Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

NJË JAVË NË MANASTIR

Publicisti dhe shkrimtari Mustafa Nano sapo ka botuar një roman të ri, me titullin “Një javë në Manastir” (UET Press). Më poshtë po sjellim dy fragmente nga ky roman, që autori pati mirësinë të na dërgojë.

Fragmenti i parë bën fjalë për përshtypjet e ndjesitë e para të Robertit, një piktori ekspresionist anglez, që sapo ka mbërritur me tren në Manastir. Është dita, kur ka filluar punimet Kongresi i famshëm i alfabetit.

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

Roberti hodhi shikimin nga dritarja e trenit, që po bëhej gati të ndalej, dhe pa se në murin e ndërtesës së vogël dykatëshe të stacionit, dikush kishte shkruar me dorë, me ca germa të mëdha e të shtrembra, që nga brenda trenit mezi shquheshin, fjalën “Битола”. Për një grimë iu bë se ishte hera e parë që po shihte diçka në germa cirilike, por ndërkaq u kujtua se i kishte ndodhur në më shumë se një rast. U fiksua një copë herë pas tyre, sidoqoftë. Po vriste mendjen se ç’mund të ishte ajo fjalë me shkronja të atilla, por nuk iu desh shumë për të kuptuar si ishte puna. Rrokja e mesit “то” dhe germa e fundit “а”, të cilat ai i mori për ato që ishin sipas alfabetit latin, e të cilat e ftuan të luante si me një anagramë, e siguruan se bëhej fjalë për versionin sllav të emrit të qytetit ku ai sapo kishte mbërritur: Bitola. Pa i hequr sytë prej grafemave mbi faqen e murit, që me kalimin e sekondave nuk diti pse po i ngjanin më pak të shtrembra, i shkoi mendja se emri i Billit, mikut të tij diplomat, me të cilin kishte kaluar ditët e qëndrimit në Stamboll, mund të shkruhej “Билл” me alfabetin sllav. Dhe i erdhi për të qeshur që truri i shkoi tek ai kombinim, i vetmi në gjuhën angleze që mund të bëhej me germat “b”, “i” e “l”. Kombinimet e tjera të mundshme “ilb”, “ibl”, “lbi”, “lib” e “bli” nuk iu duk se kishin ndonjë kuptim. “Ndoshta ‘bli’? Hëm, nuk jam i sigurt.” Sakaq i erdhi në mendje për të disatën herë, prej çastit kur i kishte hipur trenit, se në atë qytet duhet të ishte hapur po atë ditë një Kongres i shqiptarëve, në të cilin këta të fundit ishin mbledhur për të zgjedhur apo njësuar alfabetin e tyre.

Nxori nga xhepi me njërën dorë orën e markës “Morton” dhe e mbërtheu atje ku ajo lidhej me qostekun, ndërsa me dorën tjetër hapi kapakun e argjendtë të saj. Po shkonte tetë. “Ora tetë e mbrëmjes,” ia bëri me vete, a thua se ishte nevoja që zëri i brendshëm t’i konfirmonte çfarë i kishin parë sytë, dhe aty për aty, si të donte ta rrokte të plotë sensin e kohës që po jetonte, saktësoi: “E shtunë, 14 nëntor 1908”. E mbylli kapakun, mes kandjes që i jepte kumbimi i përplasjes dhe i puthitjes me buzët e holla të orës. I kishte pëlqyer gjithnjë ai tingull, aq sa shpesh besonte se atë orë e shihte më shumë për të kënaqur veshët me të, sesa për tjetër gjë. “Paf,” ia bëri kushedi për të satën herë prej kohës që e kishte blerë, në një përpjekje për ta shoqëruar zhurmën me versionin e vet tingullimitues. U vu të llogariste se sa herë mund ta kishte dëgjuar. Kishte pothuaj njëzet vjet që e mbante atë orë. Njëzet vjet shumëzuar me treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditë, shumëzuar më tej me të paktën dhjetë, që ishte, sipas tij, numri mesatar i herëve në ditë kur ai e nxirrte orën nga xhepi i vogël, bënin shtatëdhjetë e tre mijë. “Shtatëdhjetë e tremijë paf-e. I bie që kjo të jetë fjala që unë kam përdorur më shumë gjatë jetës sime. Apo ka fjalë të tjera? Ndoshta nyja shquese e emrave, lidhëzat ‘dhe’ e ‘por’, foljet ‘kam’ e ‘jam’, përemrat vetorë, fjalët ‘pará’, ‘ngjatjeta’, ‘mot’, apo edhe vetë fjala ‘orë’. Bah!”

“Paf,” ia bëri sërish me vete. E ndillte gjithnjë ajo lojë për ta shndërruar çdo kapule të pështjelluar tingujsh në një njësi të disiplinuar shenjash grafike. Kërkoi me sy mes udhëtarëve, që ndërkohë ishin çuar, një djalë skërfyell, i cili në përçapje për të imituar zhurmën e lokomotivës me avull, ia kish bërë dorë pas dore gjatë udhëtimit “çaf-çuf, çaf-çuf, çaf-çuf”. Dhe në çdo rast, pasi kthente kryet nga Roberti që, kur nuk kotej apo nuk binte në mendime, vizatonte me laps mbi një tog letrash që i mbante mbi gjunjë, shkulej gazit. Qeshnin edhe të tjerët, që i kishte shquar si shqiptarë prej fustanellave, të cilat i kishte parë në shumë fotografi. Dhe mes të qeshurave hidhnin romuze, të cilat, edhe pse nuk i kuptonte, dukej që lidheshin me të. Ndonjëri matej edhe t’i fliste, duke i drejtuar ndonjë pyetje në gjuhën e vet. Që bëhej fjalë për pyetje, Roberti e kuptonte prej intonacionit. Një copë herë ishte rrekur të merrte me mend se ç’pyetje mund të ishin. “Hë, kështu i thoni edhe ju në gjuhën tuaj zhurmës së trenit, ‘çaf-çuf’?”, ose: “Ç’dreqin shkarravit në ato letrat e tua?”, ose: “Për ç’punë të ligë ke lënë vendin tënd e ke ardhur në anët tona?”, ose: “Mos të ka kapur veremi që kollitesh kështu?” etj.

Njëri syresh, një burrë i shtyrë në moshë me pamje të ngrysur, me një palë tespihe të gjelbra në duar, ia kishte hedhur sytë gjithë kohën me inat, teksa ai vihej të vizatonte. Roberti nuk kishte shumë që kishte lexuar shënimet e udhëtimit të E. Learit në viset osmane, në të cilat ai fliste për myslimanët, sidomos ata shqiptarë, që bëheshin nervozë e nuk i mbante vendi kur e shihnin duke pikturuar, dhe nuk do çuditej fare, sikur ai plaku nursëz të ngrihej papritur nga vendi ku ishte ulur, e t’u bërtiste të vetëve me dorën e tespiheve të drejtuar nga Roberti: “Ky është shejtan. Është shejtan, po ju them. Që kur kemi lënë Selanikun, këtë punë ka bërë. Na vjedh surratet neve dhe i hedh në kartë.” E kushedi se ç’mund t’i punonin pas kësaj. Mund t’i hidheshin përsipër, mund të rrekeshin ta mbysnin duke ia vënë duart në fytin e tij të holluar prej sëmundjes, e pasi të siguroheshin se ia kishin marrë frymën, të hapnin dritaren e trenit për t’ia hedhur kufomën jashtë. Dhe më pas, kur të shihnin skicat e tij, pamje të mjegullta njerëzish, fytyra të shtrembëruara, trupa të tretur e të zdërgjarë, gjymtyrë të hallakatura, peizazhe të zbehta, do të ndiheshin të lehtësuar prej krimit që sapo kishin kryer. “Po, qenkan vërtet punë shejtanësh! Shikojini trupat tanë! A nuk ngjajnë me shpirtra të liq?”, do t’i thoshin njëri-tjetrit me sytë e zgurdulluar. “Sa do doja t’i shihja ata sy të zgurdulluar, që t’i vizatoja, ashtu siç ishin, pa shtënë në punë fantazinë, e pa qenë i ndihur prej maktheve të mia, porse ç’e do që unë do të isha i vdekur ndërkohë,” mendoi, teksa ishte ende në grackën e asaj ngjarjeje të hamendësuar. Më shumë do kishte dashur të vizatonte udhëtarin me vështrimin e zymtë e me ballin e mbrudhur. Do kishte dashur t’i thoshte: “Ti, mor zotëri, nuk mundohesh fare për ta fshehur se nuk më sheh dot me sy, dhe unë nuk po e bëj për të madhe këtë gjë, veçse në këmbim dua të të kërkoj një nder të vogël. Më lejo të hedh në letër disa skica të fytyrës sate, kështu siç është. Dhe të duarve, tok me rruazat e gjelbra të tespiheve. Duhet gjysmë ore, jo më shumë. Hë, si thua?”

Roberti e kundroi vjedhurazi, dhe si për ta sfiduar, bëri t’i huazonte pamjen. U kreshpërua në fytyrë. Do kishte dashur ta shihte veten me atë maskë, që mirëfilli nuk i shkonte, por në të njëjtën kohë u çudit prej atij veprimi. Sikur shqiptari të kthehej vrikthi dhe ta kapte në flagrancë, në atë provë të pacipë shkërbimi, Roberti nuk do dinte si e ku të fshihej prej zorit. Ndërsa tjetri kushedi se si do të reagonte. “Si guxon të tallesh me mua, qen bir qeni?” U tërhoq sakaq nga ajo lojë që i ngjau e rrezikshme, por jo nga ngasja për të luajtur. Pa ia shqitur sytë, i dha fytyrës së vet një pamje të gëzuar, me dëshirën që nursëzi të kthehej nga ai e që shikimet t’u përplaseshin. Le të reagonte si të donte! Mirëpo, ai as që e kishte në plan t’i përgjigjej asaj loje, si të donte t’i thoshte, se e gjitha kishte lidhje veç me udhëtimin dhe se, tani që u duhej të zbrisnin nga treni, secili ishte në hall të vet.

Kishte pasur një farë ngurrimi para se të vendoste për të hipur në vagonin e tretë, që ishte i parafundit. I fundit ishte i grave. Vuri re që në të po ngjiteshin katër-pesë syresh të mbuluara nga koka te këmbët, dhe pyeti veten pse ato kishin nevojë për një vagon më vete. Të fshehura se të fshehura ishin. Nuk ua ndau sytë një copë herë megjithatë, teksa drejtoheshin për nga vagoni. Pamja e tyre e bënte kureshtar. U përpoq t’u lexonte moshën. Fillimisht iu duk si një ushtrim i pamundur për t’u zgjidhur, por shumë shpejt i mbushi mendjen vetes se ishte shí e kundërta. Dy prej tyre ishin vajza të reja, gjë që shquhej prej siluetave të gëzueshme e të zhdërvjellëta. Nuk kishte veshje që mund t’ua maskonte gjallërinë e trupit. Aty për aty Roberti zuri të përfytyronte trupat e hajthëm të tyre, flokët e mbledhur pas qafe, gjinjtë e paprekur, të linjtat, qimet e pubisit apo të sqetullave. Ajo ngasje e kishte kapur për herë të parë në Stamboll, dhe prej atij momenti nuk po dinte se si t’i shpëtonte. Në rrugicat e populluara të Kapali Çarshisë, por edhe në avulloren e Lloydit, me të cilën kishte mbërritur në Selanik një ditë më parë, ishte ndier i pafuqishëm për të ndalur cytjet erotike të përfytyrimeve të veta. Çuditërisht, sa më shumë përpiqej t’u ikte atyre përfytyrimeve, aq më lapërdhare i bëheshin. Kurrë nuk e kishte besuar se gratë e mërtisura mund t’i jepnin ato lloj ngacmimesh. Në kuvertën e avullores i kishte tërhequr vëmendjen një grup grash të tilla, të veshura me burka e me fustane të zinj e të gjatë, të cilat era ua valëviste duke u nxjerrë në pah format vajzërore. E mendoi veten në situatën, ku do t’i duhej të zgjidhte njërën syresh për të kaluar disa orë, apo një natë. Do të ishte shumë torturuese në rrethana reale. Era, që ua ngjishte pas trupit rrobat që kishin veshur, krijonte një ide të qartë mbi linjat e tyre, por puna ishte se ai kishte nevojë t’u shihte fytyrën. Fytyra e një vajze ishte shumë e rëndësishme për të. Kish burra, mes të cilëve bënte pjesë edhe Billi, që shenjtëronin gjithçka nga qafa e poshtë, por atij nuk i hynin në sy gjinjtë, vithet, format trupore në përgjithësi, po qe se nuk shoqëroheshin me një fytyrë ndjellëse e të hijshme. Ndërsa e kundërta, domethënë një fytyrë e bukur, ndodhte shpesh që ishte mjaft për ta bërë për vete.

I kishte qëlluar të shihte gra të mbuluara edhe nëpër rrugët e Londrës, porse atje ishin të rralla. “Ende të rralla,” ia bëri, pasi i erdhi në mendje një shkrim që e kishte lexuar në një nga gazetat e vendit të vet, ku autori mbronte tezën se Islami, për shkak të fuqisë së besimit e lindshmërisë së lartë të myslimanëve, shumë shpejt do ta ndryshonte Britaninë e Madhe. Ideja se numri i grave të mbuluara mund të shtohej, apo se ato një ditë mund të ishin shumicë mes grave në Trafalgar Square, Hyde Park, Palace Theatre, Royal Opera House e në çdo mjedis tjetër publik, e trazonte keqazi. Afërmendsh, do të duhej shumë kohë të ndodhte një gjë e atillë, ndoshta një shekull, ndoshta dy, ndoshta më shumë, por ai fakt nuk ia hiqte trazimin aspak. Një botë pa fytyrat e grave i dukej më keq sesa një botë e kthyer përmbys. Dhe ishte ajo një nga arsyet që ia bënin Stambollin të papëlqyeshëm, sido që edhe papastërtia, tollovia, e mbi të gjitha armiqësia me modernitetin e shkujdesja ndaj historisë, do të mjaftonin për t’ia tëhuajtur atë qytet. I kishte lënë shije të keqe vizita që kishte bërë në Shën Sofi, e rrethuar nga katër minaret e ndërtuara pas pushtimit osman të Kostandinopojës. E kishte parë të shfytyruar e të gjymtuar atë ndërtesë, që kishte lindur si kishë një mijë e pesëqind vjet më parë e që shërbente si xhamí prej pesë shekujsh. “Ishte madhështore, por më shumë ishte e pistë sesa madhështore.” E kishte lexuar diku atë frazë? Apo i lindi në kokë atij vetë në përpjekje për të përshkruar çfarë i panë sytë? Nuk e kishte të qartë atë gjë. Por edhe nuk kishte rëndësi. Ai pohim ishte i vërtetë. Pamja e Shën Sofisë i kishte shkaktuar një dhembje në shpirt, që në atë rrethanë kishte rivalizuar me parehatinë fizike që ndiente. Në hapësirat e brendshme kishin shtuar disa mbishkrime në gjuhën arabe, të cilat ishin shkruar me germa pazakonshmërisht të mëdha, e ishin varur nëpër mure, në mënyrë që (ashtu i tha mendja) të mos e linin vëmendjen e gjindjes të përqendrohej veç te lartësia e kupolës, kupola vetë, kolonat, ikonat e afresket nëpër mure, e çdo gjë tjetër e krishterë që ishte ruajtur nga autoritetet, apo që nuk ishte dëmtuar prej kohës. Ndërsa në zona të caktuara të dyshemesë, nën ndriçimin e dobët (që Robertit i ngjante gjithashtu i pistë) të llambave elektrike, të cilat ishin instaluar rishtazi, shiheshin burra të vetmuar, që kryenin ritualet e lutjes. Uleshin në gjunjë me fytyrën të drejtuar nga Qabeja, pastaj çoheshin në këmbë, përkuleshin përpara, çoheshin sërish, murmurisnin një falje, e kështu me radhë, e kështu pa fund. Ata njerëz nuk bënin shaka me besimin. Kur luteshin, luteshin. Dhe ajo shënonte ndryshimin nga çfarë ndodhte në Kishën e Trinisë së Shenjtë që gjendej jo më larg se 100 metra prej shtëpisë së tij në Londër, apo në kishat anglikane në përgjithësi.

E kishte shmangur qëllimisht vagonin e klasit të parë, në kupetë e të cilit, mes oficerëve, klerikëve, udhëtarëve, tregtarëve, autoriteteve të Vilajetit dhe gazetarëve e diplomatëve të huaj, do të gjendej padyshim ndonjë që do donte të hynte në bisedë me të. Ishte i sigurt se çdo bisedë do të niste me pyetjen e tjetrit: “Nuk jeni mirë? Keni nevojë për ndihmë?” Sëmundja e tij ishte e vetmja gjë, për të cilën do kishte dashur të mos fliste me askënd. Dikujt që iu avit gjatë udhëtimit me avullore, e që iu prezantua si mytesarifi i Kosturit, ia preu shkurt me t’u bërë e qartë se kishte gjetur pamjen e ligur të tij si motiv të bisedës, të cilën e hapi me një frëngjishte të rryeshme: “Nuk kam gjë. Jam si kokrra e mollës.” Për ta bërë me dije se nuk i kandej të fliste në frëngjisht, e mbylli përgjigjen duke i përsëritur të njëjtën gjë në gjuhën e vet, pa u bërë merak se i pari i Kosturit nuk kishte si ta kuptonte. Pak më pas, kur ai rrahu të vijonte bisedën me të njëjtën ngadalësi në të folur, Roberti filloi të besonte se qëllimi i tij ishte të testonte frëngjishten e vet, që kushedi kur kishte pasur rast ta përdorte për herë të fundit, e jo të dinte detaje të kartelës së tij mjekësore.

Mori njërin nga dy vagonët e klasit të dytë, atë që vinte përpara atij të grave. Ishte i ngacmuar prej idesë se për herë të parë në jetën e vet do t’i duhej të kalonte gjashtë orë të mira mes njerëzve që, teksa i shihte duke hyrë në vagon apo duke qëndruar te dera në pritje që të hipnin pak para se treni të nisej, i silleshin si të harruar prej qytetërimit. Nuk dinte në do të mund të skiconte ndonjë gjë gjatë udhëtimit, por ishte i sigurt që motivet e skicave do të ishin të panumërta: burra me mustaqe, shqiptarë, sllavë, vlleh, grekë, ushtarë turq, besimtarë që luteshin, pamje të ndrojtura, vështrime të përhumbura. Priste që edhe vagoni vetë t’i shkonte për shtat statusit të tyre të përulur, por u befasua kur pa se ishte normal, ani se ishte i pistë. “Papastërtia i shoqëruaka kudo këtyre anëve. Pak papastërti, nga sa duket, u bëka mirë. Ose ata menduakan se u bën mirë. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet.” Nuk e bëri hiç për të madhe, sidoqoftë. U rehatua në një nga ndenjëset e lira, dhe zuri të dëgjonte me kujdes murmurimën e bisedave rrotull tij, duke u përpjekur t’u jepte ndonjë kuptim, bazuar te shprehitë e fytyrave dhe gjuha trupore që i shoqëronte. Ajo përvojë udhëtimi nuk e zhgënjeu. Nuk ishte bezdisur prej asgjëje, as prej çaf-çuf-eve të skërfyellit, e aq më pak prej armiqësisë së padëmshme të nursëzit. “Me siguri do isha penduar po të kisha udhëtuar në vagonin e klasit të parë,” mendoi.

Të gjithë brofën më këmbë ende pa ndaluar treni. U ngrit pas tyre, por më shumë nga nevoja për të shpirë trupin sesa për t’iu bashkuar ngutit pa kuptim të udhëtarëve të tjerë. Ktheu kryet sërish nga binaja dykatëshe e stacionit, dhe mes kokave të tre-katër vetëve kërkoi me sy atë pjesë të fasadës, ku ishte shkruar: Битола. “Билл,” ia bëri, dhe ishte i sigurt tanimë se sa herë të zihej ngoje në versionin sllav emri i qytetit, ku do të kalonte ca ditë, do t’i vinte vetvetiu në mendje edhe emri i Billit me shkronja cirilike. Qeshi me vete. I vajti mendja që të nesërmen, që në mëngjes, të shkonte te zyra e postës së Manastirit për t’i shkruar një telegram mikut të tij në Stamboll: “Билл, mbërrita. Боб.”

Jashtë ishte formuar një turmë e vogël, e cila qëndronte e palëvizur në mes të largësisë që ndante trenin nga muri ballor i ndërtesës së stacionit. Roberti picërroi sytë për të sjellë më afër pamjet e atyre që prisnin jashtë. Për shkak të territ, që thjesht sa lëndohej prej dritës që dilte nga kandilat me vajguri të vagonit dhe dritës së dobët të një bishtuku, që dikush e mbante në duar në mes të turmës jashtë, dritarja shërbente edhe si pasqyrë, dhe kështu siluetat e njerëzve në peron iu përzien aq fort me pamjet e pasqyruara në xham të udhëtarëve të trenit, sa nuk kuptohej mirë se cilët ishin brenda e cilët ishin jashtë. Provoi të anonte pak kokën majtas e djathtas, dhe trupat në të dy anët e dritares iu ndërfutën njëri-tjetrit, duke krijuar kombinacione të çuditshme. Në një moment në xham, mbi trupin e tij iu shfaq një kokë me qylaf të zi, me mjekër të thinjur e me mustaqe të zeza, të mëdha, gati të varura, si ato të Madhërisë së Tij, Eduardit VII. Qylafi ishte në stilin e kapave, që ai kishte parë t’i mbanin burrat rrugëve të Stambollit, një kon i zgjatur e i prerë.

Kishte lënë porosi t’i nxirrnin në stacion dy kuaj, për atë vetë e për bagazhet, ku përfshiheshin një baule jo fort e madhe rrobash dhe një çantë dore, në të cilën mbante kutinë e furçave e të bojërave të ujit dhe një tufë letrash, ku hidhte shënime e skica të ndryshme pikturash të ardhshme. Kërkoi me sy jashtë ndonjë çift kuajsh, por brenda zonës së ndriçuar para stacionit, kishte vetëm njerëz, mes të cilëve duhej të ishte edhe një shqiptar me emrin Grigor Toska. Billi i kishte thënë se ai, një djalë rreth të njëzetepestave, ortodoks i kthyer në protestant, që punonte për Shoqërinë Biblike, do ta priste e do ta shoqëronte gjatë gjithë kohës. “Ai do të jetë shumë i zënë në ditët e qëndrimit tënd në Manastir, për shkak të forumit mbi alfabetin, por ma mori përsipër. Kështu që mund ta quash punë të kryer,” e kishte siguruar.

Kur të gjithë zbritën, ai nuk pa askënd të interesohej për të. Një grup njerëzish, që dukej se sapo kishin mbërritur, po përpiqeshin të shquanin nëse kishte të tjerë brenda vagonit, dhe me të parë se Roberti ishte i fundit, u larguan për te vagonët e parë. Njëri syresh, një rrumaduc qafëshkurtër, me veshë të mëdhenj e me nofullën e poshtme të dalë, ecte me kokën e tij të madhe të kthyer pas, duke mos ia ndarë sytë Robertit.

“Po sikur përkthyesit t’i ketë ndodhur ndonjë gjë? Po sikur t’i ketë dalë fare nga mendja?” Dera e hapur, tok me një dritare të trenit, që ishte e hapur gjithashtu, përftuan një rrymë ajri, e cila e përshkoi sa ora të tërin. Ishte më ftohtë sesa e priste. Ndjeu një dhembje në kryqe e në kyçe, aq sa instinktivisht, si për të marrë një masë mbrojtëse, e lëshoi baulen në dysheme. E kapi një angështi e lehtë, por pikërisht në atë çast, përpara tij, poshtë shkallëve, aty ku ato bashkoheshin me platformën, çatisi një djalë i ri me pamje të hareshme, e me mustaqe të prera me kujdes. Ishte i veshur si perëndimor.

-Zoti Bolton?

-Grigor Toska?

Folën të dy gati njëherësh.



Fragmenti i dytë bën fjalë për ditën e parë të Kongresit, kur Grigor Toska, njëri prej personazheve të romanit dhe organizator i atij forumi, vijon ta shkruajë shqipen ende me një alfabet të vetin, të cilin kishte kohë që e përdorte. Ishte i tëri latin, pa shenja diakritike, me përjashtim të “i”-së, dhe me dyshkronjësha që i formonte me ndihmën e bashkëtingëllores ndihmëse “h”. Kështu, grafemat e alfabetit të Stambollit ç, δ, ƍ, ƞ, б, ƌ, צ, ᶎ i kishte zëvendësuar përkatësisht me ch-në, dh-në, gh-në, lh-në, nh-në, rh-në, sh-në, th-në, xh-në e zh-në. Nuk e bëri këtë vetëm me rr-në e ll-në, në respekt të shpikësve të tyre, Buzukut e Matrëngës. Ndërsa për sa i takonte zanores “ë” i dha dum punës të shtinte në punë “e”-në e përmbysur: “ǝ”. Ishte e vetmja thikë pas shpine që i futi alfabetit latin. Por edhe atë e bëri në emër të thjeshtësisë e të logjikës. “E”-ja dhe “ë”-ja, si fonema, ngjanin të ishin alter-ego të njëra tjetrës, të afërta, të ngjashme, në një farë kuptimi edhe të kundërta. Grafemat e tyre do duhej ta jepnin atë ide. “E prandaj, e-ja dhe ǝ-ja ishin një zgjedhje e mirë”, mendonte.


E shtunǝ, dita e parǝ e Vjeshtǝs sǝ Tretǝ, 1908

Kishim javǝ tǝ tǝra qǝ lodhǝshim t’i gatitnim ghǝrat pǝr mbledhjen e madhe tǝ Abesǝ. Ne tǝ Manastirit e dimǝ se ch’kemi hequr. Mǝ lehtǝ munt tǝ kishim gatiturǝ ferrnǝ a paradisnǝ sesa kǝtǝ ngharje. Gher nǝ chastǝ tǝ fundit patǝm frikǝ se nuk do tǝ dilnim faqebardhǝ. Mǝ e madhja pjesǝ e tǝ ftuarǝvet ishin me huqe. Na e plasnǝ buzǝn gher ditǝn qǝ ardhnǝ. Mezi u-pǝrghighǝshin ftesavet qǝ u-dǝrgonim. Na nxirrnin lloj-lloj chfajǝsimesh e kundǝrshtimesh. Nuk donin tǝ vinin o ngaqǝ nuk mbesonin se Shqiptarǝt munt tǝ bǝjǝnǝ nhǝ punǝ pǝr tǝ qǝnǝ, o ngaqǝ donin tǝ sigurohǝshin se u-ish caktuarǝ nhǝ rol me rǝndǝsi pǝr tǝ lozurǝ, o ngaqǝ vinin si konditǝ tǝ mbajturit lark tǝ ca tǝ tjerǝve, o ngaqǝ kishin frikǝ se kǝjo punǝ do delte pǝr tǝ mirǝ. Po, po, ǝshtǝ kǝshtu si po them. Kishin frikǝ nga mbarǝsia. E nga bashkimi. Se kur nheriut pǝrcharja i bǝnet mǝndyrǝ tǝ rrojturi, ahere nuk munt tǝ bǝnhǝ pa tǝ, e pǝr rrjedhojǝ zǝ dhe i ep munxǝt bashkimit.

Mirǝpo, i kapǝrcyejtǝm tǝ ghitha kǝto pengime. Dhe kǝshtu, sot paradrekǝs, nǝ orǝn 9 (nǝ orǝn 3 allaturka), muarrnǝ udhǝ punimet e Kongresit. Kish shumǝ njerǝz tǝ ngjeshurǝ pas njǝri-tjatrit. Po tǝ hidhǝsh njǝ kokǝrr molle, do mbetǝsh mi supet e njerǝzvet e nuk do binte mbǝrdhé. Ishin aq shumǝ, sa pǝr tǝ zbriturǝ e nghiturǝ shkallǝt qǝ lidhnin katin e parǝ me tǝ dytinǝ, nherǝzvet u-duhǝsh tǝ pǝshtetǝshin pas parmakǝvet, a pas murit nǝ krahun tjatǝrǝ. Ish e tǝrǝ Shqipǝria qǝ ish ngucurǝ nǝ fare pak metra katǝrchipe: burra tǝ veshurǝ me rroba kombiare tǝ tǝ ghithǝ krahinavet, tǝ ghithǝ me mustaqe, klerikǝ tǝ besimeve tǝ ndryshme, kush me turban e kush me veladon, tǝ tjerǝ tǝ veshurǝ allafrǝnga, me kostum e kravatǝ, qǝ mbanin mustaqe ghithashtu. Ndǝrsa Shkodranǝt Katholikǝ ishin pa qylafnǝ e zi turk nǝ kokǝ. Vech ata, Foti e unǝ ishim pa atǝ qylaf. Me tǝ mos qenǝ ne atje, ay forum do ish mirǝ tǝ quhǝsh “Kongresi i Qylafǝve dhe i Mustaqeve”. Por kǝto ghǝra nuk i vinte re nheri. Do lipsǝsh nhǝ mendǝje e prapǝ si kǝjo e imja qǝ n’atǝ mbledhje tǝ madhe tǝ shqiptarǝvet tǝ tǝrhiqǝsh nga tǝ tilla hollǝsira. Rǝndǝsi pati masa e madhe e pjesǝmarrǝsvet dhe gǝzimi i tyre. Disa u-panǝ edhe tǝ ngashǝryer. Mos mbesoni nǝ dachi, por nhǝ Shqiptar nga Drenica qǝ kish erdhurǝ nǝ Manastir pǝr tǝ blerǝ nhǝ kalǝ e qǝ e pruri rasti atje, u-shastis fare dhe e zu tǝ qarǝt kur u-ndoth nǝ dhomǝn e hyrjes sǝ katit pǝrdhes. “Kurrǝ s’mǝ pat shku menha se kisha me kajt nǝ jetǝn teme. Kjo asht nhǝ ditǝ fort e madhe pǝr Shqyptarǝt,” tha ay mes lotǝve, qǝ i fshinte me dorǝ. Posposi, qǝ ishte aty pranǝ, u-avit tǝ merrte vesh se ch’i kish ngharǝ Drenicarit. Por mbeti pa fjalǝ kur i dǝftyen se ay thjesht ishte prekurǝ nga ch’i shihnin sytǝ. Konsujt, meqǝ ra fjala, pǝrjashtuarǝ Serbin e Grekun, ishin tǝ ghithǝ. Tok me ta ishin edhe autoritetet e Vilajetit. Dukǝsh sikur ishte nhǝ e kremte e qytetit, jo njǝ mbledhje e Shqipǝtarǝvet.

Unǝ nuk dua t’i zǝ besǝ tǝ dukurit. Sepse tǝ dukurit tǝ gǝnhen e tǝ shpǝrudh e tǝ nginh me shpǝresa tǝ kota. Por nuk munt tǝ fshihǝsh se po ndothte nhǝ ghǝ qǝ nuk kishte ndodhurǝ mǝ parǝ. Tǝ bǝnǝsh tǝ mbesonhe se Shqiptarǝtǝ po nisnin tǝ bǝrǝt e istorisǝ nga e para, se po mbesonin nǝ tǝ pǝrlindurit e kombit tǝ tyre, a mǝ saktǝ, nǝ tǝ sghuarǝt pej nhǝ ghumi tǝ rǝndǝ, tǝ thellǝ e tǝ ghatǝ. Se, tǝ rrimǝ shtrembǝrǝ e tǝ flasim drejtǝ, tǝ ghitha tǝ ngharat e ghertanishme kanǝ qenǝ tǝ nxitura pej hallesh tǝ ngushta e fisnore, qǝ ne kemi dashurǝ t’i quajmǝ kombiare. Edhe Lidhja e Prizrenit, pǝr shǝmbǝll, qǝ ca e ca e mbajnǝ pǝr nhǝ provǝ tǝ madhe mǝmǝdhetarie, ish e mejtuarǝ dhe e shtyrǝ nga osmanǝt vetǝ, qǝ donin t’i pǝrdoronin Shqiptarǝt e ngratǝ si mashǝ pǝr punǝrat e tyre. Ǝshtǝ punǝ tjatǝr qǝ ajo lǝvizje u-bǝ mǝmǝdhetare mǝ tǝhu, dhe u-bǝ e tillǝ nga pasojat e jo nga qǝllimet. Sepse qǝllimet nuk ishin mǝmǝdhetare. Pjesǝmarrǝsit atje ishin tǝ ghithǝ Myslimanǝ. Nuk pati Orthodhoksǝ. Nuk pati qoftǝ edhe nhǝ, sa pǝr be a pǝr shǝnhǝ. “Kanǝ qenǝ edhe pak Katholikǝ,” thonǝ ata qǝ duan tǝ shohin ndjenha mǝmǝdhetare nǝ atǝ Lidhje, por nuk na apǝn emǝrat e tyre. Nǝ kanǝ qǝnǝ, duhetǝ tǝ jetǝ fjala pǝr ca Katholikǝ qǝ janǝ ghǝndurǝ m’ato anǝ pǝr punǝ tǝ tyret, dhe janǝ kǝthyer tǝ shohǝnǝ se ch’po nghante me ca shqiptarǝ qǝ ishin bǝrǝ tok nǝ Prizren, ja, sich u-ndoth sot ay Drenicari nǝ shtǝpinǝ e Zavalanǝvet, ku zuri tǝ qante posi fǝmijǝ. Lǝri tǝ tjerat, por nǝ Prizren nuk pati as Toskǝ. Hiq Abdylnǝ e Frashǝrllinhvet, qǝ atǝherǝ ishte i vetǝmi shqipo qǝ kish nǝ kokǝ nhǝ mǝmǝdhe, Toskǝ tǝ tjerǝ nuk kish. Mirǝpo, tǝ ghithǝ e dinǝ se nuk munt tǝ kish vepǝrim kombiar nǝ atǝ mot (1878) pa Toskǝt. Dhe ndǝr Toskǝt, duhen vechuarǝ Orthodhoksǝt. Kǝtǝ po e shkruanh kǝtu, nǝ ditarin tim, se faqe botǝs nuk do tǝ mundǝsha ta thonha. Do tǝ ishte pǝrcharǝse. Do tǝ ish si tǝ mbillnhe ghemba mes nevet, a thua se pak ghemba kemi. Se nǝ kǝtǝ pikǝ ku kemi arritur, e vetǝmja ghǝ qǝ nuk na lipset neve Shqiptarǝve ǝshtǝ e grindurit me sho-shoqnǝ. Janǝ tǝ mjaftǝta gërgasat qǝ kemi me tǝ tjerǝ, si-do-mos me fqinhǝtǝ. Por le tǝ shpǝrejǝmǝ qǝ ghǝrat do tǝ marrǝnǝ pǝr mbarǝ, sich nghan se kanǝ marrǝ. Kǝtu ka Toskǝ e Gegǝ, ka Myslimanǝ e tǝ Krishterǝ. Kur i shihnha bashkǝ, mejtonha me frikǝ nǝ zǝmǝrǝ se dichka kish pǝr tǝ ndodhurǝ. Se si i thonǝ fjalǝsǝ? “I truari nuk bǝnet i uruar”. Dhe kǝshtu, kur asghǝ nuk tǝ ka vajturǝ pǝr mbarǝ, mendǝja vech tersin ndjell. Sich bǝn edhe mendǝja e Memésǝ, apo, sich e kanǝ quajturǝ tǝ ghithǝ kǝto ditǝ, shtrigǝs plakǝ. Pǝr ghatǝ ghithǝ javǝsǝ para Kongresit, nherǝzia vech pǝr tǝ foli, mǝ saktǝ pǝr oguret e zeza tǝ sajat. Tǝ ghithǝ ishin gatiturǝ se nhǝ ghǝ do tǝ ndothte. Nhǝ ghǝ e ligǝ. Ishte aqǝ e fortǝ kǝjo psyhozǝ e frikǝsǝ, sa edhe unǝ, pǝrpara se tǝ dilnha nga shtǝpia, mora pisqollǝn me vet’he. Nusha shqyejti sytǝ kur mǝ pa. Ajo e dinte qǝ unǝ e kisha nhǝ armǝ nǝ shtǝpi, por nuk mǝ kishte parǝ no nhǝ herǝ ta merrja para se tǝ dilnha. E nuk kish se qysh tǝ mǝ kish parǝ. Se unǝ nuk e kisha bǝrǝ atǝ vepǝrim. Dhe po tǝ mǝ pyesǝsh pse e bǝra, mendǝja nuk mǝ shkon nǝ tjatǝr vǝnt, vechse te Meméja. Frosina do mbetǝsh pa gojǝ po ta merrte vesh. Se ajo e di qǝ unǝ nuk ua kam vǝnǝ veshin kurrǝ tǝ chaprashituravet tǝ fallxheshǝsǝ. Dhe mǝ duhetǝ tǝ them qǝ, edhe pse dita e parǝ kalojti pa tǝ nghara tǝ chudichime qǝ do tǝ provonin gojǝn me tǝ ndjellurit keq tǝ sajǝn, mua frika ende nuk mǝ ka dalǝ. Nesǝr nuk kam pǝr ta marrǝ pisqollǝn me vet’he, por kǝtǝ do ta bǝnh ngaqǝ mǝ vjen turp nga vet’heja qǝ jam kǝthyer nǝ besǝtytǝ, e jo ngaqǝ jam i qetǝ. Nuk jam hich i qetǝ. Sepse thellǝ-thellǝ mǝ ǝshtǝ nguliturǝ nǝ kokǝ qǝ dichka ka pǝr tǝ ndodhurǝ.

(c) 2020, Mustafa Nano. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin