prova dhe argumente
nga Nelson R. Çabej
Në fillim të këtij shkrimi, po vendos komentin tim të botuar në gazetën Tema (24 janar, 2021) duke e përfshirë atë pastaj në një kuadër më të gjerë historik të prejardhjes etnike të epirotëve të lashtë dhe të mërgimeve të dokumentuara historikisht në Epir.
Teksti i komentit tim në Tema
Shkrimi i Tannhäuser-it për mua është një kontribut sepse nxit studiuesit për njohjen më të mirë të prejardhjes etnike të banorëve të Dropullit dhe, si i tillë, duhet përshëndetur. Por, në këtë koment unë dua të vë në dukje disa çështje të diskutueshme sipas radhës që më dalin në këtë shkrim.
Lidhur më hipotezën e paraqitur nga E. Çabej rreth një shekull më parë mbi prejardhjen e mundshme sllave të dropullitëve, ajo është një pikëpamje që ruhet ende sot në një pjesë të gjirokstritëve si një popullsi e sjelle nga rajoni i Thesalisë së Maqedonisë greke dhe bazohet kryesisht në nuancën (kompleksionin)e bardhë të fytyrës dhe në kostumet e bardha të grave të tyre, që bëjnë kontrast të theksuar me fytyrën zeshkane të shumicës së grekëve dhe ngjyrat e errëta të kostumeve, por edhe në disa veçori të dialektit të tyre.
Shkrimi provon se autori ka njohuri të mjaftueshme për t’u marrë më problemin e onomastikës së Dropullit, por për fat të keq injoron një degë me rëndësi thelbësore të onomastikës që është toponimia e Dropullit. Lidhur me emrat tipikë personalë që hasen në Dropull në regjistrimin osman autori mbetet, në rastin më të mirë, i pabesueshëm kur përpiqet të nxjerrë si forma greke shkurtimet e emrave personalë Koço, Miço, Ndreko, Dodë nga Theodoris, etj., pa bërë ndonjë përpjekje për të na treguar shkallët e evolucionit të tyre nga format përkatëse greke. Format Koço dhe Miço dhe përkatëset greqisht Koco dhe Mico flasin qartë për ndikimin e shqipes mbi greqishten dhe jo anasjelltas.
Tannhäuser-i argumenton me të drejtë se në greqishte njihen edhe forma emrash vetjakë të krishterë ose grekë që nuk kanë mbaresën -s, ashtu si dhe format shqipe, por kjo nuk flet aspak për etnicitetin grek të bartësve të tyre. Përkundrazi, provë e etnicitetit shqiptar është gjetja në Dropull e emrave me prejardhje të padiskutueshme shqiptare, si Gjon e Gjin (jo Joanis), Gjorg (jo Georgios), Lekë (jo Aleko ose Aleksandros), Pal (jo Pavllos), Mëhill (e jo Mihal), Martin që nuk përdoret nga kisha ortodokse greke, etj.
Një diskutim rreth natyrës së toponimisë së Dropullit, është vendimtar në përcaktimin e etnicitetit të banorëve të Dropullit, të cilin autori ka zgjedhur të mos e trajtojë fare në këtë shkrim, ndaj mua më duhet ta trajtoj në formën më të shkurtër të mundshme. Prapashtesa -at që u ngjitet emrave të caktuar për të krijuar emra fshatrash është karakteristikë e trojeve shqipfolëse në Shqipëri si Perlat e Rromanat në rrethin e Durrësit, Kodovjat e Qerret në Elbasan, Kastrat e Bushat në Shkodër, por ndeshet me frekuencën më të lartë në zonën e Labërisë e të Çamërisë (rreth 40 emra të tillë fshatrash), duke përfshirë fshatrat sot minoritarë Bularat (dalë nga emri i bullarit), Terihat, Gjergucat (nga emri vetiak Gjorg), etj.
Përsa i përket disa emrave me prejardhje greke të fshatrave, ai nuk është aspak një argument për autoktoninë greke të banorëve të atyre fshatrave në kushtet e njohura historike të fqinjësisë dhe ndikimit kulturor, fetar e arsimor grek, sepse po të aplikohej ky parim, tërë Greqia, nga Traka në Peloponez del e mbushur me toponime sllave, turke e shqiptare. Siç theksonte E. Çabej, emrat e fshatrave ne Ballkan janë relativisht të rinj, andaj kanë fare pak vlerë për të përcaktuar etnicitetin e banorëve të tyre. Vlerë të atillë kanë makrotoponimet (emrat e lumenjve, qyteteve dhe maleve), të cilat në mënyrë të pakundërshtueshme provojnë autoktonine e shqiptarëve jo vetëm në rajonin e Gjirokastrës por në tërë Epirin (me modesti i rekomandoj edhe Tannhäuser-it të shikojë botimin anglisht të librit tim “Epirotes – Albanians of Antiquity”). Disa prej atyre emrave do të shqyrtohen më tej në këtë shkrim.
Nuk mund të mos më bjerë në sy në këtë punim interesant edhe interpretimi vetëkundërshtues i autorit kur citon nga Kronika e Tokos: “Vetëm albanitët ikën; në More shkuan, kaq shumë u frikësuan nga muslimanët”. Këtu autori pranon se ata që ikën nga Gjirokastra në More ishin “albanitë”/shqiptarë e se në këtë qytet nuk kishte grekë, se po të kishte, edhe ata do të iknin sepse nuk do të ishin më të favorizuar nga Turqia. Muslimanët në këtë rast ishin pushtuesit turq. Nuk mund të flitet në Kronikën e Tokos për shqiptarë muslimanë, kur dihet se ajo kronikë përshkruan vetëm ngjarje të ndodhura midis viteve 1375 dhe 1425, kur dihet se Gjirokastra ra në duart e turqve në vitin 1419 dhe deri nga viti 1435 prijsat e Zenebishëve vazhdonin luftën kundër turqve dhe mbanin të rrethuar Gjirokastrën e pushtuar nga turqit. Konvertimi gradual në muslimanë i gjirokastritëve nisi dekada më vonë.
Fakti që në Epirin e sotëm jetojnë shqiptarë dhe grekë shtron problemin se kujt i takonte ky territor në lashtësi dhe nëse epirotët ishin grekë apo shqiptarë. Autori nuk sjell asnjë prove të vetme për ta bërë të besueshme thënien e tij për “shtegtimet e popullsive arbërore të vendosura në Epir”.
Dihet mirë se nuk ka absolutisht asnjë dokument autentik që të tregojë se ka pasur ndonjëherë në histori ndonjë shtegtim arbërish në Epir, siç ka pasur ta zëmë në Thesali. Në qoftë se autori bazohet në artikullin e Kosta Giakoumis-it (Giakoumis, 2002), duhet ta dijë se dokumenti në të cilin ai bazohet nuk përmend fare Epirin, por vetëm Thesalinë, si vend ku shtegtuan shqiptarët në shekullin XIV. Jo vetëm kaq, por edhe shtegtimi i shqiptarëve në fushat e Thesalisë në shekullin XIV (në këtë kohë të shkretuara si rrjedhim i fushatave plaçkitëse të katalanëve), sipas dokumenteve të kohës ishte një proces relativisht i qetë dhe i miratuar nga arkondët e fanarionit të Trikhalës bazuar në premtimin e prijsit të arbërve se ata nuk do të vendoseshin në qytetet e Thesalisë. Ia vlen të përmendet këtu edhe fakti që për vërshim të banorëve rurale arbërorë flitet vetëm për qytetet e Beratit, Kaninës dhe Vlorës e jo për ndonjë qytet të Epirit (von Thallóczy, L. dhe Jireček, 1899).
I vetmi mërgim i dokumentuar në Epir është mërgimi i grekëve në vitin 1204, sipas historianit të sotëm frëng, Brendan Osswald: “Rënia e Konstantinopolit në duart e frankëve në 13 prill 1204 dhe krijimi pasues i shtetit të Epirit nga Mikael I Komnen Angelo Duka (1205- rreth1215) e bëri atë një vëndstrehim për shumë grekë që donin t’i shpëtonin sundimit latin, të luftonin kundër tij, ose që thjesht donin të gjenin kushte të qëndrueshme jetese. Kështu, burimet tona përmendin këtë ardhje strehëkërkuesish, që vinin nga Konstntinopoli. Demetrios Chomatenos, arkipeshkopi i Ohrit, thotë se të paktën gjysma e strehëkërkuesve nga Konstntinopoli gjetën strehim në Epir. Më i famshmi është perandori i mëparshëm bizantin Aleksis III…. Theodor Demnites që iku nga Anatolia për në rajonin e Akelout në Epir… Theodoros Chamaretos, një feudal nga Peloponezi u aratis në Epir dhe i shkruante vjehrit të tij se edhe ai mund të vinte e të bashkohej me ta, meqë Epiri “ishte plot me strehëkërkues të shumtë nga Peloponezi, shumë prej të cilëve ishin njerëz me pasuri dhe pozita të larta, dhe zonja me siguri do ta ndjente veten midis miqsh dhe bashkëkombësish”. Më fisnikët midis strehëkërkuesve prej Konstantinopolit ose prej vëndeve të tjera, duket se zunë vend në Janinë, ku Mikaeli krijoi një kështjellë të posaçme për ta. Ky qytet që Joan Apokauku e quajti πολίδιον, dmth, një “qytet i vogël”, u bë një Arkë e re e Noes për strehëkërkuesit.”(Osswald, 2007).
Disa prova dhe argumente të shqiptarisë së epirotëve të lashtë
Fakti që në Epirin e sotëm jetojnë shqiptare dhe grekë shtron problemin se kujt i takonte ky territor në lashtësi ose, ndryshe, a ishin epirotët e lashtë grekë apo shqiptarë. Në këtë shkrim të shkurtër unë do të shtoj vetëm disa fakte dhe argumente gjuhësore e historike që provojnë se në lashtësi
- Epiri banohej nga një popullsi jogreke, dhe
- Epirotët ishin një grup fisesh ilirë të jugut.
Provat që unë do të sjell për të vërtetuar se “epirotët ishin shqiptarë të lashtësisë”, siç i quante historiani i madh (dhe i vetëm nobelist) gjerman Theodor Mommsen (1817 –1903) në Die Romische Geschichte, në të vërtetë dalin të panevojshme, po të mbajmë parasysh edhe vetëm një fakt të madh e shtrëngues, që është ngritja e kolonive greke në Epir. Të pranosh dëshminë e historianëve të lashtë grekë për ngritjen e kolonive greke në qytetet e Epirit është vetëm një mënyrë tjetër për të thënë se epirotët nuk ishin grekë. Çdo “provë materiale” apo argumentim teorik për të provuar të kundërtën bie poshtë si absurditet kur dihet se, me përkufizim, kolonitë janë grupe njerëzish të një etnije që shkëputen nga vëndi i tyre për t’u vendosur në vendin e një populli tjetër.
Por fakti që epirotët nuk ishin grekë nuk mund të shërbejë si provë se ata ishin ilirë. Për të vërtetuar këtë kërkohen prova dhe argumente të mjaftueshme historike, gjuhësore, arkeologjikë, etnografike, folklorike, etj.
Pjesën më të madhe të atyre fakteve unë i kam paraqitur në punimin tim “Epirotes – Albanians of Antiquity” dhe përkthimin shqip “Epirotët – Shqiptarë të Lashtësisë’ të botuar përkatësisht nga Albanet në vitin 2016 dhe nga Fan Noli në vitin 2018. Në këtë shkrim, përmbledhtas unë do të paraqes vetëm disa prej atyre provave.
Prova gjuhësore
Evolucioni i emrave të vendeve në Epir
Megjithë ardhjen graduale të elementit grek dhe ndikimit shumë-shekullor kulturor, të kishës greke dhe shkollave greqisht, makrotoponimet e lashta në Epirin e sotëm, në mënyre të habitshme kanë evoluar në forma që mund të dilnin vetëm nën veprimin e regullave fonetike të shqipes e jo të ndonjë gjuhe tjetër. Sa për ta ilustruar këtë po marr emrin e qytetit të lashtë epirot, Araktos (Άραχθος,) që, duke filluar nga shekulli XI i erës sonë, del me emrin e sotëm Arta. Araktos ishte një qytet i themeluar në shekullin IX p.e.s. dhe kolonët e parë grekë aty, sipas Tukididit, erdhën nga Korinthi (Thucydides, a) dhe u ngulën aty për herë të parë dy shekuj më vonë, në vitin 630 p.e.s. (Hammond, 1996). Siç vuri re së pari helenisti më i madh i kohës së vet, Paul Kretschmer (1866-1956), vetëm nëpër gojën e folësve të iliritshtes mund të ndodhte kalimi -kt->-t-, përmes shkallëve kt >ht > tt (Kretschmer, 1896a), që përcaktoi evolucionin e emrit të qytetit Araktos në Arta (grupi indoeuropian -kt- në greqishten ruhet si në numërorin okto (ὀκτώ) ‘tetë’ por u shndërrua në -t- në numërorin shqip tetë dhe në fjalën arí që ka dalë nga një ilirishte e rikonstruktuar –árktos).
Emri i malit Tomor në Epirin e lashtë del në format Tomaros/Tmaros në burimet e lashta greke e latine si mali në afërsi të Dodonës së shënjtë. Popullsia lokale e ka humbur emrin e lashtë dhe sot e quan atë Olicika (Ολύτσικας). Për herë të fundit në burimet historike emri i këtij mali del te Stefan Bizantini në shekullin VI të erës sonë (Stephani Byzantii Ethnicorvm quae svpersvnt). Emri Tomor, megjithatë, ruhet në Malin Tomor në Shqipërinë e jugut, që adhurohet ende sot si mal i shenjtë, por edhe në dy vende të tjera të banuara nga ilirë në lashtësi. Autorë si Julius Pokorny (Pokorny, 1959) dhe Ivan Duridanov (Duridanov, 1999) pranojnë prejardhjen ilire të emrit Tomor. Etimologjjikisht emri Tomor mendohet të ketë dalë nga një rrënjë protoindoeuropiane *tem(ǝ)- ‘i errët’, që regullisht dha format Tmaros/Tomaros në epirotishte me prapashtesën tipike iliro-epirote -aros (Kretschmer, 1896b).
Emri i lumit Drin është një emër tipik ilir me rrënjë të lashtë indoeuropiane, që do të thotë “rrymë e shpejtë uji, lumë” (Kretschmer, 1996c; Pokorny, 1959). Fjala Drin përdoret si emër i pesë lumenjve që mbajnë ende sot këtë emër vetëm në troje ilire, në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe Republikën e Bosnjës, dhe nuk gjëndet në asnjë territor të banuar nga grekë. Edhe vetë evolucioni i fjalës Dropull nga Drinopolisi ne bazë të ligjeve të fonetikës historike të shqipes është argumentuar përfundimisht nga E. Çabej dhe Sh. Demiraj (Çabej 1987a; Çabej 1987b; Demiraj, 2008).
Emri i detit Jon, sipas Appianit ka dalë nga një emër vetiak ilir, Ionio, që ishte emri i djalit të mbretit taulant ilir Dyrrhachium, nipit të mbretit ilir Epidamnus, që u vra gabimisht nga Herkulesi që kishte ardhur ne ndihmë të mbretit ilir.
Gjuha që flisnin epirotët
Tukididi, historiani më i saktë i lashtësisë greke e bën fare të qartë se epirotët nuk flisnin greqisht kur tregon se si një pjesë e fisit më jugor të epirotëve, ampilokët, mësuan greqisht kurse pjesa tjetër mbeti barbare (në atë kohë grekët e përdornin fjalën barbar për të treguar çdo folës të një gjuhe të huaj): “Nën trysninë e fatkeqësisë, shumë breza më vonë ata u bashkuan me fqinjët e tyre grekë të kolonisë së Ambrakisë dhe nga ky bashkim mësuan gjuhën e sotme greke, ndërkohë që pjesa tjetër e ampilokëve mbetën barbarë” (Thucydides, b). Tukididi madje thotë se në kohën e tij jo vetëm epirotët por edhe në jug të tyre euritanët flisnin një gjuhë që për grekët ishte e pakuptueshme (agnostotatoi de glossan – ἀγνωστότατοι δὲ γλῶσσαν) (Thucydides, c), që siç vinte re Kretschmer-i (Kretschmer, 1896d) kishte kuptimin “e pakuptueshme” e jo “shumë e vështirë për t’u kuptuar”, si është përkthyer ndonjëherë gabimisht [sikur të ishte shkruar disgnostotatoi (δυσγνωστότατοι)].
Më vonë, Straboni në shekullin I të erës së re fliste per “gjuhën e epirotëve e të molosëve (Μολοττῶν καὶ Θεσπρωτῶν γλῶτταν) (Strabo, a) dhe se ata përdornin emra vetjakë të ndryshëm nga grekët (Strabo, b) dhe jetonin “në kufi me grekët” (Strabo, c).
Të tëra fjalët e njohura nga “epirotishtja” e lashtë [barden (βαρδἥν) (Çabej, 1976a), brokalietai (μπροκαλιέται) (Çabej, 1976b), daksa (δάξα) (von Xylander, 1835; Orel, 1998a), dramis (δράμιξ) (Pokorny, 1959; Tzitzilis, 2007), gnosco (γνώσκω) (Çabej, 2002), mal (Niebuhr, 1851), manu (μάνυ) (Çabej, 2014), pelio/pelia (πέλιος/πελία) (Orel, 1998 b; Çabej, N. 2018), Peligones (von Hahn, 1854; Demiraj, 1997)] janë shpjeguar vetëm me anë të shqipes e jo të ndonjë gjuhe tjetër (për një vështrim më të zgjeruar shih Çabej, N., 2018a).
Në burimet greke të lashtësisë shpesh epirotët karakterizohen si barbarë, që në atë kohë donte të thoshte se flisnin një gjuhë të huaj për grekët. Është krejt e pambështetur historikisht dhe gjuhësisht pikëpamja nacionaliste se fjala barbar për epirotët mund të jetë përdorur për të përshkruar stadin e tyre më të ulët kulturor. Të gjitha shpjegimet për etimologjinë e kësaj fjale në greqisht konvergojnë në përkufizimin: Fjala barbar rrjedh nga greqishtja “bárbaros -βάρβαρος- një fjalë onomatopeike që do të thotë “folës i një gjuhë të huaj, jo greke” dhe onomatopeikisht imiton një të folur pa kuptim si anglishtja bla-bla dhe sanskritishtja barbara që po kështu kishte kuptimin “joarian/joIndian, i huaj”.
Prova të tjera
Edhe emri i perëndisë kryesore të epirotëve Deipatyros që del në Leksikonin e Hesikut në shekullin VI të erës sonë (Hesychii Alexandrini Lexicon. 1867) që u ruajt në ndonjë fis epirot, si timpejtë, deri në shekullin VI të erës sonë dhe hyn në një grup me perëndinë vedike indiane Dyaus Pita dhe atë gjermanike Tiwaz, të gjitha të dala nga fjala protoindoeuropiane diēu-t ‘qiell’ (Orel, 1998c) dhe sipas Henrik Barić-it është trashëguar në shqipen e sotme zot, tregon se ata kishin një mitologji dhe panteon të tyre me më shumë se 20 perëndi të përshkruara në burimet e lashtësisë (Çabej, N. 2014). Epirotët kishin edhe ritualet e tyre të veçanta te varrimit (Anamali, 1985), siç del nga zbulimi në territorin e Epirit klasik që ndodhet sot, brenda kufijve të Shqipërisë dhe të Greqisë (në Piskovë, Dukat të Vlorës, siç shihet nga gjetjet arkeologjike në luginën e Vjosës (Piskovë), Dukat (Vlorë), në rrethet e Skraparit dhe të Kolonjës, si dhe në disa rajone epirote të Greqisë së sotme, si Merope (Μερόπη) në krahinën e Pogonit dhe Kato Pedina (Κάτω Πεδινά) në rrethin e Janinës. Më tej akoma, kjo kulturë ka depërtuar deri në Afione në ujdhesën e Korfuzit (Historia e Popullit Shqiptar, 2002; Bowden, W., 2003).
A ka ndodhur helenizim i epirotëve dikur në Lashtësi apo Mesjetë?
Historiani grek i Lashtësisë, Straboni, na tregon se epirotët ende në shekullin I të erës sonë vazhdonin të ishin barbarë, dmth., të huaj për grekët. Ai theksonte se epirotët në fillim të erës së re ruanin ende emrat e tyre barbarë si “Kekrops, Godrus, Aïclus, Kothus, Drymas, dhe Krinakus” dhe pohon identitetin e tyre jogrek kur flet për “trakët, ilirët dhe epirotët” dhe tregon se “fiset epirote të thesprotëve, kasopëve, ampilokëve, molosëve dhe amfilokëve mbanin ende territore të Thesalise dhe të Akarnanisë” (Strabo, b dhe c).
Qysh nga mesi i shekullit XIX një historian gjerman shkruante se në Epir helenizimi “kishte pasur pak ndikim në popull” (“auf das Volk selbst wenig Einfluss hatte”) (Keferstein, 1849). Një studim i hollësishëm i kohëve më të fundit i mbishkrimeve të Butrintit të periudhës së pushtimit romak të shekullit I p.e.s., nga Frank Daubner (2014) tregoi se sa i rëndësishëm është për historianin studimi në nivel lokal dhe mikrohistorik për të kuptuar kulturën e një populli dhe dallimin e saj nga kultura e elitave, sidomos në kolonitë; se sa sipërfaqësor dhe i pambështetur historikisht ka qenë koncepti i helenizimit të shoqërisë epirote gjatë shekujve IV-III p.e.s. Ky studim tregoi se jo vetëm popullsia e Epirit por edhe ajo e qyteteve të kolonizuar prej shekujsh nga grekët e më vonë nga romakët, si Butrinti (një vendbanim epirot qysh në shekullinXI p.e.s me një koloni greke qysh nga shekulli VII p.e.s) ruanin ende një organizim fisnor me klanet (subetnikat) prej 200 deri 500 anëtarësh si njësitë më të vogla të organizimit, që bënin kontrast të theksuar me strukturën e organizimit shoqëror të Greqisë së lashtë (Daubner, 2014a).
Duke interpretuar përmbajtjen e mbishkrimeve të kolonisë romake të Butrintit, Frank Daubner konkludonte: “Këto struktura flasin kundër teorisë se urbanizimi i shekujve IV dhe III p.e.s. u shoqërua me një lloj helenizimi të zakoneve, sjelljeve dhe traditave. Kjo nuk është aspak e vërtetë” (Daubner, 2014b) dhe “Ajo që studiuesit e lashtësisë e hetojnë si diçka të vëndit është në të vërtetë diçka tjetër, d.m.th. është një aspekt i kulturës së elitave” (Daubner, 2014c).
Ka dhe ndonjë autor që, pa sjellë provat dhe argumentet e nevojshme, beson se helenizimi i epirotëve ka ndodhur shekuj më vonë, nga fillimi i mesjetës, në shekullin VI, pasi Epiri u bë pjesë e Perandorisë së Lindjes (Minahan, 2002). Askush nuk ka provuar deri më sot se Epiri është helenizuar dikur në Mesjetë dhe me që e kundërta nuk ka qenë e mundur të provohej, është e arsyeshme të pranohet se shqiptarët/arbrit në Epir kanë jetuar pa ndërprerje që nga Lashtësia. Një sërë dokumentesh dhe autorësh bizantinë dhe europianë tregojnë se në Epir shqiptarët kanë jetuar në mënyrë të pandërprerë qysh nga Lashtësia.
Në vitin 1394-1395, gjatë udhëtimit të tij për Jerusalem, Lindjen e Afërme dhe Egjipt, italiani Niccolo de Martoni, bëri një ndalesë të shkurtër në ujdhesën Leukas, dhe duke parë prej andej bregdetin jugor të Epirit, e quan atë Albania (de Martoni, 1393-1394). Në shekullin XV Anonimi Bizantin shkruan: Edhe tani i gjithë ai vend (Epiri) banohet në mënyrë të shpërndarë e në grupe të vegjël dhe në fshatra nga shqiptarët, popullsi ilire” (Anonimi Bizantin).
Në vitin 1686 gjografi Philipp Clüver etj. shkruanin: “Epiri ndahet nga Maqedonia nga lumi Kelidnus dhe mali i Pindit dhe nga grekët nga lumi Acheloos”. Në po atë faqe këta kufij natyrorë të Epirit konfirmohen nga gjeografi gjerman Johannes Buno (1617-1697) dhe filologu gjerman Johann Friedrich Heckel (1640-1715). Për më tepër, ky i fundit na njofton se banorët e Epirit njihen si arbonarë dhe turqit i quajnë ata arnautlerë. (Philippi Cluverii 1686).
Në burimet e njohura historike nuk ka dalë ndonjë e dhënë autentike për emigrim shqiptarësh në Epir. I vetmi emigrim i njohur në Epir është ai popullatave grekofone nga Konstantinopoli, Anatolia dhe Peloponezi, kryesisht në Janinë, që ndodhi në vitin 1204, si rrjedhim i persekutimeve nga Perandoria Latine e Lindjes.
© 2021, Nelson R. Çabej. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë kopjimi në faqe të tjera, pa lejen eksplicite të autorit. Shkelësit do të ndiqen në bazë të ligjit.
Gazeta TemA: mos na i merrni shkrimet pa leje. Ne – një revistë e vogël dhe pa burime financiare – mundohemi shumë që t’i sigurojmë dhe t’i bëjmë gati për botim; gjithashtu, autorët i sjellin tek ne sepse ua kërkojmë ne dhe DUAN që t’i botojnë te ne, jo te ju. Nëse dëshironi të BLINI nga ne shkrime, na kontaktoni pa hezitim.
Referencat
Anamali, S. (1985). From the Illyrians to the Arbërs. Në The Albanians and their Territories. Academy of Sciences of the PSR of Albania, 8 Nëntori, Tiranë, f. 100-132.
Anonimi. Në Burime Tregimtare Bizantine për Historinë e Shqipërisë. Shek. X-XV. Përg. Nga K. Bozhori dhe F. Lico. Tiranë, 1975. F. 318
Bowden, W., 2003. The construction of identities in post-Roman Albania. In Theory and Practice in Late Antique Archaeology. Ed. L. Lavan and W. Bowden, Brill, Leiden-Boston, f. 57-78.
Çabej, E., 1976a. Sudime Etimologjike në Fushë të Shqipes II. Tiranë f. 173-174.
Çabej, E., 1976b. Ibid., f. 211.
Çabej, E., 1987. Sudime Etimologjike në Fushë të Shqipes III. Tiranë, f. 319.
Çabej, E., 1987. Ibid.
Çabej, E., 2002. Sudime Etimologjike në Fushë të Shqipes VI. Tiranë, f. 106-107.
Çabej, E., 2014. Sudime Etimologjike në Fushë të Shqipes V. Tiranë, f. 282.
Çabej, N.R. 2014. Në Gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire. Fan Noli, Tiranë
Çabej, N.R., 2018a. Epirotët – Shqiptarë të Lashtësisë. Fan Noli, Tiranë, ff. 94-106 dhe 181-185.
Çabej, N.R., 2018b. Ibid., f. 100-102.
Daubner, F., 2014a. Epirotische Identitäten nach der Königszeit. Në Athen und/oder Alexandreia?: Aspekte von Identität und Ethnizität im hellenistischen Griechenland. Ed. K. Freitag and C. Michels, Böhlau Verlag Köln Weimar, f. 102 (99- 124).
Daubner, F., 2014b. Ibid. f. 114.
Daubner, F., 2014c. Ibid. f. 102.
De Marttoni, N. 1393-1394. Pelegrinage a Jerusalem de N. de Martoni: Notaire italien (1394-1395). Revue de l’Orient latin, vol. 3, Paris, f. 662.
Demiraj, B., 1997. Albanische Etymologien. Amsterdam-Atlanta.
Demiraj, S., 2008. Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët. Infbotues, Tiranë, f. 169-176.
Duridanov, I., 1999. Illyrisch. f. 951-953. Internet: http://wwwg.uni-klu.ac.at/eeo/Illyrisch.pdf. Retrieved on Jan. 2, 2015.
Giakoumis K., 2002. Fourteenth-century Albanian migration and the ‘relative autochthony’ of the Albanians in Epeiros. The case of Gjirokaster. Byzantine and Modern Greek Studies 27,171-183.
Historia e Popullit Shqiptar 2002. Akad. e Shk. e R. të Shqipërisë, Toena, Tiranë, f. 209.
von Hahn, J.G., 1854. Albanesische Studien I. F. Mauke, Jena, f. 241-242.
Hammond, N.G.L., 1996. Ambracia. In Oxford Classical Dictionary (3rd edition). Oxford University Press, Oxford.
Hesychii Alexandrini Lexicon, 1867. Sumptibus Hermanni Dufftii (Libraria Maukiana), f. 380.
Keferstein, C.,1849. Ansichten über die keltischen Alterthümer. Schwetschke, Halle, f. 409: “auf das Volk selbst wenig Einfluss hatte”.
Kretschmer, P., 1896a. Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenhoeck and Ruprecht, Jena, f. 258: “Von den Illyriern rührt vermutlich auch die Assimilation in dem Flussnamen Arachthos. Denn dass der Wandel von kt über ht zu tt illyrisch war, dürfen wir schliessen 1) aus dem Albanesischen: natë, lit. naktis, pesë, skr. pankti”.
Kretschmer, P., 1896b. Ibid., f. 257.
Kretschmer, P., 1896c. Ibid., f. 286.
Kretschmer, P., 1896d, Ibid., f. 254.
Minahan, J.B., 2002. Encyclopedia of the Stateless Nations: Ethnic and National Groups Around the World A-Z. ABC-CLIO, Westport CT, f. 578.
Niebuhr, B.G., 1851. Vorträge über alte Länder- und Völkerkunde. f. 305: “Der Name der Stadt Dimalon der festesten unter den dortigen mit einer zweifachen Burg auf einem Doppelberge durch eine Mauer verbunden, welche Polybios beschreibt”.
Orel, V., 1998a. Albanian Etymological Dictionary. Brill, Leiden-Boston-Köln, f. 61.
Orel, V., 1998b. Ibid, f. 332.
Orel, V., 1998c. Ibid., 526.
Osswald, B., 2007. The ethnic composition of medieval Epirus. In Imagining Frontiers, Contesting Identities. Ed. S.G. Ellis and L. Klusáková. Edizioni Plus, Pisa, p. 132.
Pokorny, J., 1959. Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Francke, Bern, 1959-1969.
Philippi Cluverii Introductio in universam geographiam, tam veterem quam novam. J. Wolters, 1686, f. 329.
Stephani Byzantii Ethnicorvm quae svpersvnt: “Τόμαρος, ὄρος Δωδώνης, ὅ τίνες Τομοῦρον καὶ τοὺς κατοικοῦντας Τομούρους. οἱ δὲ Τμάρος, οὑ τὸ ἐθνικὸν Τμάριος”.
Strabo, a. Geography VII, Fragments, 1a.
Strabo, b. Geography Ibid. VII, 7, 1.
Strabo, c. Geography Ibid.
Strabo, d. Geography Ibid.: “καὶ ἀπὸ τῶν ὀνομάτων δὲ ἐνίων τὸ βάρβαρον ἐμφαίνεται, Κέκροψ καὶ Κόδρος καὶ Ἄικλος καὶ Κόθος καὶ Δρύμας καὶ Κρίνακος. οἱ δὲ Θρᾷκες καὶ Ἰλλυριοὶ καὶ Ἠπειρῶται καὶ μέχρι νῦν ἐν πλευραῖς εἰσιν…………καί τινα μέρη τῆς Θετταλίας, Ἀκαρνανίας δὲ καὶ Αἰτωλίας τὰ ἄνω Θεσπρωτοὶ καὶ Κασσωπαῖοι καὶ Ἀμφίλοχοι καὶ Μολοττοὶ καὶ Ἀθαμᾶνες, Ἠπειρωτικὰ ἔθνη”.
Thucydides, a The History of the Peloponnesian War II, 80, 3: “ἦσαν δὲ Κορίνθιοι ξυμπροθυμούμενοι μάλιστα τοῖς Ἀμπρακιώταις ἀποίκοις οὖσιν”.
Thucydides, b Ibid., 68, 5: “ὑπὸ ξυμφορῶν δὲ πολλαῖς γενεαῖς ὕστερον πιεζόμενοι Ἀμπρακιώτας ὁμόρουςὄντας τῇ Ἀμφιλοχικῇ ξυνοίκους ἐπηγάγοντο, καὶ ἡλληνίσθησαν τὴν νῦνγλῶσσαν τότε πρῶτον ἀπὸ τῶν Ἀμπρακιωτῶν ξυνοικησάντων: οἱ δὲ ἄλλοι Ἀμφίλοχοι βάρβαροί εἰσιν”
Thucydides, c The History of the Peloponnesian War III, 94, 5: “ἐπιχειρεῖν δ᾽ ἐκέλευον πρῶτον μὲν Ἀποδωτοῖς, ἔπειτα δὲ Ὀφιονεῦσι καὶ μετὰ τούτους Εὐρυτᾶσιν, ὅπερ μέγιστον μέρος ἐστὶ τῶν Αἰτωλῶν, ἀγνωστότατοι δὲ γλῶσσαν καὶ ὠμοφάγοι εἰσίν, ὡς λέγονται: τούτων γὰρ ληφθέντων ῥᾳδίως καὶ τἆλλα προσχωρήσειν”.
Tzitzilis, C., 2007. Greek and Illyrian. Nw A History of Ancient Greek: From the Beginnings to Late Antiquity. A.-F. Christidis (ed.). Cambridge University Press, Cambridge-New York, f. 751 (745-751).
von Thallóczy, L. dhe Jireček, C., 1899. Zwei Urkunden aus Nordalbanien. Archiv für slavische Philologie, XXI, 1899, ff. 84-85.
von Xylander J. R. (1835). Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren. Andreáische Buchhandlung, Frankfurt am Main, f. 277.
Kopertina: Epiri 330 BC–167 BC.