Studiuesit e oralitetit e kanë vënë re, prej kohësh, se kush e tregon një përrallë, e nis zakonisht rrëfimin me një formulë. Në shqipe: “na ishte njëherë”, ose “ishte mos na ishte”, ose “ishte ç’na ishte”[1]. Dukuria prek aq shumë kultura, sa mund të mendohet si universale: mjaft t’i hedhësh një sy listës këtu.
Shqiptimi i saj vlen si akt gjuhësor – për ta kaluar referencën e ligjërimit nga bota “reale” në një botë imagjinare, me ligje, personazhe dhe rregullsi të tjera, një botë që nuk kërcënon drejtpërdrejt, sepse është përtej. Formula funksionon ngjashëm me atë të një çelësi muzikor (clef), duke i dhënë tonalitetin pjesës.
Koha gramatikore e rrëfimit është “e shkuara” (ishte); me konvencion, narrativa e përrallës e sjell ngjarjen sikur të ketë ndodhur tashmë, ose të jetë e lokalizuar në të shkuarën. Këtë e përforcon edhe ndajfolja “njëherë” (që i përgjigjet italishtes una volta (në c’era una volta).
Çfarë e dallon shqipen, mes dhjetëra gjuhëve të tjera, është ajo na-ja nistore, që shfaqet në disa nga formulat dhe që gramatika e identifikon si trajtë të shkurtër të përemrit vetor ne, edhe pse prania e trajtës në formulë meriton shqyrtim më nga afër.
Siç e kanë vënë re, bëhet fjalë për një përdorim tejet specifik të trajtës së shkurtër së dhanores, të cilën e kanë quajtur “dhanore etike” (dativus ethicus).
Për t’ia sqaruar lexuesit se çfarë është kjo dhanore etike, po sjell një shembull nga shqipja:
M’i bëj të fala Mokut.
Ose
Më qenka mërzitur Beci se nuk e kanë ftuar për darkë.
Ku ajo më nistore, e vetës së parë njëjës (mua), merr pjesë në fjali vetëm tërthorazi – duke treguar se personi që i referohet (“unë”) ka një interes (angazhim) emocional ose tjetërlloj, në atë që thuhet.
Në shqipen bisedore dhanorja etike përdoret shpesh:
Moku na qenkësh zgjuar që në pesë të mëngjesit.
Në shembull, kjo na i referohet një vete të parë në shumës ne që nuk ka lidhje me veprimin e përshkruar (zgjimin e Mokut herët), por vetëm sa kërkon angazhimin e pjesëmarrësve në bisedë – në kuptimin që kjo që ka bërë Moku duhet të na interesojë njëfarësoj.
Çfarë shpjegon edhe pse dhanorja etike përdoret shpesh me forma të tilla foljore si urdhërorja ose habitorja.
T’i kthehemi tani formulës standard të nisjes së përrallës në shqip:
Na ishte njëherë…
Dhanorja etike na, te kjo formulë, kërkon – nxit – përfshirjen e dëgjuesit ose të Tjetrit, në aktin narrativ; duke krijuar një “ne”, të përbërë nga rrëfimtari i përrallës dhe publiku (ata që e dëgjojnë). Si të thuash: kjo përrallë tani është për ne; dhe nuk ka ekzistencë tjetër, veç asaj që i japim ne.
Për të njëjtën arsye, na-ja shfaqet edhe në trup të përrallës, me funksion të ngjashëm:
Kësulëkuqja… doli në një livadh, dhe aty na e sheh ujkun.
Na ishte njëherë një mi. Dhe këtij miut na i ishte tekur që të shihte botën me sy.
Siç mund të shihet, kjo “ne” së cilës i referohet na-ja në tekst nuk merr pjesë në ngjarje, por merr pjesë në kontekstin ku rrëfehet ngjarja; me fjalë të tjera, dativi etik, në këto lloj thëniesh (narrative) shënjon pjesëmarrësit në produksionin e thënies.
Çfarë do të thotë edhe se – të paktën për mua – formula “na ishte njëherë”, bashkë me të tjera të ngjashme, nuk shënjon përrallën si të tillë, por aktin e rrëfimit të saj.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Për t’u shënuar se formulën nuk po e gjej te “Përrallat kombëtare” të mbledhura nga Donat Kurti.