Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

CELAN, LULËKUQE DHE BACHMANN

nga Irma C.

E mugëta e vargjeve të Paul Celan, nuk është manipulim, apo mjet i përzgjedhur stilistik, në mënyrë që poezia të tingëllojë tërheqëse për lexuesin/en. Nuk është e imagjinueshme të mendohet se poeti mund të shkruante tjetërsoj. I tillë ishte Celan, e tillë qenia e tij – vjershëtar dhe filozof, i cili mësoi përdorimin e fjalëve nga jo më pak se të ndriturit mjeshtër, Friedrich Hölderlin, Martin Heidegger dhe Ludwig Wittgenstein. Një devizë ndiqte poeti kur shkruante: Për çka nuk mund të shkruajmë, duhet të heshtim.

Lindur më 23 nëntor të 1920-ës në Czernowitz, asokohe në Mbretërinë e Rumanisë, sot pjesë e Hungarisë, në një familje hebrenjsh gjermano-rumune, me emrin civil Paul Antschel, Celan do të jetë një nga zërat më të rëndësishëm të poezisë gjermanofone pas Luftës së Dytë Botërore. Gjuha hermeneutike e Celan josh jo pak filozofë, si Jacques Derrida, Hans-Georg Gadamer, të cilët mundohen ta zbërthejnë e të japin versionin e tyre të poetit.

Për të kujtuar Paul Celan në 100 vjetorin e tij, sjell këtu vargjet e titulluara «Korona», për të vetmen arsye se i kam pasur ndër duar së fundmi. Ironikisht një fjalë e tejlakuar e 2020-ës. Kjo poezi rrjedh prej përmbledhjes «Mohn und Gedächtnis»[1], e cila është e ndarë në katër pjesë pak a shumë kronologjike, e përbërë nga poezi të krijuara midis gjysmës së dytë të vitit 1944 e deri më 30.04.1952.

Poezinë, duket se autori ia dedikon poeteshës Ingeborg Bachmann, me të cilën përjetoi një amour fou, këtu bashkë, aty të veçuar, këtu pranë, mandej larg.

Togfjalëshi «Lulëkuqe dhe kujtesë», titulldhënës i përmbledhjes[2], i referohet  një episodi midis dy poetëve. Në një letër të datës 20.06.1949, Paul Celan i shkruan Ingeborg Bachmann:

«[…] “i pasaktë” dhe vonë vij këtë vit. Por ndoshta prandaj, sepse dëshiroj, që askush përveç teje të jetë aty, kur të vendos lulëkuqe, shumë, shumë lulëkuqe, dhe kujtesë, gjithashtu shumë kujtesë, dy tufa të mëdha të shndritshme, për ditëlindjen tënde mbi tavolinë.»

Titulli «Korona», përfshirë tekstin kriptik që e ndjek, mund të lexohen në mënyra të ndryshme, sugjerojnë kritikët. Diku më ra në sy, se «korona» e Celan mund të kontekstualizohej si pauza muzikore[3], e cila mund të zgjasë në pafundësi vlerën e një note: vetëm dirigjenti, pra interpretuesi, mund të vendosë jetëgjatësinë e të fundit. Mund ta kuptojmë kësisoj si një kohë e përzgjatur, e ngelur pezull, apo prishje e linearitetit të asaj çka ishte – ngjashmëria ndoshta e vetme me kohën, që aktualisht përjetojmë, sepse prej virusit asokohe, kush nuk dinte gjë.

Kështu na dërgon «korona», të gërmojmë mitologjinë greke dhe të hasim Ariadnën, vajzën e mençur me perin udhërrëfyes, e cila u kurorëzua me martesë me Dionisin, Zotin e verës, lumturisë, eksesit, ekstazës. Narrativa të ndryshme thonë, se pas martesës, Dionisi shndërroi në yll diademën që mbartte Ariadna, të tjera thonë se pas vdekjes së saj, ish ajo vetë, që Dionisi e shndërroi në yll. Mund të duket i guxuar ky lexim, por është Anna Grass, ish bashkëshortja e Günther Grass, ajo që na dërgon në këto gjurmë nëpërmjet një leximi të një interviste[4] postume, ku Grass reflekton miqësinë e tij me Celan.

Gjithashtu fjala «koronë» mund të jetë një diademë nusërie që vyshket prej ndarjes në krerët e Bachmann. Nga Parisi Celan i dërgon Bachmann një unazë, pastaj ia kërkon sërish mbrapsht. Lutjet e tij, që ajo të shkojë në Paris, pilohen nga lutje që të mos shkojë më në Paris. Në një letër që mban datën 20 gusht 1949, Celan shkruan «Ndoshta gabohem, ndoshta është e vërtetë që i shmangemi njëri tjetrit, pikërisht aty[5], ku kaq shumë do dëshironim të takoheshim, ndoshta fajin e kemi të dy. Vetëm se ndonjëherë i them vetes, se heshtja ime është ndoshta më e kuptueshme se e jotja, sepse e mugëta që më imponohet mua, është më e vjetër.» Zymtësia e Holokaustit do të ndjekë Celan si hije përgjatë jetës së tij, pa dashur t’i shkëputet. Lypet të thuhet prej disa kritikëve, se Ingeborg Bachmann i është përgjigjur poezisë «Korona» me vargjet e saj «Të thuash kumte të mugëta»[6]. Nuk është absolutisht e mundur, këmbëngulin  skeptikët. Por nuk ka dyshim se vargu i Celan «ne, kumte të mugëta i themi njëri tjetrit»[7] i referohet Holokaustit – asnjë poezi e tij, nuk mund të ishte veçse poezi dashurie. Dhe nëse Bachmann i është përgjigjur vërtet kësaj poezie, kështu nuk është ky, assesi (vetëm) një dialog intertekstual i dashurisë.

Bachmann dhe Celan ishin njohur në studion e piktorit Edgar Jené në Vjenë. «Vjershëtari surrealist Paul Celan, të cilin e njoha parmbrëmë me Weigel[8] në atelienë e Edgar Jené e që është kaq i adhurueshëm, është dashuruar hyjnueshmërisht me mua, çka më stimulon disi kur merrem me punërat e mia të thata. Fatkeqësisht ai duhet të kthehet në Paris pas një muaji. Dhoma ime është momentalisht një fushë lulëkuqesh, pasi atij i pëlqen të më tejmbushë me këtë lloj luleje.», shkruan Bachmann në një letër prindërve. Ishte 20 maj i vitit 1948.

 

PAUL CELAN

PAUL CELAN

 

KORONA

 

Nga dora, vjeshta më përlan të vetën gjethe: jemi miq.
Si lëvozhgë e largojmë kohën nga arrat dhe i mësojmë të eci:
koha kthehet mbrapsht në lëvozhgë.

Në pasqyrë është e diel,
në ëndërr flihet,
goja flet vërtetshëm.

Syri im ulet mbi seksin e të dashurës:
ne shihemi,
ne, kumte të mugëta i themi njëri tjetrit,
ne duhemi si lulëkuqe dhe kujtesë,
ne flemë si vera në guaska,
si deti në rrezen e përgjaktë të hënës.

Të përqafuar ne, qëndrojmë në dritare, ata nga jashtë na vëzhgojnë:
erdhi koha, që të dihet!
Erdhi koha, që guri të denjohet të lulëzojë,
që trazirës një zemër t’i rrahë.
Erdhi koha, që të vijë koha.

Erdhi koha.

 

Irma C.

Karlsruhe, 11.11.2020

Kopertina: Ingeborg Bachmann dhe Paul Celan në parkun e lojërave në Prater, Vienna, 1948


© 2020, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Lulëkuqe dhe kujtesë

[2] Lulëkuqe dhe kujtesë

[3] Corona apo fermata nga italishtja, e cila vihet mbi, ose poshtë një note muzikore dhe ndikon në vlerën e kësaj të fundit

[4] Intervista e plotë botohet në revistën letrare “Freipass“.

[5] Nënvizimi në letrën origjinale.

[6] Origjinal: Dunkles zu sagen

[7] Origjinal: Wir sagen uns Dunkles

[8] Bëhet fjalë për kritikun e letërsisë Hans Weigel, mbështetës i talenteve të reja.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin