Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

DITË ZGJEDHJESH, DITË ZGJIDHJESH

Shëtitja në lagjen tonë në Brooklyn ditën e zgjedhjeve është edhe vizitë në muzeun e improvizuar të shenjave të përditshmërisë amerikane.

Në trotuaret dhe oborret e vogla të vilave ende sheh zbukurimet dhe instalacionet e Halloween-it, disa tashmë të rrëzuara përdhé ose jashtë përdorimi. Skelete, merimanga, shtriga që kalërojnë bishta fshese, flamuj amerikanë dalëboje, pezhishka, pelerina të zeza, kokërdhokë syri, dordolecë, çataj vampiri, kunguj me buzëqeshjen me vrima…

Skenografia e Ditës së Shtrigave të përgatit për alienimin që ia kërcënojnë zgjedhjet Amerikës – duke qenë dita e sotme edhe më e mbarsur me tmerre të imagjinuara se festa që i parapriu.

Maskat anti-Covid të flakura prej kalimtarëve ngatërruar me maskat e kostumeve të Halloween-it.

Shenjat që ftojnë për të votuar, në shtëpitë e lagjes, rrëgjohen edhe ato njëlloj – bashkë me parullat e gatshme të BLM-së dhe slogane si “silence is violence”, pak paradoksale në këtë atmosferë shurdhimi para-zgjedhor.

Shumë kalimtarë ende s’i kanë shqitur prej xhaketave stemat “I voted early”; na dhanë edhe ne të tilla, madje unë e kam ende te një jelek që pata veshur mëngjesin kur vajta të votoj herët.

Atëbotë, duke ecur për te qendra e votimit, te Brooklyn Museum, pamë një radhë të gjatë njerëzish, që prisnin të testoheshin për Covid, jashtë një qendre shëndetësore, me vështrimin të ngulur në celularët.

E tillë kish qenë edhe radha e votuesve herët, e gjatë dhe e heshtur, deri pak ditë më parë, kur na thanë se koha e pritjes ishte afërsisht 3-4 orë. Po atë natë, dëgjuam për një plakë në lagje që kish dalë nga shtëpia, ku rrinte e ngulitur prej nuk di sa muajsh, për të votuar edhe ajo.

Por kur shkuam të votojmë ne herët, nuk na u desh të presim. Atmosfera në foyer-in e muzeut ishte si prej Pallati Sovjetik të Pionierëve: flamurka, aktivizëm dhe solidaritet difuz.

Përjashta, votuesve të rastit, por edhe të tjerëve që qëllonin aty, u blatonin falas hamburger-ë, ujë mineral dhe biskota, siç u japin viktimave të një katastrofe.

Kjo ndodhi të dielën. Po të dielën pamë, në lajme, që shumë vitrina dyqanesh, bankash dhe shërbimesh të tjera, në Manhattan dhe gjetiu në qytete të mëdha, po i mbulonin me kompensatë, me gjasë për t’i mbrojtur nga trazirat e mundshme, natën e votimit.

Masë si prej kohe lufte – por që në fakt, siç do të merrnim vesh, u ishte kërkuar dyqaneve nga shoqëritë e sigurimeve.

Kjo në Manhattan. Tek ne në Brooklyn e vetmja gjë që po u ndodh dyqaneve – të paktën në lagjen tonë – është prej kohësh zbrazja në masë, ikja, braktisja. Edhe këtu vitrinat i mbulojnë me kompensatë, por jo për t’i mbrojtur nga vandalizimi.

Që tashmë ka ndodhur, por me emër tjetër: falimentim për shkak të Covid-it.

Gati të gjithë kalimtarët ecin me fytyrat të mbuluara me maska; madje edhe në park, ku maskat nuk para hyjnë në punë. Të thuash se po rreken të mësohen me një realitet të padukshëm, por të imponuar.

Një ngushëllim i papritur: maska ua bën të gjithëve sytë më të bukur.

Rruga u flet kalimtarëve ashtu siç vetëm rruga mund të flasë: me urdhra, lutje, kërkesa, ndalesa. Shenjat për të ruajtur distancën e sigurisë konkurrojnë me nxitjen për të votuar. Slogani “Black Lives Matter” bashkëjeton me vetëdijen e lajmëruar, që Covid-i, ky barazues i madh dhe i pamëshirshëm, i rrezikon të gjitha jetët.

Sidomos jetët e jetuara.

Këtij dyqani të vogël lodrash dhe librash për fëmijë, në Flatbush afër pallatit tonë, ia thyen vitrinën para disa ditësh, kushedi pse. Kompensata është vënë për t’u mbrojtur ndaj një vandalizmi tashmë të konsumuar. Foton e kam nxjerrë sot në drekë (dt. 3 nëntor 2020).

Mendja reptile, brenda nesh, i shoqëron tashmë këto zgjedhje me të ardhmen e Amerikës, të gjymtuar nga epidemia.

Edhe pse New York-u e përjetoi të keqen e madhe në fund të dimrit dhe në fillim të pranverës, ndërsa tani duket si më pak i sulmuar nga përqindjet.

Ndoshta do të ketë një lidhje të arsyeshme mes këtij përjashtimi statistikor nga rregulla dhe faktit tjetër që metropoli dihet do të votojë në masë dërmuese për Biden-in demokrat, ose më mirë, kundër Trump-it.

Por sistemi elektoral i këtushëm është i tillë, që vota individuale nuk ngre peshë për shtete tashmë të rreshtuara politikisht, si NY.

Nuk është ndjesi e mirë që ta dish se vota jote do të shkojë dëm, të paktën sa i përket peshës së saj për zgjedhjen e Presidentit së SHBA-ve; sidomos kur njëherazi di edhe se Presidenti mund fare mirë të rezultojë fitues me diferencë minimale votash, në shtetet “e kontestuara”.

Këtë ta shpjegojnë kështu: SHBA nuk është demokraci, por “republikë”.

Vërtet: nga njëra anë republika, së cilës iu dashka shërbyer duke votuar (në NYC) praktikisht kot, edhe pse në një ditë zgjedhjesh me pasoja historike për mbase botën mbarë. Nga ana tjetër, demokracia e koronavirusit, që na e njeh të gjithëve të drejtën e pajetërsueshme për t’u infektuar.

Rruga të kujton edhe demokraci të tjera: atë të gjetheve të rëna, që befas ngrihen e tërbohen nga era, në metaforë të “demokracisë së turmës”; atë tjetrën, të demokracisë së tregut, përmes mijërave kutive të shqyera e të shpalosura, me brand-in e Amazon-it sipër. E gjitha kjo, rrethuar nga peizazh impresionist vjeshte i arratisur nga korridoret e muzeut përbri, ku nuk shëtitet dot më.

Përballë dritares sime, grupet kaotike të gjetheve mbi asfalt po i trembin me fryrës gjethesh – një abominacion zhurmëmadh, që synon t’i kthejë sakaq mbrapsht nën dhé edhe të vdekurit e pakallur të Festës së Shtrigave.

Për vegla të tilla diabolike nuk do të mungojnë kurrë as paratë, as operatorët.

Te një kryqëzim, një grua e mbuluar me maskë më ftoi të votoja – dhe u ndalëm për një bisedë çasti surreale, pa ia parë njëri-tjetrit fytyrat. Kur i shpreha keqardhjen që vota ime prej njujorkezi do të përfundonte në një statistikë me shumë zero më tha: E rëndësishme është që të dërgojmë një mesazh të fortë.

Si çdo statistikë tjetër, madje edhe ajo e të testuarve, e pozitivëve dhe e të shtruarve në reanimacion te Kings County Hospital Center, ngrehina e të cilit që po më duket pak steam-punk më përshëndet nga tutje në horizont, si ndonjë poster albumi të Pink Floyd.

Do të ketë ndonjë mendje kurioze, diku, që të ndjekë korrelacionin mes shkallës së pozitivitetit në testet Covid, dhe orientimit të votës amerikane ndaj blusë ose së kuqes.

Dhe nuk e heq dot nga mendja përshtypjen – e pabazë – për një mungesë a një zbrazëti ngjethëse në rrugë; për ata që nuk i shoh, për ata që nuk janë. Edhe pa i llogaritur viktimat e epidemisë – që në Brooklyn kanë qenë me mijëra – gjithnjë më duket sikur diçka e madhe është tërhequr në ndonjë skutë, në mos për të vdekur, të paktën për të ruajtur distancën.

Sikur vetëm të mjaftonin shenjat dhe isharetet e Shtrigave të Halloween-it, për ta bindur që të kthehej…

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin