POLARIZIMI POLITIK PËRMES BLM

nga Ernest Nasto

Muajt e fundit në Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar lëvizjet e protestave në përkrahje të të drejtave të zezakëve që filluan pas vrasjes së George Floyd nga një polic i bardhë në Minneapolis në muajin maj. Duket se prej atij momenti e tërë Amerika është në njëfarë mënyre “në gjendje proteste”, e cila gjallërohet herë pas here nga episode të ngjashme, si ato në Atlanta, Kenosha, etj.

Protestat kanë nxjerrë dukshëm në pah rolin prominent të lëvizjes BLM “Black Lives Matter” (Jetët e zeza kanë rëndësi) parullat e së cilës shihen kudo në grupet e protestuesve. Po çfarë është kjo lëvizje dhe cilat janë qëllimet e saj?

BLM u konceptua në vitin 2013 në Twitter nga tre femra veprimtare afro-amerikane, Alicia Garza, Patrisse Cullors dhe Opal Tometi si lëvizje e decentralizuar me degë lokale në gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara. Ajo bënte thirrje për “protesta paqësore” kundër asaj që cilësohej “brutalitet policor” në ndërveprimet e forcave të rendit me personat me ngjyrë. Lëvizja e ka rritur popullaritetin me veprimtaritë kundër ”racizmit sistematik” pothuaj në tërë aspektet e kulturës dhe jetës shoqërore amerikane. Pas incidentit të lartpërmendur ajo doli në plan të parë në shkallë kombëtare e bile u përhap edhe jashtë SHBA. Nga numri i pjesëmarrësve në protesta, ndërmjet 15-25 milionë, ajo cilësohet si një nga lëvizjet më masive në krejt historinë amerikane.

BLM ka shpalosur një numër objektivash, disa prej të cilave haptazi radikale, që kanë ngjallur diskutime e kritika nga ana parimore, rreth mundësive të zbatimit praktik, por edhe rreth paqartësisë së gjuhës së përdorur.

Kështu ata shprehen për angazhim në përpjekjen e vazhdueshme për arritjen e ”çlirimit kolektiv të të gjithë zezakëve” si parakusht për të pasur liri e drejtësi për të tjerët, pa shpjeguar se çfarë kuptojnë me këtë. Ata deklarojnë po ashtu se synojnë ndërgjegjësimin për ekzistencën si të ngjashmërive ashtu edhe të diferencave ndërmjet grupeve e racave të ndryshme.

Lëvizja përkrah “barazinë dhe vlerën e të gjitha jetëve zezake”, pa dallim niveli ekonomik, besimi fetar, statusi të imigracionit, dhe thekson veçanërisht afirmimin e “të drejtave të personave gay e transgjinorë”.

Në një nga pozicionet e tyre më radikale ata deklarohen kundër modelit të familjes nukleare (baba, nënë, fëmijë), sepse e quajnë të imponuar nga qytetërimi perëndimor e nga patriarkalizmi i këtij të fundit. Ai model kërkohet të zëvendësohet me një tjetër, bazuar në kujdesin kolektiv për fëmijët nga familjet e zgjeruara, apo nga “gjithë fshati”, sipas praktikave të shoqërive tradicionale afrikane.

Në mbështetje të objektivave për ”liri e drejtësi” lëvizja ka shtruar edhe kërkesa ndaj autoriteteve, ku kryesoret në aspektin juridik e penal janë ato për shkurtimin (defunding) e fondeve për policinë. Sipas tyre ato fonde duhet të përdoren për masa sociale, si qendra rehabilitimi për të droguarit, kujdes ndaj të sëmurëve mendorë, apo trainime për të papunët e ata që braktisin shkollën dhe që priren të bien pre e bandave kriminale. Ndërkaq shumë veprimtarë kanë shkuar deri në kërkesa skajore duke u shprehur për shkrirjen e plotë (abolishing) të organeve të rendit, bile këshilli bashkiak i Minneapolis e shpalli në fakt një masë e tillë, megjithëse më vonë vendimi u tërhoq për t’u rishikuar. Po ashtu një kërkesë tjetër është ajo për uljen e numrit të të burgosurve, sepse dihet që Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të tyre në botë, si në shifra absolute ashtu edhe në krahasim me popullsinë. Pjesa dërrmuese e tyre janë zezakë e hispanikë, prej këtu edhe fokusimi i BLM në këtë fushë.

Në aspektin ekonomik lëvizja u bën thirrje investitorëve në tregjet financiare të braktisin kompanitë private të administrimit të burgjeve dhe t’i drejtojnë fondet në ato që ndihmojnë komunitetet zezake. Një kërkesë tjetër e rëndësishme në këtë aspekt është ajo për t’u paguar reparacione afro-amerikanëve pasardhës të skllevërve të sjellë nga Afrika në shekujt XVII-XIX.

Objektivat e kërkesat e mësipërme janë shoqëruar me reagime në opinionin publik amerikan (e më gjerë), dhe në përgjithësi krahu i djathtë shprehet kundër, ndërsa e majta në favor të tyre. Konservatorët kritikojnë sidomos mungesën e interesit të BLM ndaj dhunës brenda vetë komuniteteve me ngjyrë, si edhe shfajësimin që ajo u bën atyre që kryejnë akte vandalizmi gjatë protestave. Për mjaft eksponentë të djathtë ajo është thjesht një lëvizje radikale, që e sheh botën si të ndarë përgjithmonë në “shtypës” dhe “të shtypur”, pa asnjë mundësi pajtimi e bashkëpunimi, një lëvizje kundër policisë e kundër çdo autoriteti, dhe që synon shkatërrimin total të sistemit politik e ekonomik amerikan. Liberalët nga ana e tyre lavdërojnë faktin që lëvizja ka risjellë në qendër të vëmendjes problemet e pakicave me ngjyrë, duke i kufizuar kritikat vetëm ndaj taktikave të saj. Ndërsa për të majtën e ashtuquajtur progresiste BLM është një lëvizje e panjollë, pothuaj heroike, për gjithë punën e saj për ndërgjegjësimin e opinionit publik për çështjet e drejtësisë sociale dhe kundër brutalitetit policor.

Në morinë e pozicioneve e qëndrimeve paqartësi të mëdha vijnë nga ngatërresa ndërmjet vetë organizatës BLM, pra drejtuesve, dhe pjesëmarrësve në protesta, si të thuash “ushtarëve të thjeshtë”, shumica të rinj të bardhë 18-22 vjeçarë. Për fat të keq ngatërresa të tilla në pothuaj çdo lëvizje masive në histori kanë qenë burim zhgënjimesh e gjakderdhjesh të mëdha (kujtojmë revolucionin francez të 1789 e atë rus të 1917, por edhe lëvizjen e quajtur “nacional-çlirimtare” në Shqipëri).

Nëse mbahet parasysh dallimi i mësipërm, mund të thuhet se edhe përkrahësit edhe kritikët e BLM kanë njëfarë të drejte në reagimet e tyre.

Objektivat e shpallura nga BLM janë vërtet radikale, si ai i lartpërmenduri kundër familjes nukleare, apo ai tjetri se liria e zezakëve duhet arritur me eliminimin e institucioneve të superioritetit të bardhë, kapitalizmit, etj. Këto objektiva, së bashku me vetëdeklarimin si ”marksiste” të dy prej themelueseve, mjaftojnë për të larguar çdo simpati për këtë lëvizje jo vetëm nga konservatorët, por edhe nga ana e liberalëve klasikë.

Mirëpo kritikat ndaj objektivave apo drejtuesve s’duhet të bëhen shkak për të mos përkrahur pjesëmarrësit e shumtë të lëvizjes në fjalë. Sipas statistikave, më se gjysma e të anketuarve amerikanë e përkrahin pohimin se ”jetët e zeza kanë rëndësi” e megjithatë s’janë në dijeni të organizatës me këtë emër, aq më pak të bindjeve të themeluesve apo drejtuesve të saj. Etiketimi i pjesëmarrësve si “kundërshtarë të kapitalizmit”, demokracisë apo të familjes nukleare është e meta më e madhe e kritikave konservatore ndaj BLM.

Edhe eksponentët e majtë gabohen kur injorojnë origjinën radikale të kësaj lëvizjeje dhe bindjet e drejtuesve të saj, duke akuzuar për “racizëm”cilindo që kritikon sadopak BLM. Edhe vetë emërtimi i kësaj organizate kontroversiale e lehtëson cilësimin e kritikëve si “ekstremistë” sepse “s’mund të jesh kundër jetëve të zeza!” Ky thjeshtëzim i çështjes vetëm sa krijon përçarje, pa inkurajuar dialogun e nevojshëm për zgjidhje të vërtetë të problemeve të kësaj popullsie.

Por është polarizimi në rritje i shoqërisë amerikane, sidomos në 30 vitet e fundit, që e bën edhe më të komplikuar kuadrin që përshkruam. Sipas institutit të mirënjohur Pew Research gjatë kësaj periudhe pjesa e të anketuarve me pikëpamje politike të skajshme, qoftë liberale apo konservatore, është rritur nga 10 në 21 përqind. Po aq kuptimplotë janë edhe përqindjet e votuesve që shohin partinë kundërshtare si tërësisht negative: ndër demokratët kjo pjesë ka shkuar nga 16 në 38 përqind, ndërsa ndër republikanët nga 17 në 43 përqind.

Ndarja e opinionit vihet re edhe në mediat amerikane. Kështu ato të djathta kritikojnë çdo mbështetje, sado simbolike, të shprehur nga personalitete konservatore për problemet e ngritura nga lëvizja, siç ndodhi p.sh. tashti së fundi me senatorin Mitt Romney. Kandidati republikan për president më 2012, konservator tradicional e biznesmen i suksesshëm, u kthye sakaq në “vegël të të majtëve” dhe “antikapitalist” vetëm se mori pjesë në një marshim proteste të organizuar nga BLM. Ndërsa mediat e majta nuk sfidojnë seriozisht në intervistat e tyre pikëpamjet radikale të disa eksponentëve të lëvizjes, si p.sh. përkrahjen e hapur për akte vandalizmi (1), duke i paraqitur ato si pjesë normale të debatit publik.

Polarizimi që përmendëm ishte gjer tashti i dukshëm në krahun e djathtë me gëlltitjen e partisë republikane prej trumpizmit, gjë që doli qartazi në pah me faktin që konventa e tyre fundit në muajin gusht nuk miratoi, për herë të parë në historinë politike amerikane, një platformë zyrtare. Dokumenti bazë, që detajon normalisht pozicionet dhe programin e partisë për çdo 4 vjet, u zëvendësua këtë radhë me një deklaratë lakonike që shpallte vetëm një parim: mbështetjen ndaj presidentit Trump. Ndërkaq BLM po zbulon një polarizim po aq të theksuar në krahun e majtë, ku edhe liberalët tradicionalë po konsiderohen tashmë armiq të lëvizjes vetëm se guxojnë t’u bëjnë vërejtje veprimtarëve zezakë, apo se flasin për kompromise e për t’u ulur në tavolinë me palën kundërshtare.

Duket pra se të dy krahët, apo më mirë dy skajet, e skenës politike amerikane, po e përforcojnë me zell polarizimin ekzistues. Thirrjet për pastërti ideologjike brenda secilit kamp, sipas mënyrës së të menduarit “o me ne, o kundra nesh” të kujtojnë automatikisht të famshmen “katërkëmbësh mirë, dykëmbësh keq” tek Ferma e Kafshëve, dhe po përhapen në fakt me shpejtësi. Shto pastaj edhe rritjen e interesit për koncepte si “socializëm”, “marksizëm”, “kapitalizëm”, “antikapitalizëm”, etj (pavarësisht se çfarë kuptohet me to nga të dy palët) dhe pështjellimi bëhet i plotë.

Si përfundim, rëndësia e BLM s’mund të mohohet, sidomos duke pasur parasysh energjizimin nga masa e madhe e të rinjve që përmendëm, sado të keqpërdorur qofshin. Por një kritikë me vend ndaj lëvizjes, gjithmonë në kuadrin e sistemit ekzistues liberal, mbetet ajo e ish-presidentit Obama që theksonte se “nëse përfaqësuesit e zgjedhur shprehen të gatshëm të punojnë me ju për të kryer ndryshimet e kërkuara, atëherë s’mund të vazhdoni më t’u bërtisni në surrat…vlera e lëvizjeve shoqërore është arritja tek diskutimi serioz i problemeve dhe vënia në rrugën e zgjidhjes…”. Dhe mund të shtojmë këtu se ato probleme janë të zgjidhshme, me kusht që palët e partitë ta shohin njëra-tjetrën si kundërshtare politike, siç duhet të ndodhë normalisht në demokraci, e jo si armike, siç po tregohet nga polarizimi i deritanishëm.

Prandaj edhe kritika e mësipërme është e vlefshme vetëm me supozimin se synimi i gjithë kësaj katrahure është zgjidhja e problemeve në kuadrin e rendit ekzistues. Nëse synimi i vërtetë është përmbysja e këtij të fundit, atëherë kjo lëvizje s’ka asnjë ndryshim nga paraardhëset famëkëqia të 1789, 1917 etj. Sa për mustaqepadirsurit “ushtarë të thjeshtë”, të gjithë padyshim të përkushtuar ndaj “lirisë e drejtësisë”, ata duket se harrojnë aforizmin klasik të sjelljes njerëzore, se rruga për në skëterrë ka qenë, dhe vazhdon të jetë, e shtruar nga qëllimet më të mira.

© 2020, Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

=====

1) https://www.wbez.org/stories/winning-has-come-through-revolts-a-black-lives-matter-activist-on-why-she-supports-looting/398d0f3f-73d0-4f2e-ae32-04cceba0d322

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin