ZEN PËR MIZANTROPË

nga Arb Elo

I them tim nipi: ”E vetmja njëmendësi aksiomatike e ontologjike në këtë botë është fakti: “jam”. Dhe jo siç e arsyetonte Dekarti, – se “jam” pasi mendoj, ndiej, shoh, dëgjoj e me radhë: këta nuk janë argumenta të mirëmenduar*, – por sepse e kundërta, të marrit e dhënë e faktit që “s’jam” është fare absurde e nuk çon asgjëkund e për më tepër: e bën çdo fjalëzim të tepërt, edhe këtë më sipër. Mirëseerdhe në Zen.

Në “puntatat” e tjera do të rrekem të sjell ca shembuj të të menduarit jolinear Zen.

Sa për fillim, një shprehje e një mjeshtri : ”Mendoj, pra jam: unë s’mendoj; atëherë çfarë?!”

A është të mosmenduarit i mundur? Si mendon ti për këtë? Ke provuar ndonjëherë me vullnet të mosmendosh?

*Nuk janë argumenta të mirëmenduar, pasi ka qenie njerëzore si foshnjat, fjala e sjell, apo njerëzit në koma ose në gjumë të thellë, për të cilët nuk mund të pohohet se mendojnë apo ndiejnë e me radhë; për të cilët nuk mund të pohohej seriozisht pra kësisoj që s’qenkëshin, që “s’janë”. – kundërshtoj vete sërish po veten apo i jap të drejtë, pak a shumë kështu.

Zen-i, pa dashur të të lodh me informacionin që gjendet lehtë duke gugluar apo në Wikipedia, është pikëprerja e budizmit me taoizmin (ose daoizmin), botëkuptimi ky i dytë për nga përhapja në Lindjen e Largët, pas konfucianizmit, sidomos në Kinë. ”Do të dëshiroja vërtet të të ndihja me diçka” – i thotë një mjeshtër Zen-i dikujt që e pyet se çfarë duhet të bëjë për ta kuptuar këtë, – “por këtu në Zen ne nuk kemi asgjë fare.”

Rishtarëve të Zen-it u jepen për të medituar të ashtuquajturët koan-ë, të cilat janë njëfarë përzierje e gjëegjëzës me mantrat, ndërkohë që zgjidhja e tyre nuk ndodh asnjëherë në një rrafsh logjik apo racional. Për të marrë një shembull: Koani: “Si nxirret një rosë nga një shishe, pa e thyer këtë të fundit?” Zgjidhja: “Pa shih, ajo është përjashta!”

Ose: ”Cili është kuptimi i ardhjes së Bodisatvës nga Perëndimi?”, – pyet rishtari. ”Koka e një maceje të ngordhur!”, – i përgjigjet mjeshtri dhe e godet me shkop.

Rishtari përndritet. (Nipi im qesh këtu…)

”Shembuj dhe anekdota të tilla janë të panumërta në Zen, -vijoj unë. – Për ta afruar më shumë një lexues të anëve tona, perëndimore domethënë, me këtë lloj të menduari, – por që nuk është aspak i tillë: i menduar, pasi më tepër bëhet fjalë për procese meditative, shpesh joracionale, – mbase na vjen në ndihmë një personazh turko-arab i mirënjohur në anët tona (këtu nënkuptoj në të vërtetë anën time, jo tonat, pasi im nip është thuajse gjerman): Nasredin Hoxha, Nasradini.

E përmend këtë, pasi sufizmi ka disa pikëprerje me budizmin-zen dhe disa sekte islame (bektashinjtë, rufainjtë, etj.) janë mjaft të njohura për shqiptarët, për rrjedhojë edhe historitë e tyre e anekdotat e ndoshta im nip, – si çdokush xhanëm, që e përmallon veten rëndom gjëkund tjetër, por jo në vendlindje e në vendin ku gjallon, – ndoshta nis të interesohet më në fund për Shqipërinë, por ky është synim imi i fshehtë, i pashprehur dhe thellësisht egoist, gjithnjë në këndvështrimin e Zen-it pra.

”Me ç’lashë të kuptohej më sipër, një racionalist si Bertrand Russell-i, bie fjala, nuk do të gjente asgjë logjike në këtë anekdotë me Nasredinin që tregohet në sufizëm, – vijoj:

Nasredinit i ka humbur një ditë çelësi dhe nis ta kërkojë në oborr. Fqinjët e vënë re dhe, për ta ndihmuar, nisin të kërkojnë edhe ata tok me të. Pas njëfarë kohe dikush e pyet:

– “Nasredin, ku e ke humbur pak a shumë?”

– “Brenda”, – përgjigjet ky.

– “Po pse atëherë e kërkon jashtë, kur e ke humbur brenda?”

-“Sepse brenda është errësirë, ndërsa këtu ka dritë.”

Ndërsa në këtë anekdotë ka njëfarë vijimësie, them, qoftë edhe paradoksale, në këtë episod Zen-i, është fort e vështirë të gjendet një e tillë:

Një murg pyeti Joshun, një mjeshtër kinez Zen-i:

“Ka një qen natyrë Bude apo jo?”

Joshu iu përgjigj: “Mu.” (Mu është në kinezishte një simbol negativ dhe nënkupton pak a shumë “hiçmosgjë” ose “mos?!”)

Koment (nga një njohës i Zen-it): “Ka një qen natyrë Bude?”

Kjo është pyetja më serioze nga të tëra.

Thua po a thua jo, do të humbasësh natyrën e Budës te vetja.

Ç’është natyra e Budës? Ç’lidhje ka fjala “hiçmosgjë” dhe “mos” me pyetjen që bën murgu? Po komenti i njohësit të Zen-it ç’kuptim ka? – pyes unë si me vete tim nip, ndërkohë që ky më sheh sikur të mendonte edhe ai në formë të fshehtë një synim apo diçka si: Okay, ungji im është pak i çuditshëm, kjo dihet, por sikur po e tepron ca, apo…?! edhe ky Zen i pastër, mendoj unë ndërkaq në gjermanisht, në gjuhën e tij të nënës.

Por do të kishte fort të drejtë: se në këtë qytezën e vogël ku jetojmë unë kam vërtet namin, jo vetëm të mirë, të një mizantropi thuajse nopran. Mua nuk më duket se jam i tillë, por as nuk vë dot dorën në zjarr që nuk qenka ashtu: pse njëherë? Çfarë mund t’i provoj vetes duke u djegur nga kosi?

Këtë po përpiqem ndërkaq t’ia shpjegoj tim nipi me një shembull nga muzika, i cili për një përkitje të çuditshme dhe pa ndikimin tim të drejtpërdrejtë, ka ca kohë që po dëgjon heavy-metal-in. Tani po dëgjonte një grup të ri që nuk e njihja; e pyes, janë Avenged Sevenfold, thotë, ”Hail to the king”, thotë, është e re thotë, si të duket ?, më pyet. E dëgjoj: kryevepër, mendoj, mirëpo i them:

Shih, – i them – në tërë këto vite që jetoj këtu, rasti e ka sjellë të njoh ca ngaqë ashtu ma ka dashur puna, ca të tjerë nga kafenetë, me më të shumtët kisha një përshëndetje nga ato me tundje koke, me headbanging, më kupton?

Mirëpo erdh’ një ditë e sapo dilja në rrugë nisja dhe tundja kokën si i ndërkryer tërë kohën, meqë i njihja gati të tërë, dhe kur kthehesha në shtëpi më niste migrena.

Po të më dëgjosh mua (por nuk ke pse) bëj të kundërtën: dëgjo metal kur të jesh i ndërkryer e jo të ndërkryhesh duke dëgjuar metalin. Më kupton?

Ai më sheh si gjithnjë, me një buzëqeshje të përmbajtur, pasi e di se tek ungji është e vështirë ta dallosh qesëndinë nga urtësia.

Edhe në Facebook kështu është, vazhdoj, meqë im nip ka 4500 miq, ndërsa unë vetëm 23, pastaj 21.

Ka njerëz që i kam patur miq e mikesha, të cilët më urrejnë sepse i kam fshirë pa asnjë shkak, ndërkohë që mund të më dashuronin për të njëjtën arsye, që i kisha pranuar si miq e si mikesha po ashtu pa asnjë shkak.

Ndaj, po të më dëgjosh mua, porse ti e di vetë, nakatose ca më shumë muzikën në celularin tënd; ka edhe muzikë klasike kjo botë, ka edhe pop e ka edhe mainstream.

Sidoqoftë, peshqit më të mëdhenj kapen në mainstream, më kupton?

Edhe me njerëzit është e njëjta gjë: takohen dy peshkatarë të shurdhër. Taqo, pyet njëri, për peshk? Jo Sotir, i gjegjet Taqoja, po dal njëherë për peshk. Aha, thotë Sotiri, kujtova se po dilje për peshk. Jo, jo, të thashë, për peshk…

”Zen është ky?” – më pyet ai papritur, ndërsa unë mbetem për një çast e nuk po di ç’të them më.

(c) 2020, Arb Elo. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin