Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Totalitarizëm

FJALË PËR KUNDERËN

Në rastin e Milan Kunderës është intriguese marrëdhënia e komplikuar me vendlindjen e tij. Në një biografi të kohëve të fundit të Jean-Dominique Brierre (Milan Kundera – Une vie d’écrivain) autori përpiqet të gjejë një shpjegim duke paralajmëruar se ka një pjesë të jetës së tij që është krejt e panjohur në Francë. Kjo ka të bëjë me vitet ‘70 kur në vendlindje ai ka qenë « një intelektual mjaft i njohur komunist ». Nuk jepen shumë detaje për funksionet e tij dhe për atë që e bënte « intelektual të njohur komunist». Ajo që kuptohet më qartë është se ai nuk ka qenë disident, nuk ka qenë një intelektual që u ngrit apo kritikoi regjimin komunist.

Për publikun e gjerë ka qenë i njohur fakti se ai ishte anëtarësuar ne Partinë komuniste më 1947 dhe përjashtuar më 1950. Biografët thonë se arsyeja e këtij përjashtimi përbën subjektin e romanit “Shakaja”. Ripranohet në parti më 1957 për t’u përjashtuar më vonë…

Sigurisht që vetë çekët dinë më shumë. Por duket se opinionet e kundërta për të në Paris dhe në Pragë janë ushqyer edhe nga një gjendje mërish të pashprehura midis Kundrës dhe atdheut të tij. Por mbase jo edhe aq të pashprehura sa thuhet rëndom. Duket fort këlthitës fakti që ai ka refuzuar për një kohë të gjatë që veprat e tij të botohen në vendlindje. Të paktën deri aty nga viti 2016, kur për herë të parë u botuan në çekisht romanet Jeta është gjetiu dhe Libri i gazit dhe harresës (që në Francë ishin botuar më 1973 dhe 1979). Në nëntor të vitit 2019 autoritetet e vendit i kthyen nënshtetësinë çeke atij dhe së shoqes, Verës. Biografët thonë se ky qe një gjest simbolik që u vlerësua nga i interesuari, gjë që lë të kuptosh se refuzimi deri atëherë kishte ardhur nga atdheu i tij. Nënshtetësia çeke i qe hequr më 1979.

Por një biografi tjetër që doli tani së fundi, hodhi një gur të madh në një pellg edhe ashtu të turbullt. Është fjala për librin prej 900 faqesh të çeko-amerikanit Jan Novak të titulluar Český život a doba (Jeta çeke dhe koha, përkthim me Google). Autori i tij nuk e fsheh synimin që të thyejë mitin që shkrimtari më i madh çek ka ndërtuar për veten, kryesisht duke kontrolluar çdo informacion të jetës së tij private dhe duke dhënë versionin e tij.

Por ky libër i fundit shënon një etapë tjetër “të historisë së mërisë midis shkrimtarit dhe vendlindjes së tij” thotë Radio Prague, së cilës i jam referuar për pjesën më të madhe të këtyre shënimeve.

Novak e përgatiti mjaft mirë daljen e librit të tij. Në intervistat e shumta ai shprehej se “shumë njerëz do të humbasin iluzionet që kanë për Kunderën” apo “ai është një model i relativizmit moral”.  Dhe më tej, në ekranin e një televizioni çek u shpreh se “Kundera është një manipulator, ai gënjen për jetën e tij dhe tallet me të gjithë”.

Përpjekjet e tij për ta intervistuar Kunderën për “disa kapituj të marrtë (opakë) të jetës së tij” kanë dështuar. Shkrimtari i madh mbetet mjaft diskret për jetën e tij.

Përse bëhet fjalë? Në të vërtetë Novak, që u arratis nga Çekosllovakia menjëherë pas dështimit të Revolucionit të kadifenjtë (Kundera iku më 1975), merr dhe interpreton një dokument të policisë sekrete, që më parë ishte përmendur edhe nga një historian në kuadër të studimit të së kaluarës komuniste të vendit. Sipas këtij dokumenti, në vitin 1950, pra në periudhën më të zymtë të terrorit stalinist, Kundera ka denoncuar një person si agjent të Perëndimit. Personi (Miroslav Dvořáče) u dënua me njëzet e dy vjet burg, nga të cilët bëri katërmbëdhjetë vjet në qeli.

Dokumenti ka tronditur jo pak njerëz edhe pse kur u shfaq për herë të parë, në mbrojtje të Kunderës u ngritën mjaft personalitete të letërsisë perëndimore, e midis tyre katër çmime Nobel.

Që në biografinë e parë të Jean-Dominique Brierre (Milan Kundera – Une vie d’écrivain) ishte pak e sikletshme të mësoje jo thjesht për të kaluarën komuniste të Kunderës (që personalisht nuk e njihja) por se ai kishte qenë një “figure emblematike e intelektualit komunist”. Edhe më e habitshme ishte të mësoje se ai ishte bërë krejtësisht i padukshëm gjatë një lëvizjeje të tillë historike, siç ishte Revolucioni i kadifenjtë. Nuk shfaqet gjëkundi. Nuk ka dhënë asnjë intervistë, asnjë emision, nuk ka marrë pjesë në asnjë kongres, nuk ka shprehur asnjë revoltë kur tanket ruse gjëmuan në atdheun e tij.

Kundera jep një version tjetër. Thotë se më 1970 u përjashtua përsëri nga partia dhe mbeti pa punë. Por më tej nuk ka asnjë deklaratë për t’u distancuar nga e kaluara komuniste. Dhe ndërsa çekët ndiejnë gjithnjë e më shumë vështirësi për ta kapërdirë një të kaluar të tillë, ja ku shfaqet libri i Jan Novak-ut: Kundera denoncues!

E rëndë për të gjithë lexuesit e Kunderës, për të gjithë ata që në mënyrë virtuale kanë ndërtuar një imazh të tyrin nisur nga vepra e tij me të vërtetë cilësore!

Krejt pavullnetshëm, kjo histori më solli ndërmend kantatën skenike Karmina Burana, që para ca kohësh e pashë të interpretuar nga artistë dhe një kor madhështor si dhe një orkestër e drejtuar nga J-C. Casadesus. Një magji e vërtetë! Por nuk është kjo që desha të them.

Fletëpalosjen e shfaqjes që na dhanë në hyrje, mora ta lexoj gjatë pushimit dhe nga të gjitha shpjegimet që jepeshin aty, më mbeti në mend vetëm një gjë. Carl Orff, pra autori i asaj vepre madhështore, ishte njohur si kompozitori zyrtar i regjimit nazist! Veçse për turpin tim, statusi që ai kishte patur atëherë nuk është se ndikoi shumë në shijimin e veprës së tij. Ajo mbeti po aq e mrekullueshme sa edhe më parë. Ndjeva veç keqardhje që artistë të tillë të mëdhenj qenë të detyruar të gjenin formula bashkëjetese me regjimet e mbrapshtë që ua deshi hera të jetonin.

Ja, përsëri kthimi i përjetshëm i raportit të  jetës së autorit dhe veprës së tij!

Jam i sigurtë se të gjithë ne do të kishim dashur që gjërat të ishin ca më ndryshe (që imazhet tona virtuale të ndërtuara libër pas libri t’i përputheshin realitetit të jetës së autorëve të tyre), por në pamundësi që të ndryshojmë rendin e botës, a nuk është rasti që edhe ne të bëjmë kompromisin tonë, pra përfundimisht të kthejmë sytë nga vepra e të lëmë mënjanë jetën e tyre? Në të vërtetë këtë e shoh si një antikompromis me regjimet në fjalë: ato do ta shihnin si vazhdim të veprës së tyre nëse brezat e ardhshëm do të përgojonin artistët e mëdhenj që u kujdesën t’i përlyenin vetë më parë, por përse u duhet dhënë kjo kënaqësi?

Gjithnjë kam përfytyruar një buzëqeshje të vogël në cep të buzës së Nexhmije Hoxhës sa herë që ndonjë shkrimtar a artist i njohur akuzohej se i ka shërbyer regjimit të të shoqit të saj.

(c) 2020 Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin