Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

NË GJURMË TË NORBERT JOKLIT

 nga Agron Alibali

Punimi që po paraqesim është frut i një pune disavjeçare. Për Joklin mësova për herë të parë në shkollë të mesme gjatë leximit të veprës shumëvëllimshe “Studime gjuhësore” të Çabejt, të botuar nga Rilindja në Prishtinën e ish-Jugosllavisë.

Vite më pas gjuhëtari, por dhe juristi i madh hebreas-austriak u bë pa dashur temë qendrore e bisedave të dendura me miken e paharruar, Johanna Gerechter Neumann. Vetë e mbijetuar e Holokaustit falë popullit shqiptar, ajo e përthithte më mirë se kushdo fatin e zi të viktimave të tij.

Në atë kohë sapo pata rënë në gjurmë të bibliotekës së humbur të Faik Konicës, që pas pak iu kthye BKSH-së, aty ku dëshironte i zoti i vet i madh. Natyrshëm në bisedat me Johannën lindte pyetja: po biblioteka e Norbert Joklit? Ku ndodhej ajo sot, dhe pse nuk i ishte kthyer, si e Konicës, BKSH-së?

Pasi siguruam një bazë bindëse referuese, vendosëm t’u drejtoheshim për ndihmë autoriteteve amerikane, më saktë Komitetit Amerikan të Trashëgimisë Kulturore, agjenci e pavarur qeveritare e angazhuar në identifikimin dhe ruajtjen e trashëgimisë hebrease në botë.

Nismës tonë iu bashkua edhe Van Sotir Christo, konsull nderi i Shqipërisë në Boston.

Kështu, në 7 mars 2017 iu drejtuam Komitetit ku, bazuar në marrëveshjen dypalëshe Shqipëri – Sh.B.A të vitit 2004, kërkonim ndihmën për kthimin në Shqipëri të pasurisë shkencore të Joklit. Theksuam se, edhe 75 vjet pas zhdukjes mizore të Joklit, amaneti i tij mbetej ende i papërmbushur. Muri i harresës sikur e rëndonte edhe më shumë peshën e pamatë të zhdukjes së Joklit.

Një muaj më pas Johanna u nda nga jeta. Sot një vit më parë edhe Van Christo. Jokl u shndërrua kësisoj edhe në njëfarë amaneti të vetë atyre. Misionin e Johannës e mori përsipër djali i saj Benjamin, bashkë me të shoqen Ellie.

Ndërkohë nisma jonë mori shtysë edhe përmes njohjes dhe diskutimeve të shpeshta me Brikena Çabejn. Humbja e Joklit kishte mbetur për gjithë jetën plagë në ndërgjegjen e Eqrem Çabejt. Përmes një gjesti të rrallë qytetarie, Brikena madje i dhuroi BKSH-së deklaratën origjinale të të jatit, ku dëshirën e fundit të Joklit ai ua përcillte brezave.

Pala amerikane e mori me shumë zemër nismën dhe bëri demarshet e duhura pranë Vjenës.  Çështja në dukje ishte e thjeshtë, e qartë dhe e drejtpërdrejtë: pasuria shkencore e Joklit u ishte lënë trashëgim “shqiptarëve” dhe pala “kujdestare” e kishte miratuar kthimin tek ta. E megjithatë, pas ca kohe u njoftuam se Vjena nuk kishte marrë ndonjë kërkesë nga Tirana lidhur me trashëgiminë e Joklit.

Shpresojmë fort që ky punim të shërbejë si shtysë që biblioteka, arkiva dhe letrat e Norbert Joklit – ky thesar i shkencës së albanologjisë e më gjerë – t’u kthehet shqiptarëve, në Shqipëri apo Kosovë, dhe kësisoj më në fund të vihet në vend amaneti i tij.

Klikoni këtu për një PDF të punimit të plotë.

NË GJURMË TË NORBERT JOKLIT


(c) 2021, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: fotoja në ballinë: Jokli në moshë të burrërisë.  Foto nga Charles Scolik.  Biblioteka Kombëtare e Austrisë: Bildnis des Jokl, Norbert [1877-1942] in mittleren Jahren.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin