Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Komunikim

PËR NJË TELEGRAM

Javën që shkoi, kur mblidhja materiale për shkrimin Nëna ime me pesë emra, më treguan për një djalë gjirokastrit, të mërguar në NYC: një Tefik Ciu, kushëriri im i largët, që ishte edhe sugjeruesi i emrit Susie për time më. Me atë rast, për këtë Tefikun, më rrëfyen edhe një histori tjetër. Shokët e tij, të gjithë në moshë të re, i luajtën një rreng të madh: u dërguan një telegram të afërmve të tij në Gjirokastër, nga Amerika, për t’i lajmëruar se “Tefiku ynë i dashur vdiq.”

Ishin vitet 1930, shqiptarët në të dy anët e Atlantikut ishin mësuar të komunikonin me letra, rrallë e tek me telegram – telefoni as që mund të mendohej. Familja e Tefikut hapi shtëpinë për zi, dhe qyteti e qau birin e vet të vdekur në mërgim. Meqë askujt s’i vajti në mend ta verifikonte nëse Tefiku kish vdekur vërtet apo jo, ai përfundoi si macja e Schrödinger-it, edhe i vdekur edhe i gjallë: i vdekur këtej, i gjallë andej. Telegrami i rremë e ndau botën e Tefikut më dysh – njërën gjysmë me Tefik, gjysmën tjetër pa Tefik.

Kjo anomali në kontinuumin hapësirë-kohë vazhdoi derisa një familjeje tjetër në Gjirokastër i erdhi një letër, ku shkruesi tregonte se kish qenë në një darkë bashkë me këtë dhe atë, dhe mes të pranishmëve përmendte edhe Tefikun. Lindën dyshime, u dërguan telegrame për të konfirmuar se Tefiku nuk kish vdekur. Dhe kur konfirmimi erdhi dhe Tefiku njëfarësoj u ringjall, ose u kthye në Gjirokastrën e të gjallëve, familja e tij vendosi ta festojë lajmin e lumtur me një darkë, ku mes të tjerash u këndua kështu:

Dëgjoni moj mëhallë
Kemi Tefikun të gjallë

Kështu ka qenë diaspora atëherë – e larguar nga mëmëdheu jo vetëm gjeografikisht, por edhe e de-sinkronizuar, ose jashtë faze. Kur vdiste dikush, do të kalonte ca kohë në një limb mes dy botëve, pra se vdekja e tij të sinkronizohej me telegram (si ato orët e Einstein-it, në eksperimentet e teorisë speciale të relativitetit). Njëlloj edhe kur ky dikush ringjallej. Dy botët i mbante bashkë, në thelb, posta – meqë telegramet rezervoheshin vetëm për sihariqe dhe katastrofa; në thelb, për gjëra që nuk duhej të kishin ndodhur.

Kështu ka qenë diaspora atëherë, dhe kjo ka ndikuar jo pak në natyrën e saj, çfarë e sheh ndonjëherë sot e kësaj dite – kur ndesh në ndonjë segment të diasporës shqiptare në SHBA që ende përleshet me “komunizmin” në Shqipëri, identifikohet me “antikomunizmin” dhe beson se Tirana është në duart e të kuqve. Këtyre ende nuk u ka ardhur telegrami i duhur.

© 2020, Peizazhe të fjalës™.

4 Komente

  1. Me shume se Shqiperise qe ka tradite madheshtore te rezistences ndaj tiranise po ia kam friken Amerikes:

    https://www.youtube.com/watch?v=xA7w4x5xTbc

    https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/3/33/HOD%C5%BDA_druh%C3%A1_m%C3%ADza.jpg/220px-HOD%C5%BDA_druh%C3%A1_m%C3%ADza.jpg

    https://e3.365dm.com/20/06/1600×900/skynews-black-lives-matter_5017771.jpg?20200619194627

    Populli thote qe peshku qelbet nga koka, dhe nese peshku Planeti Toke po qelbet nga koka SHBA, atehere nuk do vonoje qe edhe bishti Shqiperi te ndjeke pas. Kete e them edhe duke pare statusin e tashme ish-ministres se arsimit qe fliste per edukimin e qytetarit te mire te se ardhmes. Dmth indoktrinimin dhe krijimin e njeriut te ri komunist me pergjigje shabllone te paketuara?

    Ku i dihet, shume shpejt do e zevendesojme fjalen burre me “fjala-b” prej konotacionit opresiv, seksizmit sistemik, partizanizmit strukturor apo/dhe interseksionalitetit, dhe mund ta shohim dhe murosjen e Rozafes si shprehje e kafsherise se privilegjit te burrave te bardhe. Sigurisht qe keto teorite e fundit jane te gjitha me baza te shendetshme shkencore, vjen me thene empirike, te observueshme ne natyre, nga universitetet elite te botes dhe nese nuk je dakord, mos u shqeteso!, policia e gjuhes eshte aty, e gatshme kurdohere per te te fshikulluar kamzhikun e drejtesise sociale dhe korrigjuar gjuhen dhe mendimet deviante.

  2. E lexova me nje kureshtje te jashtezakonshme trilogjine e autorit ne lidhje me historine e familjes se tij, aq me teper qe une njoh personalisht njerez te afert ose pak me te larget te autorit duke ndare kujtimet me te mira. I kisha degjuar neper tym copeza nga prinderit dhe gjysherit por kjo histori e permbledhur dhe artikuluar me aq mjeshtri, me terhoqi shume sepse i plotesova disa kureshtje te mbetura gjate viteve. Nuk e imagjinoj dot sa e veshtire do kete qene per nje baba qe nuk ka arritur te shikoje vajzat dhe te shoqen per pothuaj 30 vjet. Nga qe i njoh pothujse te gjithe emrat e permendur, u bera kurioz kush eshte Bianka. Mendova gjithashtu dhe se sa ndryshe ishte jeta e mergimtareve te tjere te atyre koheve. Psh..Vellai i tim gjyshi nga nena, dhe ai lindur e rritur nje Gjirokaster dhe ndoshta ne nje moshe te aftert me gjyshin e autorit, mergoi ne Amerike pak a shume ne te njejten periudhe, dhe megjithe kontaktet relativisht te rralla me familjen, asnje nuk di se ku ekzaktesisht jetoi dhe vdiq..dihet vetem se nuk u martua.

  3. Falimnderit..e mendova..i gjithe tregimi ishte nje perle e vertete , perfshi dhe ilustrimet

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin