Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

ZANAFILLA KOMPLEKSE E NJË KLISHEJE

Në nëntor të vit 1961, Enver Hoxha u pat shprehur kështu, në një fjalim publik kushtuar 20 vjetorit të themelimit të PPSH-së:

[N]e i themi N. Hrushovit se populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevoja, por kurrë nuk do të shiten “për 30 aspra”, se ata preferojnë më mirë të vdesin në këmbë e me nder sesa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar.[1]

Ishin muajt kur Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të Lindjes po i ndërprisnin marrëdhëniet ekonomike dhe të ndihmës me Shqipërinë, pas çarjes së madhe ideologjike në Moskë një vit më parë.

Ndonjë metaforë te kjo thënie e mbase nga kjo thënie mbijetoi me dekada: “populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevoja” u shenjtërua si motoja e autarkisë, izolacionizmit dhe paranojës shqiptare në vitet 1960-1980, duke përfunduar pastaj e përdorur me ironi, ose e parodizuar.

Metafora tjetër, ajo e 30 asprave, vjen origjinalisht nga Dhiata e re (Mateu 26:15) dhe u referohet 30 monedhave të argjendit që Judas Iskarioti u pagua, për ta tradhtuar Jesuin.[2] Referimi ka natyrë librore dhe pasqyron një intertekst publicistik, si edhe shumë referenca të tjera nga Bibla.[3]

Nga konteksti i atij fjalimi të Hoxhës, mbajtur në një mbledhje solemne kushtuar 20-vjetorit të themelimit të PPSH në 7 nëntor 1961 por edhe nga konteksti historik, mund të deduktohet se fraza më lart, bashkë me të tjera në fjalim, vijnë në përgjigje të disa akteve armiqësore të udhëheqjes sovjetike.

Më 17 tetor Hrushovi i pat bërë thirrje “popullit shqiptar” që të ngrihej kundër udhëheqjes së vet, në vazhdën e kritikave dhe sulmeve, se kjo udhëheqje e kish tradhtuar kauzën dhe ishte shitur tek imperializmi.

Në fjalën e tij në kongresin e 22-të të PKBS, Hrushovi gjithashtu i pat akuzuar “udhëheqësit shqiptarë” se ishin lidhur me imperializmin dhe i qenkëshin shitur këtij për 30 aspra.[4] Çfarë do të thotë se metaforën e pat sjellë në shkëmbimet e zjarrit Hrushovi vetë; dhe ajo hyn në shqipen e Hoxhës nga rusishtja publicistike e rusishtes “totalitare.”

Zhargoni dhe metafora biblike i japin solemnitet konfliktit. Duke përmendur 30 asprat, Hrushovi i jepte vetes atributet e Krishtit, ose gjithsesi dikujt të ngarkuar me mision hyjnor; çfarë ia shton vetvetiu gravitetin mosbindjes (“tradhtisë”) së Hoxhës.

Hoxha, nga ana e vet, e refuzon tradhtinë, edhe pse jo aq tradhtinë ndaj Hrushovit, sa ndaj marksizëm-leninizmit; ndryshe nga lideri sovjetik, që ndihet i tradhtuar personalisht nga Hoxha. Metafora mund të jetë e njëjta, por rrafshet e përdorimit të saj janë të ndryshme.

Por le t’i kthehemi edhe një herë tekstit:

[N]e i themi N. Hrushovit se populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevoja, por kurrë nuk do të shiten “për 30 aspra”, se ata preferojnë më mirë të vdesin në këmbë e me nder sesa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar.

Hoxha e nis me një “ne i themi N. Hrushovit se” duke i përcjellë audiencës së vet idenë se ai vetë, Hoxha, nuk i flet më drejtpërdrejt kundërshtarit (ajo ne mund të jetë një shumës modestie, por mund edhe të shënjojë, më me gjasë, kolektivitetin e lidershipit të PPSH-së, të cilën Hoxha e përfaqëson). Përftesa është sërish solemne; mund të ishte zëvendësuar edhe me një “Hrushovi ta dijë (mirë) se…”. Duke preferuar formulën “ne i themi X se…”, folësi lë të kuptojë se ai është gati të vazhdojë konfliktin – dhe shkëmbimet – në distancë. Ideja këtu është “ja çfarë do t’i thoshim Hrushovit, sikur ai të na e bënte atë akuzë në sy.”

Për t’u shënuar këtu kalimi nga veta e parë njëjës (“ne”) te një kryefjalë më eksplicite: “populli shqiptar dhe Partia e tij”; e cila tregon se Hoxha tani flet në emër të këtyre dy entiteteve kolektive dhe shpreh vullnetin e tyre. Por këtu, më shumë se Hrushovit, Hoxha ia thotë këto fjalë publikut; çfarë do të tingëllonte normalisht solemne madje bombastike, fillon të dobësohet, në kontekstin praktik të Shqipërisë të lënë vetëm dhe të bojkotuar nga vendet e tjera të kampit socialist. Hoxha kërkon në thelb miratimin e audiencës, për kursin e tij të sakrificave.

Mirëpo klisheja e të shiturit për 30 aspra, si klishe metaforike-narrative (në kuptimin që i kalon lehtë kufijtë mes gjuhëve, sa kohë që kulturat përkatëse e kanë narrativën të përbashkët) u flet para së gjithash të krishterëve dhe kulturave që janë ngritur mbi një themel të krishterë – për shkak të referencës tek Ungjijtë. Me gjasë, shumë shqiptarë edhe në vitet 1960 edhe sot nuk do ta kap(n)in aluzionin drejt Mateut 26:15 dhe klishesë narrative si iu tradhtua Jezui; por do ta interpretonin, në rastin më të mirë, si një lloj frazeologjie jo-specifike, e tipit “u shit për dy lekë”. Enver Hoxha, në fjalimin e vet, nuk u drejtohej megjithatë të krishterëve ndër shqiptarët dhe as atyre që kishin aq kulturë të përgjithshme, sa t’i lexonin 30 asprat si shënjues të tradhtisë; por – duke rimarrë frazeologjinë e Hrushovit – i përgjigjej këtij dhe elitave politike në Lindjen Socialiste.

I përftuar brenda më pak se një shekulli praktike, leksiku publicistik i shqipes pat marrë hua – të kalkuara – një numër të madh klishesh dhe frazeologjish me origjinë nga Bibla, por shpesh të ndërmjetësuara nga publicistika laike e gjuhëve neolatine, me shprehje si kafshoi dheun (Psalmet 72:9), zemër e thyer (Psalmet 34:18), të hedhësh gurin e parë (Gjoni 8:7), dhëmb për dhëmb (Mateu 5:38), molla e ndaluar (Zanafilla 3:3), s’ka gjë të re nën diell (Ekleziasti 1:9), ujk me lëkurë deleje (Mateu 7:15), pesha e kryqit (Luka 14:27), fole nepërkash (Mateu 23:33-35), me djersën e ballit (Zanafilla 3:19), shkrimi në mur (Danieli 5:31), t’u hedhësh derrave margaritarë (Mateu 7:6), (kolosi) me këmbë argjili (Danieli 2:31-45), (ta kesh) mjaltë e qumësht me dikë (Ekzodi 3:1-22), lëviz malet nga vendi (Korintasit 13:2).[5] Këto dalin doemos edhe tek autorët e vjetër, por është e vështirë të mendosh se do të kishin mbijetuar në shqipen e shkruar, pa mbështetjen, amplifikimin dhe konfirmimin e shprehjeve analoge në gjuhët model të publicistikës shqipe laike.

Shprehje si të cituarat më lart e kanë humbur, për pjesën më të madhe të shqipfolësve, intertekstualitetin biblik; ato janë përvetësuar tashmë dhe janë integruar në bagazhin metaforik shekullar të shqipes – të shkruar, por tanimë edhe të folur. Roli i tyre homogjenizues për kulturën nuk është njohur dhe as përshkruar sa duhet.

Për analogji, po sjell një frazeologji si tigër prej letre, e cila vjen nga kinezçja zhilaohu, dhe shenjon dikë që duket si i fuqishëm a kërcënues, por në fakt i pafuqishëm dhe nuk i bën dot ballë sfidës. E dokumentuar në kinezçe me kuptimin “kërcënim i kotë”, që në shekullin XIV, në fillimet e dinastisë Ming, shprehja hyri pastaj edhe në Europë si qartazi “orientale”, në shekullin XIX, por u popullarizua që kur filloi ta përdorë Mao Ce Duni, në kontekste publicistike-politike, për t’iu referuar më parë “imperializmit amerikan” dhe më pas “social-imperializmit sovietik”, duke shpjeguar se tigri prej letre mund të dukej vërtet si tigër, por nuk i bënte dot ballë erës dhe shiut. Në takimin me sekretarin e shtetit Henry A. Kissinger-in, në 1973, Maoja madje pretendoi se këtë metaforë, të tigrit prej letre, e kish krijuar ai vetë (shihni këtu, f. 18). Sot shprehja tigër prej letre përdoret gjerësisht (kompania Nordstrom e quajti ashtu Trump-in, pas një mosmarrëveshjeje marketingu me të bijën e Presidentit), madje për shumë breza të rinj do ta ketë humbur lidhjen me kulturën kineze.[6]

Këto lloj klishesh, ose frazash të gatshme, i quajnë ndonjëherë edhe “metafora të vdekura”[7]; dhe ato me natyrë librore, si grupi i cituar më lart, ndeshen rëndom në publicistikë dhe përgjithësisht në non-fiction. Orwell-i, në esenë e vet për politikën dhe anglishten (shihni këtu) u pat shprehur kategorikisht kundër tyre, duke vënë në dukje natyrën e tyre të parafabrikuar dhe efektin e tyre anestetizues ndaj mendimit. Ai madje rendit si rregull të parë për të shkruar mirë këtë më poshtë: “Mos përdor kurrë një metaforë, krahasim ose figurë tjetër retorike të cilën je mësuar ta shohësh në libra” (Never use a metaphor, simile, or other figure of speech which you are used to seeing in print).

Por Orwell-i ekzagjeron, dhe duke ekzagjeruar gabon. Misioni i frazave të gatshme ose parafabrikateve, në publicistikë, është edhe që të krijojnë një kontekst bashkëtingëllues, ose t’i japin lexuesit (tjetrit) një sinjal se ç’lloj ligjërimi po përdor folësi; ato e bashkojnë një ligjërim specifik me një kategori ligjërimesh, e klasifikojnë dhe, duke e klasifikuar, ofrojnë një kornizim për kuptimet, edhe denotative edhe konotative. Madje falë këtij misioni, atyre u drejtohen për ndihmë edhe ata që nuk kanë siguri në të shkruar, sepse parafabrikati legjitimon, duke shpallur: “unë shkruaj (flas) si të tjerët në këtë profesion, as më mirë as më keq; madje duke folur, tregoj edhe cilit profesion ose vokacion i përkas”. Ashtu duhen interpretuar edhe shprehje të tilla si u shit për 30 aspra, në krahasim me shprehjen e barasvlershme jometaforike tradhtoi. Mes dy thënieve Titoja tradhtoi dhe Titoja u shit për 30 aspra diferenca nuk është në denotacion, por në konotacion; shprehja e dytë e kornizon atë ç’ka bërë Titoja në një kontekst të moralitetit biblik, duke e ndarë mëkatin e tij nga kontingjenca dhe duke e paraqitur si formë abstrakte të së keqes, nëpërmjet referimet te një narrativë e njohur.[8] Dhe referimi biblik nuk mund të funksionojë, pa qenë shprehja vetë klishe, ose e konsumuar; madje, pa qenë edhe vetë denoncimi i tradhtisë së dikujt, nëpërmjet krahasimit me Judën, i ritualizuar brenda një ligjërimi të caktuar (ligjërimit publicistik).[9] Kësisoj, metaforat e vdekura funksionojnë ngjashëm me linjën e basit, në një pjesë muzikore.

Por le të kthehemi edhe një herë te citati i Hoxhës që sollëm më lart, të cilin po e rimarr për lehtësi:

[N]e i themi N. Hrushovit se populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevoja, por kurrë nuk do të shiten “për 30 aspra”, se ata preferojnë më mirë të vdesin në këmbë e me nder sesa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar.[10]

Ajo se çfarë i thuhet Hrushovit ka strukturë binare, të cilën e kam paraqitur në tabelën më poshtë: në të djathtë janë sakrificat (rrojnë me bar, vdesin në këmbë e me nder) dhe në të majtë ato që refuzohen.

PO JO
Rrojnë edhe me bar Kurrë nuk do të shiten për 30 aspra
Më mirë të vdesin në këmbë e me nder Sesa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar

 

Dilema nuk ka vijueshmëri. Sakrifica e parë, ajo e “rrojmë me bar”, kundërvihet bukur me alternativën e tradhtisë me pagesë, aq më tepër kur shteti shqiptar po e përjetonte tashmë “ftohjen” ekonomike të vendeve të tjera socialiste (mjaft të përmend historinë e grurit që iu refuzua Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik dhe që pastaj qeveria shqiptare u detyrua ta blejë me valutë).

Por nuk është e qartë lidhja logjike me pjesën e dytë të thënies, sepse nuk kuptohet në ç’rrethana do të detyroheshin “populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës” të zgjidhnin mes vdekjes në këmbë e me nder, dhe të jetuarit me turp e të gjunjëzuar. Bëhet fjalë këtu për gjunjëzimin para imperializmit, apo para Hrushovit? Apo në mendjen e Hoxhës këto janë shkrirë së bashku dhe kanë përfunduar tashmë si e njëjta gjë?

Dhe më tej, a ka këtu ndonjë referencë ndaj nemesis-it të Hoxhës, Titos dhe Jugosllavisë së tij, e cila – sipas propagandës zyrtare të Tiranës – ishte shitur tashmë tek imperializmi dhe po i gëzonte materialisht 30 asprat, edhe pse “e gjunjëzuar”?

Një shpjegim do të ishte se, duke i vënë Shqipërisë kushte dhe duke i krijuar vështirësi ekonomike (p.sh. duke i prerë kreditë ose duke i tërhequr specialistët), sovjetikët dhe aleatët e tyre shpresonin që udhëheqja në Tiranë të dorëzohej, të gjunjëzohej dhe të pranonte nënshtrimin.

Meriton vëmendje edhe metafora e “të ngrënit bar”, për të treguar vështirësinë ekonomike, si realitet dhe si kërcënim. Më pas, e njëjta metaforë do të hynte në punë për të shenjuar një atmosferë rrethimi (“rrethimi imperialisto-revizionist”); duke rezultuar bari, kësisoj, si shkalla zero e ushqimit.

Shprehja qarkulloi më pas në forma të ndryshme: “ne edhe bar do të hamë, por dorën kujt (armikut) nuk ia shtrijmë”; “ne edhe bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim”.

Domethënia e kësaj metafore më pas të sloganizuar, “hamë dhe bar”, do të kuptohet më mirë në kontekstin e konfliktit shqiptaro-sovjetik duke kërkuar disa indice në dokumentet dhe kujtimet e kohës.

Te libri me kujtime Hrushovianët, Hoxha rrëfen si gjatë një vizite të tijën për Kongresin XXI të PK të BRSS, në 1959, e kishin ftuar te një daça në periferi të Moskës, ku edhe i kishin shtruar një breakfast “si në përrallat e carëve rusë.” (f. 403)[11] Lideri shqiptar mbeti pa fjalë nga grykësia në tavolinë e në pije e mikpritësve të vet, të cilët nuk linin rast pa humbur, për t’u nginjur me mishra dhe vodka.

Kur Hrushovi vizitoi Shqipërinë në 1959 dhe mikpritësit e tij përfituan për t’i kërkuar kredi të reja, lideri sovjetik u përgjigj me një batutë: “Apo ngaqë na dhatë një drekë të mirë dhe gjetët rastin të na kërkoni prapë. Ta dinim ta kishim marrë drekën me vete.” (f. 354)

Për bukën u fol edhe në takimin e fundit të Hrushovit me Hoxhën, në Moskë, gjatë mbledhjes së 81 partive. Në fillim të takimit, kur diskutohej se kush duhej ta thyente akullin, Hoxha i kujtoi Hrushovit se fjalën duhej ta merrte i zoti i shtëpisë, meqë “një fjalë e urtë popullore thotë se i zoti i shtëpisë duhet të hajë dyzet kafshata bukë pasi miku të ketë mbaruar.”

Siç e kanë rrëfyer tashmë, kur Hrushovi – planet e të cilit për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri nuk përkonin me ato të lidershipit në Tiranë – vizitoi Sarandën, këshilloi që atje të mbilleshin vetëm portokalle dhe limonë, për të cilët kishte shumë nevojë Bashkimi sovjetik. “Grurë ju japim ne,” tha ai. “Sa keni nevojë ju për grurë, neve na e hanë minjtë,” tha, duke përsëritur të njëjtën shprehje që kish thënë edhe në 1957 në Moskë. (f. 355).

Por më pas marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike u acaruan dhe Moska filloi të tregojë dhëmbët; udhëheqja sovjetike refuzoi kërkesën e qeverisë shqiptare për ndihmë,

“në një kohë kur rezervat tona për bukë mjaftonin vetëm për 15 ditë. Atëherë ne u detyruam të përdorim valutën tonë dhe të blejmë grurë në Francë. Tregtari francez që erdhi në Tiranë tatonte pulsin, për të parë se cili ishte shkaku që Shqipëria bleu grurë në vendet e Perëndimit, përderisa ka “mikun e madh” Bashkimin Sovjetik. Ne sigurisht nuk i thamë gjë tregtarit borgjez, përkundrazi i thamë se Bashkimi Sovjetik na jepte drithë, misër, por ne “e përdornim për bagëtinë.”

Dhe pastaj, duke iu referuar shprehjes së Hrushovit për grurin që hanin minjtë në magazinat e Bashkimit Sovjetik, Hoxha shton:

“kur populli shqiptar kërcënohej të mbetej pa bukë, Hrushovi preferonte të ushqeheshin minjtë, por shqiptarët jo.” (f. 388)

Këtë argument, që sovjetikët deshën ta lënë Shqipërinë pa bukë, Hoxha e përmendi disa herë, në kontekstin e kritikave kundër Hrushovit. Te Hrushovianët, ai kujton edhe se, në një takim të fundit të Mehmet Shehut dhe të Hysni Kapos me disa liderë sovjetikë, Mikojani u tha shqiptarëve: “Ju nuk mund të rroni asnjë ditë pa ndihmën ekonomike tonën dhe të vendeve të tjera të kampit të socializmit,” dhe këta iu përgjigjën kështu: “Ne shtrëngojmë rripin, ushqehemi me bar… por juve nuk ju nënshtrohemi, ju nuk na mposhtni dot.” (f. 424-425).

Buka, uria, të ngrënët, bllokada ushqimore, grykësia e sovjetikëve në tryeza, minjtë e hambareve të grurit në Bashkimin Sovjetik dhe drithi që u detyrua Shqipëria të blejë në Perëndim me valutë – të gjitha këto tema dalin e rimerren në dokumentet e kohës dhe duket të kenë pasur peshë të madhe emocionale për Hoxhën.

Me gjasë, të njëjtin efekt duhet të kenë pasur edhe te Hrushovi, i cili vinte nga Ukraina, vendi i një zie buke katastrofike, në vitet 1930, të shkaktuar nga politikat totalitare të Stalinit; por edhe i një zie tjetër, më pak të njohur, fill pas Luftës II Botërore, për të cilën Hrushovi mbante përgjegjësi të drejtpërdrejtë.[12] Vetëm se ndryshe nga rusishtja, në shqipe gruri të çon drejtpërdrejt te buka dhe fjala bukë në shqipe shënjon ushqimin në përgjithësi, gjithçka që hahet, çfarë i jep kuptim më të fortë lidhjes mes drithit dhe urisë. Prandaj edhe për ekonominë shqiptare, vështirësitë në sigurimin e drithit janë prelud i urisë. Në ato që thotë, Hoxha përçon pikërisht këtë frikë primordiale të një populli të varfër, se mos mbetet pa ngrënë (“mbetet pa bukë”).

Ashtu buka dhe bari vendosin një marrëdhënie semantike ekskluzive mes tyre: ju mund të na lini pa bukë, por ne do të hamë bar. Bari ofrohet si alternativë in extremis e bukës, e ushqimit; dhe frika nga zia e bukës rimodelohet si frikë e një kulture me rrënjë pastorale, që është gati të primitivizohet (dhe “të hajë bar” si bagëtia), për të mos e ulur kokën.

Këtu më duhet të përmend edhe një detaj nga kujtimet e Frederik Gjerasit, i cili ishte një nga përkthyesit që shoqëronin delegacionin shqiptar në mbledhjen e 81 partive në Moskë, në nëntor të vitit 1960. Andej nga fundi i mbledhjes, kur grupet e punës ende diskutonin për teknikalitetet e deklaratës përfundimtare, Enver Hoxha rrinte në ambasadë, i mbyllur në dhomë me Mehmet Shehun. Shkruan Gjerasi:

Arrita në ambasadë, hyra në dhomën ku rrinte Enveri me Mehmetin dhe i informova për çfarë më kishin porositur. Mbaj mend që sapo hyra në dhomën me tym duhani, i pashë që luanin me letra dhe dëgjoj Enverin që fliste me zë të lartë: “Qejf o qejf që bën dervishi, pi raki hidh thela mishi.”[13]

Sërish fiksimi me të ngrënat dhe të pirat; larg syve të sovjetikëve – po t’i besojmë Gjerasit – edhe Hoxha ia lejonte vetes ca teprime gastronomike, pavarësisht kontekstit ideologjik ndërkombëtar dhe thjeshtësisë leniniste.

***

Gjymtyra e fundit e replikës së Hoxhës për Hrushovin artikulohet edhe ajo nëpërmjet antitezës:

[…] se ata [populli shqiptar dhe Partia e Punës, AV] preferojnë më mirë të vdesin në këmbë e me nder sesa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar.

Ku kundërvënia artikulohet si më poshtë:

Vdesim Rrojmë
Në këmbë Të gjunjëzuar
Me nder Me turp

 

Dhe vdekja, si në çdo ligjërim mirëfilli epik, merr atributet e virtytit (çfarë i kalon pastaj edhe të rrojturit me bar, sakrificës për idealin dhe “dhënies” së jetës).

Të qëndruarit në këmbë i bashkëlidhet trimërisë dhe nderit, krahas me metafora të tjera të pozicionit të trupit: me kokën lart, me ballin lart, mos e ul kokën, duke treguar gjoksin, etj.; për ta thënë me Lakoff dhe Johnson[14], vertikaliteti është përmasa sipas së cilës artikulohet virtyti i trimërisë dhe mosnënshtrimit, duke qenë “LART” mirë, dhe “POSHTË” keq; që këtej edhe folje si poshtëroj ose mbiemra si i poshtër ose shprehje si ke rënë shumë poshtë (khs. edhe përul, etj.). Shqipja nuk ka një folje sintetike që t’i përgjigjet to stand të anglishtes; përdor rri në këmbë duke e shprehur konceptin nëpërmjet një pjese të trupit, këmbës; dhe pastaj shprehjen ndajfoljore në këmbë, për të treguar pozicionin vertikal në përgjithësi. Këmba, si koncept, shërben edhe për të shprehur idetë e lëvizjes, aktivitetit, zhvendosjes.

Në gjunjë, përkundrazi, është një nga pozicionet që i kundërvihet të qëndruarit në këmbë dhe shpreh sipas rastit nënshtrim, përulje por edhe, në kontekste religjioze, respekt.[15] Në Fjalorin e GJSSH lexoj se GJURI është edhe “vendi ku është fuqia që ka njeriu për t’u mbajtur në këmbë e për të ecur”, edhe pse me këtë kuptim fjala del në thënie kryesisht mohuese: Nuk i bëjnë (nuk i punojnë) gjunjët. E kanë lënë gjunjët. Iu prenë (iu këputën, iu lidhën, i ranë) gjunjët. S’e mbajtën gjunjët. Me gjunjë të prerë. Nuk ka gjunjë. Nga tema gju- vijnë edhe neologjizmat gjunjëzohem, gjunjëzim të cilat dalin kryesisht me kuptim të figurshëm, si “nënshtrohem, nënshtrim”; ndërsa për të dhënë kuptimin e drejtpërdrejtë, të kalimit nga pozicioni në këmbë tek ai në gjunjë, shqipja parapëlqen bie në gjunjë. Të vërehet edhe këtu përdorimi i një foljeje si bie, e cila shpreh një kalim nga lart poshtë, ose zhvendosje nga lart poshtë sipas aksit vertikal.

Krejt konflikti me nota të forta personale i Hoxhës me Hrushovin, të cilin lideri shqiptar e projektoi rregullisht si konflikt mes marksizëm-leninizmit dhe revizionizmit modern, dhe njëkohësisht si konflikt mes supershtetit sovjetik dhe shtetit të vogël liridashës shqiptar, u artikulua nga Hoxha rreth refuzimit për t’u nënshtruar. Me gjasë, Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij nuk e duronin dot arrogancën dhe bullizmin e Hrushovit dhe ndiheshin të fyer, që ky nuk i përfillte në vendimet që merrte duke e konsideruar udhëheqjen sovjetike si LART dhe udhëheqjen e një fuqie të vogël si Shqipëria si POSHTË (njëlloj si virtyti, edhe pushteti natyrshëm artikulohet sipas aksit lart : poshtë). Edhe nga ana thjesht njerëzore, ose e marrëdhënieve ndërpersonale, Hrushovi nuk e bindte Hoxhën dhe aq më pak mund t’i imponohej si autoritet, në mosmarrëveshjet që kishin. Kjo ishte çështje përplasjeje egosh, ose oneupmanship-i siç e quajnë në anglishte; format që merrte, vareshin nga konteksti.

Që këtej edhe moria e akuzave të ndërsjellta për “nënshtrim”: herë Hrushovi Hoxhës, herë Hoxha Hrushovit. Edhe një kryeartikull i njohur i Zërit të Popullit, i shkruar nga Hoxha, i datës 13 shtator 1963, mbante titullin “Hrushovi në gjunjë përpara Titos.” Gjunjëzimi mund të shënjonte kapitullim ose nënshtrim, siç mund të shënjonte përulje dhe poshtërim, por edhe – sipas logjikës karakteristike totalitare, që pranon vetëm ekstremet dhe nuk i pranon lojërat me shumë pozitive – edhe pranim i autoritetit, lëshim (koncesion), kompromis, marrëveshje me kundërshtarin.

***

Ndodh që një frazë e vetme të përmbledhë, falë dy-tre metaforash të sigurta, frymën e një epoke. Ose e kundërta: ndonjëherë një epokë duket sikur është përftuar falë iteracionit të një fraze të vetme, të shqiptuar performativisht në momentin e duhur. Kjo merr veçanërisht vlerë për disa kultura, ku historinë mund ta zhgroposësh nëpërmjet analizave gjuhësore.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Shënim: falënderoj Elidor Mëhillin dhe Agron Alibalin, që më ndihmuan me dokumente dhe literaturë; falënderoj Sokol Çungën, për shpjegimet si gjithnjë erudite rreth “30 asprave” në shqipen liturgjike dhe asprave në greqishten e periudhës osmane.


[1] Enver Hoxha, Vepra 22, Tiranë 8 Nëntori 1976, f. 127.

[2] Në versionet moderne të Mateut shqip, këtë fjalë e gjen më shpesh të përkthyer edhe si “sikla argjendi”, ku sikla është, në analizë të fundit, përkthimi shqip i hebraishtes shekel. Origjinali greqisht ka (ἀργύρια, argyria). Fjala aspër në shqip është identifikuar si huazim nga greqishtja bizantine, por “jo fort i moçëm” (Çabej), për shkak të ruajtjes së s-së. Del te autorët e vjetër, që nga Budi e këtej, por nuk më rezulton të jetë përdorur për paratë që iu dhanë Judës – me gjasë, ngaqë përdorej për të emërtuar një monedhë të Perandorisë Osmane, të quajtur ndryshe akçe. Por kjo meriton, megjithatë, hulumtim më serioz. Për t’u shënuar se fjalën osmane e mbajnë si të kryq-polenizuar me greqishten άσπρον / áspron (komunikim personal nga S. Çunga). Shih edhe këtu.

[3] Për t’u shënuar se në Bibël ka edhe referenca të tjera ndaj kësaj shume prej 30 asprash (madje edhe në Dhiatën e vjetër, tek Eksodi 21:32); mendohet se kaq ishte çmimi i një skllavi në treg, çfarë i jep shprehjes kuptim simbolik që në zanafillë.

[4] Vep.cit. f.126.

[5] Shprehje të tjera me origjinë nga Bibla tingëllojnë si popullore: kockë e lëkurë (Jobi 19:19-20), atë që mbjell, korr (Galateasit VI), si cjapi te kasapi (Isai 53:7). Jo rrallë, është punë e kotë të kërkosh të ndash origjinën popullore nga ajo librore – jo vetëm ngaqë narrativat biblike ishin pjesë e kulturës dhe ofronin kornizime interpretimi të së përditshmes për të krishterët shqiptarë, por edhe ngaqë myslimanët edhe i trashëguan ca prej këtyre pas konvertimit, ose i morën rishtazi nga kultura islame, e cila ka edhe ajo një komponente biblike.

[6] Shih edhe Judith Balso, “Paper Tiger”, në Afterlives of Chinese Communism: Political Concepts from Mao to Xi, Edited by Christian Sorace, Ivan Franceschini, Nicholas Loubere, ANU Press, 2019, ff. 161-168. Shih edhe artikullin e Ben Zimmer, The Chinese Origins of Paper Tiger, në The Wall Street Journal, February 23, 2017.

[7] Vetë termi metaforë e vdekur është metaforë e vdekur.

[8] Borges-i do të kish thënë se kur dikush tradhton, rimishëron me aktin e vet Judën.

[9] Një shprehje si themra e Akilit i referohet mitit të Akilit, ashtu siç rrëfehet në Iliadë; me arsye, dëgjuesi ose lexuesi do ta kuptojë në atë masë që e njeh mitin përkatës, i cili ndërmjetëson. Po ç’përparësi ka themra e Akilit ndaj, të themi, “pikë e dobët” e dikujt? Me gjasë, referenca ndaj kulturës klasike i jep një kornizim ligjërimit, duke krijuar mirëkuptim madje bashkëfajësi mes atyre që komunikojnë.

[10] Enver Hoxha, Vepra 22, Tiranë 8 Nëntori 1976, f. 127.

[11] Të gjitha citimet këtu dhe më poshtë janë nga Enver Hoxha Hrushovianët, shtëpia botuese 8 nëntori, Tiranë 1980.

[12] Shih Oleksandra Veselova, Famine in Ukraine after the Second World War, Harvard Ukrainian Studies, Vol. 30, No. 1/4.

[13] Cituar sipas faqes online të gazetës Dita, të datës 21 shtator 2016.

[14] George Lakoff dhe Mark Johnson, Metaphors We Live By, University of Chicago Press, 1980.

[15] Me pozicionet kryesore të trupit, si në këmbë, ulur (në bythë), në bisht, në gjunjë, shtrirë (në tokë) lidhen edhe aktet përkatëse, si përkulja, ngritja e duarve (dorëzimi), gjunjëzimi, ngritja në këmbë, shtrirja në tokë, etj. Çdo pozicion ka vlerë simbolike (madje edhe rituale) në vetvete dhe në raport me të tjerat; p.sh. nxënësit e ulur në banka ngrihen në këmbë kur hyn mësuesi në klasë, por ulen pastaj sërish, që të fillojë mësimi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin