Duke komentuar në Facebook për esenë time “Zanafilla komplekse e një klisheje”, Ilir Mborja vuri në dukje se trashëgimisë ligjërimore të Biblës ndoshta i detyrohej edhe parulla “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, e krahasueshme me tekstin nga NEHEMIA, Kapitulli 4, ku flitet për izraelitët që ndërtonin Jeruzalemin dhe në vargun 17 thuhet: “Por ata që ndërtonin muret dhe ata që mbartnin o ngarkonin peshat, me një dorë merreshin me punimet dhe me dorën tjetër mbanin armën e tyre.” Argumenti më tingëllon bindës.
Një kronologji e saktë e kazmës dhe pushkës si simbol të socializmit në Shqipëri, mbetet për t’u bërë. Parulla “Të ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në dorën tjetër pushkën” u promovua nga Kongresi II i PPSH-së, në kontekstin e rritjes së perceptuar të veprimtarisë kundër shtetit shqiptar, nga ana e vendeve fqinje, Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë, “me nxitjen dhe përkrahjen e imperialistëve amerikanë”. Në Rezolucionin e Kongresit II, të datës 6 prill 1952, autorësia e parullës i atribuohet Enver Hoxhës (“siç ka thënë shoku Enver”); në paragrafin përkatës (f. 289), thuhet se ne “detyrohemi të ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në dorën tjetër pushkën”, çfarë lë të kuptohet se kjo rrethanë nuk ishte as për t’u lakmuar, as për t’u mburrur me të, por një domosdoshmëri e imponuar nga situata politike në Ballkan.
Me gjasë, kombinimi simbolik i kazmës dhe i pushkës fitoi jetë të re në vitet 1960, kur u ndie nevoja për ta zëvendësuar simbologjinë sovjetike (draprin dhe çekanin) me diçka më unike, në mos tipike për “vendin e vetëm socialist në Europë”. Edhe pse kazma është vegël që përdoret zakonisht për të thyer dhe shkatërruar, njëlloj si pushka, që edhe ajo ka për synim të vrasë (armikun). Të dyja janë vegla që shtojnë kaosin, dhe lidhen vetëm tërthorazi me ndërtimin. Mundet që kazma të ketë diçka të bëjë me hapjen e tokave të reja, hapjen e themeleve dhe të kanaleve dhe sidomos punën për ndërtimin e hekurudhave – vitet 1960 ishin vite kur rinia në Shqipëri u përfshi masivisht në aksionet me punë vullnetare për zgjerimin e rrjetit hekurudhor në vend. Megjithatë, nuk është vegla e parë që të vjen ndërmend, kur përmend ndërtimin (shihni edhe këtë ese të Toni Milaqit); dhe sidomos, as te kazma dhe aq më pak te pushka nuk ka gjë që t’i referohet klasës punëtore (ndryshe nga çekani i simbolit drapër-çekan të sovjetizmit) dhe as kulturës, duke qenë edhe kazma, edhe pushka, vegla në thelb primitive. E megjithatë, të dyja i sheh të shfaqen në veprat më të lavdëruara të pikturës dhe të skulpturës së Realizmit Socialist.
Në shënimin e lartcituar në Facebook, Ilir Mborja citon edhe tekstin e këngës së njohur në atë kohë, me titull “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, të shkruar nga Llazar Siliqi (muzika nga Prenk Jakova), në refrenin e së cilës thuhej:
Në njërën dorë kazmën, atdheun ndërtojmë,
Në tjetrën dorë pushkën, fitoret i mbrojmë.
Na ecim përpara, përpara gjithmonë,
Se prin fitimtare, Partia e jonë.
Kjo këngë pati aq sukses dhe mbështetje nga lart, sa nuk mbeti kalama pa e mësuar ta këndonte, dhe një sigël e mbështetur në motivet e saj u përdor si hyrje e emisioneve të Radio Tiranës për botën; dhe madje u fol, në atë kohë (në fund të viteve 1960), për mundësinë që të adoptohej si Himn Kombëtar, duke zëvendësuar atë të Rilindjes.
Ironikisht, edhe kazma edhe pushka e përfaqësojnë besnikërisht kohën, por jo ashtu siç do ta donte propaganda e regjimit. Në fakt, me kazmë u shkatërruan institucionet e traditës, duke filluar nga institucionet fetare; ndërsa pushkën regjimi i Hoxhës e përdori kryesisht për të vrarë ata që donin të arratiseshin dhe për të pushkatuar kundërshtarët, që zakonisht i damkoste ashtu vetë. Nga kjo pikëpamje, nuk ka asgjë të pafajshme në kujtimet e mia, të së paku tetë viteve shkollë të shkuara dëm sa nga puna në prodhim, aq edhe nga stërvitja ushtarake; me kazmën dhe pushkën sërish në funksion të egërsimit të brezit të ri dhe të shkatërrimit të librit.
Por duke kërkuar përdorime të këtij simboli, kazmës dhe pushkës, në kulturën europiane e më gjerë, u habita kur e gjeta të përdorur – si stemë dhe me një konfigurim disi ndryshe nga ai i simbolit në Shqipëri – nga batalionet e xhenjos pjesë e këmbësorisë së ushtrisë britanike gjatë Luftës I Botërore. Dhe çuditërisht, emri i këtyre njësive, pioneer battalions më çoi menjëherë te një tjetër fjalëkyç i kulturës totalitare në Shqipëri, ai i pionierëve.
Fjala pionier, në gjuhët e Europës Perëndore, e ka origjinën nga frëngjishtja pionnier, nga pion, “këmbësor”. Pionierët në fillim nuk ishin veçse ushtarë të thjeshtë, por pastaj fjala mori kuptimin e ushtarit të xhenjos, që merret me punime mbështetëse për forcat ushtarake kryesore. Me kohë, meqë pionieri angazhohet zakonisht në terren para trupave të rregullta, fjala mori kuptimin e atyre që janë të parët, në eksplorimin e një zone gjeografike, dhe pastaj edhe të një fushe të dijes. Ashtu u përdor për pionierët e Botës së Re (American pioneers), për pionierët e aviacionit, e kështu me radhë.
Megjithatë, me kuptimin “Anëtar i një organizate që përfshinte fëmijët nga mosha dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjeç, në Shqipërinë socialiste” fjala pionier erdhi, bashkë me praktikën organizative dhe institucionin përkatës, nga Bashkimi Sovjetik.
E gjitha kjo me gjasë fillon me lëvizjen e Skautëve, e cila u pat zhvilluar mjaft në Rusinë cariste e fillimshekullit XX; por pas Revolucionit të Tetorit këta u perceptuan si të lidhur më shumë me kundërrevolucionin (“të bardhët”), prandaj autoritetet e panë të udhës të krijonin një organizatë analoge, por karakteristike për sistemin sovjetik, që do t’ia trashëgonte së parës virtytet, por duke marrë formë të re. Lëvizja e pionierëve u krijua me kujdesin e posaçëm të Komisares së Arsimit dhe bashkëshortes së Leninit, Nadezhda Krupskajas, në maj të vitit 1922; duke u modeluar haptazi sipas skautizmit.
Prej skautëve, kjo lëvizje mori jo vetëm përshëndetjen “Gjithmonë gati” (“Be prepared”, të përshtatur si Всегда готов!; ndoshta këtu, te kjo garanci skautiste e gatishmërisë, do ta ketë origjinën edhe parulla tjetër revolucionare, e kudo-përdorura “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë!”), por edhe vetë emrin pionier, që rrjedh nga praktika e pioneering (teknikat e ndërtimit të strukturave të lehta, duke përdorur litarë dhe dërrasa), karakteristikë për lëvizjen e Skautëve; madje edhe uniforma u përshtat prej organizatës pararendësi, me shallin e kuq që i përgjigjej shallit neckerchief të Skautëve.
Në Shqipëri, organizata e pionierëve filloi si Debatik (1942), dhe me vdekjen e Enver Hoxhës u riemërtua si Pionierët e Enverit. Nuk më rezulton të ketë pasur ndonjë farë vijueshmërie midis pionierëve në Shqipëri dhe organizatave të Skautëve, të cilat ishin krijuar atje që në vitin 1920, por pastaj u ndaluan prej Mbretit Zog, në 1937. Prandaj adoptimi i formave organizative dhe kulturës së pionierëve pas vitit 1944, nga regjimi komunist, u bë nën ndikimin ndoshta edhe jugosllav në fillim, por me siguri sovjetik, pa ndonjë lidhje me skautizmin. Ndonjë praktikë më specifike, si ajo që i bashkonte pionierët e një shkolle në çetë, (çeta e pionierëve) të cilën e drejtonte një udhëheqës(e) (e paguar si mësuese) dhe kishte komandantin dhe shtabin e saj, mund të ketë lindur më pas. Më kujtohet se kemi pasur, në tetëvjeçare, edhe “komandantë klase”, por nuk jam në gjendje të them, kështu nga kujtesa, nëse ky ishte “funksionar” i organizatës së Pionierit apo i organizimit thjesht shkollor.
Në Shqipëri kishte Pallate të Pionierëve, në qytetet kryesore, ku zhvilloheshin gjithfarë aktivitetesh mësimore, edukative, kulturore, argëtuese dhe sportive (unë kam qenë anëtar i Rrethit të Natyralistëve të Rinj); dhe Kampe të Pionierëve, ku kalamajtë mund të kalonin pushimet në grup. Lëvizja kishte edhe një komponente disi të militarizuar, me uniformat, “paraqitjet e forcës”, përshëndetjet publike, dhënien e luleve dhe vendosjen e kurorave dhe praninë e spikatur të pionierëve në dekorin solemn totalitar (si roje nderi te lapidarët për ditë festash e përkujtimore, etj.). Pionieri ishte, si me thënë, “fëmija i ri”, që më pas do të shndërrohej në “njeriun e ri”.
(Përndryshe, mua nga ajo periudhë më ka mbetur në mendje sidomos shprehja qortuese KU E KE SHALLIN!)
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: sa më lart, nuk synon të sjellë gjë të re për historinë e Organizatës së Pionierit në Shqipëri, por vetëm të skicojë historinë e shtegtimit të simboleve dhe të fjalëve përkatëse.