptim zgjati gati një gjysmë- ose treçerek ore dhe u desh të ndërhynte policia me shkopa gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë ultrasit.

Me disa orë vonesë pastaj, me fustane të grisura e disa me sy të nxirë, madje edhe me gjymtyrë të fashuar, poeteshat mbërritën në Karadak, ku pritja u desh të përsëritej nga para, me cyrle e tupanë dhe me valltarët disi të mërzitur ca nga pritja e gjatë në vapë e ca ngaqë iu desh të kërcenin sërish, tashmë qull në djersë nga kërcimi i parë.

Sidoqoftë tubimi u krye tash e tutje sipas protokollit, megjithëse tema fillestare u zëvendësua aty për aty me një tjetër: “Gratë për Gjergjin” dhe poezitë që morën pjesë në konkurrim ishin më të shumtat të improvizuara atë pasdite, akoma nën mbresat e asaj ngatërrese dhe atyre ngjarjeve, ndoshta sepse shoferi quhej Gjergj.

Ja çfarë shkroi pastaj gazeta lokale për këtë organizim, shkrim që u kopjua dhe u publikua nga shumë organe në internet:

“Në vitin kombëtar të pesëqindepesëdhjetë vjetorit të kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit, një organizim i veçantë u jetësua të mërkurën paradite të datës 8 gusht, 2018, i cili mund të shërbejë si vërtetim i të kundërtës së krejt mëdyshjeve lidhur me çiltërsinë artistike të përkujtimit festiv të pesë shekujve e gjysmë nga dita e mbylljes së syve të Skënderbeut. Organizim ky i konceptuar mprehtësisht si një shpërfaqje poetike e përsiatjeve kastriotase në frymëzimin letrar të disa poeteshave bashkëkohore shqiptare, ku reminishencat e kryetrimit Gjergj erdhën të përshtatura në forma, fanitje, shajni e përfytyrime stilistike të larmishme nga të pranishmet.

Ishte një ngjarje tërësisht e denjë për tematikën e epërme të përzgjedhur dhe të pranishmet, që e nderuan podiumin me qenien e tyre, ditën ta përvijonin mbresën e tyre kastriotase përmes vargjeve të një sëre poezish që ngërthyen një diapazon të gjerë e shumëngjyrësh, ku ndërthureshin lirika, ngashënjimi, kujtesa e pashuar, zhuritja për trashëgiminë e kryetrimit, ndërsa rezultati do të mishërohej në një mozaik gjithëpërfshirës realizimi-epik të fisnikëruar nga horizontet e pashtershme të poetikës së pjesëmarrëseve dhe fuqia krijuese, që falë figurës mitike të Gjergj Kastriotit përherë shprehet në formën më të arrirë.

Do të spikaste poezia fituese e Shote Zeqirajt, me një trajtim tejet bashkëkohor të vegimeve kastriotase, me një gjuhë ku bashkëjetonin afshet e magjepsjes ndaj figurës së kryetrimit, me një dozë brilante ironie poetike me mashkullin shqiptar të sotëm, që krijonin një metaforë të gjallë e mjaft cytëse, përtej kohës e hapësirës, duke e sjellë kryetrimin si një shajni grishëse, edhe në të tashmen e kujtimit të tij. Gjithçka do të kalonte krejt këndshëm, ashtu siç ndodh përherë kur arti, poetika puqet vetvetiu me vlerat më të shquara të kombit, duke shpërfaqur, aq më tepër në një këndvështrim e pikëtakim kaq thelbësisht femëror, hapësirën ku farkëtohet kujtesa historike e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), filtruar dhe lartësuar përmes limfës krijuese së këtyre poeteshave.”

Linja e autobusëve, në mënyrë që ngatërresa të tilla të mos përsëriten më, është zotuar që vitin në vazhdim t’u vërë në dispozicion poeteshave një makinë të lyer enkas për to me ngjyrat e flamurit dhe ndoshta nuk ka pse të përmendet, por për një rastësi të çuditshme shoferi i autobusit që u godit nga ultrasit quhej Gjergj, ndërkohë që është bërë një kërkesë në gjendjen civile për t’ia ndërruar mbiemrin, nga ai vetë.

Në miting pat qenë djali i Nexhmije Shësë që kishte pyetur t’ëmën, kalama siç ishte dhe i palexuar ende, nëse kur flitej për Gjergjin, kryetrimin, – kaq gjë e kuptonte – bëhej fjalë për shoferin e autobusit që quhej Gjergj e që u rrah nga ultrasit në ndalesë.

Jo, jo, i tha e ëma, është një Gjergj tjetër, por ti je i vogël. Kur të rritesh edhe ca do ta kuptosh. Jo tani; më vonë.

Mirë mami, tha fëmija dhe e zuri gjumi, ndërkohë që autobusi po kthehej për në Gjirokastër apo Saranda, për në Jug të Shqipërisë pra, pasi do i binte gjatë të shënohej këtu itinerari i stacioneve të tij, – ose më mirë: i ndalesave. Durrës, Krujë, Ballsh, Lushnjë, etj., etj.

© Arb Elo. Të gjitha të drejtat të rezervuara.,

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin