Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë / Totalitarizëm

NJË POEMË E HERSHME KUSHTUAR ENVERIT

Më 21 tetor 1962, poeti sovjetik Jevtushenko, një nga promotorët më të flaktë të lëvizjes për “shkrirjen e akujve” dhe de-stalinizimin në BRSS, botoi në Pravda[1] poemën “Trashëgimtarët e Stalinit” (Nasledniki Stalina) me një dedikim skandaloz “për Enver Hoxhën.”

Në tekst, autori u referohet aventurave të trishta të trupit të Stalinit: pas vdekjes së tij, në 5 mars 1953, trupin e diktatorit e balsamosën dhe e ekspozuan tek i njëjti mauzolé, ku gjendej tashmë edhe trupi i balsamosur i Leninit. Por vetëm tetë vjet më pas, me vendim të Kongresit të 22-të të PK të BRSS, trupin e Stalinit e hoqën nga mauzoleu dhe pastaj, pas disa peripecive, e varrosën në Kremlin, pranë udhëheqësve të tjerë sovjetikë.[2]

Në poemë – që mua më duket artistikisht e dobët – Jevtushenkoja alarmohet për rrezikun e kthimit të vijës staliniste në politikën sovjetike, në mos për gjë tjetër, të paktën ngaqë Hrushovi ishte treguar relativisht i butë me gardën e vjetër, duke i lejuar ta kalojnë pensionin duke krasitur trëndafila në kopshtet e vilave (si Molotovi). I hidhëruar, ai ia kushton poemën Enver Hoxhës, si të donte t’i thoshte: mirë ne, sovjetikët, që e patëm Stalinin tonin dhe mezi e shkulëm nga ikonostaset; po ti, o shqiptar i largët, ç’pate?

Poema e Jevtushenkos doli në Pravda një vit pas Mbledhjes së 81 Partive Komuniste në Moskë, ku u bë publike përçarja mes Hrushovit dhe Enver Hoxhës, mes të tjerash edhe për qëndrimin ndaj Stalinit. Kështu duhet kuptuar edhe dedikimi i famshëm nga Jevtushenkoja, i cili lë të kuptohet se rebelimi i Hoxhës, ndaj vijës politike të Hrushovit, nuk kish kaluar pa dhimbje dhe zhgënjim në qarqet elitare të Bashkimit Sovjetik.

Më poshtë po sjell një version të poemës që e kam përkthyer nga anglishtja – sa për t’i dhënë një ide vetes, dhe lexuesit, se si e shihte Jevtushenkoja Stalinin dhe Enver Hoxhën (si dokument, por pa pretendime të tjera).

Trashëgimtarët e Stalinit

Enver Hoxhës

Heshtte mermeri.
Heshtte xhami vezullues.
Heshtnin rojet
të derdhur në fllad si në bronz.
Por arkivoli prushonte lehtë.
Përmes plasave pak frymë kish depërtuar
kur po e bartnin përmes dyerve të mauzoleut.
Lundroi arkivoli ngadalë drejt varrit,
Duke cekur bajonetat, me buzë.
Edhe ai heshtte – me kërcënim heshtte, vërtet,
Vrazhdë duke shtrënguar grushtat e balsamosur.
përgjonte, përmes plasave të arkivolit,
Gjithë duke u hequr si i vdekur.
Rrekej të kujtonte
kush ia pat bartur trupin:
ata djem rekrutë
nga Kursku dhe Rjazani,
në mënyrë që, njëfarësoj më vonë,
duke mbledhur fuqitë, për të dalë,
të ngrihej nga dheu,
dhe t’ia tregonte vendin
këtij zhgani budallenjsh.
E kishte, pra, një plan.
Por tani po pushonte pak.
Prandaj unë i drejtohem Qeverisë,
me një kërkesë:
dyfishoni, trefishoni
rojet mbi atë rrasë varri
që Stalini të mos ngrihet,
dhe as me Stalinin – e shkuara.
Nuk kam parasysh atë të shkuar
fisnike dhe të përmallshme
të TurkSib-it dhe Magnitogorsk-ut,
dhe flamurin e ngritur mbi Berlin.
Kam në mendje
të shkuarën që matet
me të mirën e nëpërkëmbur të njerëzve
Të pafajshmit, të mashtruarit, të arrestuarit.
Ne e mbollëm tokën ndershëm
E shkrimë metalin ndershëm
Dhe ndershëm marshuam
në formacion ushtarak.
Por ai na kish frikë.
Duke besuar te një synim i lavdishëm,
ai nuk besonte
Që edhe mjetet duhej t’i kishte
Njëlloj të lavdishme.
Ai shihte larg,
I zoti në artin e luftës,
la shumë trashëgimtarë
Rreth e rrotull botës.
Më duket sikur
ka një telefon të lidhur me arkivolin:
Enver Hoxhës më duket
Sikur Stalini ia përcjell porositë më të fundit.
Ku tjetër të çojë ajo lidhje direkte?
Jo, Stalini nuk është dorëzuar.
Vdekja për të është diçka që mund të zgjidhet.
Ne e nxorëm vërtet
nga mauzoleu,
Po si ta nxjerrim Stalinin
prej trashëgimtarëve të vet?
Disa prej pasardhësve, tashmë në pension
krasitin trëndafila
por fshehurazi mendojnë se pensioni
është për ta i përkohshëm,
Të tjerë i dërgojnë Stalinit akuza
Nga podiumet,
por natën i merr malli
për ditët e hershme.
Trashëgimtarëve të Stalinit,
me gjasë jo më kot,
tani u bien infarkte në zemër.
Shokëve të tij të dikurshëm të armëve,
S’po u pëlqejnë ditët
kur kampet e punës janë bosh,
Por kur sallat ku njerëzit mblidhen
të dëgjojnë poezi janë plot.
Të mitë më kanë porositur,
Mos ta fle mendjen.
Dhe nuk rri dot i qetë,
pa çka se disa më thonë, “qetësohu”,
deri në marramendje.
Sa kohë që trashëgimtarët e Stalinit
të jenë gjallë në botë
mua do të më duket
se Stalini është ende në mauzolé.[3]

Në vitet 1960 dhe 1970, emri i Jevtushenkos lakohej, në shtypin dhe në kritikën letrare të Shqipërisë, si poeti simbol i revizionizmit hrushovian: po të kish fëmijë realizmi socialist te ne, do t’i kishin trembur me emrin e tij, si gogol. Përkundrazi, gjetiu në botë, përfshi edhe atdheun e vet, Jevtushenkoja është parë si përfaqësues emblematik i brezit të “shkrirjes së akujve” gjatë procesit të de-stalinizimit të nisur nga Hrushovi dhe si një nga zërat më me autoritet që u ngritën, në atë kohë, në mbrojtje të lirisë individuale.

Edhe pse jo disident, në kuptimin “sovjetik” të fjalës, Jevtushenkoja, si kalorës i vetëshpallur i liberalizmit populist dhe i humanizmit, shpesh tregoi një kurajë civile të tillë që ndihmoi në mënyrë vendimtare për t’u hapur rrugë reformave dhe, eventualisht, rrëzimit të regjimit sovjetik.

Në fillim të viteve 1980, Ismail Kadareja ka aluduar se e ka pasur Jevtushenkon shok kursi, në Institutin Gorki në Moskë – Jevtushenkoja shfaqet kalimthi në faqet e novelës autobiografike “Muzgu i perëndive të stepës” (që pastaj u zgjerua në roman), por më shumë si element ilustrues dhe kontekstual.[4]

Pavarësisht marrëdhënieve personale mes tyre, paralelet mes karrierës letrare, artistike, kulturore dhe politike të dy shkrimtarëve nuk mund të shpërfillen – aq ngjashmëri kanë në trajektoren e tyre në vitet 1960-1980.

Te Albanian Literature: Social Perspectives (Munich, 1978), Arshi Pipa e pat quajtur Kadarenë “Jevtushenkoja shqiptar.” Pipa gjithashtu përmend një pasazh nga romani Dasma, ku njëri prej punëtorëve pyet nëse është e vërtetë që “Jevtushenkoja e ka fyer Shqipërinë në një nga poemat e tij” – duke iu referuar, me gjasë, poemës më lart.[5]

Për arsye të ngjashme, mund ta quanim edhe Jevtushenkon “Kadareja sovjetik”. Por më shumë interes, se këto eksperimente retorike, do të kishte qëmtimi i atyre rrethanave kulturore dhe sociale, që imponuan ngjashmëri të tilla në trajektoret e këtyre dy autorëve, gjithë duke mbajtur parasysh se Kadareja e kish Stalinin e vet gjallë, jo të groposur si kolegu i vet.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Aso kohe, organi zyrtar i Partisë Komuniste të BRSS; “Zëri i Popullit”, për Moskën.

[2] Transmigrimi i eshtrave është, me gjasë, fat i përbashkët i diktatorëve që vdesin kur janë ende në krye të punëve. Ka diçka supersticioze, te ky obsesion me mbetjet organike të trupit të një njeriu të rëndësishëm: jo shumë larg nga përdorimi si hajmali, prej osmanëve, i eshtrave të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, po t’u besojmë historianëve të kohës.

[3] Dedikimi “Enver Hoxhës” tingëllon absurd nëmos artificial dhe i ngjitur me pështymë, qoftë edhe ngaqë vështirë të pranosh sot se Jevtushenkoja ka pasur realisht frikë, që stalinizmi periferik i Hoxhës mund të ndikonte në rikthimin e stalinizmit në Kremlin.

[4] Jevtushenkoja i “Muzgut” i përshkruhet lexuesit si figurë bizarre, “me flokë të palarë”, që e mban cigaren në buzë si ata që s’e pinë duhanin; pastaj si përcjellës thashethemesh për familjen e Pasternakut; dhe si dikush që edhe mund të ngrihej dhe të dënonte autorin e “Doktor Zhivagos” në publik (Jevtushenkoja nuk ka parime, thotë një nga personazhet e romanit). Por rrëfimtari në vetë të parë i romanit pranon se “ndaj Jevtushenkos kisha dëgjuar çdo lloj sharjeje dhe lëvdimi të mundshëm dhe të përfytyrueshëm.”

[5] Këtë pasazh nuk e kam gjetur në botimin e ri të romanit, tashmë të shkurtuar në novelë (dhe as në versionin frëngjisht). Por mundet edhe që të mos kem kërkuar mirë. Gjithnjë sipas Pipës, përmes një metonimie, autori i “Dasmës” pat kaluar rrjedhshëm nga Enver Hoxha te Shqipëria – edhe pse cilësimi si “stalinist” nuk mund të jetë përjetuar si fyerje nga Enver Hoxha dhe as nga enveristët.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin