Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

NJË PËRGJIGJE PA ADRESË

nga Pëllumb Xhufi

E paskan lënduar keq autorin me pseudonimin “Tannhäuser” disa konsiderata të miat të shprehura në një nga emisionet e fundit të Marin Memës, ku u fol për pasazhet historike të krahinës së Dropullit…Dhe është vënë të shkruajë një artikull, bukur të qëndisur, ku herë me argumenta dijetari, e herë me marifete prej lojtari, godet idetë që unë munda të përcjell në ato pak minuta të një emisioni televiziv. Megjithatë, kinse-gjermaniku Tannhäuser duhet ta dijë se për problemet e marrëdhënieve shqiptaro-greke në Mesjetë kam shkruar nja tre libra voluminozë, dhe në vend të “cicërimave” të një emisioni televiziv që shpesh i përcillen dëgjuesit nëpërmjet gojës së drejtuesit, mund t’u referohej fjalëve të shkruara e zezë mbi të bardhë. Siç po bëj unë tani, që nuk jam buzëhollë e nuk snoboj ato dy faqet e tij të botuara në web.

Por nga t’ia filloj? Po e filloj nga introdukta. Personi që fshihet pas pseudonimit Tannhäuser me jehonë gjermanike, thotë se ishte në dilemë të madhe nëse duhej t’i përgjigjej pohimeve të bëra nga profesorë me vokacion nacionalist, siç është rasti im. Ishte një dilemë e natyrës etike, thotë ai, e cila e bëri të vuajë dhe të cilën, gjithsesi, e kapërceu për fatin e mirë tonin dhe të shkencës. Dhe u vu të shkruajë. Paradoksalisht, në të njëjtën dilemë etike ndodhem edhe unë tani. A duhet t’i përgjigjem një individi, që pretendon se bën shkencë duke u fshehur pas një pseudonimi? Njohuritë e mia, sigurisht të kufizuara, më thonë se të paktën në Shqipëri, pseudonimet i përdornin anëtarët e njësiteve guerrilje, gjatë pushtimit nazi-fashist, si dhe gazetarët demokratë, në kushtet e regjimit të mbretit Zog. Nuk njoh historianë, gjuhëtarë apo studjues gjithfarë, madje as gazetarë, që në kushte lirie të druhen t’u japin një emër ideve të tyre.

I ndjeshëm etikisht, Tannhäuseri është i ndjeshëm edhe politikisht. Paska zbuluar, se teza e imigrimit të banorëve të Dropullit dhe e vendosjes së tyre si bujq në tokat e çifligarëve shqiptarë, qenka imponuar nga regjimi komunist, e duhet hedhur poshtë a priori. Pyetje: a nuk do e kishte patur më të thjeshtë regjimi në fjalë “t’i binte shkurt” e t’i detyronte minoritarët grekë të deklaroheshin e të regjistroheshin si shqiptarë? Në fund të fundit, me shqiptarët një mutacion genetik i detyruar, mutatis mutandis,  ndodh sot e gjithë ditën edhe në botën e lirë, madje në ndonjë vend fqinj, demokratik e evropian si ai. Ndaj t’ja lemë politikës përdorimin e shpërdorimin e faktorit “K” (komunizëm), e për çështjen e autoktonisë, qoftë edhe relative, të banorëve grekë të Dropullit, Delvinës, Vurgut etj., le t’i kthehemi shkencës. Po citoj ç’thonë për këtë subjekt dy studiues grekë. Në vitet 1820, Athanas Psalidas shkruante se në kohën e tij, në Shqipërinë e Jugut (Mesembrine Arvanitia) ndesheshin edhe fshatra me kolonë grekë (helenikais apoikiais). Besoj nuk është nevoja të shpjegojmë se cili është kuptimi i termit “kolon”. Një shekull më vonë, Eulog Kurillas pohonte se banorët shqiptarë të Gjirokastrës e rrethinave i quajnë banorët grekë të fshatrave të Dropullit me dy fjalë: me fjalën shqipe “të çkulurit” dhe me një fjalë të huaj që ai nuk është në gjendje ta shpjegojë, “ksul” ( E. Kurillas, Tò kratos tes aletheias, Athinë, 1944, f. 296). Fjala “të çkulurit” në shqipen letrare do i përgjigjej fjalës “të shpërngulurit”. Fjala “ksul”, sipas nesh, është fjala latine “exsul” (it. esule), që përkon kuptimisht me shqipen “i çkulur” dhe që përmban edhe një nuancë shtesë, pasi me të nuk shënohen të ikurit për arsye ekonomike (emigrantët), por të shpërngulurit për arsye, të themi, politike, siç ishte rasti i kryengritësve, apo i “disidentëve politikë”, në përgjithësi. Në fillim të viteve 1980, kur patëm rastin të lexojmë librin e E. Kurillas, të moshuarit e rrethit të Gjirokastrës, që pyetëm, i kujtonin ende ato dy fjalë me të cilat identifikoheshin dikur banorët e Dropullit.

Dhe pastaj vjen “Kronika e Dropullit”. Dorëshkrimi i kësaj kronike, sot në Bibliotekën Kombëtare të Athinës,  ju fal konsullit francez F. Pouqueville nga mitropoliti i Gjirokastrës dhe ai e botoi në vëll. 5 të veprës së tij “Voyage dans la Grèce” (1821). Kronika është botuar edhe nga historiani grek A. Petrides, dhe këtij botimi preferon t’i referohet Tannhäuser, dhe më duket se e kam zbuluar përse. Petrides i çon kufijtë e Dropullit, e pra të minoritetit grek, deri në Tepelenë, duke njësuar me Tepelenën vendin që kronika në fjalë, sipas botimit Petrides, e jep me emrin “Titopolis”. Por ky autor nuk është një referencë e sigurt, e jam i bindur që sikur të kishte jetuar në shek. XX, ky Petrides do t’i kishte çuar kufijtë e Dropullit, pra të “helenizmit”, jo në Tepelenë por në Titograd. Pse jo? Petrides ishte aq grek-grek, saqë jo vetëm shqiptarët, por edhe sllavët nuk i hynin në sy. Sa për të shuajtur kërshërinë e lexuesit, Petrides  u përpoq shumë në vitet 1870 për ta nxjerrë Skënderbeun tonë me origjinë helene. Madje, për Skënderbeun nuk hezitoi të prishë gojën edhe me babain e historiografisë moderne greke, P. Paparrigopoulos, pasi ky i fundit paskësh fyer helenizmin duke e nxjerrë Skënderbeun…sllav (T. Jochalas, Georgios Kastriotes o Skendermpees eis ten neoelleniken istoriographian kai logotechnian, Thessalonike, 1975, f. 40-44).

Gjithsesi, që “Kronika e Dropullit” është një krijim i vonë, gjasisht i fundit të shek. XVIII, kjo është jashtë çdo dyshimi, e këtu puqemi pa kushte me zotin (?) profesor (?) Tannhäuser. Për sa na përket, përmendja e Elbasanit në atë kronikë me emrin e sotëm, e jo me emrat “Neokastro” apo “Citta Nova”, si qyteti përmendej në burimet përkatësisht greke e latine deri në shek. XVIII, do ishte një provë e hartimit të vonë të saj. Jemi plotësisht me Tannhäuser edhe në vlerësimin e “Kronikës së Dropullit” si një krijim i mbushur me elementë mitologjikë, legjendarë, biblikë, ku fakti historik mungon, ose duhet mund për të zbuluar ndonjë të tillë. Kjo është natyra e kronikave, gjenealogjive, jetëshkrimeve, analeve mesjetare e post-mesjetare.  Ku më shumë e ku më pak vlen ajo çka Iliaron Ruvarac ka thënë për ciklin serb mbi Betejën e Fushë Kosovës. Ruvarac e konsideron atë një grumbull “përrallash e përrallëzash popullore”, të cilat edhe pse të sajuara bukur nga murgjit e manastireve serbe, “nuk meritojnë të besohen asfare”, dhe si të tilla “nuk mund të përbëjnë një burim për historianët e sotëm që merren me betejën e Kosovës” (I. Ruvarac, O knjezu Lazaru,  Novi Sad, 1887, f. 246; Dj. Trifunović, Srpski srednovekovni spisi o knezu Lazaru i kosovskom boju, Kruševac, 1968, f. 8; F. Kämper, “Der Kult des heiligen Serbenfürsten Lasar. Textinterpretationen zur Ideologiegeschichte des Spätmittelalters”, Südost-Forschungen 31, 1972, f. 81, 82). Por kjo nuk i heq asgjë faktit që në disa nga këto gjini hasen edhe fakte e ngjarje të ndodhura e të konfirmuara edhe nga burime mirëfilli historike. Për të mbetur brenda kuadrit epiro-shqiptar kujtoj se jo më kot Tannhäuser i referohet në shkrimin e tij “Kronikës së Janinës”, “Kronikës së Tokove” apo edhe vetë “Kronikës së Gjon Muzakës”. Në ato raste ja vleka të konsiderohen e të përdoren si burime historike, sigurisht në mënyrë selektive. Por po ai e skualifikon krejtësisht “Kronikën e Dropullit”. Mua më duket, se mes dhënave me bazë mitologjike, edhe kjo kronikë e ka një thelb historik, që është ai i shpërnguljes nga rrethet e Athinës së një mase banorësh, të cilët erdhën e u vendosën në luginën e lumit Drino, në Dropullin e sotëm në një kohë të papërcaktuar. Ky vend, Dropulli, sipas Kronikës, “ishte i braktisur dhe i pabanuar” (eremous topous kai akatoiketous). Diçka do ketë ndodhur me popullsinë e fshatrave të asaj treve, që siç e ka provuar tashmë kolegu F. Duka, në vitin 1520 paraqitej me popullsi mjaft të dendur e me një antroponimi mbizotëruese tipike shqiptare. Mundet që një pjesë e konsiderueshme e saj të jetë deportuar me rastin e ndonjë kryengritjeje, gjë që osmanët, ashtu si më parë edhe bizantinët, e praktikonin shpesh kundrejt popullsive të panënshtruara. Mundet që treva e Dropullit të jetë goditur nga ndonjë epidemi e rëndë murtaje, që gjithashtu dëshmohen mjaft të shpeshta në zonën e Gjirokastrës. Pra, vendi ishte pak a shumë i lirë, dhe kjo do shpjegonte zgjedhjen e luginës së Dropullit si vend për sistemimin e masës së të ardhurve nga rrethet e Athinës, për të cilën flet kronika. Veç kronikës, veç emrave “të çkulur” apo “ksul”, që siç thamë pak më sipër, banorët shqiptarë të rrethit të Gjirokastrës quanin deri vonë banorët grekofonë të Dropullit, edhe gjuha greke e folur prej tyre e mbështet tezën e origjinës së tyre nga viset e Athinës. Gjuhëtarë të shquar grekë, si H. Hatzidakis, J. Anagnostopullos kanë provuar se greqishtja e folur nga banorët e Dropullit nuk ka lidhje me dialektet veriore të folura në Epir, Thesali e Maqedoni, por i përket grupit të dialekteve jugore, përkatësisht dialektit të Atikës (F. Liço, Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare, Tiranë: Neraida, 2009, f. 179). Nëse është kështu (dhe Tannhäuser e konfirmon se kështu është), ja edhe një provë nga fusha e gjuhësisë që tregon se banorët e Dropullit nuk përfaqësojnë një vazhdimësi territoriale me popullsitë grekofone të Greqisë së Veriut, por një transplantim të një popullsie të ardhur nga viset më në jug të tyre. “Kronika e Dropullit” na precizon se bëhet fjalë për zonën e Athinës. Por ne e dimë, se Athina e fshatrat rreth saj pas shek. XIV ishin të populluara dendur nga popullsi shqiptare. E thonë udhëpërshkrues të shumtë evropianë, e mes tyre edhe gjermani J. Bartholdy. Ky në librin e tij, përkthyer në frëngjisht, Voyage en Grèce fait dans les années 1803 et 1804, Paris 1807, f. 92, flet edhe për gratë shqiptare të Athinës, për të cilat ruan konsideratat më të larta. I tërhoqi shumë, veç bukurisë së tyre (les belles Albanaises) edhe veshja e veçantë, aq sa u vu të pikturojë një portret shqiptarke me veshjen popullore karakteristike. Këtë portret të pikturuar nga vetë autori po e paraqesim në këtë shkrim, dhe jam i bindur se kujtdo do t’i lindë spontanisht një asociacion i veshjes së shqiptarkës së Athinës me veshjen e bukur karakteristike të vajzave të Dropullit sot.

Ja pra, edhe një e dhënë nga fusha e etnografisë, që më ka dhënë edhe mua guximin të mbështes idenë se banorët e vendosur në Dropull dikur pas shek. XVI dhe të ardhur nga viset e Athinës, pas çdo gjase ishin nga ata shqiptarë që pas shek. XIV popullonin fshatra të tëra të Atikës dhe vetë Athinën, atë kohë një fshat i madh. Ky nuk është një konkluzion, është një hipotezë pune dhe si të tillë e paraqita edhe në emisionin televiziv të Marin Memës.

Nga ana tjetër, janë të njohura e të vërtetuara proceset asimiluese të cilave u janë nënshtruar popullsitë shqipfolëse në rrjedhë të historisë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një “hipotezë pune”, por me një konkluzion të shkencave historike, gjuhësore e antropologjike. Këto na mësojnë, se si rezultat i këtyre proceseve, hapësira shqipfolëse ka pësuar vazhdimisht rrudhje. Për të ilustruar përmasat e rrudhjes hapësinore të shqiptarëve, M. Šufflay përdor metaforën e tkurrjes së iriqit (M. Šufflay, Die Grenzen Albaniens während des Mittelalters, në: Illyrisch-Albanische Forschungen, I. Band, München, 1916, f. 289; C. Jireček, Geschichte der Serben, Gotha, 1911, f. 115-120, 153; E. Çabej, “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, në: Studime Gjuhësore, vëll. III, Prishtinë: Rilindja, f. 40). Tannhäuser më vë përpara pyetjes asgjësuese: nëse të ardhurit në Dropull kanë qenë shqiptarë (arvanitas) nga Athina, si është e mundur që aty e kishin ruajtur gjuhën shqipe, kurse në Dropull e humbën? E thashë edhe në emisionin televiziv të Memës, pas tre shekujsh qëndrimi në Greqi, ata shqiptarë ishin kthyer në bilingë dhe ndodheshin në një fazë të avancuar të helenizimit të tyre. Procesi u plotësua pas vendosjes, ende hipotetike të tyre, në Dropull, ku statusi i një popullsie gjithsesi “të huaj” edhe pse i së njëjtës origjinë me vendasit, si dhe veprimi i fortë i klerit dhe i shkollës greke bënë që të avancojë ky proces asimilimi etno-kulturor. Kam shkruar gjerë e gjatë për klerikë grekë, si Kozma Etoli e Genadi, peshkop i Delvinës, që i detyronin besimtarët ortodoksë shqiptarë të braktisnin gjuhën shqipe e të flisnin vetëm “gjuhën e Zotit”, d.m.th. gjuhën greke. Kam shkruar edhe për rregullore që u vinin nga Athina shkollave greke në Shqipërinë e Jugut, si ajo e shkollës së Nivanit në Zagori, në vitin 1881, ku nxënësit porositeshin të flisnin vetëm në greqisht, madje t’u flisnin greqisht edhe prindërve në shtëpi (P. Xhufi, Dilemat e Arbërit, Tiranë:Pegi, 2006, f. 409-417, 448-459). Medievisti më i madh grek, Sp. Lambros që për ca kohë ka qenë edhe Kryeministër i Greqisë, mburret me “aftësinë asimiluese të grekëve” (syghoneusis), që sipas tij është një virtut specifik i popullit të tij (Sp. Lambros, “Ta hellenikà dikaia”, në: Neo-Hellenomemnon, 10, 1913, f. 155). Ndryshe nga ai, që shkruante në valën e shpërthimeve nacionaliste, ne të tjerët, gardianë të historisë, gjuhësisë apo antropologjisë nuk mund të mos marrim shënim për këto procese historike, pa drama e pa emocione nacionaliste. Thjesht ka ndodhur! Dhe ka ndodhur vërtet, e po ndodh, sa në Shqipërinë e Epërme, ku fise të tëra, si Kuçët, Piprët, Palabardhët (Bjelopavliçët!) etj., hyjnë në histori si shqiptarë dhe dalin si sllavë. Ka ndodhur po aq shumë ky proces, dhe po ndodh, edhe në arealin epirot, ku fshatra e zona të tëra janë helenizuar e po helenizohen edhe para syve tanë (M. Šufflay, Srbi i Arbanasi, Beograd, 1925, f. 26, 31; G. Castellan, “Peuples et Nations des Balkans d’après Elisée Reclus”, në: Revue des Études de Sud-Est Européennes, 15/2, 1977, f. 183; A. Ubicini, Lettere sulla Turchia, Milano, 1855, f. 29). Deri para pak dekadash, në fshatra si Frashtani e Lugari në Dropull, Sopiku në Vurg të Sarandës e të tjerë fshatra në ato zona, flitej gjuha shqipe. Sot ato janë fshatra minoritare. Deri para një shekulli e gjysëm, banorët e 12 fshatrave të Pogonit flisnin gjuhën shqipe. Këtë e dëshmon udhëtari osman Evlya Çelebi, në 1670, dhe Patriku grek i Stambollit, më 1856. Më kot rreket z. Tannhäuser të ngatërrojë letrat, duke i zhvendosur 12 fshatrat për të cilat bën fjalë dokumenti i Patrikanës, nga Pogoni në zonën e Korçës apo të Kolonjës. Dokumenti e thotë shkoqur që 12 fshatrat shqipfolëse ishin në Pogon dhe vareshin nga mitropolia e Janinës, e jo nga mitropolia fantomatike e Pogonianit, siç ai rreket të thotë (K. Giakoumis, “Tho Policy of the Orthodox Patriarchate toward the use of Albanian in Church Services”, në: Albanohellenica, 4, 2011, f. 141, 142).

Shpresoj shumë që unë vetë, para apo pas pensionit që zoti(?) profesor(?) Tannhäuser ma kujton me aq takt e mirësjellje, por edhe të tjerë studiues do gjejnë lëndë të re për këtë çështje të rëndësishme shkencore të marrëdhënieve historike shqiptaro-greke. Kam bindjen se Tannhäuseri ynë do dallohej në këtë fushë të kërkimit, duket që e ka stofën. Por, nëse ma dëgjon këshillën, bën mirë ta heqë maskën teuronike të “Tannhäuserit”e t’i japë vetes një emër. Do vetëdisiplinohej, do fisnikërohej, do hiqte dorë nga guximi i tepruar që të jep anonimati për t’i parë të tjerët nga lart e për të “keqtrajtuar” me doza cinizmi e ironie punëtorë të thjeshtë të shkencës, si puna ime. Gjë që ndodh rëndom vetëm me popullin-lumpen të web-it. Por do shmangte edhe keqkuptime, që e dëmtojnë klasin e tij. Këto ditë kolegë të mi më kanë telefonuar e më kanë pyetur nëse e kisha lexuar kritikën e radhës të Panajot Barkës ndaj meje. Ç’tu thoja? Ata janë të bindur se Tannhäuser është pseudonimi i “luftës” i Panajot Barkës!

(c) 2021, Pëllumb Xhufi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin