Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

KUJTIMI SHKON NË LUFTË

Lexoj se i dyshuari kryesor për sulmin terrorist në Vjenë e paska emrin Kujtim Fejzullahu dhe se banorët e fshatit të tij të origjinës, në fshatin Çellopekë të Tetovës në Maqedoninë e Veriut, thonë se nuk kanë parë kurrë shenja radikalizimi tek ai dhe te familja e tij.

Në fakt, vetë emri i këtij personi, që kombinon një mbiemër tipik mysliman, Fejzullahu, me një emër shqiptar laik, Kujtim, tradhton një përpjekje, sado në tentativë, në mos për shekullarizim (laicizim), të paktën për shqiptarizim të identitetit.

E kam ndeshur edhe më parë këtë dukuri, në dukje paradoksale, me emrat e këtij brezi të rinjsh shqiptarë të radikalizuar: emrat e tyre janë të besës kombëtariste, të mbrujtur në magjen e Rilindjes Kombëtare. Nëse emri shpreh një dëshirë, emra si Kujtim shprehin dëshirën për shqiptari; nëse emri klasifikon, atëherë emra si Kujtim përkatësojnë në një bashkësi të kombit, jo të fesë.

Asnjë lidhje nuk ka emri Kujtim me fenë dhe kauzën Islame, së cilës mëtonte t’i shërbente – siç thuhet – terroristi i Vjenës. Dhe ndryshe nga zakoni i vënies së emrave në Shqipërinë e viteve totalitare, ku emrat mirëfilli fetarë shiheshin shtrembër në mos ndaloheshin krejt, në viset shqiptare të Maqedonisë prindët e Kujtimit do të kenë qenë të lirë të zgjedhin dhe kanë zgjedhur: Kujtim, që është – në mënyrën e vet – edhe një votë përkatësie.

Kujtim Fejzullahu e ka bartur me vete edhe fenë e familjes, te mbiemri; edhe dëshirën e familjes, tek emri. Më shumë se një kontradiktë ose armëpushim, kombinimi i atij emri me mbiemrin shënjon vullnetin e mirë të një tradite të Islamit mes shqiptarëve për kompromis; dhe për të sakrifikuar një identitet për një tjetër.

Një me mbiemrin Fejzullahu e kam më të lehtë ta pranoj si terrorist islamist, se një me emrin Kujtim – por me arsye më duhet ta pranoj se emrin këtij personi ia kanë zgjedhur prindërit, jo ai vetë; ndërsa orientimin e tij për jihad – nëse duam t’u besojmë burimeve të informacionit – Kujtimi e ka zgjedhur vetë, pa u penguar nga emri.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin