nga Irma C.
Në Boulevard du Montparnasse, më 9 janar 1908, lind Simone de Beauvoir – një grua, e cila aty këtu, insiston me kryeneçësi të përjetojë larminë e personalitetit të saj dhe duke goditur me bërryla, i hap rrugën vetes si shkrimtare, filozofe, feministe dhe intelektuale e majtë. Ndërsa numëroj të mësipërmet, de Beauvoir ishte dhe është më e njohur[1] publikut të gjerë për lidhjen dashurore me Jean Paul Sartre[2]. Kur lexojmë autobiografitë e de Beauvoir, është e pashmangshme të mos kuptohet thellësia e lidhjes dhe ndikimi i të dyve nga njëri-tjetri. Të dy ata nuk ditën ç’ishte të qëndroje në vend, por ndoqën vrulltazi bashkërisht rrugën e lirisë, në më të mirëfilltin kuptim të saj. Simone de Beauvoir ndoshta nuk e devijoi asnjëherë, ndopak këtë rrugë. As atëherë kur u shkarkua nga mësimdhënia me akuzën se kish joshur një minorene. Për këtë nuk pati asnjëherë prova – dhe dyshimet kanë qenë më së tepërmi se ishin nxënëset, ato që joshnin, apo mundoheshin të joshnin de Beauvoir. Çfarë dimë, është se trekëndësha dashurie midis Sartre, de Beauvoir dhe të tjerë/a ka pasur vazhdimisht, çfarë garantonte për skandale. Në fakt, ishte Simone de Beauvoir si grua, që do dënohej pa mëshirë nga opinioni publik, Jean Paul Sartre-t i kurseheshin moralizmat.
Ende mësuese, nxënëseve të saj, Simone do t’u jepte lexime të ndaluara – programi shkollor ish shumë i ngushtë për idetë e saj. Një pionier/e duhet gjithmonë të kapërcejë kufijtë, duhet të mendojë më tej – deviza e saj.
Kështu, teorinë e letërsisë së angazhuar – la théorie de l’engagement – ia detyrojmë mendimit të de Beauvoir dhe penës së Sartre, nisur me pyetjen e Simone-s, nëse këta kishin bërë një gabim kaq madhor, duke mos iu dedikuar politikës në vitet para Luftës së Dytë Botërore dhe nëse përgjegjësia binte mbi ta, t’i ndodhte ndonjë gjë në luftë, një miku të përbashkët (ish student i Sartre dhe në lidhje dashurie me Beauvoir), që kish qenë i detyruar të kryente shërbimin ushtarak në luftë.
Sartre do të akuzohet se tjetër gjë nuk bën, sesa të shkruajë e zeza mbi të bardhë mendimet e de Beauvoir. Dhe fakti është, që ai ish teoricieni ndër ta, ndoshta dhe më i mirinformuari nga të dy, ndërsa ajo kritikja dhe vëzhguesja më e mprehtë. Nëse është e vërtetë që ai teorizonte idetë e saj, atëherë duhet të jetë e vërtetë që pa shtysën e Sartre nuk të do kishim «Seksin e dytë». Këtyre të dyve u detyrohemi ndër të tjera dhe stilin joshës, në të cilin letërsia, filozofia dhe politika u mundën për herë të parë të gërshetohen në harmoni njëra me tjetrën.
Në kohën e pasluftës, Simone de Beauvoir, e radikalizuar, merr pjesë në jetën politike dhe kulturore, në atë skenë të dominuar nga lëvizjet e majta, ku figura e Jean Paul Sartre-s ish tashmë e përforcuar si subversiv përkundrejt regjimit të Vichy, ndërsa ajo duhej ende të tregonte veten. De Beauvoir mbështet pavarësinë e Algjerisë, udhëton rregullisht me Sartre në Bashkimin Sovjetik, në Kubë dhe vende të tjera, që i ishin kthyer socializmit.
Zjarrmishëm prej ideve që i gëlonin në kokë, Simone dinte më tepër t’i përkthente këto në romane, sesa në traktate filozofike. Por sidoqoftë, jo më shumë e jo më pak, përveç traktatit të saj më të famshëm filozofik «Pyrrus et Cinéas», në vitin 1949 de Beauvoir boton studimin «Le Deuxième Sexe» – Seksi i dytë, pothuajse një vepër enciklopedike me mbi 1000 faqe, çka e bën të famshme dhe të diskutueshme, duke hapur polemika pas polemikash. «On ne naît pas femme, on le devient» – «Ne nuk lindim gra. Ne bëhemi të tilla»[3], revoltohet Simone de Beauvoir.
Në gazetën ekzistencialiste Les Temps Modernes u botua kapitulli mbi inicimin seksual të gruas, ku ajo përshkruan koitusin, apo ndjeshmërinë e vaginës me një saktësi klinike. Fillon një debat tejet i fortë mbi veprën e saj, çka do të zgjasë me muaj të tërë e do mbushë faqet e gazetave.
«Seksi i dytë» u akuzua për vulgaritet – por në të njëjtën kohë, në Paris, Simone de Beauvoir iu njoh një farë epërsie, sepse deri në ato momente kurrkush nuk e kish përshkruar trupin me të tilla terma filozofikë. Në këtë vepër de Beauvoir akuzon rolin e ngurtë, që shoqëria i ka përcaktuar gruas. Ky rol nuk është hiçgjë, sesa vetëm një konstrukt. Gruaja, ashtu si dhe burri, dëshiron të realizohet në liri, por dështon, pasi është pra e detyruar në një rol kaq të ngushtë e të përcaktuar «më së miri». Shkaku kryesor këtu është prokreimi, i cili e detyron gruan në imanencë – burrat, në të kundërt mund të bëjnë hapin e gjatë e të kapërcejnë jashtë këtij roli. Që dhe gratë të kenë pjesë në transhendencë, është e nevojshme që edhe këto të kenë të njëjtat kushte jetike si të burrave.
De Beauvoir përshkruan mekanizmat subtilë të përjashtimit të grave, nga procese të ndryshme, të cilat detyrojnë krijimin e «cilësive fikse», të cilat kontribuojnë në atë, që një proces miratimi i përbashkët të mos jetë i mundur.
«Në debatin mbi feminizmin është derdhur shumë bojë. Tanimë ky [debat] është mbyllur pothuajse: le të mos flasim më mbi këtë temë. Por flitet ende mbi të […].» lexojmë ndër faqet e para të «Seksit të dytë» – çfarë na thotë se «çështjen e gruas» në shoqëri e kemi quajtur gabimisht shpeshherë të zgjidhur, por ende nuk është zgjidhur asgjë.
Sot, rreth 70 vjet pas botimit të veprës madhore të de Beauvoir, mund ta duartrokasim pa na u dredhur syri diagnozën e saj – sepse që atëherë, në 1949, ajo kërkonte kontrollin e lindjes dhe pjesëmarrjen aktive të gruas në aktivitetet fitimprurëse, në mënyrë që t’i garantohej pavarësia ekonomike.
Simone – kjo pararendëse e teorisë postmoderne për drejtësi, mua personalisht ende nuk resht së më mësuari, edhe pse jemi në mes të valës së katërt të feminizmit.
(c) 2020, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Një shenjë patriarkale kjo, që i njeh gratë, qofshin këto dhe mendimtare të kalibrit të de Beauvoir, vetëm në funksion të burrave me të cilët lidhen apo martohen.
[2] De Beauvoir dhe Sartre nuk qenë kurrë të martuar, përkundrejt shumë zërave që dëgjohen mediave pak serioze. Madje as nuk bashkëjetuan asnjëherë, përveçse ndonjë përjashtimi gjatë pushimeve. Ata jetuan një lidhje dashurie „të domosdoshme“ me njëri-tjetrin, të tjerë/at ishin dytësorë/e.
[3] Cituar nga «Seksi i dytë», botime Çabej, përkthyer nga Nasi Lera